Kulturë
Shyqyri Fejzo: Të hanë shalqinin dhe desh na rrahën me zhapat
E merkure, 15.05.2024, 07:53 PM
Të hanë shalqinin dhe desh na rrahën me zhapat
Tregim
humoristik
Nga
Shyqyri Fejzo
Të
katër burrat e ardhur në fshat, kur u afruan tek shtëpia e Nekiut, ngadalësuan
këmbët. Ata kishin ditë që kishin ardhur
së bashku në vendlindje. Sejcili prej tyre i kishte vënë një bisht prapa arsyes
së vizitës dhe justifikimit para grave, po e vërteta ishte se i kishte marrë
malli shumë për vendin e njerzit. Me Nekiun të katër kishin lidhje gjaku,
miqësie e shoqërie. Thirrën dhe e shoqja e Nekiut doli tek shtegu i avllisë, u
përshëndet me ta dhe i ftoi të urdhërojnë brenda.
-Do
hynim brenda të hamë dhe një kafshatë bukë sa të mundim qyqen e fshatit, po ti
nuk e paske dhe burrin këtu- foli profesor Dajlani, kushuriu i Nekiut.
-Po
këtu ka gra si burra i dashur kushuri. Pastaj Nekiu sa ta lajmëroj, zere se ka
ardhur.- Dhe vërtet, i zoti i shtëpisë pas dyminutash, me një kovë plastike
mbushur dingëz me qumësht u dha tek shtegu.
-Hë!
Pse rrini këtu dhe nuk hyni brenda?-ju
drejtua të porsa ardhurve. Ai la kovën me qumësht në vend të sigurtë të mos
derdhej dhe po përqafohej me miqtë.
-Ne
mendojmë të qëndrojmë ndën atë arrën, monument natyre-Tha profesor Dajlani,
duke bërë me dorë nga druri shekullor. Pas një debati të shkurtër, vendosën të
qëndrojnë ndën arrë, prej ku fshati duket si në pëllëmbë të dorës. E shoqja e
Nekiut, duke ndukur faqet fshehur miqve, për turpin që po bëhej, duke mos hyre
brenda shprehte revolten e saj të zonjës së shtëpisë. Se ajo e dinte sa ishte
munduar ta bënte shtëpinë “nuse” e të mos turpërohej me asnjë vizitor të
rastësishëm. Kur ndodhi kështu, ajo mori një fshesë të madhe, sajuar prej
purtekash e rrozga dhe po fshinte myshqe, gjethe, karthja e mbetje të tjera që
kishte ndën arrë. Me të shoqin hapën qilimin e madh shumëngjyrësh cep më cep
duke e shkundur se mos në të kishte ndonjë plesht. Në mes të qilimit Nekiu vendosi një sofër prej rrobulli mbi suprinën
e së cilës zinin vend disa pjata me prodhime të arës, bletarisë, kopështit,
pemëve e blegtorisë si meze dhe gotat e vogla që mbusheshin e zbrazeshin me
raki kumbulle të egër të këtyre anëve, të zier dy herë. Në sofrën simpatike tashmë
nuk kishte vend të lirë ku mund të vije pirunin e thikën.
Nekiu
dukej më i shqetësuari, se jo vetëm çeli muhabetin me urimet e tij po herë pas
here ngrihej e shkonte pranë një zjarri aty afër ku i nipi rrotullonte hellin
që rënkonte nga pesha e mishit të qingjit dhe një kokorec me të brendëshmet e
tij.
-E
mora vesh se kishit shkelur në fshat dhe me tim nip po e sajojmë një nga ato që
pëlqehen nga të gjithë-tha Nekiu duke bërë me dorë andej nga dilte tymi e piqej
mishi.
Sapo
shkel behari në këto anë vizita të tilla shoqëruar me ziafete ka përhera.
Dialogët e muhabeteve, dollive në dasma e gosti,i kam pasur qejf shumë. Edhe në
këtë rast,”pa egjër” dhe “pa dushk” po tregoj bisedën që u bë në këtë lloj
trapeze, kur gotat ishin mbushur e zbrazur tre katër herë dhe era e mishit që piqej të cponte
hundën, edhe pse ende rrotullohej mbi prush.
–Kam
vizituar e shetitur në shumë shtete të botës. Kam marrë pjesë në takime e
bankete të mëdha, po lezetin e sofrës tonë tradicionale, të rakisë e prodhimeve
tona nuk e gjen në asnjë vend-e merr fjalën profesor Dajlani, duke i nxjerrë
fundin një gote plot e për plot me raki. Nekiut i u ngritën supat dhe ju duk
sikur i ishin rritur veshët nga fjalët që dëgjoi.
-Ke
të drejtë profesor. Po ka një problem djalli e mori.-ja nisi Nekiu.- Nuk ka më
bagëti si më parë. Kullota në mal dhe në
vërri ka pa hesap. Çdo familje ka pasur shumë bagëti. Në popull në atë kohë
flitej shumë se “gjëja e gjallë të mban gjallë.” Ky zanat trashëgohej nga brezi
në brez. Po tani nuk ka më brez të ri. Ushkuret na kanë mbetur,se brezi ivjetër
iku.Ikën të gjithë.Kush do merret me bagëtitë?!” Sejcili, përveç se përtypej
dhe shijonte ushqimin, tundëte kokën e mendonte sipas mendjes tij.
-Pse
bëhesh merak o Neki. Ato që bënte blegtoria tani po i bën shkenca, intelegjenca
artificiale. Ke dëgjuar ti Neko për intelegjencën artificiale?-E hodhi idenë
guzhinieri, Batushi, kushuriri i tyre i cili kishte kohë që punonte në një
resort madhështor në Tiranë.
-Para
shumë vitesh unë vetëm për ndërzimin artificial kam dëgjuar dhe punuar.Se morëm
seriozisht në fillim, po na doli mirë atëhere…
-Po
ti na çove një shekull prapa more Neko.- e merr fjalën profesori.-Batushi ka të
drejtë.Ti do lije tufën në mal nën kujdesin e ujkut dhe do të zbrisje në fshat
të bisedoje në postë në ata telefonat me mulli me çupën në shkollë, apo djalin
ushtar. Tani me atë telefon si patllake që ke ti, lidhesh që nga stani me tërë
vendet e botës.-tha profesori duke çukitur me pirun një copë mëlçi qingji e
sapo shtruar në sofër e cila avullonte.
-A,
do ruajtur dhe kullotur ajo e uruara blegtori more burra.-foli gjysëm zëri
Nekiu.
-Sot,
ajo intelegjenca artificiale ka futur duar e këmbë kudo.- e merr fjalën ish kryeingjinieri i
uzinës, Maksi.-Ja,të pyesim guzhinier Batushin. Sa ushqime të reja që nuk i
kemi njohur më parë janë futur në
guzhinën tuaj?
…-Ohu!
Shumë.Erën e shijen e qumështit origjinal që mjel sot kushuri Nekua, ne nuk e
njohim. Kemi futur në guzhinë qumështin pluhur, orizin artificial, petulla prej
fluturash e buburecësh e së shpejti do
futim edhe mishin artificial….
-Haj,
haj,haj! –habitet Nekiu.-Ku kemi arritur! Para shumë vitesh djali më solli një
libër.”Dimë të hamë, a dimë të ushqehemi?” Ai që e kishte shkruar, Xoxja mirë e
kishte qëndisur, po në atë kohë nuk i kishim të gjitha ato që duheshin ngrënë.
Tani që i kemi bëhemi nazelinj të
mëdhenj.-
-Në
disa ushqime, thonë dhe doktorët,nuk duhet tepruar. Nuk bën mirë kur
vazhdimisht mishi nuk hiqet nga tavolina. Ai duhet shoqëruar me ushqime bimore
të gjelbra, barishte njomishte…
-Ah,
të dëgjosh një mikun tim. “Delja ndaj rron shtatë vjet se ha bar”thotë ai.- kur
flitet për barishtet,hithrat, qumështoret.
-Diskutoni
sa të doni dhe si të doni, po sofrën time mos ma ngatërroni me këto
barishtet-foli Nekiu dhe hapi krahë e duar
rreth tavolinës, sikur të kishte frikë se
do ja rrëmbenin.
-Jo,
Neko, jo. Nuk e luajmë. E dini ore miq se si thotë doktori për këto raste?
“Bëni sikur harroni se jini të sëmurë dhe lëshojuni mirë atyre që ju nxjerrin
përpara”. Dhe ne atë po bëjmë..
-Ah
more kusho! Gjyshi im dhe juaji, ndjesë pastë, thoshte se “kur thonë që
qershitë kanë shumë sivjet, merr shportën e vogël.”…-Si o kushuri, si? Mish
artificial? Se ne fshatarët njohim mish kau, lope e viçi, mish dashi, cjapi,
qingji dhe keci, mish derri dhe pule. Po ky artificiali prej se do jetë? Çfarë
do të theret?-pyeste e këmbëngul si
mushka Nekua.
-Se
unë kam ndier nga babai se në kohën e Zogut një mësues-shkrimtar Migjen më
duket se kishte qënë, “u thoshte fëmijëve që mësonte e njerëzve të mësohen të
hanë hekur.”, se hekur,topa e mortaja
kishte shumë vendi atëhere, qesëndiste
ai njeri. Më duket se ajo kohë paska ardhur.-
-Me
këto që gatuajmë ne sot, nuk ka nevojë të mësohesh. Boll ta shikojë në pjatë të
kavërdisur me vajra e qepë e hudhër e piper dhe gjithëçka kllapitet “në gropën e Xhelos”. Të gjithëve
atyre që u kam shërbyer e ju shërbej, njëlloj flasin: “Se është më mirë të
hash se sa të rrish pa ngrënë- tha guzhinieri, duke përlarë një
copë mëlçi prej kokorecit që avullonte e shoqëruar me një ohohooo të zgjatur.
-Sa
prapa paskemi mbetur ne të fshatit! Po si ore u prodhuaka mish artificial dhe
unë “vras veten”gjithë vitin me një tufë bagëti të shes qingja, të bëj pastërma
për vete e për të shitur të mbledh bulmet nga qumështi. Jo,or jo. Ne kemi
mbetur akoma tek ura…-ulërinte Nekua dhe herë pas here u a bënte “bromp”
mysafirëve të cilët sot e kishin sajndisur këtu, ndën hijen e arrës.
Rakija
e zier dy herë “që nuk shkonte në pjesët e sëmura të njeriut”mishi i qingjit të
pjekur.aroma e të cilit po ndihej në tërë lagjen, u a zgjidhi më shumë gjuhën
miqve. Vyrtualja, artificialja bashkëkohorja mbasi dilte nga goja e sejcilit,
qëndronte pak pezull mbi sofër e hynte pa teklif në veshët e të gjithëve dhe
veçanrisht ngacmonte keq Nekiun. Ai valonte përbrenda se miqtë po nginjeshin e
dëfrenin me prodhimet tradicionale dhe veç lavdëronin e po çonin në qiell
artificialen, bashkëkohoren shkencoren e më the të thashë.
Nekiu
puliti sytë, ngriti kokën dhe vështrimin e treti lart, tek degët e gjethet e
arrës. I kishte shkrepur të ngacmonte “atë dregëzën” e mishit artificial.
-Ore miq. Më mbeti merak dhe nuk ma thatë se cfarë
theret në thertore t’i hiqet lëkura dhe
të merret ai mishi artificial?
-
Nuk theret ndonjë gjallesë o kusho,jo.
Do vijë lënda e parë në thasë, zihet, përzihet e përpunohet në ato laboratorët
dhe produkti që del, paketohet.E do mish safi, pa eshtra, e do me dhjamë apo
vetëm mish të kuq, e do për gjellë, bërxolla, biftekë apo qofte, këto i
përcakton kërkesa e tregut….Nekiu kishte hapur sytë si të kaut tij,”Kazilit”
kur e conte për të pirë ujë atje tek gurra e ujit.
-Po
ato brenda atyre thasëve cfarë janë? Miell? Rërë? Gjethe pylli, dru, apo gurë
stralli?-dhe vargu i pyetjeve të zotit të shtëpisë nuk mbaronte.
Të
tjerët po gatiteshin të sulmonin se nipi i Nekiut kishte “zbarkuar me hellin e
kukurecin e sapo hequr nga zjarri, me tepsi e thika gati për theror.
Gruaja
e zotit të shtëpisë deri tani nuk kishte hyrë në këtë bisedë burrash. U duk
sikur atë e zgjoi nga gjumi pyetja që bëri profesor Dajlani.
-Na
thuaj ndonjë gjë që mban mend nga e kaluara për këto punët e ngrënies dhe të
guzhinës. A ishin tekanjozë si sot fëmijët atëhere?-foli profesori pasi uroi dhe
me bromp me një gotë raki.
-O,o,o!
Ishin shumë. Një herë vëllaj im që po hante bukë me djathë në dorë, po qahej se
ishte duke i mbaruar djathi dhe do i mbetej të hante bukën thatë. Na qetësoi
gjyshi im. Ai ju drejtua gjyshes në formë urdhëri.- merri bukën nga dora që të
harrojë djathin.- tha ai. Dhe ashtu u bë. Vërtet vëllai e kishte harruar
djathin kur mbeti pa bukë.- Qeshën pak si hidhur të gjithë.
-Kur
na ftuat të kthehemi në shtëpi, të hamë një kafshore bukë, profesori e dha
sinjalin e sulmit, “Do hamë sa të mundim qyqen e fshatit tonë.”Po këtu, ndën
hijen e arrës sikur e prishëm marveshjen-tha ish ingjinieri i uzinës.
-Oho,ho!
Tani ju hëngërt sa dhe ariu i Mecës tu dalë përpara do e mundni.- mburri
fituesit e mundëshëm Nekiu.
Si
pinë disa shëndete, u bënë dhe dy dolli, siç bëhen në këtë zonë, pa harruar të
ngrenë një shëndet dhe për arrën shekullore, rakija e mezetë tradicionale si
duket e grisën napën e turpit e ndrojes.Kështu ka qënë dhe mbetet. Ajo e uruar
gojë nuk flet po nuk hëngri.
Nekiu
ju bëri një pyetje.
-More
miq. Kemi dy orë që po bëjmë muhabet. Mua po më rrotullohet mendja për ato që
folët, për atë bashkëkohoren, intelegjencën artificiale, ushqimet që u bëkan me
industri etj. Nuk më thoni, veç mendjes a ka ndonjë lloz tjetër që e rrotullon
tërë këtë punë?- Dy vetë deshën të përgjigjen njëherësh. Kryeingjinieri ja la
fjalën profesorit. Profesor Dajlani, pasi u mbush mirë e mirë me frymë, ktheu
një gotë raki me fund dhe tha:
-
Pyetje me shumë vend bëre ore Neko. Energja, ore energjia është ajo që ve në
lëvizje gjithëçka. E zemë se dielli do të bëjë pushime nja dy tre ditë e net. A
e di ti se jeta do të shuhej në tokë e ne do na zaptonte errësira dhe i
ftohti i paparë.?
-Po
dielli këtu ka qënë den babaden dhe nuk e bëri ndonjë pushim plazhi apo gjuetie
more djem.-tha Nekua.Pastaj vazhdoi.-Këtu në tokë cila është energjia? A ka
çelës ajo të lëshohet e të fiket.A shtohet e paksohet?
-Kudo
ka energji more Neki.- e merr fjalën kryeingjinieri, Maksi. Po jo të tëra
energjitë njeriu i ka vënë në hudut. Ka energji që i komandojmë, po ka dhe energji që nuk i
komandojmë dot e rrinë hergjele, si i thonë asaj fjalës. Kështu është energja e
deteve, lumenjve, ajo e erës po edhe energjia e diellit.Shkenca…
-Më
fal o ingjinier se po ta pres thekun e mendimit. Unë tek çelësi e kam hallin. A
i ka njeriu të gjitha çelsat e energjisë në ato që na rradhite zotrote? E zemë
se këtu, në fshatin tonë të madh u ngrit ndonjë nga ato që thatë ju. Filloi
prodhimi i miellit, mishit, djathit e gjalpit nga ajo artificialja. Hoqëm dorë
nga prodhimi i bukës, mishit bulmetit nga ajo që kemi trashëguar nga të parët
tanë. Ranë shira me rrebesh, lumi shembi kanalet dhe hidrocentrali i fshatit
ndërpreu punën. Mbetëm pa energji. Si do bëjë populli?
-Ohu
ore burrë!-ndërhyn e shoqja.-Ti e bën më keq se ai tersi I Pojanit…
-Nuk
ka gjë, Neta, jo.-flet profesori.-Ne rrahim mendime dhe kjo është më e
mira.-rekomandoi ai sikur do ndodhnin nesër ato që diskutoheshin.
-Ah
more miq. Na sajndisët shtëpinë dhe arrën, ju ardhëshim për gëzime. Tamam aty
ku jini ulur sot ju, kam pirë e ngritur dolli me atë devolliun e madh,
Driteronë. Nga ai i famshmi Zylo mbaj mend që kishte shkruar: “Unë jam mur i
lartë!-po unë të heq gurin e fundit.” Tek kjo energjia po i fike çelësin, ky
është guri i fundit. Po çelësin në këtë rast e ka ne dorë shiu. Dhe po ja hoqe
atë gur, kalaja rrëzohet…Ndaj ne fshatarët nuk heqim dorë kollaj nga
tradita.”Pyet të vuajturin e jo të
diturin” kemi trashëgim një fjalë ne.-
Aty,
nën hijen e arrës atë ditë muhabeti midis miqësh e shokësh vazhdoi gjatë. I
zoti i shtëpisë herë pas here merrte
gotën e rakisë dhe u drejtohej me “bromp” miqve. Ngacmime i bënte ingjinierit,
Maksit.
-Hë!Më
qafsh o ingjinier.Na fol më shumë për këto të rejat në teknikë e teknologji se
ne me zor hymë në to, djalli e mori.
-Ka
shumë për të thënë o Neki.Sot është shekulli I intelegjencës artificiale dhe
bota e Finteshit.
-Për
atë artificialen u fol po ky Finteshi
ore më qafsh,cfarë është?
-A
e dini si do e merni pensionin tani e
tutje? Me Bankë. Do celni llogarinë tuaj e do tërhiqni paratë me kartë…
-E
kemi marrë vesh more të keqen,e kemi marrë.Po “nuk mësohen kuajt revan në
pleqëri” thoshte im atë. I morëm dhe ne
ato kartat. Shkova një ditë atje te ai që i thoshin bankomat dhe ngatërrova
dynjanë.Erdhi një punonjës i bankës që na kthjelloi mendjen e mbaruam punë.
–foli Aneta.
-E
moj grua dhe ti. Mos e bëj aq gogol se ishte më lehtë se ato qindisjet që bënje në kohë dhe i mësove dhe cupës- ndërhyri Nekiu.
U
pi kafeja muarën nga një sy gjumë e më pas, pasi lanë sytë e u freskuan shijuan luleshtrydhe të pyllit
që i kishte mbledhur i nipi i Nekiut.
Ndërkohë Neta mishin, pjesë nga kokureci, kulaci e ushqime të tjera i kishte
paketuar dhe ua dha me vete sejcilit kur po ndaheshin.
-Oho!
Neta e bëri si ai që tregojnë. Në fshatin tonë ka ndodhur. Miku i ardhur nga
Mokra hëngri e piu në darkë sa u dënd nga ato që shtroi i zoti i shtëpisë.
-Për
të ngrënë nuk them gjë. Po për të pirë nuk na e tregove tamam burrërinë e
mokrarit. Mbase nuk të pëlqeu rtakija.-foli një i afërm i zotit të shtëpisë.
-Ju
betohem se për atë bukë që hëngrëm dhe për atë që do të marr me vete nesër, unë
e pëlqeva rakinë tuaj dhe piva mirë.-u betua mokrari.
Neta e kuptoi ku rrihte cekani i mikut dhe flakë
për flakë nuk ja përtoi.-Hajde. Merrini, merrini. Gëzoni gratë dhe kalamajtë me
keto prodhimet e fshatit se kush e di. Mund tu jete bërë mendja corbë dhe atyre
nga kjo modernja, artificialja a si i thonë që këtu nën hijen e arrës e reja na
shkundi sot dhe mua dhe Nekiun. Po të vini beharin tjetër tavë me mish
artificial, byrek e petulla me flutura e
buburecë do gjeni.Nuk do rrimë prapa botës.Të jesh në mes të hithrave, qumështoreve,
e të gjitha barishteve e mos i hash e mos presësh miq me ato, kjo nuk na falet,
po them se ky gabim nuk do përsëritet.
Kur
makina me të cilën po largoheshin, mori kthesën dhe do dilte në rrugën kryesore
të fshatit, Neta ju lëshua keq Nekiut.
-Ç’na
bëre ashtu, more ditë zi? Tërë ato që lëshove na turpërove shtëpinë.
-Turpëruan
arrën thuaj. Ata nuk hynë në shtëpi. Po ti merr ato shoqet e tua të lagjes,
llafosi mirë e mirë për këtë të sotmen dhe shikoni ndonjë telenovelë turke sonte.
-Atë
që na pëlqen do të shikojmë. A do vish dhe ti me ne?
-Do
të vi të shikoj telenovela turke në television, kur të dëgjoj se turqit
shikojnë me dëshirë filmin Skenderbeu dhe të marr vesh cfarë thanë për fjalimin
e Ramës në Athinë.- u përgjigj Nekiu.
-Ja,ja,
ja! Nuk mban gjëkund pluhur mbi kurriz.!Thuaj çfarë të duash, po sot me ata
miqtë e të afërm e katranose.-vazhdonte avazin Neta.
-A,a,a!
Dëgjo grua e dashur.Ti e di se kemi një jetë të tërë bashkë. Unë fajin nuk e
kërkoj kurrë tek të tjerët., e kërkoj tek vetja. Në më pafshi me thikë në dorë tu ther mishra njerëzve që më vinë, të më varni
në degë të kësaj arre.Do mundohem të gjej andej nga qyteti, miellin artificial,
qumështin pluhur, mishin artificial, ato buburecat e fluturat per të bërë
petulla.Ti do bësh bukë me miell dhe
pilaf me oris sintetik a si i thoshin. Nuk pranojmë të na thërresin të
prapambetur ne.
-Dëgjo
grua! Kushurinj e miq na hëngërn shalqinin dhe deshen të na rrahin me zhapat e
tij. Ndaj nuk i durova.