Kulturë
Mihal Gjergji: Kali i Gjeneralit
E premte, 17.05.2024, 07:32 PM
KALI
I GJENERALIT
Nga
Mihal Gjergji
Qysh
nga rinia ime ruaj në memorie një rrëfenjë interesante të ndodhur dyqind e ca
vjet më parë. Tri fshatra në lumin e Vlorës u ngatërruan keqas; një fshat në
Smokthinë dhe Bolena me Tërbaçin. Shkaku ishte një femër. Një vajzë nga fshati
i parë ishte fejuar me një djalë nga Bolena, mirëpo ky i fundit u largua në
kurbet dhe s’u kujtua asnjëherë për nusen që priste t’i kthehej burri. Kaluan
dhjetë vjet dhe s’mori asnjë lajm, asnjë letër, asnjë shenjë. E që të mos
plakej në shtëpinë e prindërve, këta të fundit e fejuan me një tjetër djalë,
por këtë herë nga Tërbaçi. Ndodhi ajo që s’prisnin, kurbetlliu u kthye.
Hakmarrja ishte e pashmangshme. Ata që vendosnin u mblodhën në kuvende, e në
fund u bashkuan kryepleqtë e tri fshatrave, pikërisht ku bashkohen tri rrugë,
në afërsi të Bramyshnjës. Vajzën e re e veshën me vello nusërie dhe e hipën në
kalë. Ajo s’do t’i fliste kalit, kapistallin s’do ja tërhiqte. Kryepleqtë
shikonin me vëmëndje dhe shqetësim rrugën që do ndiqte kafsha e gjorë, sepse
atje ku do shkonte ajo, atje do mbrinte edhe nusja. Dhe kali u nis në drejtim
të Bolenës, pra vajti haka te i zoti.
Ashtu pa pritur, këtë histori ma rizgjoi nga kujtesa miku im, Halo Mala.
E takova dy herë në fundprillin e këtij viti në kryeqëndrën tonë. Në afërsi të
tavolinës ku ishim ulur, një televizor i vendosur në këndin karshi rrugës
shfaqte herë pas here figura të ngjitura në katodromin e politikës. Ishin
gërdallat e vjetra që bashkëbiseduesi im i njihte aq mirë, por që mendonte se
duhet të kishin ikur nga skena publike. S’kishte faj, kthehej nga Amerika dhe e
dëshironte Tiranën pa tiranë. Ishte ai mësuesi dhe unë nxënësi, dhe nxënësi
duhet të dëgjojë. Pikërisht këto pamje e tronditën. Sytë plot dritë ju veshën
me mjergull, balli ju mbush me rrudha. Ndoshta kjo u bë shkak që, gjatë atyre
minutave që konsumuan ato kafe të hidhura, të më rrëfente dy ngjarje
interesante që lidhen vërtet me kuajt. “Kisha vajtur te shtëpia e vjehrrit në
Nivicë, te Mehmet Bega. E ngaqë s’po shikoja njeri, zhurma ngjitur me murin e
shtëpisë më bëri të ndalja hapat dhe të mbaja vesh. Ishte një konak i vogël ku
mbanin gjëra të përdorura. Ktheva kokën dhe pashë Mehmetin. Më ftoi të futesha
brenda. Më mbetën sytë te një palë yzengji të bardha. E pyeta dhe ai më
tregoi;- Janë të gjeneral Gotit. Kur ishim në frontin e luftës, në Vlorë, shumë
kurveleshas qëndronin në krah të Selam Musait. Sipër një kodre doli gjenerali
hipur në kalë. Riza Cane Seferi nga Nivica pyeti Selamin nëse duhet të
qëllonim. Për luftë kemi ardhur, u përgjigj trimi nga Salaria. Rizai e shembi
për tokë gjeneralin, pastaj i shkoi afër, e çarmatosi dhe i mori dylbitë. Ato
janë ende në muzeun e Tepelenës. Shoku në krah mori frerin në ngjyrë të
florinjtë, unë mora yzengjitë…Kali i mbetur pa zot hingëllinte kodrave të
Kaninës. U befasova,-vazhdon rrëfimin e tij Halua dhe bëra një shkrim me
titull: “Prite o gjeneral Goti, mu në ballë nga nivicioti”. E shpura në
Tepelenë dhe porosita korespondentin e një gazete qëndrore të mos ndryshonte
asnjë fjalë. Mirëpo mbas botimit u shqetësua udhëheqja e lartë. Këtë shqetësim
e përcollën në bazë dhe telashet e mia s’kishin të sosur. Partisë i mjaftonin
dëshmorët e deklaruar. Mendoja se kisha bërë një zbulim, sepse s’dija që Cane
Seferi ishte i padëshiruar për "shokët" e partisë. Dhe brenga e dytë
e Halos lidhej me festivalin e radhës që bëhej në Gjirokastër. Si drejtues
grupi dhe autor teksti u nderua me medalje, vlerësimi më i lartë që jepej, por
s’ia dhanë asnjëherë në dorë. Këtë vlerësim mori edhe grupi i valltarëve të
Gusmarit, por edhe atyre s’ua dhanë, sepse në takimin ku vinin shokët e
udhëheqjes s’donin të ishin të pranishëm dy nga valltarët më të mirë; Remzi
Bana dhe Merqes Ndreu. Ishte njëri nga kuajt e pushtetit që merrte vendime.
Shikoja bashkëbiseduesin dhe para syve më shfaqeshin si në ëndërr; kali i
nuses, kali i gjeneralit, kali i pushtetit…Kishte të drejtë Halua. Në Shqipëri,
turmat ecin andej nga shkojnë kuajt.
Tiranë, Maj 2017