Kulturë
Vilhelme Vrana Haxhiraj: Portreti i shkrimtarit Kadri Tarelli
E merkure, 15.05.2024, 07:56 PM
Portreti i shkrimtarit Kadri Tarelli
Nga
Vilhelme Vrana Haxhiraj
Librin me titull, “Në botën letrare të Kadri
Tarellit”, ia kushtoj njeriut “Njeri”, historianit, publicistit, qytetarit
të mirë, krijuesit letrar të palodhur, mikut të të gjithëve, të kudogjendurit
Kadri Tarelli!
Të kesh mik një njeri të
tillë, i cili udhëhiqet nga thjeshtësia, mirësia, toleranca, mirëkuptimi dhe
shoqëria e sinqertë pa interesa,veç kënaqësisë është vlerë, virtyt, pasuri
morale dhe shpirtërore. Në këto kohë të vështira, ku shoqëria dhe miqësia
krijohet vetëm për interes, vlerësohet thënia:“Më mirë një mik të mirë dhe
të besës, se sa një çiflig”!
Të nderuar miq! Në librin e
botuar në ditët e para të prillit, me titull,“Në botën letrare të Kadri
Tarellit”,vihet re se përballë krijuesit letrar, qëndron lexuesi, kritiku,
analisti apo kolegu si vlerësues i paanshëm i realitetit. Gjithashtu z.
Tarelli si krijues letrar, studimor apo
si analist, si dhe të tjerët për atë, secili më vehte ka ngritur në piedestal
mësuesin veteran, sudiuesin, publicistin e shquar, poetin lirik të mendimit të
lirë, të bukur e domethënës, shprehur përmes fjalës së lirë.
Kadriu dikur është shprehur:“duke
ndenjur me ju poetët, ngutem të jem dhe unë poet!”.
Ishte vonë, pasi koha e
ngrysur kishte pllakosur kombin që e do lirinë dhe begatinë e tij baraz me
jetën. Sapo lindi drita e shpresës, Kadri Tarelli ashtu si papritur, trokiti në
sofrën e poetit, të shkrimtarit apo studiuesit për të thënë fjalën e tij të
munguar. Ai erdhi u ul në sofrën bujare të letërsisë, si kënga e bilbilit, që
të zgjon nga gjumi e të josh me ëmbëlsinë e zërit të tij të bukur. Bilbili nuk
njeh kohë, ndaj vjen si lajmëtari i stinës së bukur, pranverës që e vazhdon
këngën e tij, edhe në verë dhe në vjeshtën e ngjyrave..., duke iu mënjanuar
përgjumjes së dimrit, për t’u ftilluar përsëri...sapo çelin lulet dhe natyra
gjelbëron.
Natyra me gjithçka është e
përjetshme, por kohën të mirë apo të keqe, të admirueshme apo të mërzitshme, e
bëjnë njerëzit, të cilët janë ndërtuesit e jetës, por dhe shkatërrimtarë të
vetvetes. Janë pikërisht po Ata që, me mendjen, intelektin, talentin,
horizontin dhe palodhshmërinë e tyre, kërkojnë ta sfidojnë kohën e mbrapshtë,
duke e shndërruar në të dobishhme dhe të këndshme. I tillë është dhe personazhi
i nderuar, të cilit i kushtohet libri me titull “Në botën letrare të Kadri
Tarellit”. Për
individualitete intelektuale si z. Tarelli, s’ ka rëndësi mosha, as koha kur
nisi të shkruajë.
I nderuar miku ynë, Kadri!
Kurrë nuk është vonë për të thënë dhe bërë gjënë e duhur. Si mësues me përvojë 40 vjeçare, si publicist
i hershëm i gazetës “ Mësuesi”, aktivist i shquar, i kudogjendur, me shpirt të
madh fisnik e artistik, i mbrujtur nga historia dhe bukuria e vendit të tij,
nga pasuritë e mëdha, mbitokë e nëntokë, por mjerisht i zhytur në skamje e
varfëri. Në kushte të tilla të rrjedhave të kohës së egër, z.Tarelli gjeti veten në studime historike,në
njerëzit e vlerave të Durrësit e më gjerë. Në këtë mënyrë zbuloi talentin
letrar të fjetur në labirintet e errëta të shpirtit dhe përmes poezisë, i
këndoi atdheut, stinëve, njeriut si vlera më e madhe për jetën. Mbi të gjitha
z.Tarelli i ka kënduar dashurisë. Ky personalitet dhe individualitet i heshtur
pa bujë përmes krijimtarisë letrare dhe me vlera edukuese për të sotmen dhe të
nesërrmen janë librat që ai po u dhuron brezave.
Ndaj them me bindje, nga
përvoja e shumë njerëzve të ditur, duke filluar nga Servantesi, i cili
filloi të shkruaj në moshën 61 vjeçare dhe ka lënë në altarin e artë ose
në Panteonin e Letërsisë Botërore një kryevepër që vlen si simbol për
çdo kohë dhe sistem politiko-shoqëror. Romani i tij, “Don Kishoti i Mançës”,
është aktual edhe sot dhe do të ngelet një vepër e dimensioneve sipërore të
aktualitetit që nuk njeh kohë.
Ishte koha, me të gjitha
cilësitë e saj, e cila e shkundi dhe e zgjoi Kadriun nga gjumi letargjik. Ai
erdhi si me porosi, si misionar i dijes për të treguar të pathënat e
jetës, të lëna në harresë nga frika e gjëmave të kohës.
Si mësues veteran i Historisë,
duke ecur me mendje nëpër vragat e kohës së egër që nga lashtësia, përmes
gjuhës letrare, sociologjike, filozofike, solli nga kasaforta e kujtesës fakte
dhe bëma historike të së shkuarës së kombit më të lashtë pellazg-ilir-arbër.
Kapur për dore çaploi përjetimin e të sotmes dhe hapi siparin e të nesërmes
dilemë. Ai me veprat e tij letrare, mundi të sjellë realitetin e përjetuar dhe
shpresën për kohë më të mira. “Kultura e gjerë e tij dhe përvoja, e ndihmuan
që, me guxim të sjellë njohje të vjetra, se vetëm kështu simbolika e të
shkruarit e kthen në “mbret” të vargut dhe të mendimit.” -shprehet poetja
durrsake, Merita Kuçi Thartori.
Kadriu, poeti i fjalës së
bukur, publicisti dhe analisti i mendimit të thellë, nuk harron të përmend
penat që ka nxjerrë kombi ynë, pa harruar trojet etnike shqiptare. Ai i ka bërë
të tijat, vargjet e Rabindranat Tagorës,“Jeta është me shumë fytyra,
ka lot, po ka dhe gaz.” – kështu e krahason miku i tij, Shpend Topollaj. Kadriu nuk ishte vetëm
mësues, pasi tek ai gëlonin mendimet poetike, publicistike, por njihet dhe si
aktivist i shquar i ngjarjeve të mëdha kombëtare, madje edhe në trojet etnike shqiptare.
Në maj 1998-me rastin e
formimit të Fondacionit Sulejman Vokshi”, ku ishte dhe anëtar i tij, në
sheshin kryesor Durrës, në mitingun madhështor “Një komb, një qëndrim”,
Kadriu çeli mitingun me fjalët magjike,; “Për kombin, asnjëherë nuk është
vonë, dhe gjithçka nuk është e tepërt”.
”Z. Tarelli
është një kritik zëbukur dhe aktivist i
veçantë, që duhet përshëndetur”, citon, znj.Fatmira Beqja.
Tarelli, dallon në elegancën
dhe bukurinë muzikore, të vargu tpoetik apo në prozë, thurur nga ai, tek i
cili, kanë lënë plagë apo ndjesi të forta, të cilat u shndërruan në një
trashëgimi kulturore me mesazhe për kombin, për gjuhën, për trojet etnike.Për
krijimtarinë e tij të pasur është vlerësuar me shumë çmime. Unë po veçoj disa
prej tyre...
Kadri Tarelli
i vlerësuar si më poshtë:
*Dekorohet me Medaljen “Naim
Frashëri”, nga Kuvendi Popullor i Shqipërisë.Tiranë.1990.
*“Mirënjohje”, nga
Qendra K Shqiptare Migjeni -Suedi-2011
*Çertifikatë falenderimi”,
nga Sh.“Papa Klementi XI. Albani”, Suedi. 2018.
* Çmim
special”, për poezinë “Kënga e
Bilbilit- konkurs letrar -Tropojë,2018
* Përfshihet në “Antologjia
e 60 Poetëve shqiptarë,suedezë
etje..
* Çertifikata“Noble Star
for literature”(Yll fisnik në literaturë), nga Akademia Kombëtare e Artit dhe
Kulturës në Indi, 2019.
* “Ambasador
for Peace”. Ambasador për Paqe,nga
“Federata Universal Peace”-2020
* Anëtar
nderi i Shoq.së Shkrimtarëve
dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI. Albani”. Suedi.
* Vlerësohet me çmim
nd/kombëtar në Itali më 2017
* Poezia fituese, “E pabesë
është dashuria” është përfshirë në Antologjinë Botërore-2017
Suksese, jetë të gjatë dhe
krijimtari të bukur, Z.Kadri!!
Ju faleminderit që më dhatë
mundësinë të njoh portretin tuaj individual, intelektual dhe letrar!
Për lexuesin unë përzgjodha
poezinë e autorit Tarelli, me titull “Nuk bëhesh i Madh”, të cilën e
vendosa në palosjen e kopertinës...
Nuk bëhesh i “madh”!
Poezi nga
Kadri Tarelli
Bisedë me më të rinjtë...
Nuk të bën shqiponjë, mali ku je
ngjitur,
as gjel kokosh, plehu ku ke hipur!
Nuk të bën të zgjuar, karrige bythës qepur,
as bukurosh, kostumi i shtrenjtë gjetur.
Edhe trim s’të bën, shpata brezit ngjeshur,
as dhëndër s’të nisin, rrobat që ke veshur.
Nuk të ve në qoshe, qeleshja mbi kry,
as krushk nuk të çon, ballukja mbi sy.
S’të bën filozof, mjekra gjoksit zgjatur,
As të ditur syzet, përmbi hundë mbajtur.
Shitësi në dyqan, s’i shton mallit vlerë,
mendjemadh me huqe, kush ka për të blerë?
Mos u mburr më kot, nga lartësi e shtatit,
punëtor nuk të bën, bishti i gjatë i shatit.
As të madh të mban, emri mbetur fisi,
vetë kërko diellin, mos pre trungje lisi.
Veset s’të çojnë lart. Po munde ti prishi!
Keq, kur të tundon, mishi, goja, binishi.
Me hije mëngjesi, veten pse e mat?
Mos u qaj më kot, s’të ka kush inat.
Hip në shpinë të bletës, të shijosh nektarin,
veç me punën tënde, ti e ndez
pishtarin.
Po e ndoqe mizën, vajte në bisht të kalit,
pa vlera, mund dhe dije, kot i qepesh malit.
Të moçmit na thonë:” shëndet, dije, punë!”
Ti mos lakmo hijen, se të mban në gjumë.
veprat lenë gjurmë, bëjnë historinë,
ato flasin vetë, gdhendin madhështinë!
Kadri Tarelli
Durrës, më 19, të korrikut, 2017.