Kulturë » Mërkuri
Timo Mërkuri: Një Ditë e Natashës Lako
E hene, 20.05.2024, 07:55 PM
NJË DITË E NATASHA LAKOS
Nga
Timo Mërkuri
Poezia
"Një Ditë" e Natasha Lakos përfiton një vëmëndje të veçantë si për
temën dhe formën e realizimit, ashtu dhe për faktin se: ndonëse e shkruar dhe
botuar në vitin 1979 në Revistën Nëntori (prej nga e publikoi së fundmi Petro
Mejdi nga koleksionet e tij), ajo nuk është përfshirë në asnjë përmbledhje
poetike të Lakos të asaj periudhe. Të vesh në diskutim vlerat artistike të saj
është absolutisht e pa vend, të tjera duhet të kenë qenë arsyet e
mospërfshirrjes së saj, të cilat kuptohen dhe ndjehen vetëm pas një leximi të
vemëndshëm.
Kjo
poezi shfaq një perspektivë introspektive mbi përjetimet dhe ndjenjat e grave
nëpërmjet një sinteze që trajton tema që përfshijnë kohën, angazhimin dhe dashurinë.
Hyrja në “vitet e shkuara” është
gjetur nga poetja si një portë prej nga ajo hyri dhe, si në një kamp përqëndrimi
pa dashuritë dhe ëndrrat të ngujuara e të copëtuara, fakt ky që jo vetëm e
revolton por dhe e angazhon: “Do të punoj
në emër të të gjithave/do të dashuroj
me dashurinë e të gjithave”,duke përcjellur një mesazh që interpretohet si
thirrje për të vlerësuar kohën dhe përjetimet e kaluara , për të reflektuar mbi
dashurinë dhe përkushtimin ndaj të tjerëve, si dhe duke u angazhuar në emër dhe
bashkë me të gjithë për të ndikuar në botën përreth dhe për të krijuar një
impakt pozitiv. Mendoj se qysh këtu nisin problemet e kësaj poezie me kohën, të
cilat ju ftojmë ti zbërthejmë në shoqërim gjatë analizës.
I-Vargu "Një ditë hyra në vitet e shkuara" është hapja e poezisë dhe përmban një ngarkesë emocionale
dhe kuptimore për interpretimin e saj, ku aspekte që mund të analizohen për
këtë varg janë:
-Ndonëse
fjala "Një ditë" fillon poezinë
me një moment të caktuar ku personazhi hyri në "vitet e shkuara" , kjo tregon një hap të rëndësishëm që ndërmori
poetja pasi tregon një lëvizje kohore nga e tashmja në të kaluarën, hyrje që
artistikisht mund të shprehë një moment reflektimi ose një kujtesë përjetimesh
të kaluara.
-Simbolika
e "vitet e shkuar" është e
rëndësishme në kontekstin e poezisë sepse së pari: transmeton idenë e poezisë
për përjetime të kaluara, por është dhe një farë mburoje e autores për temën që
trajton. Poetja lehtësisht temën e sposton në një kohë të pacaktuar, por që
gjithsesi është shumë larg kohës kur ajo shkruan poezinë (viti 1979). Arsyeja
është shumë e thjeshtë, në vitin 1967 udhëheqësi i vendit mbajti një fjalim
programatik duke u pozicionuar në mbrojtje dhe emacipim të femrës shqiptare,
pra poetja duhej që kohën e hyrjes në vitet e shkuara (ku pa “Dashuritë të mbyllura /Ëndrra të coptuara”) ta spostojë para kohës së mbajtjes së atij
fjalimi, ndryshe do kishte probleme.Teorikisht, me këtë varg (Një ditë hyra në vitet e shkuara")
poetja paraqet një perceptim subjektiv të kohës duke i dhënë një qasje
modernizmi poezisë, një aspekt që mund ti “shënohej” në “kartën e krijimtarisë”
si shfaqje anti soc.-realizmi. Arsyeja e
dytë është fakti se jo shumë larg ishte mbajtur Pleniumi famëzi i IV që shtroi
shinat e soc.-realizmit mbi të cilat do ecte kultura, arti dhe letërsia dhe
ishte e dukëshme që kjo poezi, në formë dhe përmbajtje kishte dalur nga shinat
(binarët) e soc-realizmit. Po të ishte vetëm kjo, edhe i falej kësaj “çupke pe
Korçe”, por “hataja” e poezisë vjen më pas.
-Vargjet
"Do të punoj në emër të të gjithave/
Do të dashuroj me dashurinë e të gjithave" shfaqin një vendosmëri dhe
dëshirë për të sjellë ndryshime pozitive në botë, duke përfshirë dhe shprehur
dashurinë në një mënyrë universale. Analiza e këtyre vargjeve sjell disa
interpretime:
-Vendosmëria për ndryshime pozitive në
botë shprehet te fjala "Do të punoj".
Kjo lidhet me dëshirën për të kontribuar në shoqëri në një mënyrë që sjell
përparim dhe përmirësim për të gjithë dhe në veçanti të statusit të gruas, por
ama fraza ka kuptimin që “do punoj unë”,
dhe jo do punojë partia dhe udhëheqësi. Sigurisht që pyetja që kanë bërë
redaktorët ka qënë përafërsisht: Kush është kjo çupkë që mënjanon udhëheqësin dhe del vetë në ballë të punës, kur për
udhëheqësin në atë kohë këndohej kënga: Ti përpara, ne pas teje…?
-Ajo
që ka rëndësi te vargjet e mësipërme është solidariteti
dhe përkushtimi me dhe ndaj të gjithë individëve dhe grupimeve shoqërore,
që shprehet me frazën: "në emër të
të gjithave". Kjo paraqe një dëshirë të poetes për të punuar dhe
përmirësuar statusin e vajzave dhe grave, ndonëse interpretimi shtrihet edhe në
një dëshirë për të punuar për të përmirësuar të mirën e të gjithëve, duke
përfshirë të pastrehët, të pambrojturit, dhe ata që janë në nevojë etj.
Sigurisht që dhe te ky interpretim është e dukshme dalja nga soc.-realizmi.
-Poetja
i jep dashurisë përmasat universale
nëpërmjet përdorimit të fjalës "dashurinë
e të gjithave" e cila përfaqëson një kuptim të gjerë të dashurisë. Kjo
mund të interpretohet si dëshirë për të
dhënë dhe për të pranuar dashuri nga të gjithë, pa dallim dhe kufizime, duke u
shndruar në një shprehje përkushtimi për të krijuar një botë më të dashur dhe
më të mirë për të gjithë.
-Autorja
mund të shprehë dëshirën për shpëtimin
dhe çlirimin e dashurive të të gjitha grave te vargjet e përmendura. Në
këtë kontekst, vargjet paraqesin një thirrje për angazhim të përbashkët për të luftuar për
drejtësi dhe lirinë e grave e vajzave, por dhe si shprehje solidariteti me
gratë që përjetojnë diskriminimin, dhunën, ose të tjera forma të padrejtësisë
sociale e shoqërore. Vargu" Do të
punoj në emër të të gjithave " mund të paraqesë angazhim për të
ndryshuar strukturat dhe normat
shoqërore që cungojnë statusin e gruas, me synimin për të ndryshuar realitetin
shoqëror dhe për të siguruar që të gjitha gratë të kenë të drejta të barabarta.
Kjo thirrje, ndonëse është shprehur në vetën e parë (do punoj, unë) është një
thirrje për veprim kolektiv dhe për të qenë zë për ndryshime pozitive në
shoqëri. Kjo dëshirë për të punuar në emër të të gjithëve dhe për të “dashuruar me dashurinë e të gjithave”
paraqet idenë e poezisë si mjet për të krijuar ndryshime pozitive në shoqëri
dhe për të shkaktuar ndjenja të përshtatshme te lexuesit. Sigurisht që me
termin "dashuri", poetja nuk nënkupton vetëm dashurinë mes dy
partnerëve, por edhe dashurinë për për familjen, për karriere, për arsimin dhe
për përkushtimin ndaj idealeve dhe pasioneve të ndryshme etj.
Pra,
në esencë, poetja shprehet se poezia ka fuqinë për të ndryshuar perceptimet,
për të ngritur ndërgjegjen dhe për të frymëzuar veprime të mëdha për të
ndryshuar botën (reale apo shpirtërore), duke shprehur një besim të madh në fuqinë
e fjalës së shkruar dhe aftësinë e saj për të ndryshuar realitetin. (Sigurisht
që një hetues monist do mbushte nja dhjetë faqe material për akuzën me këto
interpretime).
Unë
nuk e di në se mospërfshirjen në vëllimet e botuara nga autorja këtë poezi e ka
hequr redaktori apo nuk e ka përfshirë poetja, por kjo poezi tregon se kjo
“çupkë” nuk ka qenë dhe aq në rregull “me vijën”, për fatin tonë të mirë.
II-Janë
pikërisht vargjet "Do të punoj në
emër të të gjithave / Do të dashuroj me dashurinë e të gjithave!" që
na tregojnë se poezia “Një ditë”e Natasha Lakos i përket rrymës së poezisë
progresive ose angazhuar. Kjo rrymë fokusohet në të drejtat sociale, politike
dhe njerëzore dhe shpesh përdoret për të përfaqësuar ide dhe qëllime shoqërore.
Poezitë e kësaj rryme shprehin qëndrime kritike ndaj padrejtësive dhe përkushtim
ndaj një idealizmi për ndryshime pozitive. Në këtë rast, poetja shprehe një
dëshirë për të punuar në emër të të gjithëve dhe për të gjithë, duke paraqitur
angazhim për të ndryshuar dhe përmirësuar shoqërinë për të gjithë individët.
Kujtojmë
se poezia progresive ose angazhuar është një formë e poezisë që përdor fjalë
dhe imazhe për të shprehur qëndrime e qëllime sociale, politike e njerëzore dhe
fokusohet në problemet shoqërore, padrejtësitë, dhe sfidat e shoqërisë, duke
përpjekur të nxisë ndryshime pozitive dhe të zgjojë ndërgjegjen e lexuesve për
të parë dhe njohur thelbësisht realitetin në të cilin jetojnë. Kjo poezi ka një
qëndrim kritik ndaj sistemeve të padrejtësisë dhe pabarazisë dhe përpiqet të
theksojë nevojën për drejtësi dhe liri për të gjithë individët dhe këtë
përpiqet ta realizojë përmes imazheve, metaforave e simboleve që paraqesin
situata të rënda sociale ose politike. Poezia progresive shpesh ka një qëllim të qartë e të dukshëm për të
nxitur ndryshime në shoqëri, për të mbrojtur të drejtat e njeriut etj. Një
shembull i njohur i poezisë progresive është Pablo Neruda, i cili përdorte
imazhe për të shprehur solidaritetin me të pambrojturit dhe për të kundërshtuar
padrejtësitë shoqërore. Kjo lloj poezie ka një impakt të madh në lexuesin e saj
dhe mund të ndikojë në diskutimet dhe veprimet shoqërore.
Pra
, veç sa thamë më sipër, nqse do ti evidentohej edhe qasja me rrymën e poezisë
progresive ose angazhuar dhe fakti që nuk plotësonte asnjë kriter të realizmit
socialist unë nuk dua të mendoj se çdo kishte ndodhur. Veçse unë ju them se
është një poezi shumë e bukur, shumë e ngrohtë, tepër shpirtërore dhe e kuptu-eshme,
ndonëse është një poezi moderniste.
III-Vargjet
"Dhe gratë më treguan/Dashuritë e tyre të mbyllura / Ëndrat e tyre të coptuara"
paraqesin një pamje të ndjeshme të përjetimeve të grave, duke përdorur metafora
të fuqishme për të shfaqur ndjenjat dhe dëshirat e tyre. Fjala "gratë" në këtë varg përfaqëson një
grup të gjerë, ku rrëfenja e tyre është qendra e idesë së vargjeve. Kjo fjalë
krijon ndjenjë përgjithësimi e përfaqëson përjetime të njejta nga disa individë,
si grup apo shtresë shoqërore. Metafora e "dashurive të mbyllura" sugjeron një ndjenjë të ndaluar. Kjo
mund të interpretohet si ndjenja e e pashprehur ose emocione të ndrydhura, që
nuk janë shprehur hapur. Fjala "mbyllura"
tregon një ndjenjë të mbyllur, që mund të jetë si rezultat i ndryshimeve në
jetë, apo kodeve zakonore e tradicionale të jetës, jo vetëm në kohët e shkuara.
Po ashtu metafora e "ëndrave të coptuara" shfaq gjendjen
e ëndrrave të coptuara, ku fjala "coptuara"
paraqet imazhin e (ëndrrave) diçkaje të bukur (një trëndafil psh) të
shkatërruar forcërisht si pasojë e goditjes apo dhunës sistematike të ushtruar
mbi atë.
Pavarësisht
përdorimit të metaforave (dhe figurave të tjera artistike) poezia "Një ditë"
e Lakos karakterizohet më shumë nga natyra e saj imazhiste, ku përdorimi i imazheve dhe skenave vizuale është thelbësor për transmetimin e mesazhit
poetik. Për shembull, fjalët si "Një
ditë hyra në vitet e shkuara" dhe "Ëndrat e tyre të coptuara" krijojnë imazhe të forta dhe të
ngjashme me realitetin, të cilat forcojnë përjetimet dhe ndjenjat që shprehen
në poezi. Në këtë rast, përdorimi i metaforave dhe simboleve nuk është
shumë thelbësor, ndërsa imazhet dhe
shfaqiet vizuale janë ato që zbulojnë thelbin dhe emocionin e poezisë. Disa
prej imazheve të poezisë që i japin
natyrë imazhiste asaj, janë:
Imazhi:"Një ditë hyra në vitet e shkuara",
është një imazh metaforik që përshkruan një përvojë personale ose kohë të
kaluar. Imazhi: "Dhe gratë më
treguan / Dashuritë e tyre të mbyllura" paraqet dashurinë si diçka të
mbyllur, e përjashtuar apo e fshehur nga shikimi i botës. Imazhi: "Ëndrat e tyre të coptuara"përshkruan
ëndrrat si të dëmtuara ose të shkatërruara, ndoshta si pasojë e goditjeve të
forta. Këto imazhe janë të rëndësishme për të shprehur përjetimet dhe ndjenjat
në poezi, duke i dhënë asaj jo vetëm një thellësi, por dhe një aspekt vizual që
e bën atë më tërheqëse për lexuesin.
IV-Nuk
e di në se qëllimisht apo rastësisht poetja Lako, në këtë poezi ka përdorur
elemente të tradicionalitetit, ndonëse të përzier me qëndrim progresiv. Ajo
përdor një strukturë të thjeshtë dhe
të kuptueshme, e cila i përshtatet poezisë tradicionale. Megjithatë, përmbajtja
e poezisë shfaq një angazhim të thellë për të ndryshuar dhe për të përmbushur
qëllime të larta shoqërore dhe njerëzore, duke treguar kështu një qasje
progresive.
Përfaqësimi
i përmasave të larta shoqërore dhe njerëzore në një formë poetike të thjeshtë
dhe të qartë ka një ndikim nga tradicionaliteti poetik në Shqipëri, por dëshira
për të ndryshuar dhe përmbushur qëllime të larta sociale dhe njerëzore tregon
një qasje progresive dhe përdorimin e
poezisë si një mjet për të realizuar ndryshime në shoqëri.
Prandaj,
poezia e Natasha Lakos ka një përzierje të elementeve të tradicionalite-tit me
një qasje më progresive, duke paraqitur kështu një kuptim të thellë dhe të
pasur nën dukjen e saj të thjeshtë.
V- Poezia e "Një ditë"
shpreh një ndjenjë të thellë të universalitetit të dashurisë përmes qëndrimit
të përkushtuar ndaj përmirësimit të situatave shoqërore dhe njerëzore. Duke
shprehur dëshirën për të punuar në emër të të gjithave dhe me dashurinë e të
gjithave, poetja thekson një përfaqësim të lartë të solidaritetit dhe një
përkushtim ndaj një ideali të përbashkët njerëzor.
Nëpërmjet
përdorimit të fjalëve të thjeshta e të kuptueshme, Lako shpreh një larmi
ndjenjash dhe aspiratash që i përkasin çdo individi dhe duke u përqendru-ar në
idenë e të punuarit në emër të të gjitha grave dhe dashurisë me të gjithë, ajo
paraqet dashurinë si forcë e përbashkët
që përmirëson jetën e të gjithë njerëzve, pa dallim etnik, kulturor, apo
shoqëror.
Ky
universalitet i dashurisë që përfaqësohet në poezinë e saj është thelbësor për
arsyetimin e një bote të drejtë dhe të lumtur për të gjithë. Duke ngritur dashurinë
si një forcë për ndryshim dhe përparim, poetja paraqet vizionin e një shoqërie që bazohet në
solidaritet dhe respekt ndaj të gjithëve.
Për
këtë arsye, përkushtimi i Natasha Lakos për të shprehur universalitetin e
dashurisë në poezinë e saj ndikon në një kuptim më të gjerë të një qëndrimi
human dhe një dëshirë për të krijuar një botë më të mirë.
Sarandë, maj 2024
Natasha Lako
NJË DITË
Një
ditë hyra në vitet e shkuara
Dhe
gratë më treguan
Dashuritë
e tyre të mbyllura
Ëndrat
e tyre të coptuara
Do
të punoj në emër të të gjithave.
Do
të dashuroj me dashurinë e të gjithave!