Kulturë
Llesh Ndoj: Një rrëfim idilik, përmes artit të fjalës
E diele, 19.05.2024, 07:54 PM
Një rrëfim idilik, përmes artit të fjalës
-
Me librin e autorit Gjon Marku “Drita e syve të mi” - poezi, Botimet Emal,
Tiranë 2024 -
Nga
Llesh Ndoj*
Në
thelbin e vet arti, në shumëformësinë e shfaqjes, është bërë për të nxitur tek
“konsumatori” i tij ndjenjën e së bukurës, për të nxitur mendimin e tij, pse jo
edhe imagjinatën e për t’a bërë atë, në njëfarë mënyre, “të arratiset” nga
realiteti ku gjendet e të përjetojë, qoftë edhe për pak çaste, atë realitetin
tjetër që autori i veprës ia prezanton përmes saj. Përballë një pikture të
bukur, konsumatori udhëton në mënyrë imagjinare në peisazhin që ajo paraqet,
futet në brendësinë e portretit, apo shplodhet në natyrën e qetë të saj, një
melodi e bukur e bën shpirtin të vallëzojë, ndoshta pa e kuptuar, një këngë
mund të shkaktojë gjendje emocionale ku nuk mungon edhe loti, një balet e bën
shikuesin e vëmendshëm të vallëzojë me yjet, një shfaqje teatrale e vendos atë
në skenën imagjinare të ngjarjeve ku është marrë subjekti i dramës nga autori
etj. Këtë fuqi e kanë të shumëfishuar veprat e shkruara të artit, poezia e proza,
edhe për shkak të “konsumit” të tyre pa presionin e kohës e mundësisë së
kthimit e rikthimit në fuqinë që ato transmetojnë, sipas gjendjes emocionale të
lexuesit, por edhe se aty njeriu konsumator e gjen veten më lehtë se në artet e
tjera. Jo vetëm kaq, por përmes veprës njeriu krijon edhe përfytyrimin e tij
mbi autorin e saj si njeri, mbi fizionominë e tij të jashtme e atë shpirtërore,
mbi jetën e tij, virtytet e veset, nisur nga perceptimi se vepra letrare, pak
apo shumë, i ngjet “enës” nga e cila ka dale.
Në
se nuk e njeh autorin Gjon Marku, tashmë mjaft i njohur në rrethet lokale të
krijuesve, por edhe në rang kombëtarë ku nuk mungojnë disa vepra unikale
shkruar prej tij, dhe lexon i pa ndikuar nga njohja librin e tij me poezi
“Drita e syve të mi”, botimet Emal, Tiranë 2024, mendja të shkon tek një autor
i regjur me poezinë dhe nis e fantazon në se ke lexuar apo jo vepra të tjera
poetike prej tij, ndonëse ky është libri i parë që ai boton në këtë zhanër e se
poezia nuk është “zhanri i tij” i preferuar i të bërit letërsi. Kjo sepse
autori Gjon Marku, siç e ka cekur në parathënien e librit edhe studjuesi Vlash
Prendi, hyn në botën e poezisë me hap të sigurtë, pa ekuivoket e fillestarit,
me një përzgjedhje të kujdesshme të tematikës, të fjalëve, të artit, e mbi të
gjitha, të mesazhit që kërkon të përcjellë tek lexuesi. Brenda kontureve të
këtij libri lexuesi do të gjejë t’i përshfaqen para syve poezi të vlerta që nga
ato të formës klasike me varg e metrikë të rregullt, deri tek poezitë moderne,
ato me varg të lirë, që nga poezitë që trajtojnë tema të mëdha kombëtare deri
tek lirikat e dashurisë apo poezitë e ndjera dedikuar fëmijëve, nënës apo
familjarëve të tjerë të munguar. Pavarësisht tematikës që rrokin, formës së
shfaqjes, gjatësisë e madhësisë së vargut, mënyrës së organizimit e madhësisë
së strofës, poezitë e Gjon Markut në këtë libër rimojnë bukur së brendshmi,
duke shpërfaqur ndjesitë e autorit, transmetojnë mesazh me ndikim pozitiv tek
lexuesi, duke pasqyruar mendimin e tij logjik dhe të bëjnë t’a përjetosh gjithë
librin, pavarësisht organizimit të tij të brendshëm e shumëformësisë së
shfaqjes së artit poetik të fjalës së tij, si një të tërë: Dritë e syve të
shpirtit e të mendjes së tij.
I
gjithë ky libër që lexohet me një frymë është organizuar në dy pjesë, e secila
prej tyre në disa nëndarje, apo kapituj, ku në pjesën e parë autori ka
rreshtuar poezitë që në dukje i përkasin më shumë atij e rrethit të ngushtë të
tij, ndërsa në pjesën e dytë poezitë që reflektojnë mendime e qëndrime, ndjesi
e përjetime të një niveli më të gjerë, atij kombëtar, e ku nuk mungojnë as
poezitë për Mirditën, traditën e figurat e saj, për Shqipërinë e simbolet tona
kombëtare si Flamuri e shqiponja, për Kosovën e figurat e saj me rrezatim
mbarëkombëtar etj., për ta përmbyllur me një kapitull të titulluar “Marrëzi”,
ku autori nuk mund të “qëndrojë jashtë” zhvillimeve aktuale e perspektive
politike të kohës që jetojmë.
Në
dukje, pjesa e parë e librit, paraqet një fushë “më të kufizuar” se ajo e
pjesës së dytë, por në realitet në këtë pjesë autori përdor të gjithë
artilerinë e tij të fjalëve të bukura, të shprehjeve të goditura, metaforave të
qelluara, të mesazheve të drejtpërdrejta e të koduara, përmes të cilave
transmeton, me fuqinë e artit të fjalës, botën e tij shpirtërore, dashuritë e
perjetuara, dhimbjet e tij, brengat qe ka kaluar, duke mos mbetur kurrë “rob” i
vetvetes. Në to lexuesi i çdo kategorie gjen vetveten, përjeton ato çfarë ka
përjetuar autori, në formën e përmasat e tij, ndjen se edhe ai është pjesë e të
njëjtës botë me autorin, ka ndoshta pikëpamje të njëjta e qëndrime të përafërta
me të, por nuk zotëron “armët e tij”, posaçërisht artin e fjalës së tij, për të
shprehur gjithë këtë realitet të brendshëm.
E
pikërisht kjo është fuqia e artit në tërësi dhe e artit të fjalës poetike në
veçanti. Artikuluar në formën e vendin e duhur, fjala nuk transmeton të njëjtën
ndjesi, njësoj si e thënë në formën e zakonshme e në një kontekst të zakonshëm.
Të gjithë, p.sh, mbajnë mend vendin e kohën ku e kur e kanë dhuruar puthjen e parë,
por emocioni që ngjallin “degët e shelgut lotues” në disa poezi të autorit Gjon
Marku e ngrejnë atë në një tjetër nivel dhe shpalosin tjetër përmasë artistike
të fjalës. Ndoshta shelgu lotues i poezive të Gjon Markut nuk ka të bëj fare me
një situatë reale e përjetim fizik, por është gjetje e bukur, sepse ngërthen
brenda vetes brishtësinë e dashurisë (shelgu është bimë që rritet në brigje
ujërash e jo kudo), privatësinë e saj (degët e shelgut krijojnë një si çadër të
bukur në hijen e të cilës qëndrohet privatësisht e këndshëm), por edhe brengat
e dashurisë (shelg lotues: s’ka dashuri pa lotë e brenga); apo tek poezia “Nënë
hajde”, ku autori shpërthen në vargje të ndjera, me forcë të jashtëzakonshme,
duke e kërkuar nënën në “gjumin e thellë”, “në vegimin e bardhë”, “në
thellësinë e shpirtit” dhe duke i premtuar se “portën t’a kam hapur”, e
përmbyllur me me lutje: Hajde,,…./Prej vetmisë po tutem/ …., fjalë e shprehje
me fuqi të madhe emocionale që tregojnë se forca e dhimbjes dhe dashurisë e
bëjnë shpirtin të shpërthejë në perla si këto. Të bukura e disi të ndjera vijnë
vargjet për fëmijët e Gjonit, bashkë me porosinë (nuk guxoj t’a quaj amanet!)
që ata të bëhen dëshmitarë, jo sa herë “…më kanë plagosur /, as “…sa herë më
kanë vrarë /, por të asaj që kam arritur të jemë në jetë e ku ata të mos e
kërkojnë të atin “…mes cepave të qiellit /, por t’a kërkojnë e t’a gjejnë
“…brenda vetes./
Nuk
mungojnë, e s’ka se si të mungojnë në këtë libër as vargjet që shfaqin
tronditjet e autorit në jetë, pengjet e tij, mërzitjet e tij, shqetësimet e
dyshimet e tij. Ato e shoqërojnë këtë vëllim me poezi si bashkëudhëtare të
natyrshme të njeriut (edhe të autorit), por shfaqen disi më të grupuara në
kapitullin “Pendesë”. Ashtu siç vijnë natyrshëm si pjesë e jetës, ashtu ato edhe
mbyllen natyrshëm në mesazhin e tyre, në optimizmin e tyre e në atë që përbën,
besoj, edhe bindjen e autorit se: “Sado e gjatë të jetë nata / Dita serish do
të vijë.? (poezia “Serish do të vijë…”)
Poezia
e arti në tërësinë e tyre, jo vetëm transmetojnë ndjenjë e emocion, por përmes
këtyre ndikojnë edhe në qëndrimin etik e estetik të njerëzve ndaj botës që i
rrethon. Kjo, sepse shpirtërorja, ana e brendshme e autorit, filtrohet përmes
logjikës së mendimit pikërisht për të ndikuar tek lexuesi në edukimin e shijeve
të tij e po aq edhe për të nxitur qëndrimet e tij ndaj botës që na rrethon,
gjithnjë duke vënë në plan të parë fuqinë e të bukurës, të mirës, shembullit
pozitiv. Fuqia e artit nuk matet vetëm me superlativat e të bukurës, të
heronjëve pozitivë, që janë qëllimi kryesorë me anën e të cilëve autori synon
të transmetojë pjesë të vetes tek të tjerët, por edhe përmes fuqisë që e
shëmtuara, personazhet negative e ngjarjet jo të pëlqyeshme, vishen nga autori
që konsumatori i artit t’i identifikojë ato lehtësisht në jetë. Sipas meje,
fuqia e artit në një masë të madhe varet edhe nga kjo, nga përzgjedhja e
kujdesshme e mesazhit, mesazh i lidhur ngushtë me raportin e autorit me botën
që e rrethon.
Modestisht,
në këtë fushë, do të veçoja tri kategori njerëzish (jo doemos autorë e lëvrues
të artit!):
-
Kategoria e parë: ata që bartin mendimin “Unë jam krejt bota”. Përgjithësisht
këta njërëz nuk japin dot art, sepse nuk arrinë të shohin përtej vetes, të
veçojnë atë që përbën të veçantën e pozitiven e të gjejnë pastaj mjetet e
duhura për t’a “imponuar” artistikisht tek të tjerët,
-
Kategoria e dytë: ata që bartin mendimin “Unë s’i përkas kësaj bote”. Të tillë
ose nuk prodhojnë asgjë, në pritje të “perlave” që e “çuditin” këtë botën që
është “inferiore’ ndaj tyre, ose rrëshqasin në idiotësira që nuk kanë asnjë
vlerë artistike e pozitivisht ndikuese për shoqërinë dhe,
-
Kategoria e tretë: ata që e mendojnë veten “Jam pjesë e kësaj bote”, prej të
cilëve merren vepra me vlera të jashtëzakonshme artistike e me fuqi transformuese.
Autori
ynë, Gjon Marku, me kontribute të rëndësishme në fushën e latrave, me një
shkollim për ta patur zili e me disa kualifikime pasuniversitare, admirues i të
bukurës në art, autor i disa vëllimeve me tregime, romane, monografi dhe ese, i
njohur për veprat e veçanta publicistike si “Mirdita”, në tri vëllime, “Kosova
dhe bijtë e saj” e “Antologji e mendimit të sotëm për Mirditën” në dy vëllime;
autorë i studimeve me vlerë si “Ndërfana”, “Mirdita në vizionin filatelik”,
“Mirdita vend i kuvendve vetëqeverisëse”, “Gazullorët”, “Gjurmë në identitet”
apo “Nënë Tereza në pullat postare të 118 shteteve” dhe me vëllimin me poezi të
titulluar “Drita e syve të mi”, dëshmohet në kategorinë e njerëzve që e “shohin
veten si pjesëz të kësaj bote” dhe si i tillë na ka sjell një poezi të
kandshme, përfaqësuese, me fuqi emocionale e mesazhe të goditura. Shprehur në
mënyrën që e “gjejë më të lehtë” unë, i gjithë libri mund të përmblidhet në
mesazhin e bukur:
Unë
jam…
Gur
i rand i trollit
dhimbta
e malli i pashuar
dashuria
e vrarë e shpirtit.
Jam
pendesa që po kërkoj
një
kishë ku të lutem
e
një rr’fyestar të rrëfehem,
por
se gjejë.
Jam
vetmia që vret
lutja
që kryqëzon qiejt
n’kërkim
të dritës
që
i davarit retë.
Jam
lisi degëshumë
kurrë
i përkulur,
jo
trungu n’kalbëzim
ku
këmba lehtë rrëshket…
Mund
t’a lexosh këtë libër si një pafundësi gjendjesh e çdo herë të përfitosh
emocione të reja dhe këtu qëndron fuqia e artit të fjalës së poetit Gjon Marku
në librin e tij me poezi: Drita e syve të mi”. Urime e suksese autorit.
------------------------------------
* intelektual, studjues
e poet