E diele, 16.06.2024, 10:11 AM (GMT+1)

Kulturë

Hamdi Hysuka: Takimi i shtatë poetik në Sharr

E enjte, 23.05.2024, 07:54 PM


Takimi i shtatë poetik në Sharr

Nga Hamdi Hysuka - Kryetar i Klubit Letrar “Pjetër Budi”, Mat

Më 18 maj 2024 Shoqata "Art Menada" Tetovë, drejtuar nga prof. dr. Ejup Ajdini, organizoi në kompleksin historik "Harabati Baba Teqe", edicionin e shtatë tradicional të orës letrare "Takimet Poetike në Sharr".

-Krijimtaria popullore dhe ajo letrare në malësinë e Tetovës, -tha në fjalën përshëndetëse kryetari Ajdini, -ka qenë dhe tenton të mbetet farkëtari më i mirë dhe më i veçantë i vlerave tona shpirtërore në përgjithësi. Dëshmi më e mirë janë traditat kulturore të festave, dokeve e zakoneve të shumta, të krijuara përmes një talenti të veçantë krijues nga malësorët e Sharrit, i cili 150 vite më parë u reflektua te shkrimtari i Rilindjes Kombëtare, Rexhep Voka, nga ku lindi ideja për manifestimin tonë tradicional.

Rexhep Voka që para një shekulli shkroi librin e parë shqip “Mendime”, i cili dhe sot ruan vlerat e mirëfillta letrare-filozofike. Ai shkroi dhe alfatetaren, vepra fetare etj, por kryesori është libri "Mendime", nga i cili veçojmë:

"Ku jeni o krerët e Shqipërisë? Ná pa këndim e pa mësim, kemi mbetur si të egër në mal e në errësinë. Sot bota është bë tjetër, vetëm me pushkë e me thikë nuk po fitohet. Lypet shkrim e lexim, fjalë e mendim".

Pas Rexhep Vokës, trashëgimtarë i letrave shqipe në këto anë, erdhi Sadudin Gjura, i cili shkroi pesë drama. Ishte njeriu më i shkolluar i asaj kohe, prandaj pushteti e vrau dhe e masakroi, duke i fshehure e shkatërruar veprat e tij të shkruara. Ai shkroi mjaft poezi, ku në njërën thotë:

Armët tona janë libri e pena,

n'luftë përballë injorancës shkojmë,

errësira, padija s'na kánda,

si ithtarë nëpër 'to ne marshojmë.

Arti letrar i këtyre anëve pasoi me Murat Isakun dhe Abdzlayis Islamin, të cilët letërsinë bashkëkohore shqipe e ngritën në nivel kombëtar dhe më gjerë.

Librat poetikë të këtyre autorëve, Murat Isakut me mbi 20 romane e disa vëllime poetike, si dhe Abdylazis Islamit me 40 vepra letrare të zhanreve të ndryshme: romane, drama, përmbledhje poetike me sonete dhe krijimtari për të rinj, vijnë si pjesë e veçantë e letërsisë sonë kombëtare, si amaneti më i fuqishëm i dijes dhe forcës sonë kombëtare, e cila në vetvete mbart e flet për simbolikën e shijes e të përjetimit estetik. Për këtë ndjenjë Murat Isaku shkruante:

Një ditë u zhduk duke puthur hijen e popullit të vet,

dhe s'arriti ta ndezë edhe një dritë në sytë e tij,

në varr mos e mbuloni, kështu më mirë ju sheh

se vetëm nëpër sytë e juaj qumështin e nënës e njeh.

Këta poetë kanë qenë dhe mbeten qenia më sublime e shoqërisë sonë, që me shpirtin e dëlirë dhe talentin e tyre krijues, ndërthurën harmoni estetike me fenomenet jetësore, dramat dhe tragjeditë e jetës së njeriut tonë, që dhanë nga vetja sublimen më të mundshme, duke dhënë shfaqjet më të bukura e më të madhërishme, gjithmonë duke kërkuar vizion dhe zgjidhje të përhershme, siç shkruante Abdylazis Islami:

Me vdekje të ftohtë jetën ti e mat,

dhe dielli të ngroh e të bën dritë,

dhe hëna n'shtëpi të kthen përnatë,

dhe agu n'varre të gjallë, s't'gëlltit...

As Rexhep Vokës nuk i dihet varri, pasi detyrohet të vdesë në Stamboll, kurse profesorin e parë të Sharrit e të Pollogut, poetin e dramaturgun, Sadudin Gjura, pushteti sllavo-komunist e mori nga klasa ku ishte duke ligjëruar para studentëve të Normales së Tetovës dhe e burgosën duke ushtruar torturat më çnjerëzore, deri te dhuna me karrige elektrike. Edhe të dëmtuar psiqikisht, pushteti barbar i viteve ‘50 nuk kishte durim ta shikonte të gjallë, deri sa e hodhën në mes të dimrit, në majë të bjeshkëve të Sharit, të cilin në pranverë barinjtë i gjetën trupin e shformuar. Këto vlera dhe jo vetëm, na e arsyetojnë punën dhe mundin tonë për manifestimin "Takimet Poetike në Sharr".

Në orën e madhe letrare-poetike konkuruan poete e poetë nga Tetova, Vushtria, Mitrovica, Prishtina, Gjakova, Gostivari, Shkupi, Podujeva, Kumanova, Mati etj. Në këtë manifestim poetik, para artdashësve dhe pjesëmarrësve të shumtë, lexuan krijimet e tyre: Migena Arllati, Adelina Xhaferi, Bajramali Selimi, Kaltrinë Uka, Shefqete Gosalci, Remzije Zekolli, Merita Abazi, Valdeta Dulahu, Emrah Bilalli, Sunaj Raimi, Adem Abdullahu, Hamdi Hysuka, Fadil Abazi, Ilirida Ismaili, Merjeme Kajolli (Tusha), Lame Ameti, Sadije Aliti, Fatos Rushiti, Behare Neziri.

Pjesëmarrësve iu ndanë mirënjohje dhe çmime letrare kushtuar veprimtarëve të kombit, rilindësit Rexhep Voka, poetit martir Sadudin Gjura, dëshmorit Xhemil Abdurahmani dhe shkrimtarit Murat Isaku, emër i madh i kulturës shqiptare. Klubi Letrar "Pjetër Budi" Mat konkuroi me poezinë "Kali i Trojës" e autorit Hamdi Hysuka:

Kali i Trojës, kalë i zi

si nata e triumfit të tij.

S'u plak një herë, nuk ngordhi

shtat të ri larg Trojës hodhi.

Mbeti udhëve, në revan

nga paraleli në meridian.

Gjithnjë i ngopur, me barkun plot

në vend të njerëzve zinxhirë, barot.

Përveç rrotave me dru sharruar,

mori dhe krah për të fluturuar.

Frelëshuar ikën, nuk trokon

vjen nga një kohë, te tjetra shkon.

Në ardhtë këtej, mendjendarë

do t'i ngjajë ç'nuk i ka ngjarë.

Do ta presin skifterë e pëllumba,

do t'ia zbathin patkoj e thumba.

Në ardhtë ai kalë me kalorës,

kapistrën e ka sipas kokës!

Me dhënien e mirënjohjeve, ndarjen e çmimeve letrare dhe drekë speciale në Restorant "Ballaj" përfundoi edicioni i shtatë i manifestimit tadicional "Takimet poetike në Sharr” 2024.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora