E shtune, 15.06.2024, 10:57 PM (GMT+1)

Kulturë

Bashkim Saliasi: Binjakëzim vlerash

E merkure, 22.05.2024, 07:54 PM


BINJAKËZIM VLERASH

Nga Bashkim Saliasi

Një tjetër vepër letrare me vlerë e zonjës Vilhelme Vrana Haxhiraj për zotin Kadri Tarelli u shtua në bibliotekën time. Libri i autores Vilhelme Vrana Haxhiraj me titull “Në botën e letrave të Kadri Tarellit” është një vepër letrare me vlerë për dy krijuesit ku dalin në pah gjithë veprimtaritë letraro-kulturore të dy autorëve. Nuk ke si t’i ndash  nga njëri-tjetri për krijimtarinë e vlerave artistike në zhanre të shumëllojta të dy autorët. Libri në faqen e parë hapet me një shprehje mjaft kuptimplote: “Miku i mirë njihet në ditë të vështirë. Miqësia pa interes është virtyt”. (Vivara)

S’ka gjë më të bukur, kur krijuesit, të njohur nëpërmjet rrjeteve sociale lidhin miqësi pa interes dhe shpalosin vlerat në krijimtarinë e njëri-tjetrit pa u njohur nga afër, por është vlera e krijimeve që i afron ata me njëri-tjetrin, sikur ka ndodhur me shkrimtaren Vilhelme Vrana Haxhiraj dhe shkrimtarin Kadri Tarelli. Libri është një thesar i gjallë i një vepre letrare, ku nëpërmjet një pene me majë të mprehtë zonja Vivara nxjerr në pah vlerat e krijimtarisë së shkrimtarit, publicistit, poetit dhe gazetarit durrsak Kadri Tarelli. Mjafton të lexosh intervistën e zonjës Vilhelme dhe të njihesh me vlerat intelektuale që mbart personazhi i librit, Kadri Tarelli si mësues, poet, analist, publicist në fushën e letrave shqipe. Jemi njohur që në vitin 2009 me mikun durrsak Kadri Tarelli, por përse ta fsheh, nuk e dija se kishte kaq shumë vlera në krijimtari, të cilat na i zbulon zonja Vilhelme në këtë intervistë të sinqertë midis dy krijuesve në rrugën e vështirë të botimit të letrave shqipe.

Në intervistën e saj zonja Vivara thekson: “Çdo njeri, jo vetëm ka shumë për të thënë nga jeta, por edhe për të treguar përvojën e tij të gjatë e të suksesshme, e cila në të dy rastet vlen si një shkollë edukimi”. Së dyti: “Puna mendore nuk të plak kurrë, por të rinon dhe ruan të pacënuar kujtesën”. Së treti: “Vlerat intelektuale të moshës së tretë, janë tregues pozitiv dhe katalizator për rininë e sotme që e sheh botën ndryshe, në një këndvështrim shpërfillës e mosvlerësues”.

Vetëm me këto tri fjali magjike autorja tregon vlerat intelektuale që zotëron si një shkrimtare me kulturë të gjerë në fushën e letrave shqipe. Ajo di të vlerësojë dhe analizojë krijimtarinë e mikut durrsak Kadri Tarelli në këtë intervistë me mjaft interes për të njohur më mirë personin në fjalë duke nxjerrë në pah vlerat intelektuale si një njeri i nderuar dhe respektuar nga të gjithë miqtë e shokët që e njohin nga afër atë, si mësues, drejtues shkollash, publicist, gazetar, shkrimtar e poet.

Autorja me një mjeshtëri të rrallë ka arritur të depërtojë në botën e brendshme të Kadri Tarellit duke hartuar një pyetësor në intervistën e saj që di të nxjerrë nga miniera flori dhe ar të kulluar.  Është ana formuese e autores që ka arritur me një mjeshtëri të rrallë të zbulojë vlerat intelektuale të botës së brendshme të Kadri Tarellit. Sa më shumë të mësojë lexuesi për krijuesin, aq më shumë vlera marrin veprat dhe krijimet e tij. Kadriu e ka çarë rrugën e jetës në fushën e letrave me mjaft vështirësi, sikundër dhe vetë autorja e librit, zonja Vivara. Të dy autorët e kanë nisur rrugën e krijimtarisë letrare në moshë madhore, pas rënies së sistemit në vitet ’90. Të dy autorët janë nderuar dhe vlerësuar me çmime nderi në konkurset e zhvilluara si brenda vendit dhe jashtë tij.

Sa bukur shkruan autorja: “Pikërisht koha më njohu me të gjithë shkrimtarët, poetët, studiuesit dhe kritikët durrsakë. Për këtë falënderoj letërsinë që më bëri me miq në të gjithë botën”. Të njohësh dhe të mësosh për rrjedhën e familjes së shokut apo mikut është kulturë shoqërore që shpalos vlerat e miqësisë dhe dashurisë për njeriun e punës, peripecitë e jetës dhe arritjet e tij në jetë.

Nga prindërit kemi dëgjuar se njeriu në jetë duhet të realizojë tri detyra: “Të sjellë në jetë një fëmijë, të mbjellë një pemë dhe të shkruajë një libër të jetës së tij”.  Sa bukur tingëllojnë këto fjalë shqipe për të dy krijuesit tanë, Kadri Tarellin dhe shkrimtaren Vivara që me punën dhe mundin e tyre përpiqen të përmbushin këtë profeci të popullit tonë!

Në shkrimin e tij të botuar në “Fjala e lirë”, profesor Fatmir Terziu, ndërmjet të tjerash, shkruan: “Libri ka disa pjesë dhe autorja i ka bërë të qarta e të sakta në një shkrim që e ka titulluar “Portreti i Kadri Tarellit”. Libri pasqyron me një zë të lirë tërë atë vlerë që përcjell vetë rruga krijuese dhe përkushtuese e Tarellit. Në fakt është ashtu sikurse Vranari e cilëson se “Jeta e çdo individi, pavarësisht nga profesioni apo talenti, por dhe e një njeriu të zakonshëm, është një vlerë.”

Libri i hartuar nga Vilhelme Vrana Haxhiraj është një vlerë e shtuar për arsye se jo çdo krijues arrin të sjellë para lexuesit vlerat e një autori tjetër me kaq sinqeritet dhe dashamirësi, që lexuesi të mësojë sesa bukur e lëvron gjuhën shqipe autori që përgatit librin, në rastet kur miqësia është e sinqertë dhe pa asnjë farë interesi nga njëri-tjetri. Nga këto libra të shkruar nga studiues të ndryshëm, të pajisur me një dashuri të sinqertë për të nxjerrë në pah vlerat e krijimtarisë shumëdimensionale, është një nder i madh për krijuesin Kadri Tarelli, që i bëhet nga një kolege erudite si zonja Vivara. Kjo vepër e hartuar dhe përpiluar me një gjuhë të pastër dhe plot kolor të gjuhës shqipe për krijuesin Tarelli është një kujtim me vlerë që u lihet brezave të ardhshëm, që tregon dashuri, tolerancë dhe mirëkuptim midis krijuesve që lidhin miqësi të sinqertë mbi bazën e krijimtarisë së tyre, sikur ka ndodhur me krijuesit vlonjatë dhe ata durrsakë, një binjakëzim vlerash, përvojë për brezat e ardhshëm.

Libri lexohet me ëndje, të ngjall mbresa dhe kujtime për punën e palodhshme të dy krijuesve dhe të hap horizonte për të njohur më mirë personalitetin e dy autorëve. Gjatë leximit të librit arrin të mësosh për rrugën e vështirë me plot mund e sakrifica që kanë kaluar të dy krijuesit para viteve ’90. Libri në tërësi i ngjan një kronike poetike, e cila përmbledh në vetvete një galeri të tërë krijuese, me një këndvështrim prej krijuesi duke i ngritur mikut Kadri Tarelli një përmendore modeste.

Nëpërmjet fjalës së bukur shqipe, zonja Vivara çon te lexuesi frymë e dashuri, forcë e krenari për figurën e autorit Kadri Tarelli.

Ju uroj të dy krijuesve, zonjës Vilhelme Vrana Haxhiraj (Vivara) dhe zotit Kadri Tarelli shëndet dhe jetë të gjatë! Pena e tyre na dhuroftë ngahera vepra me vlerë artistike dhe kulturore! Respekte pa kufi për të dy krijuesit!

Me respekt, Bashkim Saliasi, Tiranë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora