E hene, 17.06.2024, 03:27 PM (GMT+1)

Kulturë

Syrja Etemi: Hanife Sejfulla Reçani dhe tepsia në vend të dajres

E diele, 26.05.2024, 07:53 PM


HANIFE SEJFULLA REÇANI DHE TEPSIA NË VEND TË DAJRES

ESE PËR KËNGËTAREN, HANIFE SEJFULLA REÇANI

Shkruan Syrja ETEMI

Edhe sot e gjithë ditën, tani më kur edhe kam shkelur rishtazi në oborrin e moshës së tretë të hapërimit jetësor, akoma nuk ka ditë që të mos më rrëmbejë, të mos më merr në krahët e saj të magjishëm kënga  popullore  e traditës, për të më përkëdhelur me jonet e saja skofijare, sidomos ajo burimore dyzërëshe pollnjane, nëse mund ta quaj kështu... Po, nejse, nuk është me rëndësi këtu tani se si ta quaj apo si ta konsideroj atë: “Pollnjane”, “Këjk Gostivari” apo “Këjk Tetove”, por me rëndësi është të theksoj se, unë akoma si i vogël, dalldisesha e u harlisesha  mbas kësaj melodie të kënduar me mekam “t’mallzishëm” si e quante nëna ime, (shpirti dritë i rrëzëlleftë), e cila, përkundër pesë kalamajve, që vazhdonte të na rriste me zahmet, skamje e fukarallëk, nuk prante të na katariste në gjumë, madje, edhe duke na kënduar ninula nanuritëse, bile-bile, të ndiqte me zërin e saj kumbues - në unison, edhe këngët që këndonte Radio Gostivari, Radio Tetova apo Radio Shkupi.  E, për preferencën e saj, ajo do të pikaste zërin melankolik të bilbilit të Pollogut, Hanife Sejfulla Reçanit, nga e cila do të veçonte këngën: “I hipa pamporit, moj nan-e” dhe, “Bien tri daire”. Thënë thjesht, ajo dinte gati tërë këngët nga repertoari i saj – me tekst e melodi, madje - madje, shpesh ndodhte që, kur të gatuante në magje, nën ritmin e shkopit të petës, t’ia thoshte edhe vet këngës së Hanejfes, si: “Pse je idhnu ti me mue”, “Moj fusha e Korabit”, “Flokët m’i ke kunor - kunor”, “Dil agje ku dole prëm”, “Çorapët me vija , oj nan”, “O, moj dukane, moj dukane “, “Piku moll’ e kuqe”, “Këndojn’ dy bilbila”  e kështu me radhë. Eh, pse mos ta them edhe këtë?  Kur nënën time Bedrie, e merrte me vehte dalldia e këngës, dhe kur ekzaltohej tepër, (kur këndonte Hanifja këngën: Bien tri daire), ajo në “dahire” do të  shndërronte temsinë e bukës apo temcëjën – thënë: popullorçe, dhe, me të mbante taktin  dhe ritmin e këngës së saj të zemrës. E, mua, në këtë kapërcyell të moshës që kam prekur, akoma më rrapëllojnë në kujtesë tam-tamet e ritmit brafullues të “defit” të improvizuar të s’ime mëmë, bashkë me kumbimin  melodioz të zërit  të mbretëreshës së këngës, jo vetëm të Iliridës, por edhe të mbarë Shqiptarisë.

Prandaj, edhe pas kësaj trajektoreje të gjatë gjëllimi, më duket se kënga e saj që  gëlon si një feksim i ëmbël, me atë zë shpërthyes e melodioz i kësaj protagonisteje nazemadhe, më vjen nga lashtësia si burimet e flladshme të Sharrit dhe derdhet  në arat e bereqetshme të Pollogut të gjërë det, për të pushtuar të sotmen e hazdisur dhe për të mbetur si një Okarinë epike  në piedestalin e muzikës sonë popullore shumë të dashur dhe fisnike. E, pse mos ta ruajmë, ta kultivojmë e ta përcjellim atë ndër breza? Si të mos e duam këtë pasuri mbushulluese me taban të fisëm kombëtar, që me aq mjeshtri e finesë intuitive e ka kënduar e madhja Hanife Sejfulla Reçani?  E, nuk thuhet kot urtësia popullore se, “Kënga e bilbilit, zbut edhe zemrën e katilit”.  Prandaj, të gjithë ne - populli arbëror, të betohemi se, do ta ruajmë me xhelozi dhe fanatizëm këngën që ka kënduar Bilbil Gjyzarja e Pollogut, e madhja, Hanife Sejfulla Reçani!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora