Kulturë
Albert Habazaj: Labëria në Luftën e Vlorës
E enjte, 06.06.2024, 06:57 PM
Studiuesi
Albert Habazaj në Barçalla të Dukatit, në mal të Shënjtë, maji më 29... te
Gurra epike
EPOPEJA E NJËZETËS: 5 qershor-3 shtator 1920; 104 vjet më parë ...
LABËRIA NË LUFTËN E VLORËS
Nga Albert
HABAZAJ
Hyrje
Lufta
Kombëtare e Vlorës është trajtuar gjerësisht nga historiografia shqiptare, ndërkohë
ka ngjallur shumë interes edhe nga studiues të huaj gjatë një shekulli. Vlora
për Shqipërinë është si New Yorku (Nju Jorku) për Amerikën, sikurse thonë se
Nju Jorku është Vlora e Shqiptarëve të Amerikës, ku shqiptarët e atjeshëm
ngrenë ngrenë flamurin kombëtar kuqezi. Vlora është parë nga të huajt si pozicioni më i rëndësishëm
strategjik në Adriatik. Vetëm 49 milje nga Italia, ajo shikohej si një port i
shkëlqyer dhe në se fortifikohej mund të kontrollonte hyrjen në Detin Adriatik.
Sikurse gjithë Shqipëria, ende e brishtë në pavarësinë e saj, edhe “Gjibraltari
i Adriatikut” po kërcënohej seriozisht. Dritëro Agolli në poemën “Nënë
Shqipëri” shkruan: “Një copë, një copë!/
Një çikë, një çikë!”/ Ulërinin ujqit mes zhegut, kallkanit;/ Dilnin nga shpella
si në legjendat e vjetra/ Veshur me mburoja kalorësie/ Fshehur kokë e turi në
helmeta,/ Zbutur me frak diplomacie,/ Zgjatnin këmbën si në përrallën e Dhisë e
kecave:/ “Tuk-tuk!/ Hape!/ Jam unë”!”[1]
Nga historia dimë se Lufta e
Parë Botërore (qershor 1914 - nëntor 1918), që përfshiu gjashtë kontinentet e
banuara të lëmshit tokësor, ishte kryesisht e përqëndruar me dy blloqet: Blloku
i Antantës ku bënin pjesë Britania, Franca dhe Rusia dhe Blloku Tripalësh
(Forcat Qendrore), ku bënin pjesë Gjermania, Austro-Hungaria dhe Italia. Në këtë
kuadër, Traktati i fshehtë i Londrës (26 prill 1915) ishte marrëveshje e
fshehtë e përfunduar midis fuqive të Antantës dhe qeverisë italiane për të
plotësuar pretendimet e imperializmit italian në Shqipëri dhe lakmitë
ekspansioniste të Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë. Ndër 16 nenet e këtij
traktati famëkeq, 3 prej tyre (neni, 5, 6 dhe 7) kishin të bënin me fshirjen e
shtetit shqiptar nga harta e Europës. Sipas nenit 6, “Italia do të marrë
sovranitet të plotë mbi Vlorën, Ishullin e Sazanit dhe territoret përreth, në
një largësi të tillë që të sigurojë mbrojtjen e këtyre pikave”[2]. Më 25
dhjetor 1914 Vlora u pushtua prej ushtrisë italiane, e cila dalëngadalë zaptoi
tërë rrethinat e Vlorës dhe krahinat e Labërisë e më gjerë. Kujtojmë që,
megjithëse ndërhyrja e Willsonit e kishte penguar përkohësisht ndarjen e Shqipërinë
nga Fuqitë e Mëdha, presidenti amerikan nuk i kishte zgjidhur problemet se çfarë
duhej bërë me Shqipërinë. Të mëdhenjtë kontinentit plak e shikonin Shqipërinë
si mjet shkëmbimi, por, si duket, nuk ishte më e dobishme si e tillë. Studiuesi
Robert Larry Woodall shkruan “Përballë indiferentizmit të Fuqive të Mëdha,
shqiptarët u detyruan të mbroheshin vetë kundër ushtrive të huaja”[3]. Viti
1920 u shfaq si tallaz drejt lirisë, në mbrojte të pavarësisë së rrezikuar dhe
sovranitetit të nëpërkëmbur të shtetit shqiptar. “Në qershor, shqiptarët
filluan t’i sulmonin trupat italiane të përqëndruara në Vlorë. Politika italiane po fundosej” [4]
Labëria dhe Vlora si simbolikë e Luftës Kombëtare të
Vlorës, 1920
Historia
na tregon, sipas kriterit kronologjik, kur fillon lufta dhe kur mbaron si kohë;
se Lufta Kombëtare e Vlorës nisi dhe u zhvillua me tre faza, konkretisht:
Faza e parë (5-10 qershor) nisi në
bazë të vendimit të Kuvendit të Barçallasë dhe urdhërit të Komitetit të
Mbrojtjes Kombëtare, me sulmet e forcave vullnetare, në orën 20:00 kundër
garnizoneve italiane, të përqëndruara jashtë qytetit të Vlorës në rrugën
Drashovicë - Tepelenë dhe Llogora - Himarë, ku trupat kombëtare çliruan Kotën,
Drashovicën, Llogoranë dhe Matohasanaj, me përjashtim të Tepelenës që ra pak
ditë më vonë.
Faza e
dytë
(11-20 qershor) nisi me sulmin mbi forcat italiane brenda qytetit të Vlorës, ku
luftimet u zhvilluan shumë të ashpra e tepër të përgjakshme në hapësirat e
Qafës së Koçiut, të Vreshtave të Mëdha e të Kalasë së Kaninës.
Faza e tretë - 23 korrik, nis me
çlirimin e Tepelenës më 21 qershor dhe sulmin e përgjithshëm natën në qytetin e
Vlorës më 22 korrik.
Mendojmë
se edhe ky skelet informativ na e jep qartas hapësirën dhe kohën e zhvillimit të
ngajrjeve kryesore luftarake për çlirimin e Vlorës dhe të krahinave të
pushtuara të Labërisë në tre muajt e sfidave të mëdha.
Në
Kuvendin e Barçallasë në mal të Dukatit, më 29 maj, krahina e Vlorës, e
bashkuar, me përjashtim të disa çifligarëve, dha kushtrimin për luftë, duke përfaqësuar
më së miri këtë lidhje e bashkim të domosdoshëm. “Kuvendi i Barçallasë dhe
Mbledhja e Beunit, më 2 qershor, me organizmat e ndryshme, që u krijuan atje, që
nga komisioni i të 12-ve e deri te komandantët e çetave, përfaqsojnë organizmin
ushtarak dhe piolitik të luftës së armatosur.”[5]
Siç kuptohet, për Luftën Kombëtare
të Vlorës, 1920, Labëria dhe Vlora, me ngjarjet, bëmat e personazhet, në
këndvështrimin e hapësirës dhe kohës, zë rolin kryesor në këtë epope të
përmasave termopiliane, duke u bërë kështu simbolika e kësaj lufte çlirimtare. Krahinës
së Vlorës i ra pesha e fazës së parë të luftimeve, ajo që shtrihet deri më 11
qershor, kurse peshën tjetër, atë deri më 2 gusht 1920, e ndanë, si mund të thuhet, bashkë me krahinat e
tjera. Faqja e Barçallasë, Rrapi i Gurrave në mal të Beunit, (që shpirti i
kësaj lufte, mësuesi atdhetar Halim Xhelo e quajti Rrapi i Burrave), Kota,
Gjormi, Llogoraja, Tepelena, Jonufra, Drashovica, Qafa e Koçiut e Kanina janë
simbolet toponimike me vlera historike kombëtare. Sa herë përmendim këtëo
emërvende, kujtojmë ngjarjet dhe personat relalë që heroizmi i shpirtit të tyre
liridashës i shndërroi në personazhe historikë të përmasave legjendare.
Pas Kongresit
të Lushnjës, për të drejtuar lëvizjen kombëtare, më 10 mars 1920 u krijua
brenda më Vlorë, ashtu si më 1919, një komitet i fshehtë me emrin “Mbrojtja
Kombëtare”, i kryesuar nga prefekti i Vlorës Osman Haxhiu, bir i shquar i
Armenit dhe Labërisë, figurë e rëndësishme e historisë së re shqiptare. Qazim Koculi dhe deputeti
tjetër Spiro Jorgo Koleka nga Vunoi u ngarkuan të kryenin funksionet e
përfaqësuesit të komitetit pranë qeverisë së Tiranës. Kryeministri Sulejman
Delvina e aprovoi programin e komitetit. Sikurse Sulejman Delvina me patriotët
e KKL dhe me qeverinë e Tiranës, sidomos Komiteti “Mbrojta Kombëtare” i Luftës
së Vlorës, apo “12 Komisionë”, siç
flitej në popull, së bashku me komandantët e LV major Ahmet Lepenica e kapiten
Qazim Koculi dhe me Halim Xhelon, sekretarin e Komitetit, zemërzjarrtin e ditur
për Atdhe, mendojmë se, në këtë 104 vjetor nderimi të Epopesë së Madhe, i bëjnë
më shumë dritë Historisë së re popullit shqiptar, sepse qenë pikërisht ata, që
udhëhoqën e drejtuan të organizuar e me plan luftimi trimat e Labërisë dhe të
krahinave të tjera shqiptare që e rrokullisën në det të turpëruar Perandorinë e
Re Romake.
Emrat
e anëtarëve të Komitetit të Mbrojtjesë Kombëtare dolën nga paria fisnike dhe
atdhetare e qytetit dhe fshatrave të Labërisë së Vlorës. Ata janë “emblema e Luftës
së Vlorës” dhe përderisa LV është faqe lavdie në historinë e Shqipërisë edhe
ata janë portrete me dritë nderimi e lavdie në përmendoren e historisë
kombëtare. Komiteti “Mbrojtja Kombëtare” e Luftës
së Vlorës (1920), me anëtarë: Osman Haxhiun, Duro Shaskën, Ali Beqirin, Alem
Mehmetin, Qazim Kokoshin, Beqir Sulo Agalliun, Hamit Selmanin, Hysni Shehun,
Myqerem Hamzarain, Murat Miftarin, Sali Bedinin, Hazbi Canon e kanë
merituar denjësisht Dekoratën
“Nderi i Kombit” me motivacionin: “Për ndihmesën e çmuar në organizimin dhe
drejtimin e Luftës së Vlorës të vitit 1920 dhe mbrojtjen e lirisë e të
Pavarësisë së Atdheut, duke u shndërruar në shembull frymëzimi për brezat
pasues të Shqipërisë.” Binomi i shkëlqyeshëm i LV me Osman
Haxhiun e Halim Xhelon na kujton binomin atdhetar të Lidhjes së Prizrenit me
Ymer Prizrenin e Abdyl Frashërin.
Halim Xhelo për rolin e Labërisë në Luftën
e Vlorës
Ishte
pikërisht Lufta e Vlorës ajo që tronditi botën mbarë, ishte pikërisht kjo epope
lavdimadhe që gremisi në det perandorinë, “një
ushtri 40 miljonë”, siç thotë
kënga, e cila, ndër kriteret specifike ka dhe parimin e zbukurimit.
Për
këtë realitet të madhërishëm,
Abdyl Frashëri i Njëzetës, i zjarrti Halim Xhelo, shkruante në shtypin e kohës,
me një shpirt të dehur nga atdhetaria, me një penë të ngjyer në fisnikëri: “Pra, në pati Greqia e moçme një Spartë e një Thermopile, Shqipëria e
Re ka një Labëri dhe Qafën e Koçiut” [6].
Lufta
e Vlorës është një nga epopetë më të lavdishme të shqiptarëve dhe Vlora u kthye
në “Termopilet” e Shqipërisë. Sikurse Vlora me qytetin dhe fshatrat e Labërisë:
Sevasterin, Vajzën, Bratin, Vranishtin, Shkozën, Tërbaçin, Smokthinën,
Kallaratin, Lepenicën, Gumenicën, Dukatin, Çeprratin, Tragjasin, Vezhdanishtin,
Gërnecin, Trevllazërin, Peshkëpinë, Armenin, Gorishtin, Mavrovën, Mallkeqin,
Lapardhanë, Amonicën, Treblovën, Velçën, Rexhepajn, Bolenën, Dushkarakun,
Kropishtin, Gjormin e Oshtimën, si dhe Tepelena me Salarinë, Gusmarin,
Dhëmblanin, Bënçën, Progonatin e Nivicën, edhe, krahas krahinave të tjera
shqiptare, u shqua Mallakastra, Skrapari e Berati u ndodh në krah të fqinjvë
labë të pushtuar nga ushtria imperialiste italiane dhe e lanë me gjakun e bijve
të tyre fitoren e e bujshme të 3 Shtatorit, që sipas Gani Iljaz Habazajt, korrespondentit
nga frronti i luftës i gazetës “Drita” të Veli Harshovës, Gjirokastër, në
Luftën e Vlorës u vranë mbi 130 luftëtarë, që përkujtohen si shehitë/ dëshmorë
të lirisë[7].
Kur në brigjet e Vlorës dhe të Kaninës binin dëshmorë për liri, dhe në fushat e
Koplikut, në Shkodër, në Malet e Dibrës luftonin vëllezërit tanë të Veriut
kundra sllavit po për këtë qëllim, që të shpëtonin atdheun nga sulmet e tij.
Halim Xhelo shkruan: “Viti 1920 është viti më i shënuar në Përlindjen tonë, se
pas Kastriotit është e para herë që shqiptarët të bashkuar nën Dyngjyrashin [do
të thotë flamuri kombëtar kuqezi, shën im: A.H.], luftuan krah për krah kundër
të huajve”[8].
Gjithë
ata heronj me apo pa dekorata, me luftën e tyre, me gjakun, me ndihmat e dhëna
materialisht apo me mendje, duke evidentuar kulturën morale, kulturën
shpirtërore dhe kulturën materiale të një komuniteti vital, falën jetën a
kapitalin dhe bënë histori, por pa guxim s’ka lavdi.
Ata
dhanë forcën, guximin, trimërinë, dëftuan virtytet e larta, trashëguar nga të
parët, ndezën shpirtin atdhetar dhe dashurinë për vatrën e tyre, për zjarrin e
tyre, për oxhakun e tyre, për gurin e sinorit lokal e kombëtar, për varret e të
parëve, që të mos lëndohen, derdhën pika gjaku a falën gjithë gjakun e tyre,
për këtë dhè, lënë amanet nga paraardhësit brez pas brezi.
Traditat
dhe parimet e humanizmit në luftë
Meqënëse kontributi i Labërisë në Luftën e Vlorës është i
shqueshëm dhe nga studiuesit është një temë e rrahur, dëshirojmë të ndalojmë
pak tek kultura shpirtërore, virtytet fisnike, e drejta dokesore, traditat dhe
parimet e humanizmit të banorëve labë në këtë epope. Sikurse në çdo luftë të mëparshme,
edhe në Luftën e Vlorës, labët dhe tërë shqiptarët shkuan vullnetarisht, e
prisnin me dëshirë betejën dhe përpiqeshin kush të dilte i pari në breg.
Vullnetarizmi ushtarak vinte nga tradiuta e të parëve, për t’u dalë zot trojeve
të pushtuara në rrjedhat e historisë. “Labëria
është dovlet/ çdo shtëpi nxjerr dyfek” Në Luftën e Vlorës, vullnetarët e
Labërisë, të organizuar në çeta, përbënin dhe një bashkim vëllazëror. Ata
rreshtoheshin në çetë të veshur me rroba shajaku, vinin shami të zezë lidhur
mbi feste si simbol i kryengritësit të Labërisë, xhamadan të qëndisur, tirq dhe
sherqe e dyfek në sup.
Sulmi, beteja për labin ishte akti më shpërthyes, vendimtar,
ku nuk peshohej jeta, aty përmes flakës e tymit përleshej trup me trup, nuk
frikësohej kur rreth tij luftëtarët binin, rrëzoheshin të vrarë e të plagosur
nga breshëritë e plumbave dhe përmes kufomave, në fushën e zjarrtë, ai hidhej në
sulm për fitor, për jetë a vdekje. Tipologjia epike e këtij akti trimëror është
Selam Musa Salaria. Jo vetëm për Labërinë, yje në gjerdanin e lavdisë janë Dule
Dalani, Sali Vranishti, Zigur Lelo, Kanan Maze, Selman Hyseni, Hodo Zeqiri,
Muhamet Maze Merko, Rrapo Çelo Beqiraj, Azem Sulo, Sino Micoli, Metush Gjika etj.
Labi nëpër beteja ruante dhe parimet e humanizmit në luftë.
Ruante një traditë me vlera, që ishte normë e së drejtës dokesore. Labi nuk luftonte kundër grave, fëmijve dhe të
mundurve, robërve të luftës, që ishin të përqëndruar në thellësi të fshatrave
të Labërsisë së Vlorës. Sado të ashpër të tregoheshin gjatë luftimit, fitimtarët
e Gjormit, Kotës, Llogorasë, të Drashovicës e Tepelenës nuk hakmerreshin mbi të
mundurit. Robërit e luftës nuk u nënshtroheshin ndëshkimeve e gjymtimeve
trupore. Çmohej trimëria e fisnikëria, qoftë edhe e kundërstarit. Morali i
krahinës së Labërisë, sikurse i gjithë popullit shqiptar dënonte ashpër paburrërinë
dhe tradhëtinë. “Tradhëtar” ishte sharja më e rëndë, ndërsa burrëria labe nuk e
pranonte thyerjen edhe për të mundurit.
Në marrëdhënie me të huajt, labi ka manifestuar trimëri e
kulturë dhe në paqe ka qenë miqësor. Në konfilkte është shquar për dituri dhe
iniciativë.
Në luftën e Vlorës u zunë rreth 1500 robër ushtarë e oficerë
italianë, që ruheshin në fshatin Shkozë. Disa oficerë shanin e ofendonin çdo
ditë rojet shqiptare, duke quajtur “brekëgrisur”,
“Këmbëzbathur”, e ca më keq i shanin dhe nga nëna!
Kishte roje që ishin gati t’i vrisnin, sepse të huajt shanin
dhe flamurin, po urdhëri ishte “Asnjë incident me robërit, sepse labi nuk e ka
zakon të luftojë me të mundurit”[9] Italainët
i provokonin rojet shqiptarë duke hedhur rroba e këpucë, orë dore dhe lekë, po
asnjëri nuk i merrte a vullnetarët roje, për të mos ulur prestigjin e luftëtarit.
Dhe kështu,
më 3 shtator 1920, të pritur me gëzim të papërshkrueshëm nga mijëra qytetarë e
fshatarë, luftëtarët patriotë me flamurin kombëtar në krye, hynë në Vlorën e
çliruar dhe të bashkuar me atdheun e pavarur. Ndërsa poeti nacional i Italisë
G. D’Anuncio (G. D’Annunzio) shkruante: “Është turp për Italinë që një tufë
barinjsh të Labërisë hodhi ushtrinë italiane në det”[10],
duke e cilësuar tërheqjen nga Vlora si “plagë e ligë”[11],
ndërkohë për çlirimtarët shqiptarë dhe për mbarë kombin tonë ishte kurorë
lavdie, nderi e dinjiteti.
Autori i këtij shkrimi është edhe autor
i monografisë shkencore: Lufta Kombëtare
e Vlorës: Historia në Epikën Historike.
[1] ) AGOLLI, Dritëro: “Nënë Shqipëri” poemë, Tiranë, “Naim Frashëri”, 1976, f. 63.
[2] ) ËOODALL, Robert Larry: “Problemi shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris, 1919-1920”, Tiranë, AIIS, 2017, f. 15.
[3] ) WOODALL, Robert Larry: Vep. e cit. f. 195.
[4] ) WOODALL, Robert Larry: Po aty, f. 202.
[5]) ÇAMI, Muin: “Lufta e Vlorës-luftë e lavdishme popullore”, shih: “Studime historike”, Tiranë, Akademia e Shkencave e RPSSH, Instituti i Historisë, viti XXXIV (XVII), Nr.4/ 1980, f. 121.
[6]) XHELO, Halim, “Vlora më 1920 [Përgatitjet e Luftës së
Vlorës dhe goditjet kundër pushtuesve italianë.]”, gaz. “Politika”, Vlorë, 3 shtator 1924, nr. 25, f. 1, 3.
[7] ) HABAZAJ, Gani, Iljaz: “Lufta e Vlorës në kujtimete e mia”, Tiranë, “Naim Frashëri”, 1995, f. 48-51.
[8] ) XHELO, Halim, “Vlora më 1920…”, vep
e cit., f. 97.
[9] ) HYSENAJ, Bardho: “Histori e Labërisë”, Tiranë, Redona, 2011, f. 516.
[10] ) HYSENAJ, Bardho:
Vep. e cit., f. 492.
[11] ) “L’idea
Nazionale”, Roma, 10 gusht 1920
Lufta
Kombëtare e Vlorës (tablo e piktorit Agim SULAJ)