Kulturë
Ndue Dedaj: Një misionar italian ndër matjanë
E enjte, 06.06.2024, 06:54 PM
NJË MISIONAR ITALIAN NDËR MATJANË
NGA
NDUE DEDAJ
Don
Gianfranco Cadenelli-n e njohin të gjithë në Mat e më gjërë, pasi ka mbi dy
dekada që shërben si misionar mes matjanëve etj., që kur ka ardhur nga Breshia
e Italisë në famullinë e Shën Nikollit në Suç, në vitin 2002, si prift i
Dioqezës së Rrëshenit, bashkë me dy misionarë të tjerë, famulli ku shërbejnë
dhe “Motrat mësuese të shën Doroteas”, që kujdesën për formimin e të rinjve
etj.
Kemi
pasur rastin ta takojmë në Suç, Ulëz, Burrel, Rrëshen etj. dhe ruajmë mjaft
konsideratë për të. Më thoshte një rast se ishte ngjitur deri lart në “Malin e
Skënderbeut”, nga Shkopeti a Stojani, dhe se i kishte dëgjuar gojëdhanat e
atyre anëve për Heroin tonë Kombëtar. Po ashtu ai na ka folur dhe rreth një
varri të vjetër monumental që ndodhet në oborrin e kishës së Suçit, teksa
këqyrnim së bashku rrënojën e tij.
Në
një postim të Dom Cianfranco-s që mban datën 31 gusht 2023, shkruhet: “Te
Teqeja e Ballëm Sulltanit, në livadhet e Ballenjës, njësia administrative
Martanesh (Bashkia e Bulqizës), që gjendet në territorin e Famullisë sime. Na
ka mikpritur, me shumë respekt, Baba Hysni Shehu, njeri i mirë dhe i
përshpirtshëm, i cili na ka shpjeguar parimet e fesë së Bektashianëve dhe
mënyrën e tyre për t’u lutur. Pastaj kemi bërë piknikun në afërsi të Shpellës
së Shenjtë, të cilën e kemi vizituar pas dreke. Dita e bukur dhe interesante!”
Po
ato ditë gushti ai shkruan në një tjetër postim në Facebook: “Fshati mysliman
në Dibër që kujdeset për 5 kishat që janë në territorin e tij (që gjithashtu
përfshihet në famullinë time). Në Kërçisht të sipërm, njësia administrative
Maqellarë, kanë mbetur 50 familje. Edhe pse i përkasin besimit mysliman, ata
kujdesen të mirëmbajnë të gjitha kishat e ndërtuara nëpër kohëra në këtë fshat.
Banorët tregojnë se janë 5 kisha, e “Shën Dhimitrit”, “Kral Kërçinii”, “Shën
Spahisë”, “Shën Sotirit” dhe “Shën Pobrazhit”. Ata të thonë: “Gjysma e fshatit
ka qenë ortodoks, nuk ka rëndësi nëse është kishë apo xhami, ne kujdesemi
njëlloj për to, nuk i prek njeri se janë të shenjta”. Jeta e një misionari në
treva të tilla është me plot mbresa të njërëzve të dy besimeve.
Dom
Gianfranco kohët e fundit ka kaluar probleme shëndetësore jo të lehta, por
është kthyer sërish mes besimtarëve të tij për të qendruar me ta, falë
dashurisë dhe përkujdesjes atërore të tyre, veçanërosht familjes Gjini. Sipas
një njoftimi të Kishës Katolike, të dielën, me 9 qershor, në Suç do të mbahet
Mesha e Shenjtë, e udhëhequr nga Ipeshkvi imzot Gjergj Meta, për mirëseardhjen
e Don Gianfranco-s pas periudhës së vështirë që kaloi. Ai ka dashur t’i
qëndrojë besnik deri në fund misionit, që ka filluar 22 vite më parë, prandaj
jemi të nderuar dhe të gëzuar për praninë e tij mes nesh”.
E
kemi lënë me shkue në Suç dhe deri atëherë lë të jenë këto pak radhë si një
lutje për shëndetin e Don Gianfranco-s.
Historitë e misionarëve të huaj në Shqipëri prej motesh janë me sakrifica të shumta dhe devocion të madh ndaj njerëzve.