Mendime
Meti Rexhepi: Kërkimi i realitetit përtej absurdit njerëzor
E enjte, 06.06.2024, 07:55 PM
KËRKIMI I REALITETIT PËRTEJ ABSURDIT NJERËZOR
Bajram Kosumi: ENCIKLOPEDIA IMAGJINARE,
post roman
Botimet TOENA dhe ARTINI; Prishtinë 2023
Gjuha
në historinë e njerëzimit është shpikja më e jashtëzakonshme, ajo e cila i
paraprin gjithçkaje, dhe e cila mundëson të arrihet gjithçka me të. Pa gjuhë
nuk do të kishte as shkencë... - J. M. G. Le
CLEZIO
Nga
Meti REXHEPI
Kolonës
së këtij libri gërshetimesh stilistike të emërtuar “ENCIKLOPEDIA IMAGJINARE”, për
shumëçka i veçantë nga librat e rëndomtë letrar, i prijnë njëzet e nëntë
shkronja nga tridhjetë e gjashtë të alfabetit të shqipes, sipas një renditjeje vertikale
të secilës s’osh, pikërisht sikurse renditja e të dhënave në një enciklopedi të
mirëfilltë. Por, “ENCIKLOPEDIA” e kësisoj në llojin e saj është dukshëm e
dalluar për ngërthesat në përmbajtjet, temat, stilin, idetë dhe çfarësinë e
ideve që solli.
Çfarë
ka “ENCIKLOPEDIA IMAGJINARE” e ish të burgosurit politik, e poetit, e
publicistit dhe e studiuesit Profesor Bajram Kosumi? Ka shumëçka apo gjithçka e
kondensuar për gjatë kohë në planet shkrimore të këtij autori të shquar. Kur pohoj
kështu, më duket se logjika kërkuese do të donte përmbushje lënde edhe me ato shtatë
shkronjat e mbetura për radhitje kolonash enciklopedike. Përse? Kam parasysh ngaqë
sikurse te shkallëzimi i mbiemrit, shkalla sipërore shpie deri në hiperbolë
kërkesash, përderisa shkrimtarit i mbeten edhe pesë bashkëtingëllore e dy
zanore, që të përmbushen me kolona shkrimore tërësitë e kapjeve për tekste të
këtilla në relievin e shqip-shkrimit... Por, nuk qëndron këtu as pesha, as mangësia,
as kërkesa e lexuesit, as vlera e qëllimit të parashtruar të kësaj ndërmarrje
shkrimore. E gjitha është kompetencë e autorit: përzgjedhja, renditja dhe emërtimi
i kësaj vepre madhore “ENCIKLOPEDIA IMAGJINARE.” Duke lexuar me sy kritik hasim
denduri të dhënash, që i përkasin realitetit ashtu sikurse nuk e kemi parë më herët,
në një mënyrë apo në një tjetër, i shtrembëruar apo i ideologjizuar, asisoj si
nuk i kemi perceptuar të ndodhurat, ngjarjet, personazhet e dukshme dhe të
prekshëm, gjithnjë brenda kornizave, që na i përcaktuan interesat e më të
fortëve, fati i kontekstit historik, pikëpjekjet, fërkimet e mendësive kurdoherë
antonimike: të mbetesh apo të mos jesh etnia shqiptare?!
SIMBOLIKA RRËNIMTARE E BESTYTNIVE
Në
këtë lëndë të gjerë temash të shumëllojshme, aq sa kapin përmasat e një
enciklopedie brenda kopertinash, etnisë shqiptare iu kërkua e vërteta kundruall
shpërfytyrimit, derisa preku dhe hyri në sferën e vetëdijes së vet, të shumtën e
pavetëdijshme, ngase u gjend në labirinte të trysnive ekzistenciale duke mos e
gjetur vetveten, as shtegdaljet për të mos e humbur burimoren e parësoren e vet
të komb-shtrirjes në tërësinë e Gadishullit... Humbjet asimiluese nëpër
labirintet e faktorizimit në histori për të tjerët, kujtojmë arvanitasit, dhe,
pak për identitetin e vetvetes, pikërisht këtë rrethanë si krye-përmasë në këtë
libër e piketoi shkrimtari Bajram Kosumi, duke i qëruar lëvozhgat e absurdit e mbështjella
në mitologji:
“Po
kush e kupton gjuhën e gurit? Ata godisnin gjithnjë e më me vullnet dhe
Gurishenti e kuptoi se po thërmohej përgjithmonë. E kuptoi, por nuk e sqaronte as
vetë pse po ndodhte kjo, edhe pse ai ishte dëshmitar i ngritjes së njeriut nga
hiqi në gjeni. E tash, ky gjeni po bënte një kësi budallallëku! Ai po vuante
ditën e fundit të thërrmimit me vuajtje të papërshkrueshme dhe të pakuptueshme
nga truri e ndjenjat e njeriut”[1]
Teksti
i publicistikës historike qëmton dhe ngre një realitet të mistifikuar mitologjik,
për t`iu qasur pastaj një toponimie në trajtën e një legjende e, e cila ndjek evoluimin
e etimologjisë së toponimit jashtë sferës së onomastikës dhe, vjen deri te
veshja asimiluese si mbishtresë prej sllavishtes që e bartë emërtimi aktual. Shkatërrimi
i gurit simbol i fshatit nga besëtytnitë, përtrolliti logjikën e vetëshkatërrimit
të gjeniut krijues të kësaj mendësie... Rikthimi rindërtues i atij guri të
shkatërruar mund të bëhej, veçse si një kopje e zbehtë, si dëshmi e zbritjes së
njeriut nga një shkallë gjeniu në të marrin shkatërrimtar! Si e këtillë porosia
tej kohore shndërrohet në ngërthesa shumë kuptimesh dhe, bartë të vërteta e mistifikime
të qëllimshme, të atilla që kapërcejnë sferën e vetëdijes së “ishullorëve.”
Ç`është
përmasa emërtuese Ishull dhe ç`janë ishullorët? Janë ata që i japin kuptim dhe
përmbajtje Ishullit si krye-hapësirë e ndodhive. Banorët, këta të mëhershmit
gjallojnë gjithnjë të shtyrë në tehe zgripesh prej ardhësve, si dëshmi etnie shtrirjesh
në udhëkryqe besimesh mitologjike, simbolike, fetare, historike dhe urbane. Në
njësitë e mëvetësishme të librit, aty ku rrëfimi vishet me figurshmëri, teksti
merr ngjyra të stilit figurativ-poetik. Brenda thënies vegjetojnë aluzionet, prozopopja,
figurat e shpirtëzimit të gjë sendeve, që nxjerrin kumte e kuptime ironike dhe
absurdin mes imagjinatës dhe realitetit.
Artikull
pas artikulli, autori Bajram Kosumi në “ENCIKLOPEDI...” vijon, duke çmitizuar mite
dhe legjenda, për të kthjelluar mjegulla e tymnaja mbi hapësirën e Ishullit dhe,
të paraqesë trajta specifike të jetës së “ishullorëve.” Toponimi mitologjik Gurishenti
kapërcen mesjetën, besëtytnitë e mesjetës dhe i jepet emërtimi i sotëm Gjurishevce,
gjithsesi i shartuar nga sllavët. Andaj, kemi narracionin e trajtimit etimologjik
sipas një rrjedhe të legjendës dhe, jashtë ligjësisë së etimologjisë krahasimtare,
por kataraktet e rrjedhjes rrëfimtare bien tatëpjetës së kohës të zhveshur në
rrafshin e aktualitetit.
Nëse
shkëpusim fragmente shtjellimesh të temave tjera nga gama tejet e gjerë e tyre,
hasim po këtë tipologji të shkrimit, që në këtë libër është shtruar mes
realitetit dhe fiksonit. Logjika e diskurseve të krijuesit Bajram Kosumi nuk
është thjesht imagjinatë, as vetëm diskurs dokumentar pa një skelet vërtetësie,
pa skeletin e lidhur me inde, damarë rrjedhash të rruazave të gjakut, që përçojnë
ndjeshmërinë e fijeve nervore në brazdat e hullive, të cilat rrafshohen po nuk
u lëvruan vazhdimisht, po nuk u mbollën e, po nuk u korrën me fryte të
mendimit. Një diskurs i kësisoj në veprën e gamës me lëndë të vëllimshme trajtimesh
si “ENCIKLOPEDIA IMAGJINARE”, edhe kur zbërthehen enigmat e shtresuara mbi
“ishullorët”, zbardhja i prin logjikës së ç`maskimit e të çmitizimit. Çmitizimi
dhe çjerrja e maskave të padukshme, jo vetëm heton kamuflimin e karaktereve të
ngjyrave të kameleonëve dykëmbësh, por nxjerr në pah kurthet dhe grackat brenda
llojesh të “ishullorëve”, mpreh vetëdijen njohëse të afrisë së gjuhës së helmët
pas shijes së një mjalti tek një zgorre druri mbi syprinë.
Që
në krye të herës për t`i kapur qëllimet zbërthyese të lëndës së parashtruar, që
në qarqe të caktuara paraqiten të kamufluara, shkrimtarit i duhej mendja e
ndritur, vullneti dhe dija përmasash të gjera, e thellë, depërtuese në
variantet e lojërave të pista dhe përballë programesh tejet të rrezikshme për
shfarosje! Shkrimtari e zbatoi ligjësinë për ta goditur apo arritur pikën e
cakut, veçse asisoj, që njeriut i duhet shikim i përqendruar në parimin
thelbësor për cakun. Kundrimet sipërfaqësore të një qëllimi apo të shumë
qëllimeve nuk e godasin pikën e shënjestruar të së keqes. Mëtimet e qëllimeve
të autorit të këtyre shkrimeve mësyjnë thellësitë dhe lartësinë e vlerave, ato
duan ta shohin dukurinë në plotninë e vet, ta shohin njeriun e vet të thelluar në
gjykime thelbësore dhe assesi në margjina të fatit, andaj citojmë autorin: “Njerëzit,
prej natyrës së tyre naive e të lëmuar, nuk i gjykojnë gjërat për thelbin, por
për sipërfaqen e tyre. Ta gjykosh një gjë në thelb, pra një mendim, ndërsa njerëzit
më lehtë gjykojnë me sy se sa me mendje”[2]
PROZA DOKUMENTARE DHE ARTISTIKE
Personazhet
e prozës në “ENCIKLOPEDIA IMAGJINARE” e Bajram Kosumit vishen me dy lloje
veshjesh stilistike. Njëri lloj i veshjes së tyre është konkretësia. Ata janë konkretë
me emra e mbiemra, dukën e prekën, jetojnë e veprojnë në mjedisin tonë, i
shëmbëllejnë secilit prej nesh me të mira e vese. Për qasjen e diskursit tonë lë
të merret shëmbëlltyra e Arsim Rexhajt. Që në paraqitjen e parë të këtij
karakteri, përshkrimi i tij i jashtëm të shpie në llojin e stilit publicistik.
Megjithatë, autori vetëm nëpërmjet kësaj trajte nuk kishte si t`ia shpalonte
brendinë dhe vlerat shpirtërore personazhit konkret. Si? Pa pamjen e botës së
vetëdijes së tij me anë të stilit figurativ. Ana figurative shkrimin e përafron
me prozën artistike, ngaqë mjetet shprehëse të figuracionit poetik frymojnë më
depërtueshëm. Kështu, del në pah e fshehura, ideja e sinqeritetit, që edhe
përmes shqiptimit si apostrofim ideor i përgjigjet titullit të prozës së gërshetuar
tek “Adem Jashari dhe sytë e tij”:
“O
miku im, nuk e bëra dot për shkak të syve të Adem Jasharit! Sa herë provoja të
bëja diçka të pabërë, ai m`i zgurdullonte sytë nga muri ku e mbaja! Sa herë mendoja
të bëja ndonjë përfitim, ai m`i rraste sytë deri këtu në zemër. Sa herë mendoja
ta shpëtoja vetën ai m`i rrotullonte sytë nga atje. Sa herë mendoja ta ha, ta gërryej,
ta përlaj atdheun, lirinë, njerëzinë... ai mi skuqte sytë nga atje...
Prandaj
e mora me vete portretin e tij. Nuk e lash në qeveri. Më zi se në varr! E mbaj
në shtëpi.”[3]
Rrëfimi
i nivelit të ndërtimit vertikal të dëshmisë shfaq pikëpamje të ndryshme në
formimet e karakterit nga të korruptuar deri te të çiltrit, deri tek ata që e
spikatin pastërtinë njerëzore dhe, për gjithçka të pandershme i gjykon sedra e vetëdijes
së fortë për përgjegjësi, për dhënie llogari ndaj idealit të sakrificës sublime!
Mirëpo, të ndodhurat kronike janë të shumta e dora-dorës, si dhe rrëfimet për gjatë
gjithë gamës lakoreve të jetës kur zgjohen përbindëshit e saj!
STILET E SHTJELLIMIT
Tiposi
figurativ dhe real që e përshkon hapësirën e krejt librit është Ishulli me
banorët e tij “ishullorë”, që nuk i rrahin dallgët e detit, por rrahën nga
dallgët e lukunive armiqësore. Përfaqësimi i emërtimit është i qartë, është
metafora e tkurrur e Ilirikut e cila pëson tkurrje prej trysnive kronike nga më
të ndryshmet, të kurdisura në sistem kabinetesh për asgjësimin e “ishullorëve!”
Në
librin “ENCIKLOPEDIA IMAGJINARE” e të burgosurit politik të viteve tetëdhjetë
të shekullit njëzet, gjakimet e kahershme të shkrimtarit dhe Profesorit Bajram
Kosumi, pikërisht këtu gjejnë shprehjen e vullnetit të tij të pathyeshëm, për
t`iu dhënë qartësi mëtimeve për ndodhitë e heshtura ngjarjeve të kamufluara, për
bëmat që nuk mund të varrosen; mësymjet perfide e të hapura dhe zbatimet e
programeve gjenocidale... Për paraqitjen e të gjitha këtyre katrahurave,
autorit i hyjnë në përdorim tri mënyra të rrëfimit, të cilat mund të ishin të
depërtueshme në realitetin, shpesh të fshehur të historisë, në kronikat e njëanshme,
veçmas të historiografisë së shpifur serbe dhe, pamjeve ideologjike të historisë
shqiptare komuniste.
Në
konstatimin për tri mënyrat e pohuara të narracionit kam parasysh tekstet,
ngërthesat e tri sferave shprehëse stilistike: stilin e publicistikës historike
që shtron të dhëna kronike, data e emërtime personalitetesh, emërvende,
parashtrime proces-verbalësh programorë, fusnota dhe prekje rrethanash
objektive, subjektive e të tjera. Stili i socio-njohjes, i tematikave shoqërore,
i ritmeve të ngritje-rënieve qytetare dhe, stili i kondensimit të ndjeshmërisë njerëzore
përmes temash e motivesh me gjuhën e figurshme të prekjes poetike, që përshkon
serinë e artikujve tregimtarë, herë-herë puro imagjinare si zbutje e tipit të prozës
dokumentare.
Pohimet
pararendës i përfillim duke mjaftuar t`i shkëpusim shembujt e modeleve stilistike,
njërin nga modelet e tilla i sferës dokumentare-publicistike e hasim për gjatë
gjithë veprës, si “Biblioteka kishtare dhe akademike për shqiptarët”
Stili
i tipologjisë së publicistikës historike, me përbërës socio-etik, ekzistencial
e psikik, me pleksje të mjeteve të gjuhës figurative merr shtrirje në tërë
përmasën e caqeve për depërtime
në
dukuri e mënyra me mynxyra jete të shumta, në trajta specifike të mendësisë së
intrigës e të dhunës; marrjes së dinjitetit të individit sipas mënyrave më
perfide... Kjo është tipologjia shkrimore zotëruese, tërësia e shkrimit në librin
që tashmë e kemi pronë të bibliotekave tona.
Kjo
mënyrë e shkrimit dhe e gërshetimeve stilistike në këtë libër gjithëpërfshirës e
vuri në sprovë diapazonin e njohurive e shkathtësitë e autorit Bajram Kosumi.
Libri si i këtillë përjetohet shumëfish: edhe si shkrim publicistik edhe si
shkrim letrar-artistik edhe si dëshmi sferash shoqërore historike, etike,
etnike, shpirtërore në vazhdën e një qytetërimi të trazuar... Gjithë përvojat,
sprovat e individëve e të shtresimeve shoqërore, të ngrehinave shtetërore
shndërrohen në porosi për ata që kanë kujtesë, për ata që kanë sy e veshë.
Shkrimtari,
gjithnjë, në tej shikimet e tija ngre vizione dhe për fund-caqet e të ndodhurave,
të asaj që është ekzistencë e rrezikuar e qytetërimit të “ishullorëve”, me të
gjitha komplekset njerëzore dhe çnjerëzoren mbi ta, por dhe nga vet ata! I
gjithë diskursi rrëfimtar, analitik e sintetik, tregimtar e përshkrues i kësaj
vepre përshkohet nën sfondin e ironisë dhe të absurdit. Mendoj se kjo është
njëra nga krye-veçoritë e karakterizimit stilistik në librin “ENCIKLOPEDIA
IMAGJINARE” e Bajram Kosumit.
ABSURDI I QYTETËRIMIT
Interesimet
e autorit të këtij libri përmasash enciklopedike për paraqitje të shumanshme e
të gjithanshme, ashtu si do ta bënte romani, të ngjarjeve me shkak-pasojat për
formësimin dhe shthurjen e qytetërimit nëpërmjet luftërave perandorake... Mëtimet
qytetëruese ngelnin në luftëra dhe, luftërat pushtuese që jetësimin e evoluimit
të mirëfilltë të njerëzimit e rikthenin në gjendje barbarie, me fare pak gjasa
që të lulëzonte e të qytetërohej paqja e urtësia njerëzore e cikleve të prera.
Pas
kërkimesh jetësore në gjithë përvojën e dijes, duke vjelë pareshtur dijen e
shkruar, atë të pashkruar të bartur në breza përvojash, të pleqëruara në oda të
popullit, dija e ligjëruar në katedra fakultetesh, të shkëputur nën shkopinj
burgu, e shfletuar nga kurdisje stivohej historia me ngjyrime e pa ngjyrime
ideologjike... Dije e fituar nëpërmjet zbërthimeve të nëntekstit, të mbi-teksteve,
me një intuitë që preku dhe rrotulloi gjithçka: gjykime e paragjykime, të
vërtetat e gjysmë të vërtetat, përrallat, mitet dhe legjendat, mendësinë e
gënjeshtrës të ngritur në sistem dhe, ngarendjet e së vërtetës së etnisë për
ekzistencë të shtyrë në zgripe të rrëshqitjes së pakthyeshme...
Për
ta përmbushur rrëfimin me të dhëna nga të gjitha sferat e vetëdijes së lashtë dhe
të re, shkrimtarit i kishin hyrë në përdorim dijet për metafizikën, trajtat e
të gjitha periudhave të sintezave filozofike, etike, teoria politike, artet,
idetë historike për kombin dhe shtetin deri te sublimimi i përvojave bashkëkohore
për luftën dhe paqen, për kombet dhe pakicat kombëtare, për politikën dhe gjeo-strategjinë
politike... Thelbi i të gjithë përbërësve të lidhur në përmasa për kapje të
realitetit të Ishullit, për Ishullin dhe rreth Ishullit qëmtohen, ngërthehen, spikaten,
veçohen, përzgjidhen dhe, në trajta të sintetizuara diskursesh tregimtare
zbërthehen te “ENCIKLOPEDIA IMAGJINARE”
I
vetëdijshëm me ballafaqime aq të gjithanshme për hyrje në sfera e periudha diskursesh,
të cilat shënuan botën objektive, rrëfimi i shkrimtarit u shtrua në dhjeta,
mbase në mbi treqind e nëntëdhjetë e tetë (398) njësi narrative me të gjithë
përbërësit e shtjellimit, të dokumentimit të thënies, pasqyrime shqyrtuese të
dukurive, qëmtime tipike të ngjarjeve dhe karaktereve të mjedisit, veçantinë
dhe përgjithësimet e bëmave të njeriut në personazhet e drejtpeshuara lakoreve të
jetës së motivuar dhe të dëshpëruar. Pamjet e këndvështrimeve etike, politike, filozofike,
kontekstet e kontestet e kundërthënieve shoqërore të mjediseve e të personaliteteve në madhështinë, dinakërinë,
vogëlsinë, brishtësinë, shëmtinë, falsitetin, egërsinë dhe bukurinë, egon e
sëmurë dhe përfitimin në kthesat dramatike, karikaturat dhe hijet e akëcilit personazh, mëkatet e
falshme dhe të pafalshme; programimet e krimit të pandëshkuar në masë e mbi
individualitete, dhimbja njerëzore e pa ngushëlluar, paradokset dhe fundi i pa fund
i absurdit të njeriut mbi njeriun, janë piketime të ngjeshura caqesh brenda
kopertinave të një “ENCIKLOPEDIE” të këtillë letrare.
KËRKIMI PËR NJË REALITET TË RI
Në
“ENCIKLOPEDI...” na bie në sy spektri i ngjyrave të pleksura me ngërthesa e
zbërthime, mbi fushë-shtrirje e relieve karakteristikash nga përkatësi të
ndryshme karakteresh, që tërheqin botën e shkrimit për t`i qëmtuar. Që në krye
të nismës autori Kosumi, për t`i përplotësuar qëllim-caqet e tija të shkrimit,
e shpalon të vërtetën e tij të çiltër programatike për shkrimin:
“Narracioni
në Enciklopedi... nuk është tërësisht tradicional, sepse narratori nuk mund të
jetë neutral. Neutraliteti me çdo kusht është i shpifur, edhe pse letrarët nuk
pajtohen. Atë që s`e pranuan letrarët, e bënë gazetarët: edhe te rrëfimi më
neutral, narratori nuk është neutral. Narracioni herë është biblik, herë historik
e herë filozofik e psikologjik. Të veçantë e bën pika e vrojtimit”[4]
Pohimit
teorik në fjalinë e shkëputur pohuese të këtij fragmenti të cituar për të
veçantën e pikës së vrojtimit, i paraprinë dy premisave teorike dhe shpirtërore
për kapje të morisë së shtytjeve, duke prekur, qëmtuar, spikatur për zbardhje
veçanësi karakteresh, mandej nxitje për tema periudhave të ndryshme, të hershme
dhe të vonshme, të anashkaluara, të anatemuara dhe rikthimin e tyre në
bashkëkohësi. Mirëpo, autori po ashtu mëton ngritje çështjesh në tematika të
reja, të cilat për një arsye apo pa arsye ishin anashkaluar. Shkrimtari i
shqisave për nuhatje të thellë, ua ndjeu dhe perceptoi erëmimin e bëmave, që
t`i bashkëngjiteshin shumësisë depërtuese në arkivat e gjallë të kokave të pluhurosa
nga dinamika e shtuar e përditshmërisë. Shkrim-qëmtuesi është i bindur në
parimet e tija krijuese se “nuk ka tema të vjetra e të reja dhe rrëfimtari flet
për temat në rrjedh, pra për ato tema, të reja e të vjetra, që janë pjesë e të
sotmes dhe ndoshta e së ardhmes.”[5]
Sipas
Shkrim-qëmtuesit rrëfim ideal nuk do të ketë dhe, lë të merret me mend se atë
gjithëpërfshirje mund ta bëjë vetëm Zoti i supozuar... Andaj, vullnetin e
shtuar për kërkime të pareshtura e dëshmon shumësia e lëndës së këtij libri, në
botën që e rrethon dhe që i sjell fatin e përjetuar. Shkrim-kërkimtari “shpiku
rrëfimin metakronik”. Ndonëse si shkrimtar që nuk e fsheh kënaqësinë e shkrimit
të “ENCIKLOPEDISË...”, ai nuk mëtoi se shteroi temat, motivet, idetë, diskurset
kritike, përsiatjet e kundrimeve socio-historike, filozofinë politike, artin e
të shkruarit, estetikën e jetës, mospërputhjet e realitetit të mendësive,
ngushticat e të jetuarit e të frymëmarrjeve të shtrënguara... Autori ka bindjen
e vet se nuk po e përshkruan realitetin ekzistues, por po i jep kahet e veta
për ndërtimin e një realiteti të ri, të pamjeve të reja, ashtu sikurse do të
duhej të ishte në projeksionet e shkrimtarit për të madhërishmen, për
njerëzoren, për qytetërimin, për etikën, për të keqen dhe të mirën, për të
bukurën dhe të shëmtuarën. Pa dyshim një ndërmarrje e këtillë krijuese e
shkrimit me ngërthesa e zbërthime, që joshin interesimin e lexuesve të niveleve
të ndryshme, pikërisht për shumësinë dhe larminë e përfshirjes dhe të
anë-kapjes së jetës, mënyrën dhe qartësinë e shtjellimit, kënd-ndriçimet deri
në detaje segmentesh; e kurorëzuan këtë vepër me peshë shkencore, publicistike
dhe letrare-artistike me vlera për
kulturën tonë të shkrimit që është “ENCIKLOPEDIA
IMAGJINARE.”
PARIMI I KËRKIMIT
I
gjithë diskursi perceptues i lëndës në librin përkatës i lë hapur përsiatjet e
lexuesit për komunikim të shumanshëm, pyetjesh e përgjigjesh, dilemash për
çështje përkatësie të llojit shkrimor. Konstatimi i parë që mund të shtrosh e
të ecësh në rrafshin e këtij libri është thyerja e klisheve të llojit ose zhanrit.
Koncepti
themeltar, mbi të cilin ngrihet tërësia e ngrehinës shkrimore të librit, por
edhe idetë shtytëse për kulturën e shkrimit, për autorin Bajram Kosumi, është
parimi i kërkimit. Mbase, përse mos ta apostrofojmë e, madje ta nënvizojmë
kërkimin, si njërin nga kreu i parimeve të qëmtimit për bërjen e shkrimit të
qëndrueshëm si vlerë, si cilësi prijatare për t`i përzgjedhur vlerat
dokumentare e artistike dhe për t`i renditur faqeve të librit? Parimi i
kërkimit është procesi shtytës për eksplorimin, zbulimin dhe për gjetje
ngërthesave të enigmave në natyrë e në qytetërimin njerëzor. Kërkimi është
parim dialektik, meqë duke qenë proces i pandalshëm, veçse si i tillë shpie në
depërtime dukurish të epokave, për t`i afruar lëndë mjaftueshëm krijimit. Krijimi
është dukuria e përmasave fondamentale që i përngjason Hyjnisë! Nëse Zoti “i
supozuar” krijoi gjithësinë, krejt atë që shohim, ndiejmë e prekim, marrim me
mend hapësirat e paprekshme kozmike, gjithë ato konstelacione galaktikash,
atëbotë mund të pohojmë: se sado kudo njeriu është krijues dhe një shëmbëllesë
e Zotit në tokë.
Në
këtë libër njëra njësi e shkëputur të zgjon kërshërinë dhe, të josh që t`i
lexosh njësitë tjera pashkëputur. Interesimi e ngre pyetjen e logjikshme: cila
tipologji e shkrimit e mbizotëron materien e shkruar në “ENCIKLOPEDIA...?”
Shkasi
i pyetjes doli pikërisht kur po lexoja njësinë “Kodi i Purpurt i Beratit”(Codex
Purpureus Beratinus), nga faqja 336 deri në faqen 346. “Kodiku i purpurt i
Beratit” i supozuar se është shkruar nga dora e Shën Gjon Gojëmblit, para
shekullit të gjashtë(VI) e të cilin “Njerëzit besonin se ”Kodiku i Purpurt i
Beratit” ishte besëlidhja e vërtetë e tyre me Zotin.”[6]
Në gjashtëmbëdhjetë shtylla të formatit të këtij libri, nëpërmjet tipit të
prozës shkencore, që merr trajtë të tillë nga kronologjia e të dhënave
historike, të sakta dhe të supozuara prej gojëdhënash, shtrohet shtjellave e
një fati të “Kodikut...” të rrallë, drama e ruajtjes së tij në epoka kthesash përplot
peripeci të ndryshme. Pesha e rëndë dhe parësore e “Kodikut të purpurt të
Beratit”, që ngërthente të përshpirtshmen e tërësishme të periudhës së Bizantit
dhe, rrëfimi kronologjik e dramatik për ruajtjen dhe fshehjen me fanatizëm deri
në sakrifica nga pleqësia e priftërinjve beratas; është diskursi prozaik që të
mbanë pezull për përfundimin e ruajtjes së “Kodikut...” Rrëfimi i të mbajturit nën
tension të lexuesit për epilogun e ngjarjes, ka diçka si ritmika e narracionit
të Umberto Ecos në romanin “Emri i trëndafilit.”
Në
tipologjinë e tillë të shkrim-paraqitjes, autori nuk fshehët, as vishet me
teshat e personazheve qofshin historikë, të imagjinuar apo të rëndomtë. Teksti
shkrimor është i drejtpërdrejtë, madje me shtojca shpjeguese në fusnota.
Peripecitë e ruajtjes së “Kodikut...”, rrethanat e mesjetës bizantine, mëtimet
e forcave armike për ta shtirë në dorë “Kodikun e purpurt” me “paqe”, premtime dinake
e forcë ushtarake; ngjyrimet armike të mjediseve të ndryshme, ruajtja e padorëzuar
nga fshehja në kushtet e depërtimit të lagështisë, deri te specialistët kinezë,
për t`ia rikthyer gjendjen parake “Kodikut të purpurt” të famshëm të Beratit, shpërfaq
llojin e prozës me ritme të tensionuara dramatike!
Kësisoj,
rrëfimi bartë ndjeshmëri shqetësuese, që nuk mund të jetë karakteristike e
gjakftohtësisë së prozës shkencore. Kërkim-qëmtuesi në lëndën e tij të thelluar,
nuk ngurron t`ia sqarojë lexuesit mënyrën e ngjeshjes e të dendësimit rrëfimtar
të temave të këtij lloji të tregimit.
KOHA METAKRONIKE
Ç`është
koha metakronike për të cilën shkrimtari thotë se po e përdorë “Përherë të parë
në këtë ENCIKLOPEDI?” Me anë të metakronisë : “Për audiencën ngjarja ndodh
përpara syve të saj, si një ngjarje unike. Metakronia ka të bëjë edhe me kohën
tepër të gjatë të rrëfimit a personazhit: një personazh mund të veprojë njëqind
a një mijë vjet në metakroni edhe ngjarja e rrëfyer zgjatë disa sekonda.”[7]
Në
njësitë vijuese kur shpjegimi nuk lyp tërthore, qartësohet tërësisht diskursi i
prozës shkencore dhe, tipologjia e shkrimit përjashton stilin e të shprehurit
figurativ. Përmes kësaj trajte natyra e tregimit shkencor në njësitë përgjatë
“ENCIKLOPEDISË...”, do të prirët t`i shërbejë njohjes dhe, ndërton një tjetër
çfarësi tregimtare për lexuesit. Si duket kjo mënyrë e të shprehurit, përputhet
me karakterin shpjegues dhe informues, që është dhe një pikësynim i
pashmangshëm i “ENCIKLOPEDISË...” Ky lloj teksti nuk mbetet pa reflektime, por
reflektimet më të shumta të nëntekstit i mbesin stilit të prozës figurative.
Kur
po shtroja dy-mendjet e togfjalëshit për ENCIKLOPEDI dhe IMAGJINARE, kisha
parasysh ngërthesat stilistike të njësive sajuese të librit, kompozicionin,
kohezionin, funksionin stilistik ideor për të arritur pajtimin e baraspeshës
unifikuese dhe, drojën e shkapërderdhjes së lëndës rrëfimtare në sfera heterogjene.
Këto parashtesa hapin çështje për diskutime teorike-kritike.
Për
shtjellimin e tërësive të këtij libri enciklopedik, në morinë e nëntitujve, ngërthehen
e zbërthehen çështje fondamentale të Ishullit e të ishullorëve. Ky Ishull i
modifikuar në kohë e hapësirë është udhëkryqi i ndodhive të Antikës, i Perandorisë
Romake, i Mesjetës Bizantine, Arbërore, Sllave dhe Osmane, i Luftërave
Ballkanike, i dy Luftërave Botërore, mandej dalja nga varret të lugëtave gjakderdhëse
të Serbisë! Ky është Gadishulli Ballkanik, emërtim që përjashtoi Ilirikun! Nga
të gjithë mëtuesit e pushtimit të këtij Ishulli, vijoi të përshtatej mendësia
bizantine e kishës sllave për zhbërjen e të tjerëve... Mbase edhe në sistemet e
shtetndërtimeve moderne, u ruajt bizantinizmi i kishës politike, si mendësi e
vjetër e bartur në ikonografi që prodhoi
zota, sipas masës, shijes,
preferencave dhe ëndjeve vetjake, përderisa të tjerët janë ferri!
Bajram
Kosumi për një periudhë të gjatë vazhdoi të hapte hulli shkrim-qëmtuese dhe, në
librin përkatës arriti t`i mbjellë të gjitha kulturat e të mbjellave njerëzore.
Si? Kështu, gjithnjë me vullnetin e intuitës së mbështetur në faktografi, me
prirjen e një hulumtuesi dhe të eruditit, arriti t`i pasurojë letrat e pashkruara
shqipe me fisnikëri të gjithanshme. Shfaq kumte e kuptime, hyrje dhe dalje
nëpër labirinte ndëshkimesh të robëruesit përgjatë të gjitha rrjedhave,
metamorfozave për mbizotërime të tërthorta e gjakatare të elitave serbe të
gjithë regjimeve mbi arbërorët.
BËMAT RRËQETHËSE DHE GJAKFTOHTËSIA
“ENCIKLOPEDIA
IMAGJINARE” e Bajram Kosumit ilustrohet me serinë e diskurseve paragjykuese
shekullore serbe dhe, pamjet e shqiptarëve dje dhe sot, sipas dioptrisë së tyre
estetike të së shëmtuarës. “Të vërtetat” të diskurseve të dijetarëve serbë për
shqiptarët, janë mbjellë thellë në breza prej elitave shfarosëse edhe nga
bekimet e kishës së politizuar. Shkrimtari kryesisht me anë të prozës së publicistikës
historike, nga shumë këndvështrime të përmbajtjes, që zë hapësirë të
konsiderueshme të veprës, spikatë me mprehtësi njohjen e një realiteti të
errët. Ai realitet kurrë nuk u çlirua prej logjikës mesjetare të mitomanisë,
gjysmë të vërtetave, shpifjeve dhe shfrytëzimit e të gjitha metodave e
ndërmarrjes së masave, kurdoherë në funksion të luftës speciale për zhbërjen e
fqinjëve shqiptarë! Serbia u zgjerua kryesisht mbi trojet e shqiptarëve!
I
burgosuri politik i viteve të tetëdhjeta, poeti, prozatori dhe studiuesi ynë
Bajram Kosumi, ai që provoi me shpirt e kurriz burgun mizor serb në Nish e
gjetiu; dëshmitë paqësore kundruall armiqësisë së pa frenuar shekullore, në dëftimin
shkrimor i bëri nëpërmes ironisë, që e përshkon tej e mbanë logjikën e ligë
sunduese. Një ironi e këtillë ngjyros tërësinë e shtrirjes së kuptimeve, pas
secilit ballafaqim i arsyes me një logjikë të panatyrshme dhe absurde, i
autorëve dhe zbatuesve të etnocidit mbi popullin liridashës! Doemos janë
rrëqethëse madje tejet çnjerëzore bëmat e serbizimit të dhunshëm të gjithçkaje
jo serbe! Ato bëma nëpër artikuj të “ENCIKLOPEDISË...” apostrofohen si fytyra
me tipare groteske, si egërsira që ecin dhe vërsulen me dy këmbë mbi barkun e
njeriut!
S`kemi
si nuk i ndjejmë vurratat e asaj “frymëmarrjeje” të zorshme, sidomos brezi i jetëshkruesit...
Ato ishin përballje historike, politike, morale, tragjike e heroike, ndonëse
shkrimtari i frenon gufimet e epiteteve stilistike, ngaqë ruan një gjakftohtësi
të admirueshme të konstatimeve! Ai e ka tejkaluar vetveten. Qysh dhe si? Ashtu.
Ka qëndruar i palëkundur në tabanët e së njerëzishmes, duke i përjetësuar në “ENCIKLOPEDIA
IMAGJINARE.”
PESHORJA E KRITERIT
Publicistika
historike, sociale dhe proza shkencore e figurative e Bajram Kosumit në librin
që po shqyrtojmë, në të gjitha trajtesat që e kumcojnë kompozicionin e librit:
ngjarjet, të ndodhurat, personazhet konkrete apo të imagjinuar, autori nuk
lejoi t`i përvidhej shkalla e ngritjes në hiperbola për t`u rrëzuar si komprometues.
Të
gjitha thëniet, pohimet, mohimet, tezat, kundërtezat, antinomitë, kontrastet e dritëhijeve,
figurat e mendimit, të intonacionit, e madhërishmja, e bukura, e shëmtuara,
tragjikja, tragjikë-komikja, ligësia, brishtësia, e vërteta-gënjeshtra, heroikja
e qyqania, shthurja-thurja e karaktereve, i nënshtrohen peshores së rreptë të
kriterit dhe të masës për statusin e vlerave. As më i shumë, as më pak, veçse
aq sa peshon apo për kaq sa peshuan bëmat e mirëfillta të njerëzve të
shndërruar në figura me vijëzime personazhesh. Parimi i kriterit të tillë
përshkon tërësinë e prozës shkencore dhe figurative të “ENCIKLOPEDISË...” I
përputhur me këtë kriter, le të nënvizojmë litotën e krahasimit të idesë, të
një gjendje të mjerë amullie gjatë kronikës sonë të pushtimit. Amullinë e tillë
të një pacifizmi politik frenues, vetëkritikë të pakursyer të autorit e hasim
te artikulli “Shtëpia e Shkrimtarëve në Kohën e Tkurrjes”: “Në njëqind metrat e
saj silleshin sigurisht një mijë veta gjatë ditës. Tamam si një koloni buburrecash.”
Për
një model të reduktuar të kësisoj të shkrimit flet vetë stili dhe ideja e
shndërruar në litotë:
“Koha
kur tkurrej mendimi në vetëm një çështje.
Koha
kur tkurrej ambicia në një banesë tridhjetë metrash në periferi të Prishtinës.
Koha
kur tkurrej dashuria në qoshet e pista të rrugicave anësore të qytet-theve.
Koha
kur tkurrej atdheu në pragun e shtëpisë.
Koha
kur lufta për liri tkurrej në një letër telefaksi.
Koha
kur tkurrej fuqia e pushtetit vetëm në një polic.
Koha
kur tkurrej historia vetëm në urrejtje.
Koha
kur tkurrej feja në vetëm një shenjë.
Koha
kur tkurrej njeriu në një mi...”
Stili
i tkurrjeve dhe ngrysjeve të këtilla megjithatë, nuk mund t` ia mbyllte të
gjitha udhëdaljet guximit dhe besimit, ngaqë:
“Vetëm
vizioni nuk tkurrej, po bymehej.””[8]
DISKURSI I PËRMBYLLJES
Libri
“ENCIKLOPEDIA IMAGJINARE” solli gjerësi, thellësi dhe shumësi prekjesh e
rrokjesh të realitetit të Dardanisë së tkurrur në të djeshmen dhe në sotmen me
premisa për të nesërmen. Jepen mundësi të pashtershme qasjesh për shqyrtime,
kënd-shtrirje interesimesh të shtresë-ngërthesash brenda lëndës së kësaj ngrehine
të kulturës shkrimore. Ky libër, duke qenë i këtillë ngre çështje të teorisë
moderne letrare në kahet e post romanit. A do të ishte i këtillë post romani
apo i një modeli tjetër stilistik- ideor-estetik?... Çfarë do të jetë?... Vetë
fakti e nxitjes së mëdyshjeve e kureshtjeve si këto e përtrollit forcën e ideve
që vë në lëvizje, kjo vepër me veçanti kulturore për jetë-shkrimin e për bukurshkrimin.
Autori
Bajram Kosumi i mbijetuari i torturave të burgut të Serbisë, pas përfundimit të
kësaj vepre kapitale, kaherë të ëndërruar, ka arsye të ndjehet i përmbushur
shpirtërisht. Së bashku me autorin edhe ne lexuesit ndjejmë kënaqësinë e
shkrimeve të tija inteligjente!
Shëndet
e mbarëvajtje për publicistin e shkrimtarin, studiuesin e ligjëruesin, për mikun
e një brumi përbashkues Bajram Kosumin!
Gjilan, maj 2024