Mendime » Radovani
Fritz Radovani: Jeton, po po, jeton, basi Luk Kaçaj
E premte, 31.05.2024, 07:59 PM
Jeton, po po, jeton, basi
LUK KAÇAJ
100 Vjetë të pafund per Luk Kaçaj...
Nga
Fritz RADOVANI
Kangtari i madh Luk Kaçaj do të
kujtohet gjithmonë në 100 vjetorët që asht le, sepse zani i Tij asht i
perjetëshem per të gjithë ata, që e kanë ndigjue tue këndue kjoftë edhe vetem
njëherë në jeten e vet në skenë!
Njëditë nade heret në Bajzë të
Kastratit ushtuen armët e Malësorve tonë dhe lajmuen se u shtuen ata male me
një djalë: Asht lé atje Luk Kaçaj!
E oxhakët e atyne Maleve lajmojnë
per Ty o Lukë, se u shtue një pushkë që, nder shekuj, do të kujtohet gjithmonë
per zanin e Tij Burrnor!
E pranë furrave plakat vazhdonin me shtrue
sofrat me bukë të ngrohët: Hajde bujrum, urdhnoni “Mirse Ju ka prue Zoti,
urdhnoni Buk’ e krypë e Zemer!”, bash ashtu si nder Shekuj pritej e percillej
Miku nder ato male që ishin ndera e Atdheut! E burrat shkrepshin gotat e tyne
si asht zakoni.
Ishte
viti 1924, me 24 Shkurt, në Bajzë të Kastratit të Malsisë së Madhe, kur u le
Lukë Kaçaj. Luka porsa mori mend ju kushtue Urdhnit Fretenve të Vogjel, dhe
shkoi me vazhdue shkollen e Tyne “Illyricum” në Gjuhadol të Shkodres, ku
spikati zani i Tij. i pakrahasueshem per bukuri e forcë.
Muzikanti
At Martin Gjoka ishte i pari që dalloi talentin e rij dhe i tregoi rrugen
artistit të madh me të cilen Ai mbeti nder Shekuj i paharrueshem. Atje në
Liceun “Illyricum” Luka, atëherë kur Mjeshtri i Madh i muzikës At Martini i
vuni në ballë djaloshit Bajzës, shenjen e perjetshme t’ artistit t’ panjoftun e
t’ pashoq, gati kjo s’besohej nga askush n’ Trojet tona.
Luka
më ka tregue me gojen e Tij, sesi kur po permbytej Shqipnia nga stuhia e
komunizmi, në vitin 1945 – 46 ishte: “At Mati Prennushi Ai që thrret në Kuvend
të Gjuhadolit baben e Lukës dhe i thotë: “Koha sa vjen e po bahet ma e
rrezikshme si per xhakoj ashtusi per ne, prandej, merre Luken në shtëpi, sikur
ai nuk do me ndejë ma këtu dhe mundou me i dhanë rrugen e muzikës, mbasi ka
mundsi që Liceu i ynë, të mbyllet nga komunistët e të mos hapet kurrma. Kjo
këshillë e At Matisë dhanë babës sim, më shpetoi nga arrestimi i sigurtë që në
vitin 1946. Gjithmonë e kam kujtue At Matinë me mirnjohje dhe respekt të
veçantë si shpetimtarin tim.” (Dëshmi gojore e të Nderuemit Lukë Kaçaj, në
Shkoder, 1996).
Luka
u ndihmue prej kompozitorit Kristo Kona, tue e angazhue Luken me korin e
Filarmonisë. Luka fillon punen në Filarmoni. Sjellja e Lukës prej qytetari me
njohuni si pak kush të disa gjuhëve të hueja, italisht, latinisht, greqisht e
në mënyrë të persosun gjuhen Shqipe në vitin 1951, i hapë rrugen Atij per
studime jashta shteti në Moskë, në konservatorin “P.I.Çajkovski” në B.S., ku
Luka paraqitet në konkurs e porsa perfundon së kënduemi, Drejtori i
Konservatorit asht çue në kambë tue thirrë: “Otliçno! (shkelqyeshem)” Nuk do të
vonojë kur Prof. Shaporin tha: “Ky bas
asht një Shaljapin i ri, Shaljapini Shqiptar!” Luka i befasoi si artist i madh
të gjithë. Ai ishte interpretues në disa gjuhë, tue mësue atje edhe rusishten,
frengjishten dhe gjermanishten. Në një turne në shtetet “demokratike” të
Europës Lindore, Luka kishte një repertor të gjanë mbi 100 pjesë në 5 gjuhë të
hueja dhe i duertrokitun nga e gjithë Europa!
Në
1966 emnohet pedagog i kantos në Institutin e Naltë të Arteve dhe jep
kontributin e tij me vlerë në përgatitjen e brezit të ri të këngëtarëve.
Po,
nuk shkon gjatë. Po në vitin 1966 - 67, ndryshoi gjithshka, në kuadrin e
“Revolucionit Kultural”dhe Luken e largojnë nga skenat! Luka filloi me mendue:
“Mos vallë, ky asht fundi im!?” Kjo ju ngul në kokë Lukës. Parandjente até që
do të ngjiste me 28 Maji 1973,kur sigurimi i shtetit do ti vente hekrat Lukës
në prani të studentave dhe pedagogëve, në hollin e Akademisë së Arteve të
Bukura, me etiketen e njohun të “rrezikshmërisë shoqërore, dhe në emër të
popullit arrestohet si armik i tij.”
Lukë
Kaçaj, djali Fisnik i Bajzës së Kastratit, asht para xhelatëve shpifës e
terroristë, kur Nana Tone me lot perfaqe i lutej “trupit gjykues” per djalin e
pafajshem të vetin, por dënimi i tij asht i pashmangshem. Luka u dënue me 5
vjet heqje lirie.
“Revolucioni
Kultural” antinjerzor e burgosi artistin LUK KAÇAJ.
Luk
Kaçaj ishte “armik i popullit” se kishte recitue nga vargjet e At Gjergj
Fishtes, mësuesit të vet, që nuk i kishte “harrue asnjëherë” qyshë i ri.
Luk
Kaçaj vazhdonte me i ra në gjuhen e Tij Gegënishte “Lahutës së Malësisë”, të
cilen, e adhuroi dhe e dashunoi deri në vdekje. Ana, zonja e Tij e nderueme nuk
mungoi as nder telat rrethues me gjema të kampeve.
Ajo
u mundue nder rrethana shumë të vështira ekonomike me i dergue dishka ushqimore,
mbasi ishte pa asnjë burim ekonomik dhe pa punë.
Luka
u lirue nga burgu i “vogel” në vitin 1978. Vazhdoi me punue në burgun e madh me
gjithë popullin e vujtun shqiptar, disa vite hamall tek Pazari i Ri në Tiranë.
Ndoshta kjo asht shumë e pabesueshme sot!
Në
vitin 1988, e bukra Ana, që nuk kishte kursye me shitë edhe “gjakun e vet” per
me mbajtë gjallë burrin besnik të saj në burg, Ajo mbylli vuejtjet e jetes e
mbeshtetun per gjoksin e basit të njohun në Botë, me sytë e Saj të bukur të
ngulun te Luka! Gjithshka sa vinte e mekej drejtë Pafundsisë!
Luka
jetonte i vetem edhe pse merzia e madhe Ate e kishte pushtue shpirtnisht.
Gjendja shndetsore e Lukës nuk u kuptue gati asnjëherë.
Ai
e mbante veten! Ndoshta nder të paktit njerzë që e kuptoi gjendjen e Tij ishte
një nga nxanësit e Tij kangtari Loro Sata, që jo vetem i rrinte pranë, po edhe
mujti me depertuue thellë në Shpirtin e vuejtun të Lukës, Mësuesit të vet të
Nderuem! Loro Sata dallohej per edukaten e Tij.
Loron
e kam njohë afer dhe në librin e Tij per Luken, besoj ka shkrue ate shka pak
kush kishte mujtë me i lanë të shkrueme shqiptarve per Luken.
Tek
libri i Loros ka vlerë të madhe vertetësia dhe korrektesa e Loros! Nuk do të
persëris asnjë fjalë nga libri i të Nderuemit Loro Sata, mbasi kam frikë se
ndonjë “mizë” do të më njollosin foton e paster të Lukës!
Me
7 Shtator 2001, Luka nuk këndoi kurrma!
Komunizmi
kerkoi me e varrosë “hamall” të Madhin Lukë Kaçaj, basin e njohun nga të gjitha
skenat europjane e botnore që, e dishruen praninë e artistit Luk Kaçaj në
shtetet e veta.
Ne
njohim një brilant të muzikës Shqiptare që nuk i vjen kurrma Asaj!
Ai
ishte i madhi artist, basi Lukë Kaçaj,
Ka
shumë që po punojnë me i harrue Këta Figura të mëdhaja! Gabojnë!
Ai
asht një Portret i Pavdekshem plot Dritë, Dije e Mirsi!
Sot,
na vetem nderojmë kujtimet e Lukës!
Ai
jeton, po po, jeton e do të jetojë nder Shekuj, se asht një brilant shumë i
çmueshem i Popullit Shqiptar të Gjergj Kastriotit – Skenderbeut dhe, i atyne
kangve të bukra e t’ ambla të Nanës Tereze, që Shqiptarët sot Ata i këndojnë
vetem me ”Lahuten e Malësisë” së Mësuesit të Luk Kaçaj!
Per
Ty po flas në këte skaj të Botës o i Madhi e i Pavdekshmi Luk Kaçaj,
O
kangtari i Madh i Shqipnisë sonë të vogel!
Malet,
Shkodra e gjithë Shqipnia, do të kujtojnë gjithmonë o Luk Kaçaj!
Melbourne, 31 Maji 2024.