Mendime
Adil Fetahu: Skema e dëbimit të shqiptarëve myslimanë nga Greqia
E marte, 28.05.2024, 06:59 PM
SKEMA E DËBIMIT TË SHQIPTARËVE MYSLIMANË NGA GREQIA
(Arben
Kondi: ‘’DËBIMI’’, roman historik, botoi ‘Çamëria’,Tiranë, 2024)
Nga
Adil FETAHU
Kohë
më parë doli nga shtypi romani i dhjetë historik i shkrimtarit të njohur Arben
Kondi, me prejardhje nga Çamëria. Romani mbanë titullin e shkurtër, por
simbolik e domethënës: DËBIMI. Në roman trajtohet dëbimi i shqiptarëve
myslimanë nga Çamëria, Epiri dhe Maqedonia e Egjeut, në periudhën e viteve 1923
– 1926, sipas një skeme të përcaktuar me marrëveshjen ndërkombëtare të lidhur
midis Greqisë e Turqisë, në Lozanë të Zvicrës më 30 janar 1923. Dëbimin e
shqiptarëve myslimanë nga Greqia për në Turqi, autori e quan gjenocid, sepse
këtë karakter e kishte ai dëbim. Dhe unë do shtoja se ai ishte gjenocid fizik,
etnik, moral, politik, fetar, ekonomik dhe social. Sepse i kishte të gjitha
këto karakteristika në vetvete.
Gjenocidi
grek ndaj shqiptarëve, sidomos atyre të besimit mysliman, është zhvilluar në
tre cikle kryesore: në periudhën 1913 – 1914, pas pushtimit dhe aneksimit të
Çamërisë dhe Epirit; në periudhën 1923 – 1926, me skemën e shkëmbimit të
popullsive pas luftës greko-turke të viteve 1919-1922; dhe është përfunduar në
vitet 1944 – 1945, pas Luftë së Dytë Botërore.
Autori
Arben Kondi, në romanin DËBIMI e trajton dëbimin nga Greqia të shqiptarëve
myslimanë të Çamërisë, Epirit dhe Maqedonisë greke, që u zhvillua në periudhën
1923 – 1926, kur pothuajse u dëbuan për në Turqi të gjithë shqiptarët myslimanë
të Maqedonisë së Egjeut, dhe shumë tjerë
nga Epiri dhe Çamëria.
Pas
luftës greko-turke (1919 – 1922), në të cilën Greqia humbi territore të
pushtuara në Azi të Vogël, minoriteti grek që jetonte në Turqi, ndihej i
pasigurtë dhe një numër i madh i atij minoriteti, bashkë me ushtrinë greke të
mundur në luftë, u tërhoqën e shkuan në Greqi. Ky fakt shkaktoi problem
refugjatësh. Të dy shtetet zhvilluan bisedime të gjata për shkëmbimin e
popullsive, derisa arritën një marrëveshje më 30 janar 1923, sipas së cilës ‘’Që
nga 1 maji 1923, do të bëhet këmbimi i detyrueshëm i shtetasve të Turqisë të
fesë ortodokse me qëndrim në territorin e Turqisë, me shtetasit e Greqisë të
fesë myslimane me qëndrim në territorin e Greqisë’’. Përjashtim
bëhej vetëm për grekët e Stambollit, dhe Turqit e Kretës.
Lidhja
e Kombeve e kishte formuar Komisionin Mikst i cili do të mbikëqyrte procesin e shkëmbimit të
popullsive, si dhe disa nënkomisione të cilat do të merreshin me identifikimin
dhe hartimin e listave të familjeve dhe të personave të cilët do të
përfshiheshin në skemën e shkëmbimit.
Me
qenë se Marrëveshja e shkëmbimit të popullsive ishte marrëveshje e lidhur midis
Greqisë e Turqisë, ato i kishin përfaqësuesit e tyre në Komisionin e
Përgjithshëm dhe në të gjitha nënkomisionet, të udhëhequra nga përfaqësues të
Lidhjes së Kombeve, ndërsa në ato komisione nuk ishte asnjë shqiptarë, madje
edhe përkthyesit për kontakt me shqiptarët ishin grekë!
Përcaktimi
i tillë me Marrëveshjen e Llozanës për shkëmbimin e popullsive, bazuar në
përkatësinë fetare, pa marrë parasysh atë etnike, bëri që edhe shqiptarët e
besimit mysliman që jetonin prej shekujsh në trojet e veta të pushtuara nga
Greqia, të përfshiheshin në skemën e shkëmbimit të popullsisë.
Administrata
greke, me dredhi e hile, i kishte binduar anëtarët e Komisionit të Përzier dhe
anëtarët e nënkomisioneve, se edhe shqiptarët myslimanë duhet të
shpërnguleshin. I kishin përgatitur listat e familjeve dhe personave për
shpërngulje. Ua kishin sekuestruar pasuritë, tokat e shtëpitë personave të përfshirë
në listat e shpërnguljes, ndërsa në shtëpitë e tyre kishin vendosur refugjatët
grekë të ardhur nga Turqia.
Duke
parë rrezikun e shpërnguljes së popullsisë shqiptare nga Greqia, Qeveria dhe
diplomacia shqiptare alarmoi Lidhjen e Kombeve, duke kërkuar që shqiptarët të
përjashtohen nga skema e shkëmbimit të popullsive, sepse ata përveç besimit
mysliman, nuk kanë asgjë të përbashkët me turqit dhe Turqinë, as në pikëpamje
të etnisë, as të gjuhës, as të kulturës. Ishin dërguar në adresa të ndryshme:
në Qeverinë greke, në Qeverinë shqiptare, në Qeverinë Turke, në Lidhjen e Kombeve
qindra letra, telegrame, peticione, memorandume, raporte, transkripte, thirrje,
shkrime gazetash, procesverbale, rezoluta, udhëzime, shpjegime, komunikime,
deklarata e dokumente tjera, me të cilat kundërshtohej përfshirja e shqiptarëve
në këmbimin e popullsisë dhe pasojat që rrinin prej atij këmbimi.
Menjëherë
pas Marrëveshjes së Llozanës, Qeveria e Shqipërisë e emëroi për ministër
fuqiplotë të Shqipërisë në Athinë diplomatin e patriotin e njohur Mit’hat
Frashërin, birin e rilindasit Abdyl Frashëri. Në të njëjtën kohë Rauf Fico
ishte ambasador i Shqipërisë në Ankara, Mehdi Frashëri ambasador në Londër dhe
përfaqësues në Lidhjen e Kombeve, Benedikt Blinishti konsull në Zvicër dhe
përfaqësues i përhershëm në Lidhen e Kombeve, Nezir Leskoviku, konsull në Stamboll.
Ishte kjo një rrjetë e patriotëve shqiptarë me të cilët bashkëpunoi e
bashkëveproi Mit’hat Frashëri, për të penguar shpërnguljen e shqiptarëve nga
Greqia. Natyrisht, si ministër i Qeverisë së Shqipërisë në Athinë, në
kryeqytetin e shtetit që po bënte të gjitha llojet e presionit të ashpër për
shpërnguljen e shqiptarëve, barra më e madhe
për pengimin e asaj shpërngulje binte mbi të. Dhe ai punoi ditë e natë, në
kontaktet me qeveritarët grekë, me personalitetet e Lidhjes së Kombeve të
angazhuara në Komisionin e Përzier dhe nënkomisionet për identifikimin e
personave për shpërngulje, të cilëve ua bënte të ditur se shqiptarët nuk duhet
të përfshiheshin në procesin e këmbimit. Bashkëpunoi ngusht me patriotët dhe
përfaqësuesit e shqiptarëve të Çamërisë dhe Epirit, si Musa Demi etj. Vizitoi
qytete e fshatra shqiptare të Çamërisë e Maqedonisë, po edhe ata refugjatët që ishin shpërngulur në
Turqi, për të parë situatën dhe gjendjen e tyre të mjeruar, të nxjerrur prej
shtëpive e privuar nga pronat dhe të drejtat e tyre.
Të
shtrënguar nga presioni dhe represioni i pushtetit grek përmes xhandarmerisë
greke dhe krimet që bënin refugjatët e ardhur grekë, jeta e shqiptarëve ishte
bërë e padurueshme, prandaj shumë shqiptarë ishin deklaruar ‘’vullnetarisht’’
të përfshiheshin në listat e këmbimit të popullsive, vetëm të iknin nga terrori
që po përjetonin. Nxitjen e shpërnguljes e ndihmonte edhe propaganda e frikshme
greke, por edhe disa klerikë myslimanë, të mashtruar apo të korruptuar, të
cilët flisnin për lumturinë e jetës që i priste në Turqi!
Shqiptarët
e Maqedonisë së Egjeut, nga Kosturi, Follorina e fshatrat rreth tyre pothuajse
të gjithë u shpërngulën. Edhe shumë shqiptarë të Epirit e Çamërisë. Ishte një
numër prej 15000 shqiptarëve të
Çamërisë, që ishin në listat për këmbim. Ata kishin mbetur si peshqit në
zallë, vetëm pritej përfundimi i formaliteteve të intervistimit dhe përcjelljes
së tyre për Anadoll.
Mit’hat
Frashëri, në kontaktet me Qeverinë shqiptare e me përfaqësuesit e Komisionit të
Ligës së Kombeve bënte çmos të ndërpritej shpërngulja e shqiptarëve. Ai kishte kërkuar nga Qeveria shqiptare, dhe ua
kishte bërë me dije Qeverisë greke dhe Lidhjes së Kombeve, se në qoftë se
Greqia do t’i shpërngulë shqiptarët nga Çamëria, ata nuk do të shkojnë në
Turqi, por do të shkojnë në Shqipëri, dhe Shqipëria do të detyrohet t’i
shpërngulë banorët e minoritetit grek nga Jugu i Shqipërisë, në pronat e të
cilëve do të vendoseshin refugjatët shqiptarë.
Aktivitetin
e Mit’hat Frashërit këmbë-pas-këmbe e përcillte dhe ndihmonte një patriot
tjetër, bashkëpunëtor i ngushtë dhe besnik i Mit’hatit, Dhimitër Poga, sekretar
i Legatës Shqiptare në Athinë. Zatën, pothuajse tërë shtjellimi i romanit bëhet
në vetën e tretë, përmes rrëfimeve të Pogës i cili ishte krahpërkrah me
Mit’hatin. Ideja e Mit’hatit për reciprocitetin e shkëmbimit së shqiptarëve të
Çamërisë me grekët e Jugut të Shqipërisë, i acaroi raportet e tij me ministrin
e jashtëm, Hysen Vrionin, deri në atë
masë sa Mit’hati u detyrua të japë
dorëheqje nga posti i ambasadorit.
Përkundër
gjendjes së trishtë dhe rrëfimeve të dhembshme për gjendjen e popullsisë
shqiptare, e cila do të zhdukej nga trojet e veta, epilogu i romanit DËBIMI vjen i gëzuar, kur
para se të largohej Mit’hati nga Athina, i vjen telegrami nga kryeministri
grek, me origjinë arvanite, Teodor Pangallos, i cili e njohtonte se po e priste
të nesërmen në një vizitë pune të rëndësishme. Qëndrimin e tij prej tre vjetësh
të vështira në Greqi, e mbylli me një takim të përzemërt me kryeministrin
Pangallos, të cilit ia paraqiti rrezikun
e këmbimit dhe shpërnguljes së shqiptarëve për në Anadoll.
Ndodhi
ajo për të cilën Mit’hati e Poga dhe patriotë tjerë shqiptarë pa sukses kishin luftuar tre vjet me radhë.
Po i jepej fund tregjedisë se 15000 çamëve të përgatitur për dëbim nga trojet
dhe pronat e tyre. Kryeministri e thirri Kollokotronin, të cilit dha urdhër të
prerë ushtarak, që të ndërpritet
urgjentisht e të ndalet shpërngulja e shqiptarëve dhe ata të kthehen në
shtëpitë e tyre. Pastaj u kthye i tha Mit’hat Frashërit: ‘’Të rrini të qetë,
pa shqetësim. Shqiptarët e Epirit nuk do t’i trazojë më njeri as me gisht e jo
më t’i përzejë nga shtëpitë. Dhe jo vetëm kaq. Të jeni të sigurtë se edhe silogjeve
helmuese përgjatë kufirit me vendin tuaj do t’iu vie fundi. Këtej e tutje, dy popujt
tanë duhet të jetojnë patjetër miqësisht. Përshëndeteni gjithashtu vëllazërisht
shkëlqesinë e tij Ahmet Zgoun, duke i thënë se zoti Aleksandër Konduli, ministri
ynë i ri i plotëfuqishëm në Tiranë, ndryshe nga zoti Panurias që u hoq, është
jo vetëm miku im, por edhe i të gjithë shqiptarëve’’, i tha kryeministri
Pangallos vizitorit Mit’hat Frashëri (fq.198).
U
ndamë duke u përqafuar vërtetë vëllazërisht. Para se të niseshin për në
Shqipëri, Mit’hat Frashëri e Dhimitër Poga ishin këthyer në kafenenë e
arvanitasit Xha Mihalit, në Lagjën Plaka të Athinës, që ta gëzonin edhe atë për garancionet që u kishte dhënë
kryeministri Pangallos. Por, Xha Mihali kishte shkuar në vendlindje për t’u çmallur.
***
Në
romanin DËBIMI ‘defilojnë’ një galeri personazhes kombëtare e ndërkombëtare,
pozitive e negative. Ndër ato pozitive dhe kryepersonazh është Mit’hat
Frashëri, bashkëpunëtori i tij Dhimitër Poga, Musa Demi, Asaf Çami, Sheh Sabri
Preveza, Fan Noli, Mehmet Konica e shumë të tjerë. Ndërkaq, personazhet
negative janë më të shumtat ato nga autoritetet greke, duke u nisu nga
kryeministri Venizellos, ministri i punëve të jashtme dhe ai i bujqësisë,
pastaj prefektët dhe komandantët e xhandarmerisë lokale dhe udhëheqësit e
bandave kriminale të cilët bënin terror mbi popullsinë shqiptare, për ta
detyruar që të shpërngulej.
Ngjarjet,
personazhet, vendet e përmendura në roman janë reale. Kam vërejtur se ato
përputhen plotësisht me burimet nga dokumentet arkivore, diplomatike dhe të
protokolleve (procesverbaleve) të mbledhjeve të organeve të Lidhjes së Kombeve të
asaj periudhe. Kjo i jepe lexuesit besueshmëri për atë çfarë thuhet në roman.
Në
aspektin letrar artistik, më duket se ky roman është edhe më i avancuar nga
romanet e tjera të Kondit. Dhe kjo është e kuptueshme, duke marrë parasysh
përvojën e autorit dhe përkushtimin e tij që i ka dhënë tragjedisë që e goditi
popullsinë shqiptare në vitet 1923-1926.
Gjuha
e rrjedhshme dhe e pastër shqipe, e
bëjnë leximin më të lehtë e më të këndshëm. Ajo që është kryesore, epilogu
është i gëzueshëm, jo vetëm për kryepersonazhin, por edhe për lexuesit.
Por
ai gëzim nuk do të zgjatë shumë, pasiqë që vala tjetër e dhunës dhe gjenocidit
grek kundër shqiptarëve të Çamërisë erdhi në vitin 1944/45, kur prej andej u
detyruan të shpërngulen të gjithë ata shqiptarë myslimanë të cilët iu shpëtuan
maskrave të forcave zerviste dhe bandave tjera kriminale greke.
Nëse
shikojmë synimet e qeverisë shqiptare, të përfaqësuara në shtetin fqinjë përmes
personalitetit të Mit’hat Frashërit, dhe deklarimet e kryeministrit grek
Pangallos, për ndërtimin e marrëdhënjeve të fqinjësisë së mirë, përmes romanit
DËBIMI, shkrimtari Arben Kondi, jo vetëm se na jep tabllon e situatës tragjike
të shqiptarëve të Çamërisë, por jep mesazhin për ndryshimin e politikës greke
dhe krijimin e marrëdhënieve fqinjësore, në frymën e mirëkuptimit që dominon në
Bashkimin Europian.