Mendime
Idriz Zeqiraj: Kushtëzimet absurde të ndërkombëtarëve, bllokojnë Kosovën!
E marte, 21.05.2024, 06:52 PM
KUSHTËZIMET ABSURDE TË NDËRKOMBËTARËVE; BLLOKOJNË KOSOVËN!
NGA
IDRIZ ZEQIRAJ
Dy javë para takimit të 46 shteteve evropiane, ku pritej pranimi
i Kosovës në Këshillin e Evropës, Gerald Knaus, nga "Iniciativa Evropiane
për Stabilitet", dha alarmin se "disa shtete po përgaditën të
bllokojnë pranimin e Kosovës për organizatën e Këshillit të Evropës!" Në
krye të kësaj bllokade, çuditërisht, ishin dy nga shtetet kryesore të Evropës,
Gjermania e Franca dhe e gatshme për t`iu bashkangjitur edhe Italia.
Shokuese është rrjeshtimi i Gjermanisë kundër Kosovës, edhe pse
butësisht e thotë se "nuk është kundër këtij anëtarësimi!" Por, shton
parakushtin shtesë: "Më parë Asociacionin për komunat serbe , pastaj
anëtarësimi", i cili nuk është pjesë e standardeve për këtë anëtarësim.
Kancelari Scholz, bashkëhartues i Draft Statutit skandaloz për Asociacionin, që
parashikon një lloj autonomie territoriale për komunitetin serb, si trampolinë
për të arritur bosnizimin e Kosovës, ngjashëm me atë që është instaluar në
Bosnjen e asfikësuar ekonomikisht, politikisht, territorialisht.
Pse kjo metamorfozë dhe strategji e re e këtyre dy shteteve,
prijetare të Evropës, ndaj Kosovës?! Opozita e frustruar, e tmerruar nga nisma
e qeverisë, për ta jetësuar --VETTINGUN-; deklarimet e pasurive marramendëse,
edhe pse gjysmake në deklarim, të disa zyrtarëve kriminelë e makro-hajna, që
kanë abuzuar me pushtetin dhe kanë vjedhur shtetin, janë hedhur në sulm
frontal, për ta hequr qafe kryeministrin Kurti me qeverinë e tij, qoftë edhe
duke e goditur Kosovën, me shpifjet monstrume, duke përligjur kërkesat absurde
të ndërkombëtarëve, respektivisht, të Serbisë.
Kjo është një joshje, një thirrje e drejtëpërdrejtë për
ndërkombëtarët, që angazhohen në largimin e kryeministrit Kurti. Ecejakët e
Escobar në Tiranë, ankesës të Ramës për Kurtin, i dha të drejtë, por, ia kujtoi
atij se "Kurti ka mbështetje të madhe në popull". Në Paris, në bisedë
me Ramën, Makron huazoi akuzën e opozitës të çoroditur të Kosovës se
"Kurti po mashtron dhe nuk po vepron për Asociacionin!" Koordinimi
Escobar-Rama-Macron dhe dështakët e BE-së, Borrel dhe Lajçak, përgjatë gjithë
dialogut, fort të flirtueshëm me Serbinë, punuan dhe u lodhën shumë, për ta
dështuar anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.
Koralisht dhe poshtërsisht vazhdon të trumpetohet se treshja
shtetare: Presidentja, Kryeparlamentari, Kryeministri të Kosovës, në letrën
dërguar raportueses Bakojanis në Këshillin e Evropës, "premtuan, në mes
tjerash, edhe krijimin e Asociacionit, por nuk e zbatuan, pra, mashtruan!"
Gënjeshtër e kulluar, e bërë nga opozita me kompani. Letra në fjalë është sintezë
e të gjitha deklarimeve të njëtrajtshme, konsistente të kryeministrit Kurti, me
bashkështetarët Vjosën, Glaukun, Donikën dhe të zyrtarëve të tjerë të LVV se
"Asociacionit do t`i vijë radha, por vetëm pas shqyrtimit të 6 pikave
rendore, do të bisedohet për pikën e 7, ku shënohet Asociacioni". Dhe,
asnjë korrigjim, qoftë në përmbajtje apo kohë, nuk është thënë apo bërë.
Dilema e madhe: Drejtësia e kapur nga komandantët e
shantazhuar të LPK-PAN-it
Dërgimi i Draft Statutit franko-gjerman apo ndonjë Draft tjetër
për Asociacionin, i hartuar nga vet qeveria në Gjykatën Kushtetuese. Sistemi
Drejtësisë është dhunuar dhe rrënuar nga disa komandantë, të veshur me pushtet
të pamerituar, më sakt, uzurpatorë të dhunshëm të pushtetit, qoftë edhe duke shkelur
mbi kufoma shqiptarësh! Kjo "drejtësi" i heshti qindra vrasje
politike dhe afera tjera korruptive, për një çerek-shekulli çlirim! Janë qindra
arrestime, për krime faktike. Gjykatat e Kosovës, nën presionin e bandave të
komandantëve, i kanë liruar me arsyetime fallso, si: krimi i kryer nën efektin
të depresionit; dënimi me mbyllje në shtëpi; dënim me para, edhe atëherë kur
plagosja me armë zjarri, është cilësuar -tentativë-vrasje; lirim me kush dhe
pisllëqe tjera! Edhe atëherë kur janë dënuar, komandantët kanë rihapur gjykimin
dhe me përralëzime gjithfarëshe ua kanë zbutur dënimet, duke përgaditur edhe
faljen e dënimeve kriminelëve vrastarë!
Sjellim vetëm dy raste të trishtme, të gjykimit të Gjykatës
Supreme dhe Kushtetutese të Kosovës, në raport me Serbinë, me ndërhyrjen e
politikës:
Gjykata Kushtetuese gjeti 23 shkelje të Kushtetutës, në
Asociacionin e nënshkruar nga Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa të viti 2013. Por e
heshti dhe nuk e shpalli të paligjshëm se Kushtetuta nuk e parasheh, nuk e
ligjëson Asociacionin njëetnik, siç ishte ai i vitet fatal 2013. Si dhe plot
shkelje tjera u heshtën.
Prona shtetërore prej 24 hektarësh tokë-park, të dhuruar me një
vendim nga kryekrimineli Millosheviq, ishin Gjykata Supreme dhe ajo
Kushtetuese, që aprovuan dhe zbatuan vendimin sa cinik, aq edhe kriminal të
Sllobodan Millosheviqit.
Shtrohet pyetja: Cila është siguria e një gjykimi të drejtë e
kombëtar, kur dihet se kjo Gjykatë, ashtu si dhe i gjithë Sistemi i Drejtësisë
është i kapur nga ish-zyrtarët, ish-pushtetarët e shantazhuar dhe të kërcënuar
me dosje krimesh faktike, ekskluzivisht, të vrasjeve politike, të ushtarëve
luftëtarë dhe të veprimtarëve atdhetarë.
Aq më e frikshme dhe dyshuese bëhet Gjykata Kushtetuese, kur
shihet ngulmimi i ndërkombëtarëve, që Draft Statuti i Asociacionit të dërgohet
me nguti dhe menjëherë për shqyrtim në Gjykatën në fjalë. Dhe, kur shohim këtë
aprovim e gadishmëri të memëzipritur, të ish-pushtetarëve, zyrtarëve partiakë
të PAN-it, me dosje krimesh të faktuara, por të pandëshkuara, hafije të hershëm
dhe të vonshëm të Shërbimeve Informative, të shteteve armike të Kosovës, me
shantazhim të rrastë, rreziku i një gjykimi e vendimi në favor të Serbisë, është
lëndor, real. Dhe, kjo tmerron shqiptarët e Kosovës dhe ata të përbotshëm.
Asociacioni krijesë unike i një shantazhimi të vrazhdët.
Presidenti Rugova e dinte këtë dhe e zvarriti për muaj të tërë krijimin e
qeverisë së parë ligjore, sepse nuk pranoi ngritjen në pozitë të njeriut të
shantazhuar. Ishte kreu i Shërbimit Informativ të Francës, Pierre Seramy, në
-TV Canal+, ai që denoncoi rekrutimin e Hashim Thaçit agjent të DGSE, përmes
Danjean Arnaud, dhëndër i Serbisë. Ai u kujdes për ngritjen e Hashimit në të
gjitha postet, hiç të merituara; në Rambuje u përpoq ta dështonte nënshkrimin e
marrëveshjes. I ndodhur nën presionin e shantazhimit, u nënshkrua edhe
marrëveshja për Asociacionin në vitin 2013.
Clausula "Rebus Sic Stantibus", është doktrinë
ndërkombëtare, që jepë mundësi të korrigjimit të Marrëveshjeve e kontratave të
nënshkruara, nëse rrethanat ndryshojnë, nga koha kur është nënshkruar dhe
dëmtojnë ekstremisht njërën palë padrejtësisht.
E para, përveç rrethanave të një shantazhimi ekstrem, me dosje
vrastare të oficerëve të FARK-ut dhe të veprimtarëve të LDK-së, për qëllime
politike, të marrjes së pushtetit me dhunë, duke kopjuar metodën fashiste të
bandës komuniste të Enver Hoxhës, gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore, nga
Ndërmarrja e Përbashkët Kriminale, respektivisht, komandantët e
"UÇK-së" të LPK-së, të instruktuar nga oficerët e Sigurimit Shqiptar,
në koordinim me Shërbimet Informative armike të Kosovës.
E dyta, Serbia zyrtare ka shpalosur hapur qëllimin e themelimit
të Asociacionit, krejt ngjashëm me krijimin e "Republika Srpska" të
Dodikut në Bosnje, me qëllim të shkëputjes të veriut të Mitrovicës, për t`ìa
bashkangjitur Serbisë. Si dhe bërjen e saj hisedare në administrimin e komunave
serbe brenda Kosovës. E gjithë kjo nuk ka asgjë të përbashkët me Asociacionin e
planifikuar nga Ahtisari.
Dhe, këto dy rrethana, shumë domëthënëse, janë të mjaftueshme
për ta aktivizuar doktrinën e cituar ndërkombëtare, në korrigjimin e
Marrëveshjes për Asociacionin.
Panegjerikët e partive-banda të PAN-it, argat të Hashim Thaçit
në ndarjen e Kosovës, tashmë, të prirë nga Edvin Rama, nuk na habisin se janë
në një linjë me Vuçiqin. Por, heshtja e këtyre fakteve nga Kurti me qeverinë e
tij si dhe LDK-ja e përgjakur nga bandat e kuqe të LPK-së, alias PAN-it, është
shokuese. Me Presidentin Macron duhet biseduar hapur e seriozisht, përse Franca
rekruton kreun shtetëror të Kosovës agjent të Serbisë?!
Kurti konstaton shkatërrimtarët e Kosovës, por nuk i ndëshkon
ata!
Pritshmëria e shqiptarëve që Kurti do të përballet me
fajet-krime të shtetarëve të shantazhuar, është zhgënjyese. Ai po mjaftohet
vetëm me konstatimin e supër të sakt se "Kosovën e shkatërruan pushtetarët
e shantazhuar!" Mosveprimi i tij ligjor, po i kushton Kosovës.
Pjesë e dramës tragjike të Kosovës, është edhe kryeministri
shqiptar, Edvin Rama. Në vend që ai, me qeverinë e tij, të angazhohen për
zhbërjen e Asociacionit, përkundrazi, ai është bërë argat aktiv i Serbisë. Dhe,
ngulmon për krijimin e Asociacionit të njëanshëm në -MIRËBESIM-, pavarësisht se
6 pikat e radhës, para të 7-ës, mbetën peng të Serbisë.
Të bëmat e Ramës përhapin mjegullnajë. Ai ka angazhuar gazetarë
matrapazë, në mes tyre edhe Blendi Fevziun, me ecejakët e tij në Hagë, për ta
zhbërë Gjykatën Speciale, me qëllim të lirimit të Hashimit me shokë, siç kërkoi
Vuçiqi nga Rama, për ndërmjetësim ke amerikanët, për ta vazhduar procesin e
ndarjen të filluar të Kosovës, nga Hashimi dhe PAN-i i tij.
Kthimi i Ramës ke Dick Marti, është hipokrizi, është çështje e
vdekur, si vet Marty. Vërtet, nuk është mbushamendje transplantimi i organeve,
andaj edhe Gjykata e ka lënë jashtë akuzës. Por, e ashtuquajtura "Shtëpia
e Verdhë", si njëra nga dhjetra burgjet rurale, të improvizuara-burgje në
Shqipëri dhe Kosovë, është një realitet i pademantueshëm. Ajo shtëpi-burg
është një realitet, në mesin e shumë shtëpive, shtallave, ahureve,
objekteve të braktisuara. Ato kanë qenë dajakosje e deri thertore për ushtarët
luftëtarë dhe veprimtarët atdhetarë të LDK-së. Ministri i Mbrojtjes, Halil
Bicaj, në një televizion të zëshëm, në mes krimeve tjera të SHP të
"UÇK-së" të LPK-së, përmendi edhe vrasjen e të paktën 11 ushtarëve,
të nisur në kohë të ndryshme për në Koshare, nuk kanë arritur kurrë në
destinacion dhe as nuk janë parë kurrë më në jetë!
Është pranim i vrasjeve politike, nga komandantët me bandat e
tyre, arsyetimi i Hashim Thaçit, për krijimin e Gjykatës Speciale të Kosovës me
seli në Hagë: "Vrasjet e vazhdueshme të dëshmitarëve, për ekzekutimet
politike, kushtëzuan themelimin e Gjykatës Speciale". Këtë të vërtetë, në
shkallën sipërore, e deklaroi publikisht, duke qenë në cilësinë e Presidentit
të Republikës. Edhe vrasja e shumë gazetarëve në Kosovë, përgjatë dhe pas
luftës, denoncues të krimeve të komandantëve, është për të njëjtat motive dhe
nga e njëjta Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale.
Historia shqiptare e dy shekujve të fundit, ka qenë tragjike në
tavolinat e Fuqive të Mëdha, sepse tokat shqiptare janë përdorur si kusuritje,
për t`i kënaqur fqinjtë lakmiqarë. Si duket ka tendenca për përsëritjen e
historisë, për vazhdimin e tkurrjes të trojeve shqiptare. Faktori politik
gjithëshqiptar duhet të vetëdijësohet për fatin e përbashkët, duke treguar
dinjitet dhe integritet, në mbrojtjen e trojeve aktuale.