Mendime
Enver Bytyçi: Elmar Brook hyri mbrëmë “pa leje” në shtëpinë e Doktorit
E merkure, 15.05.2024, 06:55 PM
Prof. Dr. Enver Bytyçi
Elmar
Brook, per gati 40 vite eurodeputet dhe dy dekada kryetar i Komisionit të
Jashtëm të Parlamentit Europian, hyri mbrëmë “pa leje” në shtëpinë e Doktorit
dhe nga dritarja e shpresës dha mesazhet e tij në përkrahje të liderit historik
dhe aktual të Partisë Demokratike.
Në
podiumin aty poshtë foli gjithashtu Presidenti i LRI-së dhe ish-Presidenti i
Republikës, Ilir Meta, i cili denoncoi faktin se Sali Berisha mbahet i izoluar
politikisht nga narko-shteti i Edi Ramës për shkak se ishte kundër ndarjes së
Kosovës dhe kundër Open Balkan, si dhe për arsye se ai denoncoi çdo kohë aferat
korruptive e mafioze të Rilindjes.
Nuk
do të merrem me këto dy zhvillime shumë pozitive. Sepse ato tashmë janë fiksuar
në ekranet televizive dhe në mediet e shumta sociale e të shkruara. Por më bën
përshtypje fakti që drejtues të lartë të Partisë Demokratike ende nuk kanë
shkuar te foltorja e Rrugës së Salës për t’u solidarizuar me liderin e tyre
historik dhe aktual.
Dhe
kur besojnë këta lloj liderucësh se do të bëhen një ditë kryetar i PD-së,
atëherë neveria ndaj tyre kalon limitet. Nëse dikush prej këtyre beson se bëhet
kryetar i Partisë Demokratike dhe i opozitës duke thur intriga kundër kryetarit
aktual, ky lloj politikani është i dështuar në nisje të aksionit të tij politik.
Janë pikërisht këta që sulmojnë nën brez edhe Ilir Metën! Kontributi i sotëm i
çdo politikani në opozitë është të vihet fuqishëm në mbrojtje të kryetarit
Berisha dhe të luftojë kundër narko-shtetit që persekuton politikisht kreun e
opozitës.
Ndërsa
disa aleatë të tjerë të Partisë Demokratike, të cilët gjithë jetën janë bërë
deputetë për shkak të thesit të kësaj partie, as që janë dukur ndonjë natë te
Rruga e Shpresës. E jo vetëm kaq! Por dalin në ekrane televizive e thonë se
“Berisha e Meta janë xhaketa të vjetra”! E kush e thotë këtë? Ai ministri 8000
dollarësh i fillimit të viteve 1990, i cili sa herë afrohen zgjedhjet e
përgjithshme afrohet edhe me PD-në për të marrë mandatin e radhës!
Ka
kohë që opozita të bashkohet. Sa më shpejt, aq më mirë! Bashkimin e shoh te
kauza e lirimit të kreut të saj! Një opozitë pa lider në veprim është si “pula
pa kokë”!