Mendime
Enver Bytyçi: Çfarë po fsheh Edi Rama përmes manifestimit “patriotik” në Athinë?!
E diele, 12.05.2024, 06:58 PM
Çfarë po fsheh Edi Rama përmes manifestimit “patriotik” në Athinë?!
Nga
Enver Bytyçi
Atmosferë
“patriotizmi” sot në Athinë. Shfaqja nis me këngën “Se në shekuj jam shqiptar”
dhe shoqërohet me slloganin “krenar për Shqipërinë”! Titulli kryesor më i
përhapur në mediet qeveritare është “Shqipet në Athinë”! Këngëtari shqiptar,
Noizi, është në ekstazë, së bashku me shefin e tij shpirtëror, kryeministrin e
Shqipërisë, Flaalatsi të Athinës. Këngë e valle pa fund! Ndërsa fjala e
padishahut shqiptaro-greko-vlleho-turko-italiano-franko-serbo-rus është ajo që
i ka bërë mijëra shqiptarë të ardhur shumica me autobuzë nga Shqipëria, të
heshtin! Por e shoqëruar me ovacione patriotike që vijnë në vesh si valët e
detit! Ndërsa ka skenarizuar skuqjen me flamuj në stadium, në fjalën e tij
ironizoi pikërisht përdorimin e tyre!
Nga
ana tjetër Greqia tha se “jemi vend demokratik”! D.m.th nuk ka më fshesë, nuk
ka më dajak, nuk ka më hakmarrje, nuk ka më urrejtje, nuk ka më armiqësi! Të
duket sikur kemi krijuar një lloj konfederate të tipit që propozonte dikur
Ismail Qemali, Shqipëri-Greqi! Gjithçka me regji të përsosur! Por e gjitha kjo
më kujton vizitën e parë të Edi Ramës në Beograd në nëntor 2014, kur u luajt
komedia “Provokacija”! “Patrioti i madh” Edi Rama u “dha ultimatum” serbëve në
shtëpinë e vetË - “Njiheni Kosovën”! Dhe shqiptarët tanë të mësuar me “patriotizëm”
flamujsh të periudhës së fundit të diktaturës komuniste, sa nuk dolën rrugëve
të Kosovës e të Shqipërisë e të këndonin këngën “Dilni se na erdhi Edveri”!
Patriotizmi
është streha e fundit e horrave, kriminelëve dhe maskarenjve, ka thënë dikush.
Por në rastin e Edi Ramës pas kësaj formule ka edhe diçka tjetër. Sa herë që ai
bëhet “patriot” ka përgatitur një thikë pas shpine për Kosovën ose për
Shqipërinë. Dhe kërkon që të eleminojë patriotët konsekuentë! Ky është edhe
dallimi më i madh me patriotizmin e kohës së diktatorit Hoxha pas prishjes së
tij me Kinën. Ndërsa një e përbashkët tjetër ka të bëjë me faktin tjetër se
diktatorin shqiptar të periudhës së komunizmit e duartrokisnin njerëzit më të
varfër të Europës, ndërsa pasardhësin e tij, liderin e sotëm global, e
duartokasin në Athinë me qindra emigrantë shqiptarë që regjimi i Ramës vetë i
dëboi nga atdheu i tyre! Në këtë kuptim nuk janë fajtorë vetëm autokratët e
diktatorët, jemi ne fajtorët kryesorë që me dëshirë të madhe rendim pas
mashtrimit!
Fjalimi
i Edi Ramës në Athinë ishte ndërtuar me tone harmonie me atmosferën
nacionaliste të ideuar prej tij. Ndërkohë që fjalët ishin zgjedhur. Në fakt
folësi me thinja “predikoi” bashkëpunimin shqiptaro-grek dhe luftë kundër
nacionalizmit. Një fjalim ai në thelb e ftoi Greqinë për paqen e projektuar në
shpallje të pavarësisë së Shqipërisë me krijimin e një feredate midis të dy
vendeve. Fjalitë e tij që diferencojnë konceptin e popullit me konceptin e
shtetit e konceptin e shtetit me atë të partive ishin ndoshta sinjali i asaj që
e pret Shqipërinë pas këtij manifestimi patriotik. Pas “provokacias në
Beogradin e vitit 2014 erdhën stuhi të shumta kundër Kosovës.
Rama
organizoi së bashku me Vuçiq ndarjen e saj, shuarjen e gjykatave për dënimin e
krimeve të luftës, “harrimin” e genocidit serb në Kosovë, minishengenin dhe
Open Balkan-in. Hartoi projektin e statutit të Komunave me Shumicë Serbe, si
hap i parë i ndarjes së Kosovës. Lëvizi të gjithë gurët që kishte në dorë për
ta realizuar projektin e Serbisë së Madhe në Kosovë e më gjerë. Por politikanët
shqiptarë atdhetarë në Kosovë ia vunë kufijtë! Nuk e lanë të bëjë atë që donte!
Më i zëshmi ishte dikur Ramush Haradinaj. Tani Rambo është tërheq dhe ia ka
lënë bendin Vjosa Osmanit dhe Albin Kurtit!
Çfarë
pritet të ndodhë pas këtij manifestimi të sotëm? Do ta shohim! Megjithatë, kur
kryeministri i Shqipërisë sulmoi patriotët e vërtetë në Shqipëri, duke i
barazuar me organizatat vorioepirote në Greqi, e dha mesazhin e parapritës. Ai
na tha se “Vetëm idetë e tij janë valide për shqiptarët. Nëse dikush do të
kundërshtojë këto ide, atëherë ai bën herezi”! Ndaj dhe duhet të përgatitemi
për një stuhi të re anti-shqiptare, nga ato që di të ngrejë në shkretëtirën e
mendimit logjik e racional shqiptar, ai që kujton se bën diellin dhe shiun në
qiellin shqiptar e përtej tij!