Mendime
Albert Zholi: Enriko Ceko - Varfëria është e ulur këmbëkryq
E premte, 03.05.2024, 07:35 PM
Flet Dr. Enriko Ceko: Ata që merren me fshatin në nivel të lartë të politikbërjes e shikojnë fshatarin si votë dhe jo si subjekt
- Mësuesit sot janë thjesht disa persona që dinë
diçka më shumë se ata që nuk dinë asgjë dhe ky nivel mësuesish nuk na çon në
Evropë, nuk na bën komb.
Intervistoi:
Albert Z. ZHOLI
Nafta
vijon të rritet duke kapur vlerën e 193 lekëve për një litër, ndërsa
paralelisht me të, po rriten edhe produktet e tjera, që i duhen bujqësisë.
Banorët e zonave rurale shprehen se me rritjen e çmimit të naftës menjëherë
janë rritur çmimet e plehrave kimike duke shkuar nga 10 mijë deri në 14 mijë
lekë të rinj për një kuintal. Të gjendur në këtë situatë ata shprehen se këtë
vit do ta kenë të pamundur për të ulur çmimet e kulturave bujqësore, pasi
kostoja e proceseve totale të punimit, mbjelljes e shërbimit të kulturave
bujqësore është bërë e papërballueshme. Banorët kërkojnë që shteti të reagojë
dhe të ndërhyjë pasi me këto çmime që janë aktualisht, e gjithë toka bujqësore
në vendin tonë do të mbetet djerr. Rritje të çmimeve kanë pësuar edhe farërat e
kulturave të ndryshme bujqësore, ndërsa nga ana tjetër, fermerët thonë se nuk i
kanë rritur çmimet e prodhimeve të tyre, duke bërë të kundërtën me atë që ndodh
në tregun e karburanteve apo plehrave kimike. Vala
e kostove të larta ka prekur edhe aktivitetin e eksportuesve shqiptarë të
perimeve. Çmimet janë rritur për të gjitha inputet. Për shkak të mungesës së prodhimit
të mjaftueshëm, çmimet me të cilat fermerët kanë shitur këtë vit prodhimet,
sidomos domaten e parë, ka qenë dyfishi i vitit të kaluar. Ashtu
si hallkat e tjera të bujqësisë, zinxhiri i eksportit po përballet me
vështirësi shtesë këtë vit, që po vijnë nga rritja e kostove në transport,
paketim dhe forcën e punës me 60% të kapaciteteve. Bizneset eksportuese të
zarzavateve po përballen me sfida shtesë, që lidhen kryesisht me cilësinë e
produkteve të prodhuara nga fermerët shqiptarë, madhësinë e fermës që nuk
krijon kushtet për siguri dhe cilësi të produkteve dhe rritjen e kostove në të
gjithë zinxhirin e furnizimit, deri në mbërritjen e produkteve në tregjet e
huaja. Kompanitë po përballen edhe me skarco të larta dhe humbje nga kursi i
këmbimit. Zgjerimi në tregjet perëndimore, sfida e eksportuesve. Në zonat më prodhuese në vend
janë edhe rreth 23 kompani që merren me grumbullimin dhe shitjen e perimeve të
serrave në qarqet e Fierit dhe Beratit. Shumica e tyre nuk kanë magazina
frigorifer dhe linja përzgjedhje, pastrimi dhe ambalazhimi, me ndonjë
përjashtim. Nga ana tjetër… Emigrimi
masiv, sidomos i të rinjve, është rikthyer fort pas pandemisë. Shqiptarët po
largohen, duke rrezikuar jetën njësoj si në luftë, së fundmi duke kaluar detin
nga Franca në Britani me gomone.
Largimi masiv i shqiptarëve shpjegohet vetëm nga teoria e fituesit të
çmimit “Nobel” në ekonomi (2001) George Akerlof, sipas të cilit, sa më shumë
njerëz largohen nga një vend, aq më pak tërheqës bëhet që të tjerët të
qëndrojnë.
Bizneset, pa përjashtim në të gjithë sektorët, e konsideruan mungesën e
fuqisë punëtore për shkak të emigracionit sfidën më të madhe të aktivitetit më
2022. Numri i atyre që janë larguar është aq i madh këtë vit, saqë konsumi ka
pësuar rënie të beftë në shumë artikuj, si brumërat. Shqipëria humbi miliarda
dollarë nga investimet në arsim, kurse sistemi i pensioneve po vihet në rrezik.
Bizneset po humbin mundësitë për zgjerim nga mungesa e punonjësve, teksa
emigracioni po krijon rrethin vicioz në produktivitet.
Intervistoi: Albert Z.
ZHOLI
Imputet
bujqësore si farat përmirësuese, plehrat apo kimikatet e ndryshme kanë pësuar
rritje dhe sipas fermerëve janë shumë herë më të shtrenjta dhe shpesh nuk i
plotësojnë rezultatet e dëshiruara. Rritja e çmimeve ka bërë që shumë fermerë
të penalizohen dhe të reduktojnë të mbjellat pranverore pasi kostot sipas tyre
janë të papërballueshme. Si do ndikojë ky problem në ekonominë shqiptare?
Motori i ekonomisë shqiptare përbëhet nga tre ingranazhe
kryesore bujqësia, agrobiznesi dhe turizmi. Bujqësia duhet të furnizojë
agrobiznesin me lëndë të para dhe turizmin me produkte të freskëta, ndërsa
agrobiznesi furnizon turizmin me produkte të përpunuara dhe gjysëm të
përpunuara. Aktualisht rreth 60% e ushqimeve importohen dhe agrobiznesi punon
me rreth 80% të lëndëve të para të importuara, Kjo është humbje për ekonominë.
Në tregun ndërkombëtar janë rritur shumë çmimet e lëndëve të para që përdoren
në bujqësi si plehra kimike, pesticide, kimikate të tjera, plasmasi për serrat,
mekanika bujqësore është bërë pothuajse e paprekshme për fermerët dhe nga ana
tjetër kafshët e rracës për shumëfishim janë në mungesë totale, në vend nuk ka
qendra të ndërzimit artificial. Pesë qendrat e transferimit të teknologjisë nuk
mund të përballojnë 350.000 ferma. Nga këto ferma vetëm 10% kanë numër
identifikimi, që e lehtëson bërjen e biznesit dhe tregtimin e produkteve të
fermës, duke penalizuar të tjerët sin ë çmim ashtu dhe në shërbime të tjera
publike.
Pse ndiqet
kjo politikë?
Duket se ata që merren me fshatin në nivel të lartë të
politikbërjes e shikojnë fshatarin si votë dhe jo si subjekt. Sa më i varfër
fshatari, aq më lehtë është ai të manipulohet e të gënjehet, për t’i marrë
votën.
-Varfëria
është problem mbarëbotëror. Varfëria i referohet mungesës së nevojave themelore
të nevojshme për një standard të mirë jetese, si ushqimi, strehimi, arsimi dhe
kujdesi shëndetësor i mjaftueshëm. Si
është situata në Shqipëri për këto fenomene?
Sipas INSTAT rreth 20% e popullsisë së Shqipërisë jeton me 620
lekë në ditë, që sipas INSTAT qenka kufiri midis të varfër dhe shtresë e mesme.
Në fakt sipas përkufizimit të OECD-së, kjo shumë përbën 60% të të ardhurave
mesatare, pra, të ardhurat mesatare në Shqipëri qenkan rreth 1.000 lekë. Po
çfarë mund të bëhet me 1.000 lekë në ditë për person? Pothuajse asgjë. Tashmë
nëse hyn në supermarket, duhet të kesh të paktën 5.000 lekë me vehte që të
shpiesh diçka në shtëpi. Pra, varfëria është e ulur këmbëkryq në vend.
Papunësia e lartë i detyron shqiptarët të ikin jashtë dhe kjo bën që edhe
produktiviteti të jetë i ulët, si rrjedhim edhe pagat mbeten të ulëta. Është
një rreth vicioz, që duket se është shumë e vështirë për t’u shkëputur.
-Emigracioni
mund të japë stres për programet qeveritare dhe sistemet shoqërore brenda një
vendi dhe mund të jetë një temë përçarëse në një shoqëri. Konkretisht çfarë
problemesh ka sjellë në shoqërinë shqiptare emigracioni masiv?
Emigracioni masiv bën që ekonomia të mos funksionojë, skema e
pensioneve të dështojë, burimet natyrore të mos shfrytëzohen dhe menaxhohen,
territori të mos menaxhohet, varfëria të ulet këmbëkryq. Në fund të fundit kjo
sjell edhe rrezikun e humbjes së territorit dhe të nocionit të kombit, aq më
tepër kur fqinjët prej shekujsh e kanë patur eliminimin e Shqipërisë objektiv
primar.
-Fëmijët e
emigrantëve mund të përjetojnë sfida unike, që lidhen me identitetin,
integrimin kulturor dhe stresin e balancimit të kulturave të shumta. A duhet
një politikë qeveritare për të rregulluar këtë fenomen shumë të koklavitur?
Është e nevojshme një strategji gjithpërfshirëse e shqiptarëve
kudo në botë. Mbështetja me programe zhvillimi, mbështetja me literaturë në
gjuhën shqipe, mbështetja për të njohur historinë, kulturën, territorin,
aspektet gjeografike dhe figurat më të shquara të historisë së kombit tonë,
duhet të jenë pjesë e kësaj strategjie. Mbetet padyshim një sfidë krijimi i
fondit kombëtar të bashkimit të territoreve të Shqipërisë në një shtet të vetëm
në rajon dhe ringritja e dinjitetit kombëtar.
• -Mungesa
e menaxhimit të krizave mund të rezultojë në përgjigje të vonuara ose
joefektive ndaj krizave, duke shkaktuar konfuzion, frikë dhe një ndjenjë
pasigurie te popullata. A po nodh kjo në vendin tonë dhe si ju përgjigjet
qeveria këtyre problemeve? A ka strategji?
Në letër ka strategji për manaxhimin e krizave dhe fonde të
dedikuara për këtë qëllim, por kur vjen rasti konkret në katastrofa natyrore,
pandemi, e të tjera të kësaj natyre, se ku përfundojnë fondet, materialet e
pajisjet dhe ndihmat askush nuk e merr vesh? Nuk është fjala thjesht për
manaxhimin e krizave dhe strategjitë për to. Bëhet fjalë për punonjës të
administratës publike me dinjitet, etik, moral dhe që i shërbejnë vetëm ligjit
dhe jo shefit. Ndjenja e përgjegjësisë dhe e përgjegjshmërisë duket se janë në
fund të dyshemesë. Punonjësit e administratës publike janë kthyer thjesht në
Yes man (PO zotëri) dhe kjo për shkak të një page qesharake, që i mban ata në
punë, sepse më atë pagë mbajnë familjen. Kjo është gjendja dhe duhet ta
pranojmë në mënyrë që të fillojmë të rregullojmë gjendjen. Nëse nuk pranojmë
gjendjen, atëhere as që mund të pretendohet që ajo të rregullohet.
•
-Korrupsioni dhe padrejtësia. Këto çështje gërryejnë besimin dhe besimin e
publikut tek lidershipi dhe institucionet. Cila është situata në Shqipëri kur
vetë BE po e ngre me forcë këtë problem?
BE ka instrumenta dhe institucione për të luftuar korrupsionin,
mitmarrjen dhe dukuri të tjera, që lidhen me shkeljen e ligjit nga punonjësit e
administratës publike. Edhe në Shqipëri ka ligje për këtë, por mbetet problem
funksionimi i ligjit. Edhe kur ligji funskionon, kjo ndodh te punonjës të
administratës publike në nivele të ulëta edhe kur ndodh, masa e ndëshimit
zbehet rrugës dhe ai që shkel ligjin pas disa kohësh fillon dhe jep përvojën e
tij “positive” në ruajtjen e parametrave të punonjësit të administratës publike
dhe u tregon nipave dhe mbesave për bëmat që ai ka bërë në të ri duke shkelur
ligjin e duke bërë pallë me paratë e taksapaguesve dhe kështu nipat dhe mbesat
duket se ndjekin rrugën e gjyshit, gjyshes, xhaxhait e tezes, me paratë tona.
Problemi më i madh i shqiptarëve është se ata mendojnë se s’ka problem, ky
është edhe togfjalëshi i parë që mësuan të huajt kur erdhën për herë të parë në
Shqipëri pas vitit 1990. S’ka problem. Dhe meqë nuk ka problem, atëhere çdo gjë
është e justifikuar, edhe korrupsioni, edhe mitëmarrja, edhe shkelja e ligjit
dhe çdo gjë tjetër.
• -Shumë
drejtorë apo ministra në insitucionet shtetërore po përballen me drejtësinë për
korrupsion madhor? Po vetë drejtuesit e bashkive dhe kryeministri a ka
përgjegjësi për këtë? Nëse në një vend të BE do kishte të tillë korrupsion si
do vepronte kryeministri?
Dorëheqja është një mënyrë qeverisjeje. Votëbesimi fitohet me
dorëheqje. Nëse dikush në krye të shtetit pretendon se nuk ka dorë në vajtjen e
punëve keq, atëhere dorëheqja shikohet si mekanizëm civilizimi dhe
transparence. Koha është për ndryshime të mëdha dhe dorëheqja e atyre që
drejtojnë në nivele të larta është mëse e pranueshme në këto kohë. Nuk mund të
shmangësh përgjegjësinë duke mos dhënë dorëheqjen dhe duke bërë sikur nuk di
gjë. Në fund të fundit kryeministri është personi që emëron pjesën më të madhe
të drejtorëve të përgjithshëm në nivel vendi dhe kryetari i bashkisë personi që
emëron drejtorët në pushtetin vendor. Nëse një a dy prej këtyre drejtorëve
kapen në flagrancë atëhere nuk përbën ngjarje për investigim, por kur shumica e
drejtorëve, apo e drejtuesve të shtetit kapen në flagrancë “me presh në dorë”
sikundër thotë edhe populli, atëhere bashkëpunimi me ta është minimalja.
• - Po
mbyllen shumë shkolla, sepse nuk ka nxënës. Por nga ana tjetër dhe niveli i
mësuesve vlen për të dëshiruar pasi nuk pëlqehet si
profesion?
Si e shikoni të ardhmen e arsimit shqiptar?
Pakësimi i popullsisë për shkak të pakësimit të lindjeve dhe
emigracionit ka sjellë mbylljen e shumë shkollave kryesisht në rrethet e vogla
dhe në zonat rurale. Nga ana tjetër, mësuesit janë thjesht analfabetë
funksionalë. Të jesh analfabet funksional do të thotë që njeh shkronjat, njeh
numrat, di të lexosh dhe di të bësh veprime të thjeshta matematikore dhe di të
bësh lidhje të thjeshtë të dukurive dhe ngjarjeve. Vetëm kaq. Pra, shumë pak e
dallon analfabetin funksional, që është një njeri që njeh shkronjat dhe numrat,
pra lexon, por nuk di që të analizojë dhe të intepretojë atë ç’ka ka lexuar.
Pra, mësuesit janë thjesht disa persona, që dinë diçka më shumë se ata që nuk
dinë asgjë. Ky nivel mësuesish nuk na çon në Evropë. Ky nivel mësuesish nuk na
bën komb. Ky nivel mësuesish nuk ka sjellë përmirësim të cilësisë së jetës. Për
arsimin shqiptar kërkohet në mënyrë të menjëhershme një ndryshim tërësor i
mendësisë, në mënyrë që të tëra nivelet e arsimit në vend të ndryshojnë qasjen
ndaj fëmijës, nxënësit dhe studentit dhe aftësive, njohurive dhe kompetencave.