Mendime
Ilir Sefaj: Lufta si opsion!
E enjte, 02.05.2024, 07:53 PM
Lufta
si opsion!
Nga
Ilir Sefaj
Duhet
të jesh më shumë se i krisur ta besosh se një ish-ministër i kasapit të
Ballkanit, sot president i Serbisë, Aleksandër Vuqiç në një ditë të bukur
pranvere do të mund t’i drejtohej popullit serb: “Ja, pas më shumë se një çerek
shekulli, ushtria jonë e lavdishme e riktheu territorin e saj të okupuar.
Kosova dhe Metohia është dhe do të mbetet serbe”.
Se
Republika e Kosovës dhe ajo e Serbisë do ta shikojnë shtrembër njëra-tjetrën
edhe për një kohë të gjatë, e mbase edhe për dekada të tëra, nuk ka asnjë dilemë.
Mirëpo, diskursi se në Kosovë do të nis një luftë e re, e në veçanti në
realitetin aktual, është më shumë se i gënjeshtërt, për të mos thënë utopik. Me
ndërhyrjen ushtarake të NATO-s në marsin e vitit 1999, dhe me dislokimin e
forcave të KFOR-it në qershorin e po atij viti, ëndrra serbe për Kosovën ka
marrë fund një herë e përgjithmonë. Kjo do të mbetet një e vërtetë e
pandryshueshme dhe e pakontestueshme.
Diskursi
për luftën si opsion, nga kushdo dhe prej ngado që vjen, është diskurs
populist, dhe bëhet për qëllime elektorale. Në një shoqëri me mentalitet
properëndimor kjo qasje e politikanëve, ku retorika luftënxitëse është arma më
e fortë për ta fituar dhe mbajtur pushtetin, do të ndëshkohej, por në
mentalitetin ballkanik frazat e tilla tingëllojnë si patriotike e që synojnë
vigjilencën, dhe si të tilla duhet të merren si të mirëqena.
Kur
themi “mentaliteti ballkanik”, në fakt
ky term më shumë identifikohet me popullin serb, meqë përkundër
gjakderdhjeve që shkaktoi regjimi i Beogradit në dekadën e fundit të shekullit
që e lamë pas, votuesi serb nuk arriti të dalë nga lëvozhga e nacionalizmit,
duke i mbajtur në pushtet pikërisht njerëzit që shkaktuan masakra e krime me
përmasa gjenocidale në pothuajse tërë ish-Jugosllavinë.
Sidoqoftë,
klika politike në Beograd është e bindur, madje edhe më shumë se unë që po i
shkruaj këta rreshta, se opsioni për ta marrë me luftë Kosovën, që ajo e quan
si territor përkohësisht të okupuar, është më shumë se demagogji dhe
krejtësisht i pamundshëm, por meqë kjo qasje po ushqen mendjen e mykur të
votuesit në Serbi dhe po gjen shtrirjen e saj, kjo klikë po e përdor si karrem
për ta mbajtur pushtetin, duke e zhytur kështu qytetarin serb në vorbullën e
gënjeshtrave që ushqen tash e shumë thellë në histori.
Qasja
që ndjek presidenti serb Vuçiq karshi Kosovës si territor dhe pakicës serbe në
vendin tonë duhet vrojtuar me shumë kujdes. Duke qenë i bindur se Kosova nuk
bëhet serbe, ai përpiqet edhe që Kosova të mos bëhet “shqiptare”. Pra, pakica
kombëtare serbe në Kosovë shantazhohet në vazhdimësi nga pushteti në Beograd
për ta mbajtur këtë balancë, anipse edhe opsioni i bashkimit të shqiptarëve në
një shtet të vetëm, sado që mbështetet në realitetin historik, është vështirë i
realizueshëm në rrethanat aktuale.
Progresi
i pandalshëm që po e karakterizon Republikën e Shqipërisë në veçanti në dy
dekadat e fundit, ka bërë që diskursi për luftën në Kosovë, të jetë më i
fuqishëm se kurrë në paraqitjet para opinionit të presidentit Vuçiq, dhe ky
diskurs bëhet me qëllim që të frenohet bashkimi i shqiptarëve në një shtet të
vetëm, edhe pse siç e thamë, vështirë e realizueshme në rrethanat aktuale,
realiteteve historike ua kanë frikën gjithmonë politikanët fashistë.
Sidoqoftë,
politikë-bërësit në Kosovë kujtoj që duhet sa më pak të flasin për luftën, por
kjo nuk do të thotë se ne nuk duhet të fuqizohemi në aspektin e sigurisë
kombëtare. Përkundrazi. Andaj, lufta nuk është opsion dhe kurdo dhe sa herë që
flasim për të, me ose pavetëdije çojmë ujë në gurin e mullirit të presidentin
serb që vetëm të këqija bluan për Republikën e Kosovës dhe për qytetarin e
kësaj Republike.