E enjte, 01.05.2025, 07:25 PM (GMT+1)

Mendime

Mehmet Kraja: Mbi masakrat dhe gjenocidin serb në Kosovë

E diele, 28.04.2024, 07:53 PM


Mbi masakrat dhe gjenocidin serb në Kosovë

Nga Mehmet Kraja - Kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës

Edhe në pikëpamje të terminologjike për rrethanat tona gjërat marrin një kuptim domethënës: Gjenocidi është një kompozitë e përbërë nga fjala greke “genos” që domethënë familje, fis, racë dhe fjalës latine “cid” (ocidere-me vra): ndryshe quhet edhe popullvrasje, një kompozitë që nuk tingëllon aq mirë shqip, por që e ka domethënien: vrasje e qëllimshme dhe masive e njerëzve me nxitje etnike, racore, fetare ose edhe politike, si edhe veprime të tjera që çojnë drejt zhdukjes fizike po me këtë qëllim. Që më 1948 ndalimi i gjenocidit është kthyer në ligj ndërkombëtar. Ndërkaq, as fjala masakër nuk ka kuptim më pak lëndues: është akti ose shembulli i vrasjes së një numri qeniesh njerëzore, zakonisht të pafuqishme në rrethana të një mizorie të pashembullt. Fjala ka prejardhje nga frëngjishtja e vjetër dhe ka kuptimin e thertores. E përsëris: thertores!

Rreth evidencimit të masakrave me prapavijë gjenocidale, mund të them se disa gjëra i kemi bërë mirë, por jemi vonuar me një institut të pajisur mirë dhe të kompletuar me kuadër profesionist, me ekspert të kriminalistikës, me juristë dhe ekspertë mjekoligjorë. Punët tona të deritashme, e them me keqardhje, kanë mbetur në nivel amator.

Ne tani duhet të zbresim nga niveli folklorik i interpretimit të masakrave dhe gjërat t’i vendosim në rrafshin juridik: të bëjmë dosjet juridike me dëshmi të qëndrueshme për ndëshkimin e shkaktarëve dhe ushtruesve të gjenocidit. Dhe për kompensimin e viktimave.

Përveç kësaj, kemi bërë edhe gabime të tjera: partitë politike në Kosovës në disa raste, disa zëshëm dhe disa nën zë, krimet dhe gjenocidin e kanë konsideruar “argument politik”, njëra palë për të përfituar mbështetje, pala tjetër për të luftuar kundërshtarin politik.

Edhe Gjykata e Hagës, kjo e fundit, ka marrë atribute politike: Këtu në Akademi, deri tash së fundi, kanë ardhur emisarë për të kërkuar që ky institucion të ndërmarrë nismën për të suprimuar Gjykatën, pavarësisht se të gjithë e dinë se nuk ka qenë Akademia ajo që e ka iniciuar këtë Gjykatë dhe Akademia nuk ka mandat për nisma të tilla.

Por nuk është vetëm kjo: me idenë e imponuar të pajtimit nga ndërkombëtarët, që në krye të herës ne kemi bërë gabime të mëdha edhe në emërtimin e saktë dhe të plotë të krimeve dhe të luftës në Kosovës. Dua t’ju përkujtoj se që më 2002 lufta në Kosovës hapur është riemërtuar si “konflikt”, që dmth. një konflikt etnik; pushtimi serb i Kosovës, me krejt reprezaljet e tij, i është atribuuar “pushtetit serb” e kështu me radhë.

Akademia është kritikuar pse nuk ka bërë më shumë në këtë drejtim: disa OJQ të disa çunave dhe gocave kanë ndërtuar reputacion publik duke kritikuar Akademinë, por më duhet të them me këtë rast ne me saktësi shkencore kemi përshkruar 32 masakrat kryesore në Kosovë në Fjalorin Enciklopedik të Kosovës.

Në projektin e ardhshëm të Enciklopedisë Shqiptare, ndërkaq, gjenocidi serb në Kosovë do të marrë shqyrtim adekuat dhe trajtim shkencor.



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx