Mendime
Enver Bytyçi: Pse Edi Rama nuk flet me kryeministren Meloni për votën italiane pro pranimit të Kosovës në Këshillin e Europës?!
E shtune, 04.05.2024, 07:57 PM
Pse Edi Rama nuk flet me kryeministren Meloni për votën italiane pro pranimit të Kosovës në Këshillin e Europës?!
Nga
Prof. Dr. Enver Bytyçi
Njohësit
e situatës sa i përket votimit për pranimin e Kosovës në Këshillin e Europës
besojnë se tri vende që e kanë njohur atë mund të votojnë kundër ose të
abstenojnë. Këto vende janë Hungaria, Franca dhe Italia. Se Hungaria dhe Franca,
pra se Viktor Orban dhe Emmanuel Macron, janë në anën e Serbisë, ky fakt është
i njohur. Por kjo nuk do të thotë që këto dy vende të vihen kundër Kosovës. Një
shtet që e ka njohur shtetësinë e Kosovës dhe voton kundër pranimit të saj në
Këshillin e Europës apo edhe në OKB, atëherë do të thotë se njohja ka qenë e
pavullnetshme, ndoshta e imponuar nga rrethanat ndërkombëtare të kohës, ndoshta
për interesa të ngushta, ndoshta edhe për ta shfrytëzuar njohjen për t’i vënë
këtij shteti barriera, si në rastin konkret.
Italia
e ka mbështetur gjithmonë Kosovën mbas çlirimit të saj nga sundimi serb. Ndërsa
gjatë luftës në Kosovë ministri i saj i Jashtëm, Lamberto Dini, pati mbajtur
anën e Serbisë. Gjithnjë në prapaskenë, sepse kryeministri D’Alema ishte shumë
pozitiv dhe i hapur. Por kryeministrja Meloni i ka ndryshuar ekuilibrat. Ajo
dëshmoi me votat kundër ose abstenim në Asamblenë e Këshillit të Europës, se ka
ndryshuar boshtin politik të saj ndaj shtetit më të ri në Europë. Ajo ka
devijuar edhe nga politikat e paraardhësit të saj, Musolinit, kur megjithëse e
pushtoi Shqipërinë, Kosovën e bashkoi në një shtet me Shqipërinë e pushtuar.
Ky
ndryshim i politikës italiane ndaj Kosovës po ndodh kur Meloni dhe kryeministri
i Shqipërisë, Edi Rama, janë në kulmin e dashurisë së tyre politike. Madje kur
ata nuk bëjnë dot pa njëri-tjetrin. Lind pyetja: - Në kushtet kur marrëdhënia
Meloni-Rama është kaq e ngushtë, kur kryeministri shqiptar i fal territore dhe
ekstraterritore vendit fqinj përtej Adriatikut, kur të dy këta sulmojnë në një
akord të përbashkët mediet italiane, të cilat qortojnë marrëveshjene e
refugjatëve, nuk paska asnjë mundësi që kreu i ekzekutivit shqiptar t’i kërkojë
e madje ta kushtëzojë Melonin me votën pro në Këshillin e Europës?!
Çdo
kush beson fort se një mundësi e tillë ekziston. Atëherë pse Edi Rama nuk e
shfrytëzon miqësinë e tij të pakushtëzuar me Melonin, që ajo të votojë
pro-pranimit të Kosovës në Këshillin e Europës?! Apo ndoshta dhe kryeministri
shqiptar është i pikëpamjes se ky pranim duhet të përdoret si mjet presioni për
ta krijuar Asosacionin e Komunave me Shumicë Serbë në Kosovë?! Mos Rama
dëshiron dhe kërkon “nënshtrimin” e Albin Kurtit në këmbët e tij?! Mos ai do që
t’i thotë kryeministrit të Kosovës se “Ti pa mua nuk bën dot asnjë hap në konsolidimin
e shtetësisë?! Në fakt kjo dëshmohet nga shumë fakte. Kryesore është fakti që
qeveria dhe diplomacia shqiptare nuk lëvizin as gishtin e vogël të dorës për të
shtuar ndonjë njohje ndërkombëtare të shtetit të Kosovës. Nuk kanë foluar
asnjëherë në 12 vite me asnjë vend anëtar ose jo të BE-së ose NATO-s, vend i
cili nuk e ka njohur Kosovën! E nga ana tjetër mburren se janë prezentë në
axhendën ndërkombëtare dhe kanë rol në Aleancën Atkantike!
Sikur
Edi Rama të ishte përkushtuar sa dhjetë përqind e përkushtimit të tij për ta
ndihëmuar Melonin, në dhjetë vjet do të ishin shtuar së paku 20 shtete njohëse
të shtetësisë së Kosovës! Shkurt Rama e do Kosovën të copëtuar, pa shtetësi dhe
pa mëvehtësi shtetërore!