Mendime
Feti Tunuzliu: Gjykatat Penale në Kosovë lirojnë nga akuza - Nuk 'shpallin të pafajshëm'
E marte, 07.05.2024, 06:53 PM
GJYKATAT PENALE NË KOSOVË LIROJNË NGA AKUZA - NUK “SHPALLIN TË PAFAJSHËM”
Nga
Feti TUNUZLIU
Me
normat juridike të Kodit nr. 08/L-032 i Procedurës Penale të Republikës së
Kosovës i cili hyri në fuqi më 17 shkurt 2023 (në vijim: KPPK), legjislativi
kosovar parashikon shprehimisht se, të akuzuarin, përkatësisht të pandehurin
gjykata e liron nga akuza, referuar fakteve dhe provave të nxjerra gjatë
shqyrtimit gjyqësor.
Për
lirimin nga akuza, KPPK mjaftohet me plotësimin e vetëm njërit nga tri kushtet
alternative: 1) “vepra me të cilën i
akuzuari akuzohet nuk përbën vepër penale”; 2) “ka rrethana që përjashtojnë
përgjegjësinë penale”; ose 3) “nëse nuk është provuar se i akuzuari ka kryer
veprën penale për të cilën akuzohet” (neni 363).
Për
të ilustruar dhe argumentuar faktin se në ç’mënyrë përdoret togfjalëshi
terminologjik proceduralo-penal - liron nga akuza, po citojmë fragmente
dispozitash nga disa nene të KPPK: “… i akuzuari lirohet nga akuza” (361) ; “… është liruar nga akuza” (366); “…
i pandehuri lirohet nga akuza” (453).
Siç
shifet, përkrah togfjalëshit -Liron nga akuza, KPPK përshkohet edhe me trajtat
e përafërta gramatikore: “lirohet nga akuza”, “liruar nga akuza”, “liruar nga
akuza” e të ngjashme. Për rrjedhojë, togfjalëshat e këtillë të natyrës
proceduralo-penale rezultojnë të jenë të karakterit juridiko-teknik.
E
instrumenti (akti) procedural penal juridik me të cilin realizohet apo shprehet
formalisht lirimi nga akuza, gjithnjë sipas normave juridike të KPPK, është
aktgjykimi. Për të qenë më konkret, togfjalëshin gjegjës e ndeshim në KPPK, si:
“Aktgjykimi lirues” (363); ”… aktgjykimi me të cilin i pandehuri lirohet nga
akuza (462); “…aktgjykimi me të cilin i
pandehuri është liruar nga akuza” (526), etj.
Togfjalëshi
terminologjik - liron nga akuza, juridizuar
me normat e KPPK, si nocion (koncept) nuk është sinonim me togfjalëshin
terminologjik “shpall të pafajshëm”. Ç’është e vërteta, në pikëpamje semantike
domethënia, përkatësisht përmbajtja kuptimore e të parit nuk përkon dot me
domethënien, përkatësisht përmbajtjen kuptimore të të dytit. Kështu, në rastet
kur kundërligjshmëria si atribut i një vepre penale përjashtohet, autori i
saj lirohet nga akuza në një proces
penal. Ai nuk shpallet fare i pafajshëm që më pas të lirohet nga dënimi. Ngjashëm
është edhe te përjashtimi i përgjegjësisë penale të të pandehurëve.
Ndryshe,
togfjalëshi “shpall të pafajshëm” që është krijuar ndër vite është përvijuar
ashtu që aktualisht artikulohet edhe nga analistë gjatë emisioneve televizive.
Poashtu, figuron në gazeta e portale të ndryshme. Ja vetëm një shembull: “Gjykata e Apelit i shpalli të
pafajshëm…” (https://gjilanipress.com/lajme/).
Kësisoj,
kam përshtypjen se, përdoruesit e këtij togfjalëshi, sikur mëtojnë së
shpërfaquri ngritjen e kulturës së tyre gjuhësore përgjithësisht e të asaj
juridike veçanërisht. Madje, nganjëherë edhe me ngjyrime të caktuara
stilistikore e emocionale.
Duke
shpërfillur (me apo pa dashje) terminologjinë e gjuhës së legjislacionit
pozitiv procedural penal (KPPK), kjo praktikë gjuhësore njëmend vetëm sa
bastardon dhe shtrembëron seriozisht, t’mos themi injoron terminologjinë
burimore procedurale penale.
U
muar vesh se nuk është mirë që të mos respektohet gjuha juridike, përkatësisht
norma ligjore duke zëvendësuar një term a togfjalësh ligjor me një term a
togfjalësh joligjor gabimisht të ngulitur në terminologjinë e gjuhës mediale
dhe jo vetëm.
Duke
iu atribuuar hulumtimeve tona modeste, terminologjia juridike procedurale
penale e përdorur nga komuniteti i gjyqtarëve penalistë kosovarë gjatë
praktikës aktuale gjyqësore është shembulli më i mirë i përdorimit të drejtë të
togfjalëshit ligjor “lirimi nga akuza”. Së këndejmi, sintagma origjinale e të
drejtës ligjore – lirimi nga akuza, zë vend të qëndrueshëm në gjuhën e
sotme juridike procedurale penale në
praktikën gjyqësore të gjykatave penale
si autoritete proceduese. Ajo është bërë pjesë e pandarë e fondit leksikor
e frazeologjik të gjuhës juridike procedurale penale që është për t’u
përshëndetur. E ky shembull, demonstruar nga juristët profesionistë të
drejtësisë procedurale penale meriton të ndiqet seriozisht nga të interesuarit
pavarësisht profilit dhe statusit të tyre. Kjo ndihmon për të përligjur gjuhën
e tyre të gabuar me atë të normës ligjore procedurale penale. Pra, përdorimi i
tillë është në funksion të gjuhës legjislative dhe të praktikës juridike.
Së
fundmi, të theksojmë një detaj: KPPK e ka trashëguar togfjalëshin liron nga
akuza prej Kodit paraprak nr. 04/L-273 të Procedurës Penale të Republikës së
Kosovës i cili ishte në fuqi prej 1 janari 2013 deri në hyrjen në fuqi të KPPK
(17 shkurt 2023) që është duke u aplikuar. Edhe gjatë harkut kohor përtej një
dekadëshe, sa ishte në fuqi ish-KPPK, është shpërfillur jo rrallë terminologjia
në fjalë nga akterët e sipërpërmendur me ç’rast, togfjalëshi ligjor - liron nga
akuza, zëvendësohej lehtësisht me togfjalëshin joligjor - shpallet i pa
fajshëm”. Ja titulli i një shkrimi: “Shpallet i pafajshëm i akuzuari për
vrasjen e …”, (https//www.gazetaexpress.com, date 17 qershor 2021).