E diele, 26.05.2024, 04:53 PM (GMT+1)

Mendime

Albert Zholi: Të paguash 50% të fitimit është arbitrariteti më i madh

E diele, 12.05.2024, 07:43 PM


Forum në Telegraf/ Ligji për taksimin e profesioneve të lira. Flasin Dr. Enriko Ceko, Dr. Vladimir Mici, Dhurata Çupi (deputete, juriste), Jaçe Hysi (Financier)

- Të paguash 50% të fitimit është arbitrariteti më i madh, normal do t'a quaja 15%.

Intervistoi: Albert Z. ZHOLI

Në Gjykatën Kushtetuese është dërguar më 19 prill 2024, një tjetër padi ndaj ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat” për shkeljen e kushtetutshmërisë dhe paligjshmërinë e zbatimit të ligjit  Nxjerrja dhe llogaritja e kësteve të parapagimit të tatimfitimit është detyrë e Drejtorive Tatimore dhe sigurisht që ato duhet të aplikojnë parashikimet ligjore në fuqi, për sa kohë nuk kanë asnjë ndalesë. Taksimi masiv, pa asnjë kriter ndarës edhe vetë brenda kësaj kategorie, i shtresës së profesioneve të lira në një kohë kur vendi ende vuan pasojat e tkurrjes dhe mbylljes nga pandemia Covid-19, rritjes së çmimeve nga luhatja e këmbimit të monedhave të huaja, disa reformave që kanë penalizuar disa profesione (reforma në drejtësi ka prekur kryesisht profesionet e lira si Avokatia, Përmbarim dhe Noteria) dhe nga pasojat e disa luftërave në shtete jo shumë larg Shqipërisë, janë një barrë shumë e lartë që nuk mund të përballohet. Efektet janë të menjëhershme, si rritja e çmimit te shërbimet, ulja e cilësisë, ulja e konkurrencës, dalja nga skema e tatimeve dhe më të vona si mbyllja e subjekteve, emigrimi i kësaj shtrese dhe humbja e interesit të brezit të ri ndaj këtyre profesioneve. Si do të veprohet më tej dhe cilat janë pasojat e ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat”. Ja si shprehen specialsitët…

Dr. Enriko Ceko:

Taksa e profesioneve të lira mbylli 11 mijë biznese të vogla ende pa hyrë në fuqi, në vlerësimin tuaj, çfarë efektesh pritet të shkaktojë te bizneset zbatimi i këtij ligji, nëse Kushtetuesja nuk vendos pezullimin? Çfarë efekti financiar ka kjo marrëzi?

Pritej që në buxhetin e shtetit të futeshin 28 milionë euro, nga hyrja në fuqi e kësaj takse, por efekti boomerang solli mbylljen e më shumë se 10.000 subjekteve. Po çfarë janë këto subjekte? Në fund të fundit këto subjekte janë partneri i qeverisë. Ata janë njerëz me shkollë që aftësitë, njohuritë dhe kompetencat e tyre në një a disa fusha të caktuara i vënë në shërbim të qytetarëve. Pra ata ofrojnë një të mirë publike duke qenë të vetëpunësuar në sektorin privat. Ata e sigurojnë vetë “bukën e gojës”, nuk i bien në qafë askujt, ata hapin edhe vende pune për të tjerë profesionistë, ata ofrojnë shërbime që të tjerët nuk dinë t’i ofrojnë, ata janë syri dhe veshi i qeverisë në rast se dikush kërkon që të shkelet ligji, ata janë një pjesë e portëruajtësve të drejtësisë, civilizimit, mbarësisë. Pra, këta u dashkërka të taksohen edhe më shumë!

Kjo është një marrëzi, ashtu sikundër e citoni edhe ju. Një marrëzi sikundër edhe shumë marrëzi të tjera të këtij regjimi, që e filloi me marrëzinë e burgosjes së atyre që nuk paguanin dritat dhe ujin dhe e vazhdoi edhe më tej me euron, eksportet, investimet, emigracionin, etj. Kjo është marrëzi e madhështisë.

-Sa alarmante është fakti se profesionet e lira janë në rrezik dhe po u merren paratë e djersës dhe mundit me vendimin e qeverisë për t’i tatuar, duke i detyruar që të paguajnë deri në 50% të fitimit të tyre.

Një pjesë e mirë e atyre që ofrojnë këto profesione do e mbyllin veprimtarinë ose do e kufizojnë atë dhe / ose do e ofrojnë në mënyra të tjera. Paratë e fituara me mundime dhe djersë nuk mund të tatohen 50%, kur deklarimi i parave të jashtligjshme sipas projekt ligjit do tatohej vetëm 5%. Këtu duket se mungon tërësisht logjika dhe mendimi ekonomik.

-A janë këto akte, rruga drejt një regjimi tatimor, që i bashkëngjitet një regjimi me demokraci të dobët?

Në përgjithësi sistemi fiskal në Shqipëri ka vuajtur nga ndryshimet e shumta ligjore. Brenda vitit ka më shumë se 60 ndryshime ligjore që e çorientojnë biznesin dhe dëmtojnë transparencën e bërjes së biznesit. Këto ndryshimë të shumta nuk bëjnë gjë tjetër veçse i hapin rrugën evazionit fiskal dhe ekonomisë së zezë dhe ekonomisë gri. Në vend që të ecim me hapin e ekonomisë së vendeve më të përparuara, e bëjmë systemin fiskal edhe më të pakuptueshëm edhe më të vështirë për individin dhe biznesin. Me këto vendime, edhe ata që duan të hapin biznes, tërhiqen.

-Personat që janë të dypunësuar, ku puna e dytë është me kohë të pjesshme, përveçse paguajnë, tatime, sigurime, dhe taksa që ka ligji shqiptar, janë të detyruar të paguajnë afërsisht edhe 1 pagë vjetore shtesë për shtetin, pasi kështu është bërë ligji.

Në përgjithësi për personat e dypunësuar del se në fund të vitit duhet të paguajnë pothuajse të tërë pagën që marrin për punën e dytë. Kjo ka bërë që një pjesë shumë e madhe e atyre që kanë qenë të dypunësuar në vitin 2022, të heqin dorë nga kjo për vitin 2023 dhe në vazhdim. Në vend që të nxitim dypunësimin për përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve dhe punën e dytë të mos e taksojmë ose ta taksojmë fare pak, për të nxitur edhe produktivitetin, ne e taksojmë dhe nga kjo edhe ulim produktivitetin dhe pakësojmë dëshirën për punë të atyre që duan të punojnë dhe të fëmijëve dhe të afërmeve të tyre, që kuptojnë se familjari i tyre edhe pse bën dy punë nuk ka ndonjë përfitim nga puna.

Pse nuk merren parasysh në zbritjen e taksave, pagesat për shkollimin tek privati, kopshtet dhe çerdhet, si dhe detyrimet e tjera të shpenzimeve për punësimet, si karburanti, shpenzimet ushqimore , interneti etj.

Në fakt këtu duhet të shtoheshin edhe investimet, kreditë, etj, që duhet të nxiten me pakësim të detyrimeve dhe jo me shtërngime me detyrime taksa të panevojshme. Duket se sistemi fiskal shqiptar nuk e ka më luksin që të zgjerojë bazën e tatimpaguesve, dhe merret vetëm me ata që historikisht kanë paguar dhe vazhdojnë të paguajnë taksa, ndërsa ata që nuk kanë aguar taksa asnjëherë do vazhdojnë që të mos paguajnë taksat dhe detyrimet logjore, dhe pikërisht këtu qendron stoike padrejtësia e këtij sistemi feudal.

Jaçe Hysi-financier:

Të paguash 50% të fitimit është arbitrariteti më i madh normal do t'a quaja 15%.

Në gjithë botën profesionet e lira paguajnë sig.shoqerore e shëndetësore , si dhe tatimin . Rregulluar kjo me ligj të veçantë në bashkëpunim edhe me të interesuarit , por jo në mënyrë arbitrare. Të paguash 50% të fitimit është arbitrariteti më i madh. Normal do ta quaja 15%. Tatimi është i detyruar të derdhi çdo punonjës, konformë ligjit në fuqi. Zbritja e shpenzimeve duhet të merret parasysh, sipas një përvoje që aplikojnë edhe vendet e tjera , në varësi të profesioneve të rregulluara me ligjin.

Dhurata Çupi-depuetete e PD (jurist)

Ligji për taksimin e profesioneve të lira është nga ligjet më diskriminues të kësaj qeverie. Fakti që ka tre kërkesa në Gjykatën Kushtetuese nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike dhe nga vetë subjektet e prekura direkt pra vetë profesionistët e lirë tregon problematikat e thella të këtij ligji. Cënon barazinë para ligjit, sigurinë juridike si dy parimet më të rëndësishme në sistemet demokratike dhe diskriminon shtresën e mesme. Dihet se ka një shtresë të mesme në Shqipëri, e cila përfshin individë dhe familje me të ardhura dhe nivel jetese në mes të atyre të lartë dhe të ulët. Kjo shtresë përfshin pikërisht profesionistë si juristë, mjekë, ekonomistë, inxhinierë. Goditja e kësaj shtrese është pikërisht goditje e ekonomisë së mirë të qytetit apo shoqërisë. Situatë kjo që do na çojë në largimin dhe braktisjen e vendit. Ikin të rinjtë për punë, ikin studentët për edukim, familjarët për të siguruar mirëqenie dhe së fundmi profesionistët, që kanë menduar ta përballojnë ekonominë me zotësinë e tyre profesionale pa patur nevojë për punë në shtet. Nëse politikat shtetare do duhet të fokusohen duke taksuar ndershmërinë dhe shërbimet cilësore individuale duke dhënë prioritet pabarazisë, natyrshëm nuk ka shpresë për drejtësi. Sot janë 29 mijë profesionistë, që po përballen me taksimin e ri. Uroj që Gjykata Kushtetuese ta gjykojë me përgjegjësi dhe ta shpalli antikushtetues këtë ligj.

Dr. Vladimir Mici:

Sistemi tatimor shqiptar nuk është i përkryer, bile mjaft problematik. Shkalla e përjashtimeve dhe mungesa e sistemit tatimor të balancuar është mjaft evidente duke rënduar mjaft shtresën e mesme dhe të varfër dhe duke lehtësuar ata me të ardhura të larta. Po kështu edhe ndryshimet e shpeshta tatimore. Po kështu evident është edhe përjashtimi apo lirimi nga tatimet i mjaft koncesioneve dhe veprimtarive me ligj për të përkrahur biznese apo biznesmenë të caktuar që qeveria i përdor apo që i bëjnë presione qeverisë. Futja e ligjeve apo përafrimi i ligjeve shqiptare në fushën e financave me BE, ku ne duam të shkojmë është një e mirë, por edhe një e keqe. E mira, sepse largon emrat dhe fushat e këtyre bizneseve  dhe sjell një pamje europiane. Por ana e keqe është që Shqipëria nuk ka dhe nuk mban dot peshën e standarteve europiane në fushën e pagave dhe transparencës së organeve shtetërore dhe vetë bizneset dhe personat fizikë po ashtu. Së fundmi nuk ka rëndësi tatimi si shumë: ka rëndësi ku shkon ky tatim? A e rrit mirqënien dhe ul varfërinë? Pra sa efiçente është ky grumbullim tatimor? Përdorimi i parave për rrush e kumbulla nga qeveria nuk është sinjal i mirë i vendosjes apo rritjes së taksave shtesë. Qeveria duhet të dëshmojë me prova dhe fakte se sa ka ndryshuar jeta e shqiptarëve me taksat egzistuese dhe se ku do të shkojë me taksat e reja! Fakti më domethës largimi i Shqiptarëve është oguri më i keq, që nuk justifikon qeverinë të aplikojë taksa shtesë, por që t’i tërheqë vëmëndjen t’i investojë ato me eficensë maksimale. Nëse politikat shtetare do duhet të fokusohen duke taksuar ndershmërinë dhe shërbimet cilësore individuale duke dhënë prioritet pabarazisë, natyrshëm nuk ka shpresë për drejtësi. Sot janë 29 mijë profesionistë që po përballen me taksimin e ri. Uroj që Gjykata Kushtetuese ta gjykojë me përgjegjësi dhe ta shpalli antikushtetues këtë ligj.

Elementi i tretë i tatimit është TAP (tatimi mbi të ardhurat nga puna). Ky tatim llogaritet sipas sistemit veçmas dhe duke qënë tatim progresiv ai llogaritet nqs je në një firmë i punësuar totalisht mbi shumën bruto që të jepet. Në rast se je i punësuar në dy firma, tatimi llogaritet për çdo shumë të marrë veçmas sipas çdo firme. Firma e parë dhe e dytë bën llogaritjen e tatimit sipas të ardhurave, që fiton në çdo firmë dhe tatohet për këto shuma.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora