Mendime
Albert Zholi: Pa dëshmorë nuk ka Atdhe, por sot s’ka më idealist si dëshmorët
E marte, 07.05.2024, 07:54 PM
5 Maji/ Pa dëshmorë nuk ka Atdhe, por sot s’ka më idealist si dëshmorët
-Dëshmorët e kishin kthyer në një kult dashurinë
dhe respektin për Atdheun
Nga
Albert Z. ZHOLI
Dita e Dëshmorëve ose 5 maji është
dita që përkujtohen të rënët e Shqipërisë. Kjo date është shumë e rëndësishme
për shqiptarët, pasi në këtë date kujtohen dhe nderohen trimat që luftuan për
Shqipërinë e lirë. Bota e qytetëruar, shoqëritë e rritura perms vlerave, ku
janë kultivuar parime themelore në ecurinë e brezave, mes të tjerash, e kanë
mësuar kombin të kthejë rregullisht kokën mbrapa e të shohë rrugën e përshkuar,
të dijë nga vjen, të kujtojë e respektojë historinë e të parëve dhe të mësojë
prej asaj kohe se ku do shkojë. Është kjo arsyeja që pothua jgjithë shtetet e
kombet kanë një ditë në vit që përkujtojnë heronjtë, dëshmorët, të rennet në
beteja për atdheun, për kombin. Disa e quajnë
“Dita e Heronjve”, disa të tjerë “Dita e Heronjve Kombëtarë” ose “Dita e
Martirëve”. Ne e quajtëm “Dita e Dëshmorëve të Atdheut” dhe pasi Republika e
Kosovës e përshtati këtë ditë përkujtimore, 5 Majin, edhe për bijtë e bijat e
saj të rënë për lirinë, u mësuam ta quajmë “Dita e Dëshmorëve të Kombit”. Për
arsyet e caktimit të ditës, nga vende të ndryshme vijnë kultura të ndryshme.
Shpesh mbahen në ditëlindjen e një heroi apo heroine kombëtare, ose zgjidhet
momenti i veprave të tyre të mëdha, që i bëri ata heronj. Në shumë raste
kremtimi i Ditës së Heronjve lidhet me një betejë përcaktuese, ku të rënët që
luftuan kundër armiqve të vendit, ka qenë i madh ose përcaktues për fatet e
kombit. Në raste të tjera lidhet me një ditëlindje të heroit, burrë ose grua,
aktet e guximshme të të cilëve i kanë mundësuar vendit të rriten si komb. Po
kësaj dite i janë kushtuar memoriale monumentale, ku populli, por posaçërisht
elita kombëtare, bën në këtë ditë nderet dhe ceremonitë protokollare.
Shqipëria, si dhe disa vende të tjera, kanë caktuar si të tillë ditën e rënies
së një heroi. Vrasja në 5 maj 1942 e Qemal Stafës, ish sekretari politik i të
rinjve komunistë, në nderim të veprës së tij, është caktuar të jetë Dita a
Dëshmorëve. Përpara krijimit të shtetit shqiptar,
populli i kujtonte dëshmorët dhe i mbante gjallë legjendat e tyre, nëpërmes
këngës epike dhe trashëgimisë së historisë të tyre, kaluar nga brezi në brez.
Dhe deri në vitin 1945, shteti shqiptar nuk kishte një status ligjor për
dëshmorët e atdheut. Vetëm pas çlirimit, më 28 gusht 1945, kryesia e Këshillit
Antifashist-Nacionalçlirimtar, miratoi ligjin nr. 109, “Mbi shpërblimin e
familjeve të dëshmorëve dhe invalidëve të Luftës Antifashiste-Nacionalçlirimtare”.
Ky ligj sanksiononte edhe trajtimin e familjeve të patriotëve, që kishin
luftuar e rënë për atdheun edhe para luftës. Kurse në vitet ´60-statusi i
dëshmorit përpunohet më tej dhe zgjerohet, duke specifikuar termin “Dëshmor i
Atdheut”. Në këtë ligj futen edhe Varrezat e Dëshmorëve të Atdheut, të cilat u
ndërtuan në të gjitha qendrat e rretheve të vendit, ku u përqendruan varret e
gjithë dëshmorëve, me përjashtim të atyre të Pezës dhe të Kuçit të Vlorës. U
ndërtuan edhe Varrezat e Dëshmorëve të Atdheut në Tiranë me monumentin “Nënë
Shqipëri”. Ndërkaq, pas viteve ’90, statusi i Dëshmorit të Atdheut pësoi
ndryshime. Po si përkujtohet në Shqipëri sot dita e 5 Majit dhe në tërësi,
Lufta Antifashiste-Nacionalçlirimtare me të rënët e saj? Japin mendimin e tyre
rreth kësaj çështje veteranë dhe pasardhës të tyre… Drejtojnë apelin publik që
të rinjtë e sotëm ta duan Shqipërinë, siç e deshën dëshmorët. Duke pohuar
gjithashtu me keqardhje se “sot zor se gjen djem idealistë, djem të sakrificës,
si dëshmorët që dashurinë për atdheun e kishin kthyer në një kult dashurie dhe
respekti”…
ALEKSANDËR DRAGOTI:
Djali i Asaf Dragotit,
ish-Komandant i Brigadës së VIII Sulmuese
Për mua 5 maji është festa më e bukur e shqiptarëve. Një
festë që kujton ata që ruajtën atdheun gjallë. Një ditë historike që na bën
krenarë. Sot çfarë nuk dëgjojmë për luftën, çfarë nuk thuhen. Deformime nga më
të ndryshmet, shtrembërime nga më bajatet të historisë. Për mua, Lufta
Nacional-Çlirimtare nuk ishte vetëm luftë kundër okupatorit, por ishte dhe
revolucion kundër qeverisë kuislinge të asaj kohe. Lufta dhe revolucioni
kundër kësaj qeverie, do të thotë shkulje me themel e çdo gjëje që binte ndesh
me interesat kombëtare. Unë kam qenë pjesë e kësaj lufte që në moshën 13 vjeç. Në
luftë ranë 28 mijë dëshmorë, 28 mijë yje të pashuar. Ishin të gjithë të rinj,
idealistë, me dëshirën për të shporrur pushtuesin nga atdheu. Pa këtë luftë,
Shqipëria do të copëtohej. Ndaj çdo 5 maj, ne veteranët shkojmë tek Varrezat e
Dëshmorëve të Kombit. Kujtojmë shokët tanë, vëllezërit tanë, atë luftë heroike.
Mund të them se i gjithë populli e respekton këtë luftë, veç atyre që ishin
bashkëpunëtorë të nazi-fashizmit. Sot më tepër se kurrë është rritur respekti
për këtë ditë, simbol të kombit shqiptar.
Astrit Miho, pasardhës
veterani
5 Maji është një ditë e
shënuar për gjithë popullin shqiptar, është sinteza e përpjekjeve për liri dhe
pavarësi. Është sinteza e një lufte heroike të popullit tone, që simbolizohet
në figurën e Heroit të Popullit, Qemal Stafa. Ai u bë frymëzimi i brezave për
atdhetarizëm, dhe i tillë do të mbetet. Akti i tij heroik frymëzon të gjithë
brezat dhe ne duke bërë homazhe në këtë ditë nderojmë dhe frymëzohemi nga vepra
e lartë sublime e këtyre njerëzve të rrallë, që ringritën Shqipërinë. Ne e
kujtojmë dhe e nderojmë këtë ditë me përkshtim, me dashuri, dhe me mirënjohje
për atë brez që u përkushtua me vetmohim dhe sakrifica për lirinë e atdheut,
popullit. E gjithë Organizata jonë kombëtare në qendër dhe në rrethe është e
angazhuar totalisht për festimin me madhështi të kësaj dite. Kjo ditë lidhet
ngushtë me idealet e mëdha të të rënëve me të cilat organizata jonë udhëhiqet
dhe merr frymëzim. Kjo ditë është e lidhur ngushtë me traditat e vendit tonë
për të qenë gjithmonë vigjilent dhe krenar për historinë tonë. Kjo ditë na bën
krenar dhe unë do ta quaja pasuri të madhe kombëtare. Sot shohim me keqardhje
se dashuria për atdheun po venitet. Sot s’ka më idealistë si dëshmorët.
Servet Agalliu, veteran i
luftës, “Debatikas”:
“5 Maji, sa më shumë që
ecën koha, aq më shumë lartësohet”
Në fillimet e mia në
luftë përkojnë në 15 maj 1942 kur isha “Debatikas”, pastaj në nëntor 1943 kam
qenë korrier i Qarkut të Beratit në pjesën jugore të reparteve të LNÇ. Dita e 5
Majit është një ditë historike, një ditë që sa më shumë ecën koha, aq më shumë
lartësohet. Në këtë ditë ne kujtojmë gjakun e të rinjve dhe të gjithë atyre që
ranë për atdhe. Në këtë luftë kanë marrë pjesë mbi 70 mijë partizanë nga të
gjitha moshat nga veriu në jug. Nga të gjithë këta 6 mijë ishin shoqe partizane
pasi dhe ato luftuan posi burrat në këtë luftë. Por kryesorja e kësaj lufte
është se kanë rënë për lirinë e vendit plot 28 mijë dëshmorë në lule të rinisë.
Prandaj Komiteti i Veteranëve dhe pasardhësve të luftës do ta kujtojë gjithmonë
me nderim këtë ditë të shënuar. Është dhe mbetet dita më e bukur e Shqipërisë.
5 Maji do mbetet një ditë e rrallë, një ditë që të frymëzon. Unë si bir
dëshmori e kam amanet këtë ditë nga familja ime. Ne të gjithë që jetojmë në
vendin e shqiponjave kujtojmë se pa heroizmin në luftë të këtyre trimave nuk do
kishim lirinë. Gjaku i tyre është në çdo pemë, në çdo lule, në çdo objekt të
rrallë në themel në rrënjë është gjaku i dëshmorëve. Lavdi!
Kastriot Hadëri, pasardhës veterani
Në këtë ditë të bukur të
të gjithë popullit shqiptar ne vijmë më të organizuar dhe më të bashkuar për të
përcjellë brez pas brezi amanetin e të rënëve. Në këtë ditë kujtojmë Qemal
Stafën, i cili dha jetën në lulen e rinisë për lirinë e atdheut. E gjithë
Kryesia e Komitetit Kombëtar të Veteranëve është e moblizuar nga qendra dhe në
të gjitha degët duke dhënë porosi të veçanta për ta festuar denjësisht këtë
ditë. Kemi dhënë udhëzimet përkatëse në degët tona nga Vermoshi në Konispol për
ta përkujtuar me ceremoni solemne këtë ditë. Vetë kryesia e ka detyrimin e saj
dhe do shkoj si çdo vit në varrezat e Dëshmorëve të Kombit duke vendosur pranë
“Nënë Shqiëpri” kurorat me lule në shenjë nderimi dhe respekti. Ne do jemi
pjesë e Protokollit qeveritar për të përkujtuar këtë ditë ku pjesë e Protokollit
janë Qeveria, Presidenti, Kuvendi, Parlamenti, Organizata jonë etj… Ne kemi
marrë masa që kudo në Shqipëri ku janë lapidare, ku janë simbole të luftës,
memoriale të vendosen kurora me lule dhe të mbahen ceremonitë e rastit. Kljo
është një ditë e madhe e gjithë kombit që kujton heronjtë dhe ne kështu do ta
festojmë gjithmonë. Pa heronj dhe dëshmorë nuk do të kishte liri nuk do të
kishte komb. Ata janë simboli dhe krenaria jonë. Të rënët, mbeten
simbol frymëzimi për luftëtarët e lirisë, por edhe për brezat që vijnë.