Mendime
Idriz Zeqiraj: Shantazhi dhe lakmia për pushtet, e bëri opozitën palë me Serbinë!
E enjte, 16.05.2024, 06:55 PM
SHANTAZHI DHE LAKMIA PËR PUSHTET, E BËRI OPOZITËN PALË ME SERBINË!
NGA
IDRIZ ZEQIRAJ
I.
Opozita PAN-iste, e zhytur në krime dhe hajni zyrtare, e mësuar ta sundojë
Kosovën me qeveri të arnuara konglomerate, ende nuk po arrinë të pajtohet me
qenien në opozitë. Ajo po bënë një opozitarizëm të sforcuar, me zhurmime dhe
shpifje pa mbulesë, gjë që efekti është i kundërt. Në luftën e saj, pa fije
parimësie, është bërë qesharake. Bllokadat e saj ngjasojnë shumë me ato serbe
në veriun e Mitrovicës. Bojkotojnë votimin e ligjeve, të marrëveshjeve
ndërkombëtare e kushtëzojnë me caktimin e datës të zgjedhjeve parlamentare!
Dhe, kjo pa mëdyshje është paradoksale, e turpshme dhe skajshëm kriminale e
rrugaçërore. Ja çfarë opozitarizmi bënë kjo opozitë e çakorduar, e frustruar
dhe e pashpresë rimëkëmbje!
Realisht,
lidershipi, pjesërisht i ri, i LDK-së, nismoi reformën brenda partiake, por e
mbetur në vazhdim. Megjithatë, shqetëson mënyra opozitare e LDK-së, ngjason me
atë të partive-banda të PAN-it, por dallon në qasjen pozitive, në votimin e
disa ligjeve dhe sidomos të marrëveshjeve ndërkombëtare. Ish i burgosuri
politik, njëri nga themeluesit të LDK-së, bashkëpunëtor besnik i Presidentit
Rugova, i mbijetuari nga atentatimi i SHIK-ut, ish-zëvendësministri nga radhët
e LDK-së, Adem Salihaj, i bëri thirrje lidershipit të LDK-së të mos jetë e
njëzëshme me PDK-në, përkatësisht, PAN-in në bërjen e opozitarizmit. Klanorët
nostalgjikë të ish-koalicionit Hashimi-Isa janë aktivizuar, për ta dëmtuar
LDK-në.
Vërtet,
opozita në vijimësi ka kërkuar zgjedhje të reja, duke qenë e vetëdijshme se do
t`i humbasë sërishmi ato. Dhe, kjo dëshmohet me sondazhet e bëra, dje dhe sot,
se LVV rezulton e parë në përqindje, në raport me secilën parti opozitare. Kjo
flet për hipokrizi e tymnajë të opozitës, e cila, realisht, aktualisht nuk i
dëshiron zgjedhjet, me frikën se do ta shënonin humbjen e radhës.
2.
Shtrohet pyetja logjike: Megjithë propagandën korale të opozitës destruktive
kundër LVV, opinioni vazhdon ta mbështesë pozitën aktuale, pra, Albin Kurtin
dhe qeverinë e tij. Qeveritë e shkuara, kryesisht, PAN-iste, përgjakën Kosovën,
ia shtuan jetimët vendit edhe pas çlirimit të Kosovës. Dhe, kjo është goditja
më e madhe ndaj popullit të Kosovës si dhe njollosje e UÇK-së, sepse vrasjet
politike ishin të paramenduara, të organizuara nga disa komandantë, me qëllim
të marrjes dhunshëm të pushtetit dhe të pasurimit abuziv, hajnor.
Rrjedhimisht,
kritikat ndaj qeverisjes aktuale, kërkesat për zgjedhjet e reja, nga
partitë-banda të PAN-it, janë -lehje në hënë- dhe nuk kanë peshë e besim tek
shqiptarët. Por, me propagandën e tyre -leha-qene-, janë bërë përkrahës të
Vuçiqit dhe të Serbisë. Shprehjen "Albini është fashist", Vuçiqi e
mësoi nga këta laro shqipfolës! Ky soj i opozitës janë bërë pjesë e
shantazhimeve provokuese të ndërkombëtarëve, me vënien skandaloze të
sanksioneve Kosovës, me kërkesën ngulmuese dhe të përçudshme, për të vënë pikën
7 të marrëveshjes bazike të parën, duke i tejkaluar të 6 pikat tjera rendore.
Dhe, kjo kamuflohet me tejkalimin me -MIRËBESIM-, të 6 pikave radhore, të
cilat lidhën me detyrimet e Serbisë ndaj
Kosovës!? E gjithë fjalomania e horrakëve kundra-Kosovë, me qëllimin e vetëm
për ta rimarrë pushtetin e pamerituar, na kujton atë thënien popullore:
"Për inat të simeje vjeherrë, do të flej me mullixhinë!"
Kosova
është tkurrur mjaftueshëm me humbjet e territoreve në Kosovën Lindore në
shekullin e 19-të; trevat shqiptare në Maqedoni dhe Mal të Zi në fillim të
shekullit 20-të; në Debellde dhe Çakorr në shekullin 21. Dhe, tani
ndërkombëtarët, shtetin e bërë -Republikën e Kosovës, eskluzivisht, nga vetë
ata, duan ta bosnjizojnë, duke e bërë Serbinë hisedare në Kosovë. Pavarësisht
pasojave, qeveria dhe qeveritë që mund të pasojnë, -Asociacionin njëetnik- nuk
duhet ta pranojnë, qoftë me ose pa kompetenca ekzekutive. E gjithë kjo është
peshqesh, dhuratë e komandantëve të shantazhuar me dosjet faktike të krimeve
serike, gjatë dhe pas luftës në Kosovë, me viktima. kryesisht, shqiptarë
ushtarakë dhe veprimtarë politikë!
III.
Përballja e partive opozitare me LVV është e mundimshme, sepse ajo vazhdon ta
këtë përkrahjen, pothuajse, plebishitare të qytetarëve të Kosovës. Dhe,
shpjegimi i këtij realiteti, është qartësisht i kuptueshëm. Opozita aktuale
është pjesë e fajësisë, deri në tradhti kombëtare, , që nga vrasja dhe dëbimi i
shqiptarëve nga veriu i Mitrovicës dhe mashtrimi i Hashimit dhe Kadriut se "do t`u kthejmë
së shpejti në shtëpitë tuaja", plani i Ahtisarit, 6 pikëshi i Baki Munit,
"pronat" e Manastirit të Deçanit, Asociacionit, Demarkacionit,
emërimi i agjentit Hashim Thaçi president dhe pisllëqeve tjera, të cilat
vazhdojnë të jenë "Shpatë e Demokleut" në qafën e kryeministrit Albin
Kurti, respektivisht, Kosovës.
Ndaj
partive opozitare të PAN-it rëndojnë akuza të rënda: sabotimin e fondeve për
luftën dhe vetë luftën , duke mos e futur "UÇK-në" e LPK-së në luftën
e Kosovës; vrasjet serike politike; hajnia zyrtare industriale; haraçi
galopant; përpjekja për ta përvetësuar luftën e pabërë dhe deri ke përçarja
kriminale e popullit të Kosovës! Këto parti-banda, në kushte paqeje, duhet të
fillonin rehabilitimin e tyre, duke denoncuar dhe dënuar kriminelët masiv në
radhët e tyre, ta bënin reformimin e thellë. Dhe, nëse do të hasnin në pengesa
nga bandat partiake, t`i shpallnin të paligjshme ato parti, duke krijuar parti
të reja me anëtarësinë e painkriminuar. Ndërkohë, LDK-ja ka nismuar reformat
partiake, gjë që i jep parësi në konkurrencën zgjedhore.
Realisht,
opozita nuk po dëshmon kauzë të qartë. ose po i mungon fare. Kjo ka rrënuar
ekonomikisht Kosovën. Asgjë nuk ka bërë për zhvillimin ekonomik; për sistemin
shëndetësor; arsimin - si bazë reale për ta zhvilluar shoqërinë, shtetin. Ka
rrënuar Sistemin e Drejtësisë, duke e politizuar dhe kapur nga Hashimi dhe
Ramushi, respektivisht nga PDK-ja dhe AAK-ja. Këtë e dëshmon edhe
"Vettingu" i aprovuar në Kuvend, por i bllokuar në praktikë nga banda
e PAN-it, nga frika e drejtësisë, për krimet, tashmë, të kryera!
Politikisht
ka relativizuar pavarësinë dhe sovranitetin e Republikës të Kosovës, duke e
dorëzuar veriun e Kosovës Serbisë, nën shantazhimin dhe kërcënimin me dosje
kriminale të disa komandantëve eminentë. Makro-kontrabanda e zyrtarëve dhe e
komandantëve të Kosovës, me bandat e Radoiçiqit, konsolidoi pushtetin e
"Lista Serbe" në veriun e Mitrovicës. Opozita serbe në Kosovë, akuzon
krerët e partive të PAN-it, ngaqë forcuan ekonomikisht "Listën
Serbe", përmes kontrabandës legale dhe e ndihmuan politikisht, për ta
bojkotuar e zhbërë opozitën serbe në Kosovë, krejt njësoj si Edvin Rama, i cili
eliminoi politikisht opozitën demokratike në Shqipëri, me ndihmën e
ndërkombëtarëve, të kryesuar nga ambasadorja kinezo-amerikane Kim. Për rrënimin
e opozitës serbe në Kosovë, e thonë dhe e përsërisin intelektualët veprimtarë
serbë, në mes tyre edhe gazetari i mirënjohur serb, me seli në veriun e
Mitrovicës, Mirosllav Kërstiç me shokë.
Ndërsa
pozita, e kryesuar nga Albin Kurti, e akuzuar për mosrealizimin e premtimeve,
të bëra në fushatën elektorale-zgjedhore, justifikohet me rrethanat kohore:
1)
Kohë Pandemie e përbotshme;
2)
Lufta në Ukrainë, për rrjedhojë inflacioni domëthënës në Kosovë dhe botë;
3)
Shpërndarja e 800 milionë euro, qytetarëve në nevojë - skamnorë të Kosovës,
sepse programi ekonomik dhe politik i LVV është social dhe favorizon barazinë
ndërqytetare në vend. Dhe, kjo shumë afro miliardit, nuk nuk janë as
"vitra" dhe as "sadaka", por një ndihmë domëthënëse.
Përndryshe,
po të mos ishin prioritet rrethanat e krijuara, "ne i kishim përmbushur
dhe tejkaluar premtimet e bëra fushatore", - arsyetojnë nga Vetëvendosje.
Mbi
të gjitha LVV thirret krenueshëm se ka kundërshtuar meritueshëm dialogun me
Serbinë. Marrëveshjet fatale për Kosovën, të nënshkruara nga Hashim Thaçi dhe
ekipi i tij, të bëra nën shantazh e kërcënim, me dosje e krimeve faktike, si: 6
pikëshin e Baki Munit; "pronat" për Manastirin e Deçanit;
Asociacionin; Demarkacionit; zgjedhjen e Hashimit president, dhe të tjera
prapësira, të cilat e dërguan Kosovën në prag të fundosjes.
Së
fundi, aksionet e suksesshme policore të qeverisë Kurti, për vendosjen e rendit
dhe ligjit, në veriun e Mitrovicës, dikur të dorëzuar Serbisë nga Hashimi dhe
PAN-i i tij kriminal. Ndërmarrja ligjore, për ta ushtruar sovranitetin edhe në
atë pjesë të Kosovës, duke ndaluar organizimin e zgjedhjeve të Serbisë në
Kosovë; ndalimi i targave ilegale të Serbisë në Kosovë; reciprociteti i
perdorimit të dokumenteve ndërkufitare me Serbinë; ndalimi i valutës
"dinar" në Kosovë; heqja ceremoniale e billbordeve të turpit në veri,
me surretërit kriminelë rusë e serbë, përkatësisht, të Putinit, Vuçiqit,
Gjuriqit dhe horrakëve të tjerë sllavë.
Opozita
lavdërueshëm ka pretenduar, madje vazhdon të pretendojë edhe sot, mashtrueshëm,
se ka vendosur sovranitetin në veriun e Mitrovicës dhe ka inkuadruar suksesshëm
komunitetin serb në shoqërinë kosovare. Një falsifikim i vrazhdët, që
vështirëson rikthimin e sërishëm në pushtet të opozitës. Njerëzit e shantazhuar
me dosje krimesh, janë të rrezikshëm, nëse kontrabandohen në pushtet. Dëshmi
faktike janë Hashim Thaçi me komandantët e tij PAN-istë. Kosova jonë vazhdon ta
vuajë pushtetin e tyre kriminal të djeshëm. Mjerisht!