E premte, 11.10.2024, 08:02 PM (GMT+1)

Mendime » Radovani

Fritz Radovani: Tek Sheshi 'Avni Rrustemi'

E shtune, 25.05.2024, 07:57 PM


TEK SHESHI ”AVNI RRUSTEMI”

Nga Fritz RADOVANI

Tiranë, 1998: Kujtoj si sot...

Me 6 Mars 1998, kur po kalojshe nga Sheshi Avni Rrustemi, në Tiranë, ndigjova se më thirri Tanush Mulleti. Më dha një ftesë per dekorimin “Qytetar Nderi i Tiranës së z. Osman Kazazit”. Më kerkoi me folë dishka per atë Burrë të Paharrueshem të Shqipnisë! Shkova në shtëpi dhe u përgatita, ndonse, fusha e vuejtjeve të Tij ishte shumë e pakufishme.

Osman Abdullah Kazazi ka lé në Tiranë, me daten 9 Korrik 1917 dhe ishte vllau i pesë motrave, që i shikonin sytë e ballit. Studimet e mesme Ai i vazhdoi në Shkoder në Gjimnazin “Illyricum” të Françeskanëve.

Ishte nder ma të pergatitunit e asaj shkollë dhe si i tillë, vazhdoi studimet per farmacist në Romë. Mbas tri vjetësh nderpret studimet nga rrethanat e veshtira të luftës atje dhe kthehet pranë familjes në Tiranë. Edukata e marrun nga shkolla Françeskane e Shkodres, Osmanin e rreshton me atdhetarët demokrat që kishin synime republikane, dhe deshira e Tij per një Shqipni të Lirë dhe Republikë Demokratike, e angazhon aso kohe me organizaten “Ballin Kombtar Shqiptar”.

Në perpjekjet per Liri, Osmani nuk pajtohet me veprat dhe luften civile, që aso kohe po zhvillonte partia komuniste shqiptare, nen kujdesin e jugosllavëve të ardhun me atë detyrë në Tiranë, që në formimin e saj në 1941 gjoja me Everin drejtues. Ato pikpamje Ai i shpreh haptas. Vetem per këte fakt “se nuk pajtohet me luften civile të PKSh” arrestohet me daten 14 Nandor 1944, nga forcat e sigurimit të komunistëve të Tiranës.

Osman Kazazi asht nder të parët Atdhetarë Shqiptarë që dënohet me izolim fillimisht e ma vonë, me interrnim dhe burgosje të vazhdueshme per 43 vjet rresht.

Osmani e njef mirë diktaturen barbare komuniste!

Njeriu i heshtun i burgjeve të mnershme komuniste Osman Kazazi, shikohet dhe trajtohet si nxanes besnik i njenes prej shkollave ma Atdhetare po, edhe antikomuniste, ashtusi ishte në të vertetë shkolla e Françeskanëve të Shkodres, per të cilen Osmani pa frikë deklaron në hetuesi: “Nga profesoret e asaj shkollë Etnit Anton Harapi, Çiprian Nikaj, Mati Prennushi etj., mësova me dashtë Atdheun tim.”

Nder kujtimet e Tij Osmani kujtonte me Tanushin prej kohës shkollës: ”Asht e paharrueshme nga “Lahuta e Malësisë” ajo që na recitonte At Gjergj Fishta, “dhe, si aty mësova se pse unë duhet me vdekë per Atdhé!

Ata ishin antifashistë se ishin Atdhetarë Shqiptar, dhe si veten Ata na edukuen edhe né!”

Tue fillue nga burgu i Burrelit, kampi i shfarosjes së Maliqit dhe Bedenit, e derisa asht lirue në vitin 1987, asht e vështirë me percaktue ku i kaloi jeta Osman Kazazit, po vetem një gja asht e sigurtë: “Ishte Burrë i matun dhe i pathyeshem nga vuejtja e torturat e mnershme komuniste!”

Mbasdreke u takuem me Tanushin dhe shkueme tek “Teatri i kukllave” ku ishte organizue ceremonia. Kishte shumë qytetarë të Tiranës, dhe personalitete politike t’ asaj kohë.

Më erdhi koha me u çue per me ba pershndetjen. Gati askush nuk më njihte, dhe nuk besoj se më kujtonte as vetë z. Osman, me të cilin kishe pasë vetem një takim perpara…

Fillova fjalen time: “I nderuem z. Osman Kazazi, i masakruem nga komunistët vetem pse ishe nxanës i Françeskanëve Shqiptar të Shkodres, po, edhe besnik i atyne bankave ku more nektarin e Atdhedashunisë, dhe ndjenjen e vetflijimit per Atdhé e Fé.

Sot prej zemret po Ju baj urimet e mija në gjuhën e Profesorëve të nderuem të Tuej, të cilët nuk rrnojnë asnjë, po nder 43 vjet vuejtje të Tuat që ke kalue nder burgjet e diktaturës së Ever Hoxhës, Ata ishin udhrrëfyesit Tuej që të forconin dhe të banin ma optimist per me qendrue si Burrat… Filluen duertrokitjet…Nuk kuptova pse?

Unë nuk e kishe perfundue fjalen dhe salla ishte çue në kambë !! Duertrokitjet vazhdonin…

Sesi mu dha me shikue nga drejtuesit e tubimit, dhe shoh z. Osman tue fshi lotët me një shami, kishte hjekë gjyslykët dhe vazhdonte me lotue… Nderpreva fjalen dhe iu afrova tek tavolina. U perkul dhe më perqafoi me lot per faqe: “I nderuem z. Radovani, edhe zani yt mu duk si i Atyne Burrave që më edukuene nder bankat e asaj shkollë, ku unë mësova kujt i thonë Nder, Atdhé e Zot!” I lexova edhe dy rreshtat e fundit dhe në mes turmës që vazhdonte me qendrue në kambë e tue duertrokitë shkova tek vendi. Osmani foli dhe u ndalue në një episod të trishtueshem të rinisë, Njeriu nder ato rasa nuk e sheh veten… Tanushi më tha: “Gja e veçantë!” Dhe, me të vertetë ashtu ishte.

Mbas dy ditësh i shkuem per vizitë bashkë me Tanushin në shtëpi. Një pritje e paharrueshme per mue. U ulëm në një divan, ku me siguri aty asht ulë edhe Burri i Madh i Dardanisë Rrugova. Portreti i qeshun i Osman Kazazit perballë Tij, më futi nder këta mendime. Osmani më foli gjatë per kohen e rinisë së vet në Shkoder. Osmani tregoi si e pranguen në burgun e Tiranës, me daten 19 Shkurt 1946, dhe tue shkue në WC, roja e len në korridor dhe ai hyn në një magazinë, Ky dëgjon një za: “Osman! Osman! Jam Pader Antoni!, Osman, a asht kush këtu afer?” – U pergjegja, jo Pader. Nxori një leter të vogel nga xhepi dhe më tha: “Rueje po, mos ta gjejnë kur të kontrollojnë!” E mora, e futa në gjoks, dhe eca tue e shikue mësuesin tim fort të dashtun, Pader Anton Harapin, që ishte i pranguem duer e kambë nen një shkallë, gjithë Ai Burrë, nuk dukej ma shumë se një grumbull plaçka të hudhuna në çimento, nuk kishte as shtroje as mbulojë veç një tas alumini pa ujë.

Ishte i rrethuem në hekra ku nuk mujte kurrë me u ngritë në kambë, se ishte vendi i ultë, ndersa Pader Antoni, ishte i gjatë dhe persa muej qendronte aty gjithmonë i krrusun. Të nesermen e asaj ditë At Anton Harapin e pushkatuen, ishte data 20 Shkurt 1946.”

***

Më tregoi se Osmani e kishte ruejtë letren dy vjet, po kur ka humbë shpresen se lirohet, atë leter ia kishte dhanë një kushrinit të Lef Nosit, që ishte para lirimit. I vinte keq se nuk dinte gja per fatin e asaj leter, mbasi kur asht lirue Osmani, qytetari Nosi nuk jetonte ma prej sa vitessh.

E koha e pafund e burgut vazhdonte me perpij kujtime!

Osman Kazazi ishte një galeri e pafund ngjarjesh që vetem nderpriteshin kur iu ndalonte zani. Ndoshta, gaboj, po kam bindje se vuejtjet e Tia ishin të veçanta në krejt Europen ashtu si të mësuesve të Tij Françeskanë!”

Osman Kazazi ishte dhe mbetet nder figurat e Nderueme Shqiptare!

Jam gëzue fort kur mora vesh se Osman Kazazin edhe Vatikani e kishte dekorue me Medaljen e Artë “Joannes Pavlvs PP II”. Ndoshta, per këte arsye i kanë shembë edhe shtëpinë e Tij në Tiranë, ashtusi Luigj Gurakuqit në Shkoder. E tash së fundit po mendojnë me lanë me u shembë edhe shtëpinë ku banonte, kushedi kush nga Shqiptarët!

Burra si Osman Kazazi nuk kanë nevojë per “shtëpija”!! Vetem i kujtoni!

Ata Burra se me vuejtjet, jeten dhe gjakun e Tyne, Ata kanë ndertue sa e sa Kështjella të Pamposhtuna!

Pavdeksia e Atyne Kështjellave asht vdekja e komunizmit!

Ata Kështjella të Pamposhtuna me Emnat e Tyne të Perjetshem sot janë Shqipnia Europjane!

Pikrisht Ajo Shqipni Europjane asht edhe vepra e gjithë jetës së Mikut tonë të Nderuem dhe shumë të respektuem Tanush Mulleti, i cili gjithë jeten e Tij ia kushtoi trojeve tona të Nderueme!

Kujtimet e Tanushit nuk shlyhen kurrë, se i perkasin vetem Atdheut!

I Perjetshem asht kujtimi i Tij!

Jetoi per Atdhe dhe ia fali jeten Atij!

Melbourne, 25 Maji 2024.



(Vota: 2 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora