E merkure, 04.12.2024, 07:11 PM (GMT)

Mendime

Enver Bytyçi: Patriotizmi fals i Edi Ramës!

E enjte, 30.05.2024, 06:57 PM


Patriotizmi fals i Edi Ramës! Gjermanët thonë: “Një herë tradhtar, gjithmonë tradhtar”!

Nga Prof. Dr. Enver Bytyçi

Eshtë një rast interesant studimor kjo që ndodh me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama. Ai ndryshon si era. Sapo ka udhëheq një veprimtari anti-shqiptare, ndërron taktikë dhe para mijëra shqiptarëve përulet para flamurit, bën lëvizje humanizmi me puthje për brohoruesit e adhuruesit e tij. Njësoj siç bëjnë p.sh Noizi, Albani e të tjerë këngëtarë e këngëtare që i merr me vete në skenat greke, italiane e kudo tjetër. Ia thotë mendja se bëmat harrohen para shfaqjes për imazh në përpjekje për ta fshehur “tradhtinë”! Do të më duhet që fjalën “tradhti” ta vendos në thonjëza, derisa të hapen arkivat serbe, shqiptare, greke, turke e sidomos para se të dalin raportet e shërbimeve sekrete perendimore për takimet dhe bisedat e Edi Ramës me Aleksandër Vuçiç, Sergei Lavrov, Dritan Abazoviç, Zoran Zaev, Aleksandër Soros, Rexhep Tayp Erdogan, McGonigal e shumë të tjerë si këta. Në mos brezi im, ata që vijnë pas nesh do ta kenë rastin të mësojnë të vërtetat që sot fshihen në skuta.

Në jetën njerëzore raste të tilla shpjegohen me sindroma të caktuara, kryesisht nga ato që ka ka trajtuar Frojdi dhe Jungu në gjysmën e parë të shekullit të kaluar. Kapërcimi nga një gjendje ekstreme në gjendjen tjetër ekstreme është karakteristikë e njerëzve të pa qëndrueshëm, të cilëve “nuk u duhet e as duan t’ia dinë se çfarë thonë e çfarë bëjnë vetë”! Por në politikë ndodhin jo pak eksperimente si ky që bëhet me kryeministrin tonë e me vetë Shqipërinë. Eshtë një sjellje kryekëput në raport me egon e Edi Ramës dhe jo me vetë personin e tij. Egoja e Edi Ramës është ajo që përdoret nga tutorët e këtij eksperimenti alla shqiptar, ku bëjnë fuzion shteti, mafia, krimi i organizuar, pra të gjithë të korruptuarit vendas e ndërkombëtar. Shiheni në veprimet e tij! Kur ia do interesi nxjerr gishtin e mesit! Kur beson se të ka nën këmbë dhe është në mbrojtjen e bodigardëve, bën imitime fyese. Kur ia hedh shishen e bojës në surrat, bën viktimën! Kur dëshiron t’i mashtrojë njerëzit, organizon tallava ose i puth në ballë! Vetëm fëmijët nuk i gënjen dot. Ata i tremb me energjinë e tij negative!

Me që ra fjala po marrim shembull një fëmijë, të cilit dikush më i madh në moshë ia marr lodrën që ka pranë. Ska rëndësi se çfarë lodre është ajo, dru, pastikë, gur, teneqe, fëmija do të reagojë fort, do të bërtasë, do të qajë dhe me ngulm do të kërkojë t’ia kthejnë lodrën e grabitur. Ndodh kjo, sepse fëmija e konsideron lodrën si pronën e tij. “Eshtë imja, thotë”! Në rolin e një fëmije të tillë duket se është vënë dhe kryeministri i Shqipërisë. “Unë jam i plotfuqishëm, thotë ai. Kam mbështetjen e të gjithë mafies ndërkombëtare. Pse të lejoj e të ndaj pasurinë e Shqipërisë me njerëz që nuk më shërbejnë mua?!” Dhe ja ku lindin “investitorët stregjikë”, PPP-të, llokmat për kreun e Guardia di Financa, për kryeministren Meloni ose për dhëndërrin e Donald Trump, 16 shkresat e në vendim qeverie të firmosura brenda një dite për inceneratorët. Çfarë nuk është eksperimentuar në këto 11 vite për të vënë në provë egon e Edi Ramës.

Në fakt ky është një proces emotiv dhe praktik i përhershëm, objektiv. Njeriu kur rritet, në proporcion me forcën fizike ose me pushtetin politik ose ekonomiko-financiar e dëshmon veten arrogant në raport me atë që e quan të tijën. Dikush konsideron si të veten psurinë, edhe pse e di se kjo pasuri nuk e shoqëron në botën tjetër. Edi Rama konsideron si pasuri të tij pushtetin dhe ndjek filozofinë, sipas të cilës, pushteti fitohet me para dhe mbahet me para. Kësisoj paraja është garancia më e madhe e plotësimit të ambicjeve të tij egoiste. Pastaj ndryshon sërishmi sjellje e del në ndonjë skenë apo në twiter e shkruan: “Asnjë qindarkë të dikujt tjetër nuk e kam në xhepin tim”! Madje aktron në interpretim aq mirë sa bëhet “i besueshëm dhe i dashur”, njësoj si personazhet negative që luajnë me virtuozitet në filma.

Pushteti në duart e Edi Ramës është mjeti që shpreh egoizmin, atë që quhet imja, uni dhe aspak jona, aq më pak e atyre. Raporti pushtet - ego e kryeministrit shqiptar është raport i përhershëm, i pashkëputur dhe i ngjizur fort. Në 24 orë ai nuk pushon asnjë minutë të kënaqë ambicien e tij, krenarinë e tij, të plotësojë veten në imazh, dhe pikërisht në këtë gjendje të dehur harron se ku jeton. Të qenit “madhështor” në krah të më të mëdhenjve të botës është halli më i madh i tij, ndërkohë që udhëheqësit në shërbim të popullit të tyre e jo të egos së vet, i nxjerrin në plan të dytë këto ambicie. Kjo cilësi është e të gjithë njerëzve që nuk e plotësojnë veten me rezultate në fushën e vet. Edi Rama sportist mbeti i paplotësuar “me lavdi” si i tillë! Edi Rama piktor, sërishmi mbeti rob i skicave zhgarravina dhe i paplotësuar në famë! I betej vetëm posti i kryebashkiakut dhe ai i kryeministrit të Shqipërisë që ta plotësonte egon e vet.

Si kryebashkiak i Tiranës bëri përpjekjet e para në këtë fushë. Si kryeministër u bë rasti specifik i përpjekjeve të mahnitshme për lavdi, supremaci, prestigj, e madhështi. Hamurabi, faraonët e deri diku shumë perandorë romakë të antikitetit dhe mesjetës u rrekën të shpallen njëherësh si të dërguar të Zotit në tokë, si udhëheqës ushtarakë dhe si komandantë ushtarakë. Të tri këto dimensione i synoi fort Edi Rama në këto 11 vite të sundimit të tij në Shqipëri e mbi shqiptarët. Për këtë arsye e ndërtoi marrëdhënien me Shqipërisë jo përmes personit Edi Rama, por përmes shfaqjes së egos së Edi Ramës.

Të marrim vetëm një shembull: Në manifestimin e Athinës dhe atë të Milanos të dielën e kaluar kryeministri i Shqipërisë para mijëra manifestuesve u shfaq si “njeriu i brengosur” për vuajtjet e emigrantëve shqiptarë në Greqi në kohët e shkuara! Çfarë nuk tha dhe atakoi shumë pa takt politikat e Greqisë për asimilimin e shqiptarëve, duke i detyruar që të ndërronin edhe emrat. Për një qytetar të thjeshtë kjo qasje ngjit, madje fort. Sepse është kryeministri i Shqipërisë që “po mbron me vendosmëri” të drejtën dhe dinjitetin e shqiptarëve. Eshtë kjo një shfaqje në fakt që ka në sfond tërheqjen e simpatisë në kufijtë e faraonëve. Të një simpatie ose empatie që e sheh Edi Ramën “si të dërguarin e Perendisë për të përfaqësuar shqiptarët kudo që janë”!

Por ç’na thotë e kaluara jo e largët? Kjo e kaluar është dëshmi e pazareve të kryeministrit të Shqipërisë për t’i fal Serbisë territoret më të pasura të Kosovës. Por le të qëndrojmë vetëm te “vajtimi” i tij në Athinë e në Milano për fatin e emigrantëve në Greqi. Shqiptarët në Greqi kaluan shumë vështirësi, por sot ata i janë sërishmi mirënjohës Greqisë dhe i kanë lënë pas vuajtjet e fillimit. Ndërsa shqiptarët në Kosovë ende nuk kanë varr për njerëzit e tyre të dashur të masakruar nga Serbia fashiste e Milosheviçit dhe e Vuçiq-it. Mbi 14 mijë prej tyre, ndër ta 1432 fëmijë, janë shkuar në plumba e bajoneta nga ushtria dhe policia serbe, sipas një projekti të shtetit, kishës e akademisë serbe të shkencave.

Po e dini se çfarë thotë për këto viktima Edi Rama? – Ç’është kjo që t’i kërkohet Serbisë të ndjehet fajtore për vrasjet dhe genocidin serb në Kosovë?! Ajo ishte një “rrëmujë ballkanike”! -  Nëse Serbia do të duhet të kërkojë ndjesë, këtë duhet ta bëjë në fund të procesit të dialogut me Kosovën! Ndërsa këshilltari kryesor i tij, ai që e ndjek Edi Ramën nga pas në zyrën e kryeministrit prej ditës së parë të tij në detyrë, pra Baton Haxhiu, me gojë e me gjeste thotë se “Çka na duhet të kërkojmë që të dënohen krimet e Serbisë në Kosovë tash pas më shumë se 20 vjetësh?!”

Ose je, ose nuk je human! Ose je ose nuk je atdhetar e patriot! Ose je, ose nuk je i drejtë! Edi Rama në raste ekstreme e për nevojat e egos së pushtetit të tij, nuk pranon krimet e genocidin serb në Kosovë, por çirret me të madhe pse një numër qoftë i madh shqiptarësh janë detyruar të ndryshojnë emrat në Greqi. A thua se ata shqiptarët e Kosovës janë të një grupi etnik të vendosur diku afër Nepalit në Himalaja!

E prej këtej, për ta ndihëmuar Serbinë edhe në ditën më të zezë për të, sapo ndodhi akti terrorist i Banjskës më 24 shtatot 2023, Edi Rama do të deklarohej se “Veriu i Kosovës është tokë e askujt”! Pra sërishmi pas atij akti të mikut të tij president i Serbisë do të predikonte sovranitet të dyfishtë serbo-kosovar në komunat e veriut të vendit. Pse? Sepse nuk heq dorë nga ndarja e Kosovës, gjithnjë në marrëveshje me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Dhe për ta justifikuar ndarjen, mohon genocidin serb kundër shqiptarëve. Madje nuk pranon as ta miratojë projekt-rezolutën e opozitës në parlamentin e Shqipërisë.

Por le të marrim dhe një aspket tjetër të egomanisë së kryeministrit në gjurmët e faraonëve të lashtësisë. Gjithkujt na kujtohet kur kryeministri nxori tanket në rrugët e Tiranës si alarm për Civid-19. Një akt i paprecedentë për gjithë botën. Njëkohësisht i panevojshëm dhe absurd. Ata që besojnë se ky urdhër u dha prej Edi Ramës për shkak të përballimit të situatës janë të gabuar. Tanket nuk luajnë asnjë rol me një armik imagjinar si pandemia. Atëherë pse ndodhi kjo? Sepse Edi Ramës i duhej një armik i sajuar për t’u shfaqur i fuqishëm. Tanket janë simboli i forcës. Kryeministri donte të tregonte se është edhe “komandant ushtarak i zoti”!

Prandaj i nxori tanket në rrugë. Të bëjë presion te qytetarët e që ata që ekzaltoheshin prej kësaj “force” e t’i besonin egos për madhështi të kryeministrit! Prej asaj kohe servilët e tij e thërrasin “Komandant”!

Dhe së fundmi, nga pikëpamja politike. Në mungesë të rezultateve në qeverisje. Në kushtet kur krimi i organizuar, mafia dhe shteti i korruptuar i lidhur me to, bëjnë namin. Në rrethanat kur Shqipëria po shpopullohet me shpejtësi. Kur asgjë nuk funksionon. Kur ka degraduar arsimi e shëndetësia si dhe sektorë të tjerë jetikë të shtetit e të vendit. Në këto kushte Edi Rama ka zgjedh të paguajë për ta paraqit Shqipërinë dhe bukuritë e saj në mediet ndëerkombëtare. Nëse i ndiqni me kujdes e vëmendje lajmet për Shqipërinë turistike, ose atë që ai po e quan “Krenarë për Shqipërinë”, duket qartë asocimi i Edi Ramës me bukuritë mahnitëse të vendit tonë. Pra ai po tenton të injektojë te njerëzit përzeptimin se “është Edi Rama, ai që e bëri Shqipërinë “përrallore” në pasuritë e saj”, “se alpet e Shqipërisë, riviera shqiptare, fushat, kodrat, malet e bukura, liqenet e lumenjtë e Shqipërisë janë produkt i “gjenielitetit” të Edi Ramës”. Pra se ai, si me magji, krijoi Himarën, Vlorën, Syrin e Kaltër, Valbonën, Thethin e kështu me radhë.

Dhe e gjitha ndodh për shkak se në këto 11 vite Edi Rama nuk ka asnjë lidhje me Shqipërinë. Me Shqipërinë ka lidhje vetëm egoja e tij, pushteti i tij absolut, arroganca e tij, ushtrimi i forcës kriminale, deri në eleminimin e kundërshtarëve politikë. Për Edi Ramën nuk ka më rëndësi, nëse shqiptarët ikin apo qëndrojnë në Shqipëri. Nëse shqiptarët jetojnë në liri e në mirëqenie ose jo. Nëse ata arsimohen në një sistem arsimor cilësor e të garantuar. Nëse kemi ose jo shëndetësi për qytetarët dhe në shërbim të tyre. Për Edi Ramën ka rëndësi vetëm nëse atij i thurin lavde ose jo. Nëse e presin me flamuj e banderola ose jo. Nëse mobilizohen rreth tij të gjitha qelbësirat që e sollën dhe e mbajnë në pushtet. Për kryeministrin e Shqipërisë ka peshë vetëm aktiviteti kriminal i ndërthur në segmentet e përbashkëta, qeveri-mafie, krim i organizuar-oligarki e përbërë prej ministrave e kryeministrit, sipërmarrësve të fuqishëm e strategjikë, të cilët kanë liçensë trafikimi të drogës dhe vrasjeve, pronarëve të medieve të korruptuara me para inceneratorësh etj.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora