E marte, 23.04.2024, 11:37 AM (GMT+1)

Mendime » Fetahu

Adil Fetahu: Në të drejtën ndërkombëtare nuk ekziston as baza, as koncepti, as shprehja për tërheqjen e njohjes së shteteve

E hene, 10.10.2022, 08:00 PM


A n a l i z ë

NË TË DREJTËN NDËRKOMBËTARE NUK EKZISTON   AS BAZA, AS KONCEPTI, AS SHPREHJA PËR TËRHEQJEN E NJOHJES SË SHTETEVE

Shkruan: Adil FETAHU

Nocioni shtet sipas të drejtës ndërkombëtare

Nga pikëpamja e të drejtës ndërkombëtare, sheti është bashkësi politike e njerëzve, e organizuar në një territor të caktuar nën pushtetin sovran (suprema potestas), i aftë dhe i pranuar për të hy në marrëdhënie të dyanshme apo të shumanshme me entitetet (shtetet) e tjera që kanë zotësi juridike ndërkombëtare. Shteti është edhe aparat i dhunës që disponon mekanizma për të garantuar sigurinë e bashkësisë politike dhe të pjesëtarëve të saj. Elementet përbërëse të shtetit janë: qytetarët (shtetasit) e përhershëm, territori i caktuar dhe pushteti sovran i pavarur nga ndonjë shtet i jashtëm. Shteti mundet vullnetarisht disa aspekte të pushtetit të vet t’ia bartë një shteti tjetër apo një organizate të shteteve.

Nga pikëpamja e rregullimit politik, shteti mund  të jet i veçant (unitar) ose i përbërë (federal), ndërsa nga pikëpamja e sundimit mund të jetë monarki ose republikë, kurse nga pikëpamja e regjimit mund të jet shtet demokratik ose autokratik.

Formimi i shtetit

Shteti formohet kur një territor i caktuar e shpallë pavarësinë, në pajtim me parimin e përgjithshëm të së drejtës për vetëvendosje. Formimi i shtetit në këtë mënyrë hasë në problemin e parimit  kundër cënimit të kufijve të shtetit prej të cilit ndahet shteti i ri i formuar. Megjithatë, parimi i të drejtës së vetëvendosjes së popujve është me përparësi kundër cënimit të kufijve të shtetit. Kjo për shkak se moscënimi i kufijve të shtetit ka të bëjë kryesisht nga shtete të jashtme, me luftën agresive të shtetit kundër shtetit, e jo me vullnetin e popullit të brendshëm, e që ai vullnet rrallë herë mund të arrihet pa luftë të brendshme, pa kryengritje, që shpeshherë shndërrohet në luftë qytetare (Eritrea, Sudani Jugor, Timori Lindor). Shteti mund të formohet edhe me luftë ndërshtetërore, si rasti i Qipros së Veriut, që u bë me luftën midis Turqisë e Greqisë. Ai shtet ekziston qe 50 vjet, pavarësisht se e ka njohur vetëm Turqia dhe Pakistani. Formimi i shteteve nga shkatërrimi i RSFJ-së është specific, për faktin se për krijimin e tyre janë zhvilluar  luftëra të brendshme dhe kishte edhe intervenime të jashtme (Bosne-Hercegovina, Kosova).

Shteti i ri mund të formohet edhe me marrëveshje paqësore, siç ishte rasti i Çekosllovakisë dhe i BRSS-së.

Thuhet se shtetet zhdukin dhe formojnë shtete. Zhdukja e shtetit, apo e një pjese të shtetit bëhet me luftë okupuese dhe me aneksimin e shtetit apo të pjesës së okupuar (aneksimi i Austrisë shtetit të Gjermnisë në vitin 1938, apo aneksimi i Letonisë, Lituanisë dhe Estonisë BRSS në vitin 1939, dhe rasti më i ri: okupimi dhe aneksimi i Krimesë  (2014) e të rajoneve tjera të Ukrainës (2022) nga Rusia agresive.

Shteti i Kosovës – “sui generis”

Formimi i shtetit të Kosovës është rast i veçantë,  unikat dhe  i pashembëllt në botë, sepse në momentin e shpalljes së pavarësisë Kosova ishte nën administrimin e përkohshëm  të Kombeve të Bashkuara, në bazë të Rezolutës së Këshillit të Sigurimit 1244/99, që ishte akt juridik ndërkombëtar. Rezoluta nuk e ka përcaktuar statusin  as nuk ka caktuar kurrëfar afati, kushte as kufizime për arritjen e statusit përfundimtar të Kosovës. Esenca e administrimit të përkohshëm (faktori ushtarak dhe faktori civil) ishte ruajtja e paqes dhe përgatitja e organeve vetëqeverisëse të Kosovës në parime të së drejtës ndërkombëtare. Kjo u bë, krahas me Rezolutën 1244 edhe me Kornizën Kushtetuese të Kosovës (2001), që gjithashtu është akt i të drejtës ndërkombëtare, pasiqë e ka miratuar organi i KB.

Në pikëpamje të statusit përfundimtar të Kosovës, Rezoluta 1244, në disa vende i referohet Marrëveshjes së Rambujesë, në të cilën ishte përcaktuar se pas tri vjetëve, do të organizohet referendumi i popullit të Kosovës për të përcaktuar statusin e vet politik. Populli i Kosovës e kishte mbajtur referendumin në vitin 1991, me të cilin e kishte shpallur Kosovën shtet të pavarur e sovran, por që ishte i okupuar nga Serbia, dhe në ato kushte Kosova nuk e kishte elementin e tretë të shtetësisë – pushtetin e vet suprem, por atë pushtet e ushtronte me dhunë Serbia.

Pas çlirimit të Kosovës, me luftën çlirimtare të UÇK-së, me pjesëmarrjen dhe ndihmën vendimtare të NATO-s,  bashkësia ndërkombëtare, në koordinim me KB, bënë përpjekje për të arritur marrëveshje në mënyrë paqsësore për statusin përfundimtar të Kosovës, por për shkak të kryeneqësisë së udhëheqjes së Serbisë nuk u arrit marrëveshje.

Për të zgjidhur problemin e statusit të Kosovës, sekretari i përgjithshëm i KB, Ban Ki Mun, e caktoi emisarin e tij  special, Marti Ahtisarin, të hartojë një raport dhe t’ia paraqet atij, me propozim se si e mendon zgjidhjen e statusit të Kosovës. Pas shumë bisedimeve e konsultimeve, Ahtisari e përgatiti dhe ia dorëzoi raportin e tij, me propozim që Kosovës t’i njihet pavarësi e mbikqyrur . Sekretari i përgjithshëm i KB, në marrëveshje me Këshillin e Sigurimit, e miratoi raportin e Ahtisarit. Në pajtim me Raportin e Ahtisarit, me Marrëveshjen e Rambujesë, me Rezolutën 1244/99 të Këshillit të Sigurimit, dhe me parimet, normat dhe obligimet nga Korniza Kushtetuese (të gjitha këto akte të së drejtës ndërkombëtare, sepse tri fundit ishin akte të KB), përfaqësuesit e zgjedhur në mënyrë demokratike nën mbikqyrjen e Administratës së Kombeve të Bashkuar, më17.02.2008,  e shpallën vullnetin e popullit për Kosovën shtet sovran dhe i pavarur. Me shpalljen e pavarësisë u pajtuan Kombet e Bashkuara, pëmes përfaqësuesit të vet që ishte udhëqës-shef i Administratës së Përkohshme të KB në Kosovë, dhe nuk e kundërshtoi as Këshilli i Sigurimit, që ishte autor i Rezolutës 1244.

Me insistimin e Serbisë, Kombet e Bashkuara i dërgun  kërkesë organit më të lartë të drejtësisë botërore,  Gjykatës  Ndërkombëtare të Drejtësisë, që të jep mendimin këshillues, nëse Deklarata për shpalljen e pavarësisë së Kosovës e ka shkelur, ose jo, të drejtën ndërkombëtare. Ajo Gjykatë dha Mendimin e vet, se Deklarata mbi pavarësinë, e miratuar më 17 shkurt 2008, nuk e ka shkelë të drejtën e përgjithshme ndërkombëtare, Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit, as Kornizën Kushtetuese, rrjedhimisht Deklarata e pavarësisë nuk ka shkelë asnjë parim të zbatueshëm të së drejtës ndërkombëtare.

Prandaj, çdo  kundërshtim apo kontestim, i kujtdoqoftë, i aktit (Deklaratës) mbi shpalljen e pavarësisë së Kosovës, është krejtësisht i pabazë. Sidomos ata që thirren në të drejtën e përgjiithshme ndërkombëtare, derisa vet Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë  ka vërtetuar se nuk ka pasur shkelje të së drejtës ndërkomb[tare.

Edhe diçka për Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit. Udhëheqjësia e Serbisë, e sidomos kryetari i saj, Aleksandar Vuçiq, çdoherë thirret në atë Rezolutë, kinse ajo i garanton sovranitetin dhe integritetin territorial të Serbisë. Kjo nuk është e vërtetë, sepse Rezoluta 1244 nuk ka të bëjë vetëm me Serbinë, por në rend të parë ka të bëjë me shtetin e atëherëshëm të quajtur Republika Federale e Jugosllavisë (Serbi dhe Mali Zi, i cili nuk ka ekzistuar në kohën kur Kosova ka shpallë pavarësinë) dhe me të gjitha shtetet fqinje rreth Kosovës: Serbinë,  Maqedoninë,   Malin e Zi, madje edhe me Shqipërinë, duke qenë kundër pretendimeve territoriale të shteteve fqinje të Kosovës, por edhe të Kosovës ndaj shteteve fqinje.  Parimi i integritetit territorial i përcaktuar në Rezolutë, e pastaj edhe në Raportin dhe propozimin e Ahtisarit, ka të bëjë me  mosndryshimin e kufijve ekzistues në rajon. Bile, është edhe kundër bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, gjë që këtë parim e përmban edhe Kushtetuta aktuale e Kosovës, pasi është dashur të jetë në harmoni me Dokumetin e Ahtisarit.

Prandaj, duke pasur parasysh specifikat e formimit të shtetit të Kosovës, del se shteti i Kosovës është “sui generis”, është rast unikat, i cili nuk mund t’i shërbejë si precedent, madje është antiprecedent, që të mund t’i shërbejë dikujt, siç po pretendon Putini me rajonet e okupuara të Ukrainës.

Njohja e shtetit

Koncepti i njohjes së shtetit ka karakter politik me efekte juridike. Në të drejtën ndërkombëtare janë dy lloje njohjeje: 1) njohja e shtetit, dhe 2) njohja e qeverisë. Dallimi konsiston kur shteti njihet, por qeveria e atij shteti nuk njihet si qeveri legjitimit (si në raste të huntave ushtarake). . Mosnjohja e qeverisë nuk nënkupton mosnjohjen e shtetit.

Janë dy teori themelore sa i përket natyrës juridike të njohjes së shteteve. Njena quhet teori konstituive, tjetra teori deklarative. Teoria konstitutive merr parasysh elementet e përmendura më lartë që përbëjnë shtetin: territori, popullsia e përhershme në territorin e caktuar, dhe pushteti sovran, por sipas asaj teorie, nuk mjaftojnë vetëm këto tri elemente, veçse për të pasur subjektivitetin (personin) juridik të shtetit, për të realizuar të drejta dhe detyrime me shtetësi të plotë  në marrëdhëniet ndërkombëtare,  krahas elementeve të përmendura shteti duhet të jetë edhe i pranuar (i njohur nga shtete tjera). Njohja është çështje e diskrecionit politik të shtetit që jep njohjen. Kësaj teorie mund t’i bëhet vërejtje, se shteti i formuar, edhe pa u njohur nga shtetet tjera, nuk qëndron  pezull në ndonjë vakum juridik , por edhe ai është i detyruar t’iu përmbahet rregullave të së drejtës ndërkombëtare, psh. mospërdorimit të forcës dhe mossulmimit  kundër shtetit tjetër.

Nga ana tjetër, sipas teorisë  deklarative, që është dominuese në marrëdhëniet ndërkombëtare bashkëkohore,  njohja e shtetit është konfirmim ose konstatim i formimit të një shteti të ri, në pajtim me kushtet të cilat i ka përcaktuar e drejta ndërkombëtare, dmth. që ka tri elementet kryesore të shtetit, të përmendura më sipër. Sipas kësaj teorie, edhe pa marrje të njohjes shteti ekziston  me atributet e shtetit si subjekt i të drejtës ndërkombëtare, pa marrë parasyshë vullnetin apo veprimet e shteteve tjera. Sipas kësaj teorie, akti i njohjes vetëm e deklaron (konfirmon) faktin e ekzistimit të shtetit, e nuk e konstituon subjektivitetin juridik të shetit, sepse konsideron se ai subjektivitet është i konstituar.

Është edhe një teori e ndërmjeme, si teori shkencore, e cila i kombinon pikëpamjet e dy teorive të para, duke marrë parasysh gjendjen reale në praktikë. Kjo teori, shkencore, konsideron se shteti i cili i disponon atributet konstituive të shtetit, duhet të njihet nga shtetet e tjera, sepse nuk ka arsye të mos njihet.

Gjatë shpërbërjes së BRSS dhe të RSFJ, në të drejtën ndërkombëtare të Europës u përcaktuan disa kushte për njohjen e shteteve të reja:  demokratizimi i shoqërisë dhe respektimi i të drejtave të njeriut dhe të minoriteteve  brenda shteteve të reja të formuara, që të obligohen dhe të përcaktojnë në kushtetutat e tyre se nuk kanë pretendime territoriale ndaj shteteve fqinje (Komisioni i Badinterit). Bile,  me imponimin e Greqisë, Maqedonisë iu shtrua edhe një kusht i veçantë, që ta ndërrojë emrin nga Maqedonia, në Maqedonia e Veriut, gjoja që të heqë pretendimet ndaj Maqedonisë së Epirit. Por këto kritere nuk janë bërë zakon i përgjithshëm i të  drejtës ndërkombëtare dhe nuk i obligojnë shtetet e tjera, të cilat nuk janë (as do të bëhen) anëtare të Bashkimit Europian. Sidoqoftë, e drejta ndërkombëtare po iu lejon akterëve të jashtëm që të imponojnë plotësim të kushteve  paraprake shteteve të cilat kërkojnë njohje. Rasti më i ri është kushti i Izraelit për njohjen e Kosovës, që Kosova ambasadën e vet ta instalojë në Jerusalem. Po edhe në aktin final të Kongresit të Bërlinit (13 korrik 1878), Serbia dhe Mali Zi janë njohur si shtete të pavarura, me kusht që të garantojnë të drejta të barabarta civile dhe politike për të gjithë qytetarët, pa marrë parasysh besimin dhe religjionin e tyre. E dihet se as Serbia as Mali Zi nuk e kanë plotësuar kushtin e garantimit të të drejtave të përmendura, por njohja që u është dhënë më 1878, nuk është tërhequr, sepse tërheqjen e njohjes de iure nuk e parasheh e drejta ndërkmbëtare.

Njohja e shtetit konsiderohet si “mjet’ politik me efekte juridike. Efektet juridike të njohjës së shtetit shtrihen në marrëdhëniet ndërkombëtare, por edhe në planin e brendshëm. Në planin ndërkombëtar me njohjen e fituar shteti i ri merr të gjitha të drejtat dhe obligimet ndaj të drejtës ndërkombëtare. Kjo nuk nënkupton se të gjitha shtetet që e kanë njohur, do të krijojnë marrëdhënie diplomatike me shtetin e njohur. As shkëputja e marrëdhënieve diplomatike nuk do të thotë tërheqje e njohjes.

Llojet e njohjeve të shteteve të reja

E drejta ndërkombëtare njeh dy lloje njohjesh të shteteve të reja:

-njohja de facto, dhe

-njohja de iure.

Njohja mund të bëhet shprehimisht ose në mënyrë të heshtur. Njohja e bërë shprehimisht nënkupton njohjen në mënyrë formale, duke publikuar njohjen, me deklaratën e shefit të shtetit  apo shefit të diplomacisë që bënë njohjen, me notë diplomatike, apo përmes ndonjë marrëveshe (kontrate) shumëpalëshe të disa shteteve. Njohje e heshtur konsiderohet çdo akt normativ-juridik apo kontratë bilaterale me të cilën rregullohen marrëdhënie me shtetin e ri, poqese në marrëveshje (kontratë) nuk është vënë rezerva, me të cilën tregohet se marrëdhëniet e krijuara me kontratë nuk prejudikojnë njohjen e heshtur të pavarsisë. Këso rezerve në praktikë kanë vënë shtetet arabe ndaj Izraelit.

Njohja de facto nuk është njohje e plotë dhe definitive, por është e pjesëshme dhe (mund të jetë) e përkohëshme. Njohja de facto ka karakter të përkohëshëm (provizor) dhe mund të revokohet në çdo kohë, ndonëse kjo rrallë herë ndodhë, veçse shërben si një hap drejt njohjes de iure. Sidoqoftë, njohja de facto nënkupton një shkallë të lartë të pranimit politik të shtetit të ri me efekte juridike: lidhja e kontratave dhe marrëveshjeve të ndryshme nga fusha ekonomike, kulturore, njohja e pasaportave, e diplomave, çertifikatave,   lidhja e raporteve të caktuara (zyrat ndërlidhëse) sipas interesave politike pragmatike midis dy shteteve. Njohja de facto nuk nënkupton lidhjen e marrëdhënieve diplomatike. Njohje të tillë de facto ndaj Kosovës kanë edhe disa shtete të BE-së të cilat Kosovën nuk e kanë njohur de iure, si psh.Greqia, që ka zyrën ndërlidhëse në Kosovë dhe i pranon pqsaportet e shtetit të Kosovës, Spanja, Çekosllovakia etj, të cilat i pranojnë pasaportat e Kosovës dhe zhvillojnë gara sportive me ekipet e Kosovës në kuadër orgnizatave sportive ndërkombëtare.

Për dallim nga njohja de facto, njohja de iure është njohje e plotë dhe e parevokueshme. Kjo përfshinë edhe krijimin e lidhjeve diplomatike me shtetin e ri, ndonëse lidhja diplomatike nuk është as kusht as e domosdoshmëri.

Dallimi midis këtyre dy lloje njohjesh konsiston në efektet juridike, në të drejtat dhe obligimet e shtetit të njohur në raport me shtetet e tjera të veçanta dhe në raport me të drejtën ndërkombëtare në përgjithësi.

Njohja e shtetit mund të jetë individuale ose kolektive.  Në shumicën e rateve njohja bëhet në mënyrë individuale: shteti ndaj shetit. Por ka edhe shumë raste kur njohja bëhet në mënyrë kolektive, nga ndonjë organizatë ndërkombëtare e shteteve, qoftë vetëm si njohje, qoftë me pranimin e shtetit të ri në organizatën ndërkombëtare. Pranimi i shtetit në OKB është njohje kolektive e anëtareve të KB,përveç atyre që e kundërshtojnë praniin dhe kanë qëndrim shprimor kundër njohjes.

Në të drejtën ndërkombëtare nuk parashihet as përmendet tërheqja e njohjes

Nuk ka asnjë bazë,  asnjë kriter dhe asnjë rregull juridik që lejon tërheqjen e njohjes de iure, siç po vringëllojnë  zyrtarët e Serbisë me do tërheqje të njohjeve (çnjohje) të shtetit të Kosovës nga disa “banana republika” të Afrikës dhe Amerikës Latine. Tërheqja e njohjes së shtetit nuk përmendet askund si shprehje në të drejtën ndërkombëtare. Kjo është edhe për shkak se tërheqja e njohjes nuk e ndryshon asgjë gjendjen faktike as statusin juridik  të shtetit kundër të cilit është tërhequr njohja. Nëse vërtetë ato shtete njëherë e kanë njohur Kosovën, e pastaj sipas propagandës, gënjeshtrave apo premtimeve të diplomacisë së Serbisë e kanë tërhequr njohjen, tregojnë për joseriozitetin e tyre si shtete, të cilat nuk e njohin as e respektojnë të drejtën ndërkombëtare. Diplomacia e Kosovës është dashur të reagojë e të kërkojë sqarime nga ato shtete të cilat e kanë tërhequr njohjen, pa pasur asnjë bazë në të drejtën ndërkombëtare dhe asnjë arsye nga shteti i Kosovës. Propaganda serbe i ka bindë ato se shpallja e “njëanshme” e pavarësisë së Kosovës është bërë në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, gjë që nuk është e vërtetë. Sepse shpallja e pavarësisë nuk ka qenë e njëanshme, por është bërë në  bazë të raportit të emisarit të Kombeve të Bashkuara (Marti Ahtisari), të pranuar nga KB,  ndërsa Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka vërtetuar se me aktin e shpalljes së pavarësisë, nuk është shkelur e drejta ndërkombëtare as Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit, as Korniza Kushtetuese e Kosovës, që të dyja si akte ndërkombëtare, dhe nuk është shkalur asnjë parim i zbatueshëm i të drejtës ndërkombëtare.

Kosova duhet ta dinamizojë aktivitetin diplomatik për njohje të reja

Sipas raporteve të publikuara nga Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës, deri tash pavarësinë e Kosovës e kanë njohur 117 shtete, të mëdha e të vogla. Tri prej  tyre janë anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit. Njohja e fundit e Kosovës ka ardhur nga Izraeli, si pjesë e Marrëveshjes së Vashingtonit, të 4 shtatorit 2020, kur edhe u caktua moratoriumi njëvjeçar i fushatës së Kosovës për njohje ose për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare,  si dhe i fushatës së Serbisë për tërheqjen e njohjeve të Kosovës.

Sipas propagandës së qeverisë dhe të mediave serbe, 18 shtete e kanë tërhequr njohjen e Kosovës, dhe për këtë lavdërohet ish-ministri i jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, i cili ka thënë se të gjitha këto “çnjohje”, dhe vet futja e shprehjes “çnjohje” në të drejtën ndërkombëtare,  janë meritë dhe rezultat i punës së tij. Nuk ka dyshim se në fushatën e tërheqjes së njohjeve ka qenë e involvuar edhe Rusia në krah të Serbisë. Kurse Serbia me gënjeshtra, mashtrime, propagandë, premtime, dhurata, heqje të vizave, ndihma në bujqësi, dhurata të armëve, i ka mashtruar qeveritë e shteteve të brishta e jostabile të Afrikës dhe Amerikës Latine për të tërhequr njohjen e pavarsësisë së Kosovës. Ministri i jashtëm i Serbisë, Nikolla Sellakoviq, dhe kryetari Aleksandar Vuçiq, thonë se i kanë  në dorë edhe 4, respektivisht 7, e së fundi 8 nota të shteteve të cilat e kanë tërhequr njohjen e Kosovës, por emrat e atyre shteteve nuk do i publikojnë nga frika se iu bëhet presion nga Amerik?

Sido që të jetë numri i tërheqjes së njohjeve, që siç e përmendëm më sipër, nuk ka asnjë bazë në të drejtën ndërkombëtare, tash është koha më e volitshme për diplomacinë e Kosovës  të tregohet pragmatike, vizionare dhe  ta dinamizojë aktivitetin e vet për të kërkuar njohje të reja. Tash  Rusia është shumë e zënë me agresionin e saj në Ukrainë, dhe ka humbur prestigjin e saj edhe te ato shtete ku ka pasur ndikim, po edhe Serbia  është njollosur dhe diskredituar si vendi i vetëm në Europë që është përkrahëse dhe aleate e ngushtë e Rusisë. Politika e jashtme e Kosovës, në këtë kontekst ndërkombëtar, duhet të jetë më e përqëndruar në kërkim të njohjeve të reja, se sa në procesin e dialogut për arritjen e marrëveshjeve tjera teknike, të cilat nuk prodhojnë asnjë rezultat për Kosovën, sepse edhe ashtu Serbia nuk i zbaton. Në këtë aktivitet, duhet diskredituar maksimalisht Serbinë, si shtet që ka kryer gjenocid në Bosnje dhe në Kosovë dhe si faktor destabilizues në rajon, që paraqet rrezik për paqen dhe sigurënë në Ballkan e më gjërë.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora