E shtune, 12.10.2024, 07:54 PM (GMT+1)

Mendime

Albert Zholi: Enriko Ceko - Tërheqja e Ramës nga rrija e çmimit të energjisë ka të bëjë thjesht me efektin elektoral

E enjte, 06.10.2022, 07:30 PM


Flet specialisti dhe pedagogu Enriko Ceko: Tërheqja e Ramës nga rrija e çmimit të energjisë ka të bëjë thjesht me efektin elektoral

Është shumë e vështirë të gjesh në ndonjë vend të botës së lirë institucione si Bordi i Tranparencës

Intervistoi: Albert Z. ZHOLI

Familjet shqiptare me rritjen e çmimeve  qysh vitin e kaluar po kalojnë një vështirësi financiare. Sidomos rritja e çmimeve të shportës ka qenë një goditje financiare për çdo familje aq më tepër kur pagat kanë ngelur po ato. Me 32% të mesatares europiane Shqipëria mbetet e fundit në Europë për të ardhurat për frymë për vitin 2021. Pra për problemet e çmimeve dhe vështirësitë ekonomike që po kalon familja shqiptare do të lexoni intervistën e mëposhtëme…

-Bordi i transparencës, për disa muaj dikton në çmimet e karburanteve. A është i ligjshëm ky Bord dhe a ka borde të tillë në BE në kuadrin e Ekonomisë së tregut? A është vërtet transparent ky bord duke pasur parasysh se çmimet e karburanteve në vendin tonë janë më të lartat në Europë?

-Është shumë e vështirë të gjesh në ndonjë vend të botës së lirë institucione të kësaj natyre. Ky bord është krijuar me një VKM dhe si i tillë nga ana proceduriale është i ligjshëm, por duhet theksuar se për krijimin e institucioneve të tilla tagrin e ka Parlamenti dhe jo Këshilli i Ministrave. Nga ana praktike ky bord është një institucion i jashtëligjshëm, pasi në kushtet e ekonomisë së tregut, është “dora e padukshme”, e specifikuar që nga koha e Adam Smithit që përcakton çmimet në një treg konkurrues. Kjo tregon se në Shqipëri nuk ka konkurrencë. Pjesa më e madhe e produkteve dhe shërbimeve, që ofrohen në vend janë të tipit oligopol, ku disa subjekte kontrollojnë tregun dhe si rrjedhojë përcaktojnë çmimet. Kështu ndodh me hidrokarburet dhe nënproduktet e tyre. Kështu ndodh me ushqimet. Kështu ndodh me shërbimet e telefonisë celulare. Kështu ndodh me materialet dhe lëndët e para në industrinë e ndërtimit, etj. Në këtë kuadër, transparenca e këtij institucioni është një nga pikat më të debatueshme të mënyrës se si ky bord operon, shtuar këtu se procedurat që ndiqen për përcaktimin e çmimeve nuk janë bërë ende publike për qytetarët dhe për mediat, dhe aq më keq që nuk ka asnjë sistem, procedura, procese, rregullore e regjistra ku mbahen të dhënat, me anë të të cilave publiku dhe tërë të interesuarit individualisht të kenë të drejtë që të mbikqyrin gjendjen dhe ecurinë e saj. Sa më lart shfaqet kryesisht në çmimin e hidrokarbureve që është ndër më të lartët në Evropë, kur ky institucion është krijuar për të mbrojtur qytetarët dhe mirëfunksionimin e tregjeve dhe jo mbështetjen e çmimeve ekzistuese me tendencë për rritje, kur në bursat ndërkombëtare çmimi i hidrokarbureve ka rënë.

-Me 32% të mesatares europiane Shqipëria mbetet e fundit në Europë për të ardhurat për frymë për vitin 2021. Çmimet e shportës në veçanti dhe ushqimet në përgjithësi në Shqipëri janë rritur deri në 100 % si vaji, etj. Kur rrogat janë rritur në mënyrë të papërfillshme, sa ndikojnë këto çmime në ekonominë e familjeve shqiptare?

-Të ardhurat në Shqipëri janë ndër më të ulëtat në Evropë. Individët dhe familjet e kanë shumë të vështirë që të kenë një jetesë që të mund të afrohet me jetesën e qytetarëve të Evropës, shtuar këtu edhe jetesën në vende të tilla Evropiane si Mali i Zi, Serbia, etj, pa u futur në grupin e vendeve me të ardhura edhe më të larta. Karakteristikë e vendeve të varfra dhe që kanë filluar rrugën e zhvillimit është se pjesa më e madhe e të ardhurave individuale dhe familjare shkon për ushqime, dhe kur vendet janë të varfra. Brenda shpenzimeve për ushqime, pjesa më e madhe shkon për drithra buke dhe produkte e nënproduke të ngjashme me to. Fakti që në Shqipëri konsumi i bukës masive është shumë i lartë krahasuar me vendet e tjera flet shumë për këtë. Nga ana tjetër struktura ushqimore në përgjithësi është shumë larg asaj evropiane. Është e vërtetë që çmimet e mallrave të shportës janë shtuar shumë, por nga shporta janë hequr një serë produktesh të rëndësishme për qytetarët shqiptarë, ndërkohë që vende të tilla si Kanadaja, Britania e Madhe dhe vende të tjera kanë në shportë qindra produkte, shporta shqiptare është katandisur me sheqer, oriz, vaj, e të tjera produkte bazë. Në lidhje me pagat, që janë shumë të ulëta, duhet theksuar se periudha e pandemisë dhe pas saj kanë qenë periudha shumë të vështira në lidhje me plotësimin e nevojave ditore ushqimore të shqiptarëve, pasi edhe paketat e ndihmave, të premtuara nga ana e qeverisë shqiptare nuk u lëvruan sipas premtimeve. Pra, edhe nëse pretendohet se inflacioni është ndër më të ulëtit në Evropë, kjo lidhet vetëm më nivelin e çmimeve, por nuk merret parasysh se sa para ka në qarkullim në tregun shqiptar, dhe sa nga këto para janë nga puna e ndershme dhe veprimtaria legale e biznesit dhe sa nga operacionet ilegale të ndryshme që gëlojnë në ekonominë shqiptare duke bërë që më shumë se 50% e saj të jetë ekonomi gri dhe ekonomi e zezë, me anë të së cilës mbushen xhepat e vetëm disa individëve, por jo xhepat e qytetarëve shqiptarë.

Në treguesin tjetër, atë të konsumit individual për frymë, që mat fuqinë blerëse të qytetarëve të një vendi dhe mirëqenien materiale të tyre, sërish Shqipëria është e fundit, me 39% të mesatares europiane. Bosnja e ka këtë tregues 41%, Maqedonia e Veriut 49, Serbia 52 dhe Mali i Zi 60%.Pse kjo situatë tek ne?

Fuqia blerëse ka të bëjë me llogaritjen e asaj se sa mundësi kanë qytetarët në vende të ndryshme të botës të konsumojnë duke bërë disa llogaritje me anë të të cilave eliminojnë konceptin e kursit të këmbimit midis monedhave të vendeve, të cilat krahasohen. Pra, të mund të llogaritet se sa produkte dhe shërbime mund të blesh në një vend të caktuar me paranë e atij vendi, krahasuar me një vend tjetër dhe me paranë e vendit tjetër. Edhe në këtë tregues Shqipëria është mbrapa dhe kjo vjen nga mënyra se si është konfiguruar ekonomia shqiptare, që është një ekonomi me tipare parazite, ku vetëm me dy a tre sektorë të pazhvilluar, rritja ekonomike duket e pamundur, pavarësisht pretendimeve për rritjen e saj. Edhe disa sektorë që funksionojnë disi në ekonominë shqiptare (si industria fason, etj) jo vetëm që nuk kanë produktivitet të shtuar në ekonominë shqiptare, pasi prodhojnë për të huajt, duke ofruar vetëm shërbimin e krahut të punës, por pengojnë edhe sektorët e tjerë të ekonomisë të zhvillohen, pasi u marrin këtyre sektorëve krahun e punës, materialet, energjinë, burimet financiare, kohën, përkushtimin, etj.

-Kryemnistri Rama para disa ditësh hodhi idenë se ata që shpenzojnë më shumë se 800 kwh do të paguajnë një tarifë prej 42 lekësh më shumë. Por sërish u tërhoq. Çfarë do të sjell për familjet shqiptare nëse do zbatohet kjo ide e Ramës? Dhe pse u tërhoq Rama nga çmimi i energjisë?!

Është e dukshme se kjo qeveri nuk e ka fare të qartë se si është gjendja e vërtetë e ekonomisë shqiptare dhe gjendja e tavolinave ku ushqehen qytetarët shqiptarë! Për të ngrohur rreth 10 orë në ditë një mjedis rreth 9 – 11 metra katror në banesat shqiptare (një dhomë), pjesa më e madhe e të cilave është jashtë stadardeve për eficiencën e energjisë elektrike, duhen rreth 40 kwh. Kuptohet se sa pak është sasia e përcaktuar 800 kwh / muaj për përcaktimin e nivelit të çmimit. Nëse kjo ide do zbatohet atëhere do preken më së shumti familjet shqiptare të varfra dhe me të ardhura pak më shumë se varfëria e tejskajshme. Institucionet ndërkombëtare kanë deklaruar se pas pandemisë një pjesë e madhe e popullsisë shqiptare rrezikon të kalojë në shtresë të varfër, nga shtresa, që ishte më sipër. Sipas Bankës Botërore, rreth 25% e popullsisë në Shqipëri ka të ardhura jo më shumë se 100 lekë në ditë, 25% tjetër ka të ardhura midis 300 – 500 lekë dhe rreth 25% ka të ardhura rreth 700 lekë në ditë. Pra, popullsia me të ardhura 300 – 550 lekë në ditë dhe popullsia me të ardhura rreth 700 lekë në ditë rrezikon që të shkojë në nivelin 100 lekë në ditë.

Atëhere për çfarë çmimi 42 lekë / kwh bëhet fjalë? Tërheqja e Ramës mendoj se ka të bëjë thjesht me efektin elektoral dhe asgjë më shumë.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora