Mendime
Albert Zholi: Shqipëria po plaket me shpejtësi!
E premte, 30.09.2022, 08:33 PM
Shqipëria po plaket me shpejtësi
Të moshuarit në
Shqipëri, 13% e popullsisë
1 tetori Dita Ndërkombëtare e të Moshuarve
Përgatiti
: Albert Z. ZHOLI
Me
qëllim të sensibilizimit të opinionit ndërkombëtar për rritjen e pjesëmarrjes
së grupmoshave të vjetra (moshuara) në popullsinë e përgjithshme dhe pasojave
nga një zhvillim i tillë ,me qëllim të zhvillimit të një shoqërie për të gjitha
moshat, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së më 14 dhjetor 1990 vendosi 1 tetorin
si Ditën Ndërkombëtare të të Moshuarve, si vazhdimësi e planeve dhe nismave,
siç ishte Plani Ndërkombëtar i Veprimit për Moshimin, i cili u miratua në vitin
1982 në Vjenë. Shënimi i parë i kësaj dite fillon nga 1 tetori i vitit 1991,
viti në të cilin Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi Parimet e Kombeve të
Bashkuara për të Moshuarit, ndërsa në vitin 2002, në Madrid u miratua Plani
(II) Ndërkombëtar i Veprimit për Moshimin në kërkim të mundësive për përgjigje
të këtyre sfidave.
Asambleja e Dytë
Botërore
Asambleja
e Dytë Botërore mbi Moshimin shënoi një kthesë të rëndësishme si bota duhet të
përballet me sfidën më të madhe, që është ndërtimi i një shoqërie për të gjitha
moshat dhe propozoi një orientim të ri e mjaft ambicioz për problemet e
moshimit. Ky orientim ka nxitur edhe aktorë të ndryshëm në Shqipëri të bëjnë
një rivlerësim të aftësisë të moshuarve, duke përcaktuar që kjo grupmoshë duhet
të jetë aktive në komunitetin e saj për të përballuar me dinjitet sfidën që
sjell realiteti demografik në mënyrën reale e të qëndrueshme për të gjitha
brezat, por për moshën e tretë në veçanti. Aktualisht kërkohet që gruaja në
moshë të ketë standarde më të larta në mënyrën e jetesës dhe të ndryshojë
konceptin për jetën. Diskutimet rreth moshës së tretë synojnë të nxisin e të
inkurajojnë politikëbërësit për ta parë konkretisht dhe për t’i dhënë vlerën e
duhur dhe zgjidhjen e duhur problemeve të tyre. Ofrimi i një perspektive më të
gjerë për kontributin e potencialin e njerëzve të moshuar jep një orientim të
ri, një burim frymëzimi për të gjithë aktorët në rrugën drejt përmirësimit të
perceptimit rreth çështjeve të personave të moshuar, të marrëdhënieve që duhet
të vendosim me ta e ndihmën që ata duhet të marrin. Gjithashtu ndihmuese është
trajtimi i temave që ekzistojnë në jetën e përditshme, historitë njerëzore dhe
problemet e ndryshme që ekzistojnë në shoqërinë shqiptare. Media është padyshim
zëri dhe shpirti ku mund të gjenden edhe art-kulturë-ngrohtësi-dashuri, për t’u
qetësuar dhe argëtuar në mënyrë të kulturuar dhe bashkëkohore. “Moshimi Aktiv”
trajton në vazhdimësi çështje dhe tema që kanë lidhje, jo vetëm me aspektin
ekonomik, por edhe jetësor-socialo-kulturor, duke promovuar solidaritetin
ndërbreznor, jetën aktive dhe pjesëmarrjen më të gjerë në shoqërinë shqiptare.
Komuniteti duhet të ketë një reagim dhe mbështetje ndaj moshës së tretë.
Një nga problemet
shëndetësore që hasen më shpesh tek të moshuarit
Të
moshuar konsiderohen njerëzit që bëjnë pjesë në grup-moshën 60+ vjeç. Numri i
të moshuarve po rritet shumë në mjaft popullsi kështu: në SHBA aktualisht 15% e
popullsisë janë të moshuar, por kjo parashikohet të arrijë 22% të popullsisë në
vitin 2030; në Shqipëri ka një rritje të ndjeshme të numrit dhe të përqindjes së
të moshuarve, veçanërisht të personave mbi 80 vjeç, numri i të cilëve do të
dyfishohet në vitin 2021. Të moshuarit janë të rrezikuar më tepër sesa të
rinjtë ndaj sëmundjeve, prandaj ata duhet të kenë kujdes e njohuri në lidhje me
problemet e rëndësishme shëndetësore që shfaqen në këtë moshë. Duke i njohur
këto probleme dhe duke marrë masa parandaluese, rrjedhimisht ata do të gëzojnë
një shëndet më të mirë. Problemet shëndetësore që hasen më shpesh tek të
moshuarit janë: 1. Rrëzimet dhe dëmtimet që i pasojnë. 2. Ulja e mprehtësisë së
shikimit dhe aftësisë së dëgjimit. 3. Efektet anësore të medikamenteve,
ndërveprimi dhe mbidozimi. 4. Aktiviteti fizik dhe tonusi muskulor. 5.
Kequshqyerja dhe humbja në peshë.
Efektet e moshimit
Si
një nga vendet e fundit në Europë, Shqipëria po fillon të përjetojë efektet e
moshimit të popullsisë - procesi sipas të cilit të moshuarit zënë një përqindje
proporcionalisht më të madhe të të gjithë popullsisë. Në dy dekadat e fundit,
ka ndodhur një transformim demografik i veçantë, ndërsa rritja e përqindjes së
personave të moshuar - 65 vjeç e lart - shoqërohet me ulje të përqindjes së
fëmijëve dhe të të rinjve. Politikëbërësit duhet të përgatiten që forca e plotë
e këtij procesi transformimi të ndihet në dy dekadat e ardhshme dhe të prekë të
gjitha sferat e jetës: ekonomike, sociale dhe politike. Asambleja e Dytë
Botërore për Moshimin në prill 20021 trajtoi sfidat që paraqet ky proces i
moshimit të popullsisë pothuajse për të gjitha vendet e botës. Këto sfida
përfshijnë nevojën për të transformuar sistemin ekzistues të pensioneve dhe për
të plotësuar kërkesat gjithnjë e në rritje për shërbime shëndetësore dhe
shpenzime mjekësore, ndërsa të moshuarit janë më të rrezikuar nga sëmundjet
kronike. Në zonën ekonomike, moshimi i popullsisë ka ndikim në zhvillimin
ekonomik, kursime, investime, konsum, tregje pune, tatime dhe transferime
ndërmjet brezave. Në sferën sociale, ndikon në përbërjen familjare dhe jetesën
dhe kërkesat për strehim. Në fushën politike, moshimi i popullsisë mund t’i japë
trajtë modeleve të votimit dhe përfaqësimit politik (Organizata e Kombeve të
Bashkuara, 2009). Plani i Veprimit që u miratua në Asamblenë Botërore 2002 u
fokusua në tre fusha prioritare, që orientojnë politikëbërësit të trajtojnë
moshimin e popullsisë dhe mirëqenien e të moshuarve: (a) personat e moshuar dhe
zhvillimi; (b) përmirësimi i shëndetit dhe mirëqenies në moshën e vjetër; dhe
(c) sigurimi i mjediseve mbështetëse dhe mundësuese (Organizata e Kombeve të
Bashkuara, 2002). Plani synon të garantojë që të moshuarit të kuptojnë
plotësisht të drejtat e njeriut, të kenë moshimin e sigurt dhe larg varfërisë,
të marrin pjesë plotësisht në jetën ekonomike, politike dhe sociale dhe të kenë
mundësi për zhvillim në periudhat e tjera të jetës. Gjithashtu fokusohet në
eliminimin e dhunës dhe diskriminimit kundër personave më të moshuar, barazinë
gjinore, rëndësinë e familjeve, kujdesin shëndetësor dhe mbrojtjen sociale për
personat më të moshuar. Ky raport prodhohet nga INSTAT në emër të UNFPA si
input në diskutime për moshimin e popullsisë në Shqipëri, pasojat e tij dhe
nevojat e politikave që lidhen me të. Censusi i Popullsisë dhe Banesave 2011
përbën shtyllën e analizës. Kur është e mundur, rezultatet e censusit të vitit
2011 krahasohen me rezultatet e censuseve të mëparshme për të përcaktuar
tendencat e treguesve përkatës. Të dhënat administrative si edhe të dhëna nga
anketime të ndryshme plotësuese dhe që japin më shumë detaje për informacionin
e censusit. Për tema të ndryshme, informacioni i saktë i përditësuar është i
pakët. Kjo ndihet veçanërisht në fushën e shëndetit dhe pjesëmarrjes në
shoqëri.
Shqipëria po plaket me
shpejtësi
Të moshuarit në
Shqipëri, 13% e popullsisë
Shqipëria
është një ndër shtetet e fundit në Europë që po përballon efektet e moshimit.
Mosha mbi 65 vjeç përben 13% të popullsisë, ndërkohë që rreth 92 mijë persona
të kësaj grupmoshe jetojnë të vetmuar. Rreth 50% e të moshuarve vuajnë nga
sëmundje kronike, ndërkohë që 25% nuk kanë mundësi financiare të blejnë
ilaçe.Popullsia në Shqipëri po plaket me shpejtësi dhe vendi ka nisur të
përjetojë efektet e moshimit. Nëse në vitet ’90 mosha mbi 65 vjeç përbënte
rreth 3.5% të popullsisë, sot ka arritur në 13% e saj. Ndërkohë që sipas
Rrjetit Shqiptar te Moshimit 1/3 e të moshuarve e konsiderojnë veten të varfër.
Mbi 15% nuk kanë mundësi të shkojnë tek mjeku dhe rreth 25% nuk përballojnë dot
financiarisht blerjen e ilaçeve, megjithëse 50% e të moshuarve vuajnë nga sëmundje
kronike.