Mendime
Enver Bytyçi: Letër publike kryeministrit Rama - Dilni ju lutem sa më parë nga Open Balkan!
E hene, 26.09.2022, 07:58 PM
Letër publike kryeministrit të Shqipërisë, zotit Edi Rama: Dilni ju lutem sa më parë nga Open Balkan!
Nga
Enver Bytyçi
Zoti
kryeministër,
Shumë
herë kam dashur që t’u kërkoj publikisht daljen nga Open Balkan, për t’i dhënë
fund kësaj marrëdhënie në dashuri pa kufi me presidentin e Serbisë, Aleksandër
Vuçiq. Por nënshkrimi i marrëveshjes për koordinimin e politikave të Jashtme
midis Serbisë dhe Rusisë nga shefat e diplomacisë së dy vendeve, më bën të jem
i vendosur si kurrë më parë në këtë kërkesë timen.
Ju
gjithnjë e justifikoni Ballkanin e Hapur me domozdoshmërinë e ruajtes dhe
forcimit të paqes në rajon. Këtë lloj alibie e përdorët edhe në fjalimin tuaj
në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Por kjo marrëveshje dëshmoi se Open
Balkan është një iluzion! Eshtë një lojë e Serbisë për të fituar kohë! Eshtë
një iniciativë e shpikuar në margjinat e interesave serbo-ruse, me qëllim
rivendosjen e hegjemonisë serbe në Ballkan! Eshtë një urë shpëtimi dhe
urë-kalimi për një revansh tjetër të Beogradit kundër kombeve e popujve
jo-serbë!
Se
Ballkani i Hapur ka qëllime imperialiste të koordinuara nga Moska dhe Beogradi
e dëshmoi edhe marrëveshja e fundit midis ministrit të Jashtëm të Rusisë,
Sergei Lavrov dhe ministrit të Jashtëm të Aleksandër Vuçiq, pra Nikolla
Selakoviç. Të lidhësh një marrëveshje si kjo në kulmin e luftës në Ukrainë dhe
kur presidenti rus kërcënon botën me luftë bërthamore, është sikur të ndërtosh
një tunel nëntokësor antibërthamor, në të cilin të bashkohen e të rrinë bashkë
Vladimir Putin dhe Aleksandër Vuçiq. Ajo marrëveshje jo vetëm që vjen në
kundërshtim me paqen, sigurinë dhe stabilitetin në rajon, por i kundërvihet
hapur poltikave të BE-së, NATO-s dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për
pasojë edhe interesave të Shqipërisë, Kosovës dhe të shqiptarëve kudo që janë.
Për
këtë arsye ju kërkoj me insistim të lëshoni Ballkanin e Hapur, së paku si
shenjë mos-pajtimi me këtë marrëveshje, e cila forcon dhe konsolidon
marrëdhëniet ruso-serbe, në vend të pretendimit tuaj për dobësimin e këtyre
marrëdhënieve! Ju kujtoj se në historinë e dy shekujve të fundit Serbia ka qenë
dhe vijon të jetë shkaktare e luftërave dhe gjakderdhjes të popujve ballkanikë,
para së gjithash shqiptarëve. Dhe e din
pse ka ndodhur kjo? Sepse prapa Serbisë ka qëndruar gjithnjë Rusia.
Sepse përmes Serbisë Rusia historikisht ka ruajtur ndikimin dhe prezencën e saj
në rajonin tonë. Dhe viktimë e këtij ndikimi kanë qenë gjitnjë shqiptarët! Fakt
është se Open Balkan po dëshmohet si mekanizëm i prezencës ruse në Ballkan dhe
alibisë serbe për atë që ajo e quan "neutralitet"!
Koordinimi
i politikave midis Moskës dhe Beogradit është shprehje e një aleance
strategjike të vjetër e të re midis Rusisë dhe Serbisë, aleancë e cila në ditët
e sotme ekziston vetëm midis Kremlinit dhe Iranit, Sirisë e Bjellorusisë.
Serbia është vendi i katërt në botë, që solidarizohet përmes një marrëveshjeje
të tillë me sulmet ushtarake të Rusisë
kundër Ukrainës. Presidenti Vuçiq deklaroi në OKB se ashtu siç luftohet për
sovranitetin e Ukrainës, OKB duhet të angazhohet edhe për sovranitetin e
Serbisë (në Kosovë)! Dhe kjo ndodh se ju zoti kryeministër nuk angazhoheni që
Beogradi të njohë krimet kundër njerëzimit kundër shqiptarëve. Ndërsa ehe ju
folët në OKB për krime kundër njerëzimit që Rusia ka kryer në Ukrainë!
Në
vend të kësaj, Ju vazhdoni të bëni avokatinë e Aleksandër Vuçiq në të gjitha
takimet bilaterale e multilaterale, si dhe në samitet dhe organizatat e
ndryshme ndërkombëtare, deri në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Ju kërkoj
me insistim të ndërpritet kjo lloj avokatie si dhe pjesmarrja në Open Balkan,
sepse ato shkojnë jo vetëm kundër intersave të shqiptarëve, por shkaktojnë
gjithashtu përçarje dhe destabilitet në rajon! Vuçiq ndjehet i inkurajuar nga
avokatia juaj, gjë që e përmendi në fjalën e tij në Asamblenë e Përgjithshme të
OKB-së!
Zoti
kryeministër,
Vendimi
i qeverisë dhe presidentit serb për të lidhur një marrëveshje në fushën e bashkëpunimit
në politikën e jashtme me Rusinë i ngjan marrëveshjes Ribentrop-Molotov të
vitit 1938, në prag të Luftës së Dytë Botërore. Një vendim i tillë dëshmon se
Serbia edhe më tej mbetet e përkushtuar për aleancë dhe ndikim të Rusisë në
rajonin tonë. Ndërkaq ky vendim na dëshmon se Open Balkan nuk ka legjimitet.
Mungesa e legjitimitetit të kësaj iniciative lidhet me faktin se për
pjesmarrjen dhe formimin e tij nuk është marrë asnjë vendim legjitim në
Parlamentin e Shqipërisë, i cili është bartës i sovranitetit të popullit. Në
asnjë demokraci nuk është kryeministri bartës i këtij vullneti! Vetëm
parlamenti mund të autorizojë pjesmarrjen ose jo të një vendi në organizata dhe
iniciative si ky i Open Balkan.
Mungesa
e legjitimitetit të kësaj inciativë trivjeçare buron edhe nga fakti se ajo nuk
ka hierarki, nuk ka struktura dhe i mungojnë shkallërt e vendimmarrjes. Pra
është një instrument i bazuar në vullnetin e tre liderëve kryesorë të të tri
vendeve anëtare. Një organizim rajonal pa rregulla lejon që secili shtet të
ndërtojë marrëdhënie me shtetet e tjera, të cilat bien ndesh me interesat e
vendeve të rajonit, anëtare të tij. Kjo ka ndodhur rendomë me Ballkanin e
Hapur! Kjo është një arsye tjetër për të cilën ju kërkoj pa ngurim që ju të
largoheni nga kjo iniciativë!
Eshtë
e vërtetë se unë kam qenë që ditën e parë kundër iniciativës së Minishengen, të
shndërruar më vonë në Open Balkans. Kam dhënë aq shumë argumente kundër tij sa
nuk mund t’i rrjeshtoj në këtë kërkesë që jua dërgoj ju. Më besoni, nisem vetëm
nga motivi për mbrojtjen e interesave kombëtare të shqiptarëve. Kurse fakti
që iniciativa e Open Balkan është e pa
konsultuar me faktorët politikë shqiptarë në Shqipëri, Kosovë e gjetkë, ka
shkaktuar një përçarje si kurrë më parë të këtij faktori. Për pasojë konsideroj
se roli i Shqipërisë në rajon e më gjerë është dobësuar në favor të forcimit të
rolit të Serbisë. Serbia ka fituar supremaci politike e diplomatike në raportet
e saj me Kosovën, të cilën e kërcënon çdo ditë me luftë!
Eshtë
koha e fundit, zoti kryeministër i Shqipërisë, kur ju mund të reflektoni e të
bëni diçka të dobishme për vendin tonë dhe për kombin tonë! Çdo ditë që
Shqipëria dhe ju vazhdoni të mnbeteni pjesë e Ballkanit të Hapur është një
goditje dhe cënim i rëndë i interesave të saj! Ju duhet të kuptoni se nuk është
Shqipëria ajo që mund ta tërheqë Serbinë në orbitën e Perendimit, por është
Serbia ajo që kaq lehtësisht e tërheq Shqipërinë në iniciativat e saj
ruso-serb, si ky Open Balkans!
Kjo
duhet të marrë fund sa më parë!
Duke
ju kërkuar mirëkuptim e reflektim të thellë,
Prof. Asoc. Dr. Enver
Bytyçi
Drejtor Ekzekutiv i
Institutit të studimeve të Europës Juglindore, Tiranë!