Mendime
Adil Fetahu: Damkosja e veseve tona
E hene, 03.10.2022, 06:41 PM
DAMKOSJA E VESEVE TONA
(Ibrahim
Kadriu: “Njëmijë e një net /tonat/”, botoi “Pena”, 2020)
Nga
Adil FETAHU
Vargut të veprave të tij të
shumta, në prozë, në poezi e drama, shkrimtari Ibrahim Kadriu ia shtoi edhe një
vepër, së cilës vështirë t’ia caktosh zhanrin: a është roman, novela, tregime,
përralla, kritika…? E ka shkrua në stilin e tregimeve arabe të “1001 netë-ve.”
Ashtu edhe e ka titulluar: “Njëmijë e një net (tonat)”. Në këtë libër autori i
fshikullon e damkosë sjelljet, veset, shprehitë, dukuritë negative të
individëeve e të shoqërisë sonë kosovare, duke i shtjelluar në stilin e
tregimeve arabe të Sheherezades, prandaj nën titullin e librit, në kllapa ka
shtuar: (Sheherezada në veten e parë).
Për lexuesit e shumtë të
këtij vështrimi për librin e Ibrahim Kadriut, paraprakisht duhet të japim një sqarim të shkurtër për
tregimet arabe “1001 net” dhe të personazhit të Sheherezades, sepse jam i bindur se as një përqind e
lexuesve të këtij vështrimi nuk e kanë lexuar as kanë idenë për romanin
historik e voluminoz, mbi 2500 faqe, të quajtur “1001 net”.
“1001 NET “ DHE SHEHEREZADA
Romani “1001 net”, është
një koleksion, një përmbledhje me
tregime, përralla, legjenda, anekdota, humoreska dhe lloje tjera të
krijimtarisë më interesante nga folklori popullor arab, persinan, indidan, etj.
Kryesisht është prozë, por ka edhe shumë tregime në formë poezie.
Ka shumë dialogje e monologje. E
gjithë ajo krijimtari lidhet me dy personazhe kryesore: me perandorin e Persisë dhe të Indisë, Shahriari
dhe me vajzen e bukur Sheherezada.
Për shkak të tradhtisë në
maratesë që u kishin bërë gruaja e perandorit Shahriar dhe e vëllait të tij
Shahzamanit, perandori kishte fituar
bindjen se të gjitha gratë tradhtojnë. Për t’u hakmarrë kundër tyre, kishte urdhëruar
që për çdo natë t’ia sillnin nga një vajzë të re, të cilat në mëngjes i vriste.
Kjo kishte zgjatur tri vjet, duke shkaktuar frikë e tmerr për vajzat dhe
prindët e tyre. Duke ditur për këtë
mizori të Perandorit, e bija e vezirit, Sheherezada, një vajzë e bukur, e
arsimuar, e cila kishte lexuar e mësuar shumë gjëra, kishte bërë një plan si ta
ndërpriste atë kriminalitet dhe kishte vendosur të shkojë vullnetarisht për
të kalua natën me perandorin. Sapo hyn në dhomë me Perndorin, fillon t’i
tregojë një tregim interesant e të gjatë, sa që zbardhi mëngjesi pa e
përfunduar tregimin në pjesën më interesante, të cilin do ta vazhdonte natën
tjetër. Duke pritur me kurreshtje përfundinin e tregimit, perandori nuk e
mbyti Sheherazaden në mëngjes, siç bënte
me vajzat tjera, por e la që natën tjetër ta vazhdojë tregimin. Kështu
Sheherezada vazhdoi tregime të cilat e magjepsin perandorin, duke mos e
përfunduar, natën e parë, të dytë, të tretë e deri sa kaluan njëmijë e një net,
afro tri vjet. Në ndërkohë Sheherezada i kishte lindur tre djemë. Perandorit i
kishte pëlqyer Sheherezada dhe në përfundim të natës 1001, jo se e vrau, por i
fali jetën dhe e shpalli Sheherezden për grua të veten me kurorë. Edhe motren e
saj, Dariazaden e mori për grua vëllai i perandori, Shahzamani.
Romani “1001 net” është
përkthyer dhe ribotuar shumë herë
pothuajse në të gjitha gjuhët e botës dhe ka pasur një ndikim edhe te
shkrimtarët më të njohur, si Monteskie, Dikens, Pushkin, etj. Shumë tregime nga ajo përmbledhje janë
ekranizuar e bêrë filma për fëmijë e për të rritur. Romani është radhitur në
vendin e 6 (gjashtë) të librave më të lexuara në botë. Në gjuhën shqipe, prej
serbishtes e ka përkthyer profesori
Hilmi Agani, ndërsa në një periudhë prej njëzet vjetëve e ka botuar “Rilindja”
në 8 vëllime librash. Vëllimet janë ndarë sipas numrimit të netëve, kurse
vëllimi i fundit përmbanë tregimet e Sherezades prej natës 871 – 1001.
“NJËMIJË E
NJË NET (tonat)”
Duke ndjekur imagjinatën dhe
stilin e përdorur nga romani historik arab, “1001 net”, shkrimtari ynë i
njohur, Ibrahim Kadriu, ka krijuar një vepër letrare të pashembëllt në
letërsinë shqiptare, të cilën e ka emërtuar “Një mijë e një net (tonat)”. Por,
derisa romani “1001 net” përmbanë imagjinata, përralla e tregime nga
krijimtaria popullore arabe e persiane, libri i Ibrahim Kadriut përmbanë
ngjarje, vende, objekte e subjekte, dukuri e personazhe reale bashkëkohore
kosovare.
Në 69 ese a novela të
shkurtëra, ka përmbledhur një kompleks gjendjesh e situatash nga përditshmëria
jonë, duke kritikuar dhe ironizuar sjelljet dhe veset e qytetarëve, veçmas
pangopësinë e njerëzve të pushtetit. Në këtë frymë, librin e hapë me
poezinë e Ali Asllanit, “Maskarenjtë”:
Hani e
pini e rrëmbeni,
Mbushni
xhepa mbushni arka…
Të pa
brekë ju gjeti dreka,
Milionerë
ju gjeti darka!…
Lexuesit e gjeneratave më të
vjetra e mbajnë mend, se Ibrahim Kadriu, në cilësinë e gazetarit dhe redaktorit
të gazetës “Rilindje”, në vitet e shtatëdhjeta e mbante një rubrikë të emërtuar
“Sheherezada”, në të cilën botonte
tregime të stilit të “1001 netëve”. Nën ato tregime nënshkruhej me pseudonimin
Riukad im Rahib (që ishte angram i emrit dhe mbiemrit Ibrahim Kadriu), emër që
tingëllon si emër arab. Personazhi kryesor i tregimeve në atë rubrikë ishte
Sheherezada.
Dhe, në natën e parë, të
“Një mijë e një netëve”tona, po e njëjta
Sheherezade e lidhë tregimin me ato të para pesëdhjetesa vjetëve, kur thotë:
“…Dhe unë shqetësimet e mija ua rrrëfeja juve, dhe ju i kishit shqetësimet e
jueja, që ishin të ngjashme. Dhe, pikërisht për këtë ngjashmëri shqetësimesh më
bêtë shoqëri dhe ma mbajtët vullnetin e shkrimeve. Edhe sot, në këtë kohë të
vonshme të cilën e kishim pritur me shekuj, siç po thonë do të mençur, dhe e
kishim bindjen se do të jemi mirë, pa dhembje koke dhe me gjumë të rehatshëm.
Dhe ky mendim ishte i rrejshëm, ashtu siç janë të rrejshme aq shumë premtime,
dhe ato premtime sidomos bëhen para zgjedhjeve dhe me takatin e ministrave…”
Që në rrëfimin e parë, por
edhe në disa rrëfime në vazhdim,
Sheherezada tregon shqetësimin e saj dhe të popullit, për: arsimin,
hapjen e universiteteve e kolegjeve që janë bërë si fabrika për prodhimin e
analfabetëve, pa menduar se ku do të punësohen e çka do të punojnë gjithë ata
që kryejnë me diploma të blera, e që niveli i arsimit ka rënë edhe nën nivelin
e disa shteteve të Afrikës.
Në vazhdimin e tregimeve,
përmes Sheherezades në veten e parë, autori kritikon e dëmkos të gjitha
prapshtitë, shprehitë, veset, gënjeshtrat, premtimet, manipulimet, hajnitë, korrupsionin,
keqpërdorimet e mjeteve të buxhetit, që financojnë vepra e gjithëfarë festivale
të pa vlerë e nuk ndihmojnë krijuesit e veprave të mirëfillta. Tregon shqetësimet e pensionistëve;
shqetësimin për regjistrimin joreal të popullsisë dhe rënien e natalitetit;
braktisjen e fshatit dhe mospunimin e tokës; ndojtjen e ambientit; aksidentet
në komunikacion, në rrugët e prishura
dhe trotoaret e zëna; përqindjet e
“vjelura” nga tenderët; paratë e diaspores të humbura pa adresë; veteranët e
rrejshëm; moskujdesi i fëmijëve ndaj prindërve; ndërtimet pa leje dhe projektet
e parealizuara; moskujdesi ndaj personaliteteve të merituara; mospërkrahja e
krijuesve; emërtimi i rrugëve me emra personash të cilët nuk njeh mahalla e
vet; shkrimi i firmave në gjuhë të hueja;
padrejtësia ndaj diaspores lidhur me sigurimin e veturave; ngatërresat
politike brënda partive; kapardisjen me
vlera të shpifura në art e letërsi; vërshimi i makinave të prishura si
mbeturina; peripetitë dhe pengesat për
regjistrimin e veturave; puna e Trustit të pensioneve; investime të mëdha për
punë të vogla (shembulli i objektit të Rilindjes); mosrealizimi i projektit të
Gërmisë; mungesa e sundimit të ligjit; problemi i vizave; ejt. etj. Të gjitha
këto i shtjellon përmes monologut të Sheherezadës dhe herë-herë edhe përmes dialogut me ndonjë mik a mike të saj (Haruni, Ali
Duli, Gjylinazja etj.), duke marrë shembuj konkret nga jeta dhe (mos)puna e
organeve dhe institucioneve tona. Novelizimin e situatës në Kosovë autori e
bënë në mënyrë shkëlqyeshme, me humor e satirë,
duke marrë shembuj konkret e dëmkosë sjelljet, veset dhe dukuritë
negative.
Në këtë libër autori ka
përdorur gjuhë e fjalë ekzoktike, sikur ato të romanit “1001 net”, duke pëdorur
fjalë, emra, mbiemra e folje, kuptimin e të cilave e di vetëm gjenerata e
vjetër e lexuesve, si për shembëll: havadyze; kanagjeqe; iftijaqë; nur;
jaratisë; sajgi; zijaret; duhma; rraqe;
petka; nijet; sehir; jesir; kuvet; firade; gjytyrim; shitoft; tebdil; ymri; evlia; nafuz; çehre; kajstile; estekfurullah; sajdisë; sevda; tabijat; kajmekam; sejmenë; habere;
gjymysh; munafik; teveqel;, hygjym; kërname;
fiqir; hisedar, e të tjera si këto.
Kronikën e tregimeve të
Sheherezadës nga “Njëmijë e një net (tonat)”, e mbyll me intervistën që
Sheherezada “e zhvillon” me dijetarin, diplomatin e shkrimtarin tonë, Faik
Konica, i cili edhe vet ka marrë e përkthyer disa tregime nga “1001 net:, dhe i
ka përfshirë në tregimet e tij: “Nën hijen e hurmave”. Dhe Sheherezada i bënë
disa pyetje Faikut për aktualitetin tonë.
Me qenë se Sheherazada e zgjatë pyetjen, Faiku i thotë: “Më trego më
shpejt se çka dëshiron prej meje, e mos e zgjat si deputetët që, edhe kur nuk
dinë çka thonë, i sulen foltores. Dhe Shehezada fillimisht e lutë ta thotë
mendimin e tij për mjerimin e shqiptarëve, dhe ai ia thot troç: Mjerimi
ishqiptarëve ka qenë në tërë kohërat të kapej pas individëve dhejo pas ideve.
Historia e shqiptarëve është e mbushur fund e krye me prova të tilla të
përngjashme. Të përipiqemi me të gjitha forcat tona të shërojmë shqiptarët nga
dashuria për individët. – Në pyetjen se çka mendon Konica për individët të
cilët kanë fituar oroel pa pasur ide, merr këtë përgjigje: “Zgjidhja ideale
do të ishte për shqiptarët të zhdukin njëherë e mirë ndikimet orientale, duke
shkëputur çdo lidhje, fetare, morale apo letrare, qoftë me bizantinët, qoftë me
turqit. Mirëpo, gjë e bukur të ndodhte kjo në çast. Zgjidhja do ishte e
realizueshme po qe se stërgjyshërit tanë do ta kishin përgatitur me kohë për
ne; atëherë neve do të na duhet ta përgatisim këtë zgjidhje për nipat tonë të
ardhshëm”. – Në pyetjen që ta thotë ndonjë mendim për shqiptarët që
krenohen me veten, Faiku i jep këtë sqarim: “Shqiptarët janë një komb të
cilit i pëlqen të lëvdojë veten. Si thonë gojrrumbullët tonë, kombi shqiptar
është i pari nga mendja, nga sjellja e nga trimëria. Sikur shqiptarët të qenë
jo kombi më i mendshmi, por thjesht një komb i mendshëm, ata do të kishin dalë
me kohë nga dita e zezë ku ndodhen”. - Në pohimin e Sheherezades, se
shqiptarët janë trima, Faiku i përgjigjet: “Trimëria e shqiptarit nuk është
e artë, është e teneqejtë…sado e madhe
(tingllon) në vetvete, është e vogël
në shkaqet që e ndezin…Trimëria e vërtetë është ajo që vihet në shërbim të së drejtës dhe të
Atdheut, në shërbim të dobisë së përgjithshme. Të tjerat janë punë egërsie e
kafshërie, jo trimërie”.
Edhe disa pyetje të
Shehrezades dhe përgjigje të Faikut për situatën aktuale dhe perspektivën tonë,
si dhe shqetësimet dhe dëmkosjet e autorit të librit për dobësitë, prapësitë
dhe veset tona, do t’i mësoni poqese e
lexoni librin e Ibrahim Kadriut: “Njëmijë e një net (tonat)”, libër që, përmes
personazheve të imagjinuara ose atyre reale, me gjuhën figurative, jo vetëm ju
zbavitë, por edhe ju shqetëson për prapësitë dhe veset e përditshmërisë sonë.
Dhe në faqen e pasme të
kopërtinës së librit, sikurse edhe te “nata e pesëdhjetegjashtë”, i përëritë
edhe njëherë vargjet e Ali Asllanit:
“Hani e pini e rrëmbeni,
mbushni xhepa mbushni arka…
Të pa
brekë ju gjeti dreka, milionerë ju gjeti darka.
Hani, pini
e rrëmbeni, është koha e çakejëve,
Hani, pini
e rrëmbeni, është bota e maskarenjve…
Dallavere
nëpër zyra, dallavere në pazar,
Dallavere
me të huaj, dallavere me shqiptarë.
Dhe për
një kërkoni – pesë, por më mirë njëzetepesë,
Le të
rrojë batakçiu dhe i miri le të vdesë!”