Mendime
Romeo Gurakuqi: Ripërkufizimi territorial i Bashkisë së Shkodrës, Qarkut të Shkodrës dhe Rajonit të Veriut
E enjte, 01.09.2022, 06:49 PM
Ripërkufizimi territorial i Bashkisë së Shkodrës, Qarkut të Shkodrës dhe Rajonit të Veriut me qendër në Shkodër
Nga
Romeo Gurakuqi
Po
i kthehem sërish çështjes së reformës së re territoriale dhe administrative,
për shkak se në tavolinat e “reformatorëve” të mandatuar nga Parlamenti për të
krijuar një Shqipëri më të drejtë dhe më të arsyeshme është paraqitur një skicë
për reduktimin drastik të territorit të Bashkisë së Shkodrës, e cila nuk ka
parasysh aspak gjeografinë, traditën dhe mënyrën se si ka funksionuar jeta
ekonomike, tregtare dhe kulturore e banorëve të anëve tona. E keqja më e madhe
është kjo skicë me gabim elementar historik, qenka shndërruar në bindje të
vendimarrësve kryesorë me tagre mbi rikonfigurimin e Qarkut të Shkodrës,
ndërkohë që publiku dhe qytetarët nuk kanë asnjë lloj dijenie.
Nuk
bëhet fjalë për ristrukturimet e nevojshme, të drejta që ekzistojnë në projekt,
të diktuara nga ecja përkundër historisë e projektuesve të njëpasnjëshëm të
kohëve të shkuara diktatoriale dhe post-diktatoriale, por për vendosjen e disa
kufizave të reja administrative, që i copëtojnë Shkodrës basenin e saj ujor,
përmes të cilit ajo përherë, në kohët i lirisë tregtare e të lundrimit, ka qenë
e lidhur me Adriatikun, si edhe të tjera copëzime që i heqin asaj hambarin ekonomiko-financiar, një prej
pasurive më të mëdha turistike. Bëhet fjalë për një projekt të heqjes nga
Bashkia Shkodër të Velipojës dhe të gjithë zonës rurale përgjatë rrjedhës së
Lumit Buna, arteries ujore të komunikimit me pjesën tjetër të Shqipërisë. E
papranueshme, e dëmshme dhe sërish në linjat e politikave të stërhollueme
kundër interesave të qytetarëve të Shkodrës. Dikur malazezët i patën marrë
Shkodrës Liqenin, lidhjen tradicionale vlllaznore me Ulqinin, etj., ndërsa në
vitin 2022 “projektuesit” e Riformatimit Territorialo-Administrativ të
Parlamentit të Shqipërisë, paskan skicuar marrjen e Bunës dhe Velipojës nga
Kryeqendra e Labiatisë.
Siç
e kam shkruajtur edhe pak ditë më parë, duket qartë se skicuesit operojnë
fatkeqësisht me “numra”, në varësi të një kërkese të hershme për balancimin e
Shqipërisë, por aspak mbi një metodë shkencore, nga do të duhet të nisen për ta
kuptuar Shqipërinë, vend për vend, interesat qytetare, krahinë për krahinë.
Dikur na ka takue me pa ikjen e Opozitës nga tavolina e ndërmjetësueme nga
ndërkombëtarët për reformën territoriale, duke e lanë Shkodrën dhe Shqipërinë
në duart e “copëtuesve” dhe “krijuesve” të Edi Ramës dhe rrethit të tij. 8 vite
ma vonë shohim përfaqësuesit e Opozitës të hyjnë me të drejtë në një tavolinë
ku diskutohet korigjimi i arsyeshëm i Shqipërisë, por pa një projekt të
ndërtuar nga ekspertë të mirëfilltë. Dhe
unë nuk dua të besoj se diktues të skicimit të të ri të Qarkut të Shkodrës kanë
qenë endërrues të sundimeve permanente, paragjykues të një bote që e kemi
kapërcye, ose nga ideatorë që nuk e kanë shkelur qarkun cep me cep, nuk njohin
të kaluemen dhe nuk guxojnë të takohen me qytetarët e vet.
Këto
rreshta nuk po i shkruaj me synimin për të dëmtuar ndokënd, por për të ndalur
damtorë që mund të shkaktojnë padrejtësi dhe bëjnë gabime të rënda me pasoja
afatgjata mbi qytetin dhe krahinën tonë.
Edhe
një herë dua të përsëris se korigjimet në ligj duhet të zhbëjnë përpjekjen e
deritanishme të qeverisë së drejtuar nga Edi Rama, për ta shndërruar Shkodrën
3000 vjeçare në një periferi të varfër dhe të rrënuar të Shqipërisë, ta
ndihmojnë ate për t’u ringritur ekonomikisht, territorialisht dhe administrativisht:
1.
si Kryeqendër Administrative të Rajonit të Shqipërisë së Veriut, në të cilen do
të duhet të rivendosen të gjitha drejtoritë qeveritare;
2.
si qendër e një Qarku që duhet të ristrukturohet territorialisht me bashki, mbi
linjat e veta historike, gjeografike, ekonomike dhe kulturore;
3.
si një Bashki me të ardhuna të mjaftueshme për t’u modernizuar dhe stabilizuar,
që ndihmon qytetarinë të ringrihet dhe emigrantët të kthehen në votren e tyne.
Qarku
i Shkodrës mendoj se duhet të përbëhet nga këto bashki:
1.
Bashkia e Malësisë së Madhe me qendër në Bajzë, me njësitë administrative
Kastrat, Kelmend dhe Shkrel, të cilave u shtohet edhe Njësia Administrative e
Hotit. Pavarësisht se pjesa më e madhe e vendbanimeve të Hotit ndodhet
arbitrarisht në Republikën e Malit të Zi, qeveritarët e Tiranës duhet ta kenë
të qartë se Malësi pa Hot nuk mund të ketë. Në këtë njësi të re administrative
duhet të përfshihen: Kusha e Hotit, Hani i Hotit, Lulash Pepajt, Dajçi i Hotit,
Kolaj, Deckaj, Gryka e Kushes, Brixha, Starja dhe Rapsha. Bashkia e re do të duhet të mbështetet për
një përiudhë së paku 10 vjeçare nga Qeveria, financiarisht, administrativisht
dhe me burime njerëzore. Investimi i rrugëve: Tamarë- Vukël dhe Razëm- Fusha e
Zezë (bjeshkët e Kastratit).
2.
Bashkia e Mbishkodrës me Qendër në Koplik, e përbërë nga njësitë administrative
Koplik Qendër, Koplik i Sipërm deri në kufijtë e Shkrelit tradicional,
Gruemirë, si dhe krijohet njësia administrative Gril-Shtoj;
3.
Bashkia Dukagjin me qendër në Breg të Lumit, ose në Prekal, e përbërë nga:
njësitë administrative Shalë, Shosh, Pult, Shllak dhe Temal (Mbetët për t’u
diskutuar mbi pozicionin e Nikaj Merturit në ndarjen e re). Bashkia e re do të
duhet të mbështetet për një përiudhë së paku 10 vjeçare nga Qeveria, financiarisht,
administrativisht dhe me burime njerëzore.
Ndërtimi i arterieve të jetës dhe zhvillimit në këto anë është thelbësor
për funksionimin normal të njësisë së re dhe zhvillimin e ekonomisë dhe
turizmit: a-Rrugës së Drinit (Laç i Vaut të Dejës- Koman-Fierzë-Gjakovë); b-
Rrugës Prekal-Kir –Mali Shoshit- Ndreaj-Breg LumitThethë; c. (ose të projekti
alternativ) Rrugës Prekal- Ndërvenë (vendi ku duhet të fillojë aksi i ri) –
Lugina e Libriqes (aks i ri) – Le i Keq- Nicaj Shosh- Dardhë -Pepaj Shosh-Portat
e Shalës-Theth (55 km nga Shkodra) dhe më pas nga Portat e Shalës-
Vuksanaj-fshati Bob- Fshati Salcë- Lekbibaj-Fshati Telaj-Dushaj -Bajram
Curri-Gjakovë).
4.
Bashkia Shkodër, e përbërë nga Qyteti Metropolitan i Shkodrës, me 5 rajone që
duhet të jenë njëkohësisht edhe 5 zona elektorale në qytet në sistemin
maxhoritar, ose në llogaritjen proporcionale të përfaqësisë kombëtare, ose
krahinore; Njësia Administrative Rrethina, e zvogëluar tanimë nga heqja e një
pjesë të fshatrave në pjesën veriperëndimore të qytetit; njësitë administrative
Postribë, Guri i Zi, Berdicë, Ana e Malit, Dajçi i Bregut Bunës dhe Velipojë.
5.
Bashkia e Laçit të Vaut të Dejës që do të përfshijë Vaun e Dejës Qendër,
Hajmel, Bushat dhe Vig Mnelë.
6.
Bashkia Pukë ( investimi i rrugës Shkodër-Pukë- Fushë-Arrës).
7.
Bashkia Fushë-Arrës (Kjo e fundit në varësi të rikonfigurimit të Qarkut të
Mirditës. Krijimi i Qarkut te Mirdites eshte nje prej detyrave qe ka komisioni,
por qe nuk dihet ende nese eshte kuptuar).
facebook.com/romeogurakuqi