Mendime
Enver Bytyçi: Çfarë fsheh Aleksandër Vuçiq në ushtri?
E hene, 29.08.2022, 07:49 PM
Çfarë fsheh Aleksandër Vuçiq në ushtri?
Nga
Enver Bytyçi
Disa
përfaqësues ushtarakë të ambasadave perendimore në Beograd i kërkuan Shtabit të
Përgjithshëm dhe ministrisë së Mbrojtjes së Serbisë të vizitojnë disa garnizone
ushtarake, përfshirë dhe atë të Rashkës e Novi-Pazarit, në kufi me Kosovën.
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, e refuzoi kategorikisht një kërkesë të
tillë. Ai tha se Serbia përgatitet ushtarakisht që të vetëmbrohet dhe se nuk
përbën kërcënim për vendet fqinjë. Me të njëjtin arsyetim e ka mbrojtur
kryeministri i Shqipërisë armatosjen e Serbisë, kur thoshte se "Nuk e di
sesi armatimi vetëmbrojtës sjell rrezik për vendet e tjera"!
Por
çfarë fsheh preësidenti i Serbisë atëherë?! Pse ai refuzon të inspektohen
repartet ushtarake të vendit të tij, ndërkohë që ky vend ka pranuar të jetë
partner për Paqen me Aleancën Atlantike?! Si mundet që një vend që bën pjesë në
partneritetin e NATO-s të refuzojë praninë e përfaqësuesve të saj në këto
reparte ushtarake të Serbisë?! Të gjitha këto pyetje e të tjera si këto
kërkojnë një përgjigje, të cilën mund ta japin vetëm autoritetet e Beogradit.
Por ajo që mund të thuhet ka të bëjë me faktin se Aleksandër Vuçiq nuk është i
sinqertë me Perendimin! Dhe nëse je njëherë gënjeshtar e mashtrues, atëherë i
tillë do të jesh gjithmonë e për çdo gjë.
Ai
gënjen e mashtron çdo ditë kur flet për Kosovën. Gënjen e mashtron kur thotë se
"përpiqet ta integrojë vendin e tij në BE" dhe se "dëshiron
marrëdhënie të mira me SHBA-të"! Gënjen e mashtron për çeshtjet ushtarake.
Përpiqet të fshehë faktin se armatimi i Serbisë nuk është thjesht mbrojtës, por
ka gjithashtu karakter ofensiv. Ndërsa Ramës ia ka mbush mendjen se "po
mbrohet"! Po nga kush? Deputeti shqiptar në parlamentin e Serbisë, Shaip
Kamberi, në një intervistë të kërkuar nga ana ime për librin "Gjeopolitika
ruse në Europën Lindore dhe Juglindore" shprehet se Serbia "nuk është
e kërcënuar nga asnjë shtet fqinj, sepse asnjëri prej tyre nuk ka shprehur
ambicie territoriale ndaj saj".
Shkurt,
Vuçiq nuk dëshiron të dekonspirohet. Nëse ai nuk fsheh të vërteta të hidhura
për vendin e tij, me të cilat provohet mashtrimi dhe gënjeshtra, ai nuk kishte
pse ta refuzonte kërkesën e diplomatëve ushtarakë të SHBA-së dhe vendeve
europiane të NATO-s të instaluar në Beograd. Ndërkohë që ambasadorit rus i bën
vend në çdo aventurë e demonstrim ushtarak pikërisht në këto rajone e reparte
ushtarake, të cilat donin t'i shihnin ambasadorët perendimorë. Ambasadori i
Rusisë është i pranishëm në krah të ministrit të Mbrojtjes së Serbisë në
stërvitje dhe rrjeshtimin e ushtrisë serbe vazhdimisht.
Të
refuzosh atashetë ushtarakë të Perendimit dhe ta mbash mbas vetes në çdo repart
ushtarak ambasadorin e Rusisë është një akt me domethënie të madhe. Kjo dëshmon
se në ushtrinë serbe ka armatim dhe ushtarakë të shërbimit të fshehtë rus. Kjo
do të thotë se Serbia fsheh gjithashtu synime për destabilizimin e rajonit. Dhe
që presidenti Vuçiq luan me dy e shumë porta, këtë ai e ka pohuar që para katër
vitesh kur thoshte se "Do të jem një Tito i ri për Serbinë"! Pra se
do të luante në atë mënyrë që të qëndronte jo në dy, por në disa karrige, sipas
interesit të tij. Një moment të caktuar do të hiqej si pro-amerikan. Një moment
tjetër si pro-europian! Por pse jo edhe pro-kinez! Por ama gjithmonë do të
ishte e do të mbetet pro-rus.
Sonja
Biserko, në një intervistë për të njëjtën arsye që edhe zoti Kamberi më dha
disa javë më parë, shkruan: "Për fat të keq, Serbia është në anën e Rusisë
dhe nuk është e përgatitur të përputhet me prioritetet e politikës së jashtme
të BE-së, (sanksionet ndaj Rusisë) duke shpresuar se Rusia do t'i shpëtojë
aspiratave në Ukrainë. Meqenëse Rusia është e infiltruar thellë në Serbi dhe në
Republikën Srpska do të thotë se ajo lehtë mund të destabilizojë rajonin. Sipas
mendimit tim, do të ishte racionale që Serbia ta njohë menjëherë Kosovën, gjë
që do të siguronte kornizën për bashkëpunim të vërtetë rajonal.
Nuk
ka gjasa të ndodhë përderisa Serbia kërkon kompensim në Bosnje dhe Mal të Zi.
Rusia po mbështet ambiciet e saj dhe është pengesë e madhe në zgjidhjen e
konflikteve të ngrira në Bosnje dhe Kosovë. Ministri i Brendshëm Aleksandar
Vulin tha se “nuk do të ketë paqe në Ballkan derisa serbët të bashkohen”.
Besoj
se janë të panevojshme komentet e mëtejshme!