Mendime
Sadik Bejko: Kryeministri urdhëron - Të shkojë minator në Memaliaj
E enjte, 25.08.2022, 07:29 PM
KRYEMINISTRI URDHËRON: TË SHKOJË MINATOR NË MEMALIAJ
Nga
Sadik Bejko
Historia
më poshtë lidhet me një mjegulli, me faktimin se përse, për ç'faj më 1973, më
urdhëruan të lë punën në Radiotelevizionin shqiptar, Tiranë, për të shkuar minator
në minierën Memaliaj. Zyrtarisht, mua më thuhej (u tha edhe në publik) që kur
kisha qenë mësues në Tepelenë më 1963 paskam falsifikuar një dëftesë shkollore.
Kam
falsifikuar a nuk kam falsifikuar ndonjë dëftesë, ky fakt ka mbetur disi vagull
dhe më duhet ta sqaroj përfundimisht.
Shërbeu
si një pretekst kotit kjo çështja e një dëftese të falsifikuar në vitin 1963?
Ndonjëherë
ajo çështja e një dëftese të falsifikuar më ngjan me atë përrallën e një
njeriu, i cili prej vitesh kish mbajtur me vete të fshehur një gjarpër (dhe pse
nuk e dinte që e mbante), gjersa një
ditë gjarpëri e kish kafshuar. Kësaj nuk ke çfarë i bën. Ke mbetur i kafshuari. Gjarpëri i fshehur ta
la helmin dhe... ka ikur.
Është
një ngrënie në të pabesë.
Një
njeri, Bajram Brahimaj, nga fshati im, nga lagjia ime, ishte pajisur me një
dëftesë të shkollës shtatëvjeçare të Buzit , rrethi Tepelenë, më 1963. Ai nuk
kishte qenë asnjë ditë nxënës i asaj shkolle, pra, nuk e kishte kryer fare
ciklin trevjeçar të shkollimit pas
shkollës fillore.
Ky
Bajrami nuk u mjaftua me kaq.
Vazhdoi
me korrespodencë shkollën pedagogjike në Gjirokastër dhe arriti të merrte
deri provimet e vitit të tretë.
Fshatarët
e tij, me sytë hapur, nuk e pëlqyen këtë kuturisje të Bajramit, nuk e pëlqyen
që ai pa mbaruar shtatëvjeçare, po merrte dhe shkollën e mesme.
Nisën
letrat denoncuese lart...në parti e në qeveri.
Atëherë
ishte një klimë favorizuese për letrat, spiunimet falas, nga populli.
Denoncimi
i falsifikimit për Bajram B. mbështetej edhe në atë që Asim Brahimi, i vëllai i
këtij, atë vit kishte qenë mësues në Buz, në shkollën nga ishte lëshuar dëftesa
fallco. Ky vëlla tani pas dhjetë vjetësh, më 1973, ishte bërë njeri me rëndësi.
Kishte arritur deri në rangun e një sekretari të komitetit të partisë në
rrethin e Tepelenës ku banonte me gruan mësuese dhe me fëmijët.
Të
dy vëllezërit kur u zbulua falsifikimi, e pranuan fajin. Asimin e zbritën nga
gjithë funksionet partiake. E çuan punëtor në fermë. Bajramit ia morën dëftesën
e falsifikuar, e ndaluan të vazhdonte shkollën e mesme...dhe e lanë të punonte
si bujk në fshat.
Përse
u përfshiva unë në këtë pisllëk
fshati...?
Në
atë kohë, më 1973, isha redaktor i teksteve të këngëve në Radio televizionin
shqiptar. Nuk e dija gjë ç 'ndodhte mbas
shpinës sime në Tepelenë.
Por
në atë dëftesë fallco ishte edhe firma ime. Kaq u desh. Ata të Tepelenës e vendosën që domosdo unë
isha pjesëmarrës në falsifikim, që falsifikator i padyshimtë isha dhe unë. Nuk
më thotë njeri asgjë. Pasi e kishin vendosur që jam fsllsifikator, këtë ia
raportojnë Kryeministrit Mehmet Shehu. Dhe Kryeministri urdhëroi që unë të
shkoj punëtor në minierë. Kryeministri i një vendi lëshon një urdhër në erë???
Ngjan
si legjendë e tjerrë keq, por është krejt e vërtetë. Pa më
vënë në dijeni , pa më gjykuar më kanë shpallur fajtor, më kanë dhënë
edhe dënimin.
(Një
gjarpër po më hante në të fshehur.)
Pse
ishte firma ime në atë dëftesë? Më 1963 unë u emërova "I deleguar i
seksionit të arsimit të rrethit Tepelenë në shkollën 7-vjeçare të Komunës së
Buzit", i deleguar për periudhën kur aty do të zhvilloheshin dy provimet e
shtetit, të Gjuhës dhe të Matematikës.
Kjo atëherë ishte praktikë : një mësues nga një shkollë
tjetër asistonte për të vërejtur mbarëvajtjen e dy provimeve gjuhë dhe
matematikë, me gojë dhe me shkrim, të cilat atë kohë konsideroheshin si provime
shteti.
Punoja
në shkollën e Izvorit, shkollë që ende nuk kishte klasë të shtatë, pra, që nuk
zhvillonte provime. E quajta për nder kur më emëruan të deleguar të seksionit
të arsimit për të vëzhguar provimet në Buz.
Kur
provimet morën fund, kërkova dëftesat për firmë. Firma e të deleguarit
vihej në gjithë procesverbalet ku ishin rezultatet e notave të provimeve Gjuhë
dhe Matematikë, por edhe në dëftesat shkollore të atyre që atë vit mbaronin
7-vjeçaren.(Vite më pas ky shkollim u bë tetëvjeçar).
Firmosa
dëftesat, e mbylla atë vit shkollor, dhe fillova pushimet. Kaq mbaja (dhe kaq
mbaj mend edhe sot ) nga ajo histori si i deleguar seksioni në Shkollën Buz.
Më
1973, kur më thanë se paskam falsifikuar
një dëftesë...për B.B., kjo më ra si një gur pas koke. Si e paskam bërë dhe nuk e ditkam? Po këta
vëllezërit Brahimaj që kanë përfituar nga unë një dëftesë, si nuk janë bërë të
gjallë në kaq vjet? U paskam bërë një nder... nder që një ditë mund të më
rrezikonte, dhe ata fare nuk ma ditkan? Ata nuk e dinë në jam a nuk jam gjallë
në këto mbi dhjetë vjet? Asnjë kartolinë urimi për Vit të Ri nuk u kujtuan të
ma dërgojnë?
Por
nuk kishin për se të më tregonin mirënjohje. Unë nuk kisha pjesë në atë
falsifikim. Nuk u kisha bërë asnjë nder.
Nuk dija asnjë gjë për atë falsifikim.
Tani
që plasi falsifikimi, të paktën, ata duhet të më mbronin.
Por
nuk ndodhi kështu? Ata u shprehën që edhe unë i ndihmova në falsifikim. Si???
I
vajta në shtëpi në Tepelenë Asim Brahimit, shokut tim të fëmijërisë, shokut të
shkollës shtatëvjeçare dhe të shkollimit të Lartë. Më mbro, i thashë. Unë nuk di gjë për
falsifikimin. Si ka ndodhur? Kur ua paskam bërë një nder të tillë që ju kurrë
nuk ma keni ditur?
Së
paku, të më kishit shtruar një drekë. Të më kujtonit me një telefon; me një
letër... Ju nuk jeni bërë të gjallë për mua ka mbi dhjetë vjet e tani më thoni
falsifikimin e kemi bërë bashkë. Turp...
Ai
përtypej...e kemi bërë, thoshte...
(Të
ha gjarpëri yt ... i fshehur).
Gjyshja
më tha mos u grind dhe mos e dreqos me ata dy të liqtë. Ta kanë bërë të
keqen. Nuk çbëhet më. Zoti dikur merr
hak.
Nuk
u besoja atëherë profecive të plakave.
Pas
disa vitesh më kapi dhe ish-drejtori i shkollës Buz, Niko Naka nga Gjirokastra.
Më thotë me mllef: ti dhe Hasim B. na e falsifikuat dëftesën e desh ma futët
mua.
Nuk
i ktheva përgjigje. Ai ishte drejtori. Dëftesa zyrtarisht lëshohej me
autoritetin e tij si titullar i shkollës.
Dëftesa mbushej me shkrim dore nga mësuesi kujdestar i shkollës (Asim
Brahimaj). Ky mësues e hidhte dëftesën
dhe notat e saj në amzën, në regjistrin themeltar të shkollës. Dëftesa kishte
dhe numurin e amzës dhe firmat dhe vulën e shkollës Buz që e lëshonte.
Unë
mësues në Izvor, si u bëra falsifikues për vetëm tre katër ditë si i deleguar
në atë shkollë . I deleguari falsifikoka një dëftesë dhe ua hedhka atyre që
janë zot shtëpie në shkollë?
Siç
shprehej prokurori i asaj kohe në Tepelenë,
prokurori Th.Tutulani, kjo nuk kishte bythë të rrinte...kjo
vetvetiu rrëzohej...
Pa
prova, pa ekspertizën e firmës, pa ballafaqim me ata që kishin shkrimin dhe
firmat në dëftesë, arbitrarisht unë shpallesha fallsifikator...
Nëpunësi
i Tepelenës me mbiemër Gërbi, një me kokën të verdhë si lulja e rrodhes...më
tregoi deftesën dhe ja, më tha, ti e ke bërë. Çfarë kam bërë? Është aty firma
jote? Pra, ti je fallsifikatori.
Ata
të gjithë, zyrat, shteti e kishin paravendosur që unë isha falsifikator. Sikur
dhe deri në qiell të ulërija: jo nuk jam.
Jo,
nuk e pranoj. Ata thoshin: je.
Ç'
vlerë kishte mohimi im?
Prokurorit
të Tepelenës i thashë dua të më provosh që jam a s'jam fsllsifikator. U inatos.
Do të vë në bankën e akuzës, më tha. Ke barrën e provës. Dhe luaje bythën, po
deshe. Do të shpall fajtor. Atë dëshiroj, i thashë: shpallmë. I marrë je,
ulërinte? Po qenke fare i marrë! Nuk e kupton që nuk ke punë me mua. Një
fallsifikim dëftese dënohet deri në tre vjet. Kanë kaluar dhjetë vjet. Je i
pastër. Dhe sikur ta kesh bërë, tashmë është tri herë e parashkruar. Nuk të kap
asnjë ligj. Shko te zyra Atje. Dhe më tregoi Komitetin e Partisë. Ajo zyrë ka punë me ty. Mos e krruaj kot me
mua. Përjashta!
Ky
ishte një prokuror i fortë, me mbiemër Tutulani. Nga Berati. Dhe e lëshonte
gojën fort, mbarë e mbrapsht.
Por,
shkurt, ky ishte problemi: ty nuk dënon ligji, por për ty ka një urdhër
Kryeministri. Dhe do të shkosh në minierë se ke falsifikuar një dëftesë...
Zbato urdhërin, pastaj kërkoje të drejtën ku të duash...
Kanë
kaluar vite. Historia e mbuluar nga koha, nxjerr krye nën pluhurin e saj dhe
herë-herë dhemb. Dy miqtë e mi të fëmijërisë B. Brahimi, ai që mori dëftesën
dhe vëllai i tij Asimi, që e ndihmoi, ende më kanë borxh një shpjegim. Si ishte
puna e dëftesës? Atëherë ma futën, po kurrë nuk m'u shpjeguan më pas. U takuam
kaq herë pas rënies së diktaturës, dhe sikur asgjë nuk kishte ndodhur. Me të
vërtet, midis nesh nuk paska ndodhur asgjë?
Apo
burrash ende mbetet një llogari e hapur midis nesh? Kurdisën në shpinën time
diçka që më kushtoi, dhe... fshihen.
Nuk
lihet një shpjegim i kësaj bote si peng
për t'u shkrehur në botën tjetër...
Prokurori
Tutulani, indirekt atëherë ma tha se e keqja më vinte nga Ai lart, nga Olimpi
që me, apo pa faj, të gjuante me rrufe.
(Po
ai gjarpëri shtëpisë që të ngrënka fshehur? )
Të
keqen e nxiste jo vetëm Olimpi, por dhe zilia, dhe ligësia e vogël e paemër e atyre rreth e rrotull nesh, e ne
të tjerëve këtu poshtë.
facebook.com/sadik.bejko.3