Mendime
Florim Zeqa: Albin mos u mbyll në lëvozhgën tënde!
E merkure, 24.08.2022, 06:58 PM
Albin mos u mbyll në lëvozhgën tënde!
Shkruan:
Florim Zeqa
Përderisa
presidenti serb, Aleksandër Vuçiq e ka ftuar këshillin e sigurisë kombëtare
rreth dialogut me Prishtinën siq e quajnë ata dialogun me Kosovën, për habi
kryeministri ynë është mbyllur hermetikisht në lëvozhgën e tij!
Të shtohet vigjilenca
institucionale
1
shtatori është data, të cilën Qeveria e Kosovës e ka caktuar për hyrje në fuqi
të vendimit për targat e lëshuara ilegalisht nga Serbia dhe lëshimit të një
letre hyrje/dalje për shtetasit serbë që hyjnë në Kosovë, ashtu siç lëshohet
për kosovarët që hyjnë në Serbi.
Mirëpo,
kjo mund të bëhet shkas për eskalim të situatës në pjesën veriore siq ndodhi më
31 korrik, e mbase edhe më keq se kaq!
Institucionet
e Republikës së Kosovës dhe partitë politike duhet të mobilizohen dhe të
qëndrojnë të të bashkuara që t’i përgjigjen çdo situate të agresionit potencial
të Serbisë. Përgjigja ndaj Serbisë, përkatësisht veprimet e institucioneve tona
shtetërore duhet të jenë në bashkërendim dhe bashkëpunim të ngushtë edhe me
partnerët tanë strategjik, në veçanti me NATO-n dhe SHBA-të.
Bartësit
e institucioneve shtetërore, kryeministri Albin Kurti dhe presidentja Vjosa
Osmani duhet të jenë tejët të kujdesshëm në marrjen e vendimeve para 1
shtatorit, ngase çdo veprim i ngutshëm dhe i pa matur mirë mund t’na kushtojë
shtrenjtë në përballje me skenarët e paparashikuar të shtetit serb.
Tryezë imediate me
partitë politike
Në
asnjë rrethanë kryeministri Albin Kurti nuk guxon ta neglizhojë situatën në
veri, e aq më pak të merrë veprime të njëanshme pa koordinim të plotë me subjektet
politike vendore dhe partnerët strategjik ndërkombëtarë.
Në
anën tjetër, as partitë politike opozitare nuk guxojnë ta përdorin dialogun për
konsum të brendshëm, duke e kthyer dialogun në kauzë partiake me akuza kundër
kryeministrit Kurti.
Që
kjo të mos ndodhë, presidentja e vendit (nëse e ka guximin) duhet të organizojë
një tryezë urgjente me të gjitha subjektet politike, këshillin e sigurisë
kombëtare, kryeministrin dhe kryeparlamentarin për të diskutuar rreth dialogut
me Serbinë, përkatësisht rreth koordinimit të ndërmarrjes së veprimeve dhe
vendimeve unike para 1 shtatorit.
Ngase
çështja e dialogut me Serbinë, në veçanti veriu i vendit nuk është çështje
personale dhe as partiake, është çështje jetike për mbarë popullatën shqiptare
në Kosovë dhe jo vetëm.
Prandaj,
Albin Kurti nuk guxon të mbyllet në lëvozhgën e tij, por duhet të hapë debatin
me të gjithë faktorët politik vendor, për ta bërë transparent çdo detaj rreth
dialogut me Serbinë.
Albin fol e mos hesht
para qytetarëve
Kryeministri
Kurti nuk guxon t’i mbajë në terr informativ subjektet politike, qytetarët dhe
mediat rreth takimit të tij pesëorësh me Vuçiqin.
Fundja
kryeministri Kurti e ka detyrim kushtetutes që pas çdo takimi me Vuçiqin në
Bruksel t’i informojë deputetët e Kuvendit e jo të mbyllet në lëvozhgën e tij!
Prandaj,
nuk guxon të vazhdojë edhe më tutje mbyllja e Albin Kurtit në lëvozhgën e tij!
Është
e papranueshme që subjektet politike dhe qytetarët të njoftohen nga mediat,
gjegjësisht nga detajet që zbulon presidenti serb për gjashtë propozimet e
kryeministrit tonë, derisa ky i fundit vazhdon me heshtjen zakontë para
qytetarëve të vendit të vet!
Mostransparenca
e takimit me Vuçiqin nga ana e kryeministrit Albin Kurti ka ngritur shqetësime
dhe dilema të mëdha në mesin e popullatës dhe subjekteve politike në veçanti!
Paraprakisht
është dashur, që qytetarët e Kosovës të njoftohen nga kryeministri i tyre për
rrjedhën e dialogut e jo nga Aleksandër Vuçiqi!
Transparenca
e kryeminsitrit Kurti do t’i ndihmonte jashtëzakonisht shumë ndërtimit të
unitetit politik dhe të mobilizimit të institucioneve shtetërore, në veçanti të
faktorëve të sigurisë kombëtare.
Dialogu
i mbyllur mund t’na çojë në rrugë qorre, tensionim të situatës dhe në veprime
të paparashikuara të shtetit të Serbisë në veri dhe brendi të vendit tonë!
Shitja
si atdhetar e Albin Kurtit është pragmatizëm dogmatik që dëmton shtetin dhe
mashtrim filozofik për qytetarët.
Qytetarët
nuk kanë nevojë për prgmatizëm dogmatik, por për transparencë të plotë rreth
dialogut me Serbinë. Qytetarët duan të dinë saktësisht për kërkesat e Vuçiqit
dhe ambiciet e Serbisë ndaj Kosovës.
Për
fatin e mirë, edhe përkundër invazionit të pandërprerë politik të Serbisë ndaj
Kosovës, gjithmonë në mbrojtje të saj gjenden miqtë perëndimorë, aleati
strategjik (SHBA-të) dhe dy superfuqitë evropiane (Britania e Madhe dhe
Gjermania). Mbetemi me shpresë, që të tilla do të jenë edhe në rast të
invazionit ushtarak.
Enigmë
mbetet se çfarë do të ndodhë më 1 shtator në veri të vendit tonë!