Mendime
Eugjen Merlika: Kërkesa dhe mospranimi
E shtune, 27.08.2022, 06:59 PM
Eugjen Merlika duke Ligjeruar ne Prizren
KËRKESA DHE MOSPRANIMI
“Ajo
që bën një komb nuk është të folurit e së njëjtës gjuhë, dhe as përkatësia së
njëjtës prejardhjeje etnografike, por të kryerit së bashku të veprave të mëdha
në të shkuarën dhe dëshira për të kryer të tjera të tilla në t’ardhmen”.
- Ernest Renan(1823 – 1892), filozof e historian francez
Nga Eugjen Merlika
Kryetari
i Shoqatës Mbarëkombëtare “Trojet e Arbërit”, në një shkrim të datës 21 gusht
2022 me titull: “ Neo-otomanët refuzojnë kërkesën e Shoqatës “Trojet e
Arbërit”për Muranën e Gjergj Kastriotit në Prizren, por Shqiptarët do t’a
vendosin atë në Prizren”, me të cilin njofton opinionin publik të gjithë
trevave shqiptare brënda e jashtë kufijve të Shteteve shqiptar edhe
njëkohësisht edhe Mërgatën shqiptare në të gjithë botën, për një vendim të
autoriteteve të Qendrës për Trashëgiminë kulturore në Prizren dhe Këshillit
përkatës të saj, se i është përgjigjur në mënyrë johenike kërkesës së asaj
Shoqate për të patur lejen e atij institucioni për të vendosur në territorin e
qytetit të Prizrenit Muranën e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut.
Autori
i shkrimit, historiani Nue Oroshi, nuk sjell në njoftimin e tij, tekstin e
plotë të mospranimit të kërkesës së Shoqatës nga autoritetet përkatëse të
Prizrenit. Pa këtë, që do t’ishte tepër i rëndësishëm në vlerësimin e atij
vendimi, nuk mund të jepet një gjykim i saktë rreth kësaj kundërshtie ndërmjet
Shoqatës “Trojet e Arbërit" dhe Qëndrës për Trashëgiminë kulturore e
Këshillit përkatës të qytetit të Prizrenit. Do t’ishte me interes të posaçëm
për të gjithë shqiptarët, të njiheshin nëpërmjet fjalëve tekstuale të vetë
atyre zonjave e zotërinjve, ligjërimin e atij vendimi që përbën në tërësinë e
tij, një absurditet të pakonceptueshëm për cilindo njeri që flet gjuhën shqipe.
Mendoj
se është detyrë parësore e atyre nëpunësve të emëruar të Qendrës e Këshillit
për Trashëgiminë kulturore të qytetit historik të Prizrenit, të dalin me një
deklaratë të hapur, në të cilën të shpjegojnë, shkoqur e hollësisht, arsyet
përcaktuese të vendimit të tyre, që tejkalon shumë rëndësinë e tyre si organe
t’emëruar nga Bashkia e qytetit e ndikon në të gjithë opinionin mbarëshqiptar
për lemerinë e llahtarën që bart në vetvete e që përcjell në ndërgjegjet
vetiake e kombëtare të secilit shqiptar atdhetar. Ata zonja e zotërinj duhet të
jenë të vetëdishëm për vlerat e qytetit që përfaqësojnë e trashëgimin e tij në fushat kulturore e historike.
Pikërisht
ato vlera e ajo trashëgimi mendoj se kanë qënë përcaktuese në nismën e
lëvdueshme të Shoqatës “Trojet e Arbërit” që, me ndihmesën e saj financiare, të
sjellë n’atë qytet një tjetër simbol që e lidh me pjesën më të ndritur të
historisë shqiptare e figurën e Gjergj Kastriotit, si personaliteti më madhor i
saj. N’atë nismë, simbolikisht dhe idealisht, vendoset një lidhje ndërmjet dy
shekujsh, atij të pesëmbëdhjetit e atij të nëntëmbëdhjetit, që janë
karakterizuar nga dy epope, përmasat e të cilave kanë përcaktuar majat më të
larta të shprehjes së vlerave më qenësore të kombit shqiptar e të vetë
shqiptarizmës si filozofi, si ide e si program. Këta shekuj, në kujtesën
historike të shqiptarëve, u binjakëzuan me emrat e Krujës e të Prizrenit.
Nëse
epoka e Gjergj Kastriotit, me periudhën 1443 – 1478, shënoi në historinë
evropiane qëndresën shqiptare kundrejt prirjes së perandorisë më të fuqishme të
kohës, për të sulmuar Evropën dhe qytetërimin e saj, duke përfaqësuar të vetmen
mburojë të tyre, me përfundime të papërfytyrueshme përsa i përket rezultateve
në mbrojtjen e kontinentit dhe flijimeve të pashmangëshme të vetë shqiptarëve,
Lidhja e Prizrenit 1878 – 1881 nxori në pah një tjetër epope edhe se jo në
përmasat e së parës, as si synim dhe as si përfundim. Rëndësia e saj u
përcaktua nga mbrojtja e tokave shqiptare nga synimet grabitqare të shteteve
fqinjë, të përkrahur nga Evropa mosmirënjohëse që"harroi" shpejt
flijimin shqiptar për mbrojtjen e qytetërimit të saj.Lidhja e Prizrenit qe e
para përpjekje e vetëdijshme e shqiptarëve në historinë e tyre, për të pohuar
së bashku vlerat e tyre si bashkësi historike, etnike, gjuhësore, territoriale,
duke kërkuar vëndin e tyre të merituar në fushën kontinentale. Si e tillë ajo
mbeti njëlloj e shkruar me gërma t’arta në historinë e popullit tonë, për të
cilën jemi krenarë e ballëlartë edhe sot, mbas 141 vitesh. Ajo epope pati si
far ndriçues të veprimtarisë së saj të shkurtër pikërisht figurën legjendare të
Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, figurë që frymëzonte të gjithë udhëheqsit e
Lidhjes.
Me
gjithë stuhitë historike që kanë përcaktuar fatin tonë kombëtar, të detyruara
nga fuqi më të mëdha se sa mundësitë tona
për qëndresë, ne si shqiptarë, në Shqipëri, Kosovë e kudo ku jetojnë
bashkësi të mëdha e më pak të mëdha shqiptarësh kudo që ndodhen, duhet t’a
ndjejmë vehten pjestarë të të njëjtit komb, të së njëjtës histori. Si të tillë
një nga vlerat tona njerëzore që duhet të na karakterizojnë është nderimi i ynë
për të shkuarën tonë, për bëmat e saj të hidhura apo më pak të hidhura, heroike
apo më pak heroike, të lumtura apo të trishtuara, të urta por edhe të marra,
sepse të gjitha ato përbëjnë atë përvojë që mbetet pasuria e jonë e përbashkët.
Mund të jetojmë në Vënde të ndryshme, apo në trevat shekullore tonat, mund të
fitojmë të tjera shprehi e të tjera mendësi, simbas mjediseve në të cilët
gjindemi, por nuk duhet të harrojmë vetitë tona qenësore të trashëguara, ato që
kanë përcaktuar ecjen tonë të përbashkët në hullitë e historisë.
Vendimi
i Qëndrës për Trashëgimi kulturore në Prizren më duket se nuk shkon n’atë
drejtim. Mospranimi për të gjetur një copëz toke ku të vendoset falas Murana e
Gjergj Kastriotit, jashtë çdo lloji argumenti shpjegues që mund të jepet,
mbetet një dhunim i hstorisë sonë, i vlerave të saj, i trashëgimisë së saj. Si
i tillë ai fyen botën shpirtërore të cilitdo pjestari të kombit tonë, sepse ai
godet në zemrën tonë, në figurën më të ndritëshme me të cilën janë njëjtësuar
në ëndërrat e idealet e tyre dhjetra breza bashkatdhetarësh tanë. Aq më tepër e
dhimbëshme bëhet kjo dukuri, nëse i përgjigjet pohimit të Kryetarit të Shoqatës
"Trojet e Arbërit" që padit "neo-otomanizmin" e një pjese
të qytetarëve të Kosovës së pavarur si arsyen kryesore të mospranimit të
kërkesës së Shoqatës. Po të jetë kështu, ai vendim mospranimi nuk mund të mos
zgjojë tek cilido shqiptar atdhetar një zemërim të brëndshëm që del nga
thellësitë e zemrave e ka nevojë të shprehet me fuqi e vendosmëri, si një
protestë kombëtare kundër një mendësie që nuk duhet të gjejë vënd në shllimet
tona, në synimet, në jetën tonë, sepse do të përbënte turpin tonë të shekullit
të njëzetenjëtë.
Mund
të ketë individë që mund të kenë mendësi larg shqiptarizmës e parapëlqimetë
tyre vetiake të hapura apo të fshehta. Është e drejta e tyre t’i ushqejnë apo
t’i shprehin ato, por është e papranueshme që të ketë institucione në shtetet
shqiptarë që të marrin vendime e qëndrime kundër shqiptare, madje të arrijnë
deri në fyerje të vlerave më të larta të vetë kombit.
Le
të shpresojmë se Qeveria e Kosovës, nëpërmjet Ministrive të Mjedisit,
Planifikimit hapësinor dhe Infrastrukturës e asaj të Kulturës, Rinisë e
Sporteve, do të ndryshojë atë vendim të turpshëm e do t’i kthejë qetësinë të
gjithë shqiptarëve kudo që ndodhen. Uroj me gjithë zemër të jetë kjo zgjidhja
m’e mirë, mbasi pështjellimi i autoriteteve të huaj në këtë katrahurë nuk t’i
sillte asgjë të mirë e të dobishme dinjitetit tonë kombëtar dhe aftësisë për të
zgjidhur vetë problemet tona, qoftë edhe në raste të këtilla, kur më e pakta
arsye e shëndoshë do të detyronte përshkimin e rrugës së duhur. Ai pështjellim
do të përkeqësonte përfytyresën tonë, tashmë të lënduar nga një tridhjetëvjeçar
demokrature jo të hijshme.
Gusht 2022