Mendime
Florim Zeqa: Nuk më friksojnë kërcënimet dhe sharjet e maskarenjëve!
E merkure, 31.08.2022, 07:54 PM
Nuk më friksojnë kërcënimet dhe sharjet e maskarenjëve!
Shkruan:
Florim Zeqa
Sa herë që kërcënohem, shahem apo fyhem nga të
sëmuarit mental në mendje më vijnë fjalët e babait tim të ndjerë Halil Zeqa pas
torturave në stacionin policor në Klinë, po citoj: "Kemi përjetuar tortura të rënda në
stacionin policor në Klinë, na kanë goditur me tyta pushkësh dhe mjete tjera të
forta në të gjitha pjesët e trupit, por të gjitha i kemi përjetuar më lehtë
sesa sharjet dhe fyerjet në baza kombëtare, dhe prapë duronim në pamundësi për
të bërë gjë. Në atë moment jam betuar, se edhe nëse më ndodhë ndonjëherë në
jetë që të më shajë ose ofendojë ndonjë shqiptarë, nuk do të më shkojë mendja për
ta bërë edhe më të voglën gjë, por vetëm do t'i themë, të qoftë për nderë" (Halil Zeqa, 25 shkurt 1993).
Një kërcënim dhe një sharje “vëllazërore”
Për 12 vjet
veprimtari gazetareske dhe publicistike kam përjetuar kërcënime, sharje dhe fyerje
nga më të ndryshmet, por do t’i veçoja dy nga më banalet nga dy “trima të
xha’Sulos”.
Kërcënimi i parë serioz më erdhi dy vite e gjysmë
më parë, në Janar të vitit 2020 pas një shkrimi kritik për katandisjen e
vlerave demokratike në LDK, nga një i ashtuquajtur rugovist, mbështetës i
rrënuesit të LDK-së rugoviane, po e citoj: “E pra,
veç n’hifsh ka je dale, se pa ta hup faren e flliqt nuk kam me lan. Ti o qen, o
njeri i smut psiqik, ti a po mendon se une jam si ata baloshat me te cilet ti
shoqerohesha, aa.
Po une nuk jam njeri i poshter si ti, qe
qon uj gjithmone ne mullirin e atyre qe se duan LDK-ne.
Ty te perkrahin do njerez qe nuk kane pik
vlera. Po ne mua je zatet ne hun lesh, e me emrin e zotit veç nese me nshon
shpirti se ne ate dakik qe kemi me u pa ke me i la krejt pernjeheri.
Une kam shoke ne krejt boten qe kan me me
ndihmu ne kete drejtim.
Tash zhduku mashkull pel” (përfundon shkrimi origjinal).
Kurse sharja apo ofendimi më banal më erdhi ditë më
parë nga një mbështetës i ish pushtetarëve, PDK-isti i përbetuar pas analizës
politike rreth fillimit të grevave, po citoj: “Tye
ta qifshin nanen krejt sindikatat edhe un bashk me ta o gazetar rus”
(përfundon shkrimi origjinal).
Dallimi mes kërcënimit dhe sharjes së sipërcekur,
edhe pse dalllojnë në kohë dhe përmbajtje, qëllimin e kanë të njëjtë, mbylljen
e gojës të gjithë gazetarëve dhe analistëve që e marrin guximin ta thonë të
vërtetën!
Përderisa të parit (kërcënuesit qyqar) ju përgjigja
në këtë mënyrë: “Mirë se të bjen Zoti”, këtij të fundit, sharësit banal i
thash: “Të qoftë për nderë”.
Asnjëherë nuk më ka shkuar dhe as që më shkon
mendja për hakmarrje ndaj të tillëve, pasi në shpirtin tim nuk ekziston fryma e
hakmarrjes, por ajo e dashurisë vëllazërore dhe tolerancës njerëzore, e faljes
dhe unitetit kombëtar.
Pavarësisht kërcënimeve dhe sharjeve virtuale nuk
tërhiqem nga misioni fisnik
Rrethanat politike shpeshëherë prodhojnë presione,
shantazhe, madje edhe kërcënime ndaj gazetarëve, gjëra të cilat për fat të keq
kohëve të fundit janë në rritje e sipër!
Megjithatë, gazetarët e mirëfilltë duhet kuptuar
një gjë; se misioni i tyre është i shenjtë, ata janë avangardë e shoqërisë e jo
e pushtetarëve. Prandaj në asnjë rrethanë nuk guxojnë të bien pre e
maskarenjëve.
Kur flasim për kërcënimet dhe shantazhet që vijnë
nga politika, nuk guxon të vie në shprehje tërheqja e gazetarit nga misioni
fisnik shkaku i një kërcënimi, përkundrazi duhet të ballafaqohet me
kërcënuesin. Përveq bërjes publik të rastit për opinionin e gjerë, rastin duhet
denoncuar edhe tek organet kompetente. Pavarësisht,
kërcënimeve, shantazheve dhe sulmeve virtuale pas publikimit, nuk guxon të
ndodhë tërheqja e shkrimit nga gazetari, përkundrazi duhet mbrojtur me
fakte dhe argumente të fuqishme interpretimin (prezantimin) e së vërtetës sado
sfiduese të jetë ajo.
Do të dëshiroja të i shihja sesi sillen këta
“trimat e xha’Sulos” me policinë serbe në pikat kufitare me Serbinë gjatë
udhëtimit nga shteti helvetik (ku jetojnë) për Kosovë dhe anasjelltas!