Mendime
Ndue Dedaj: Shuarja 'dixhitale' e një epoke
E merkure, 31.08.2022, 06:50 PM
SHUARJA “DIXHITALE” E NJË EPOKE
Nga
Ndue Dedaj
Po
ndodh para syve tanë shuarja e një epoke. Po bie me shpejtësi gjithçka e vjetër
e botës materiale dhe e asaj shpirtërore. Është vërshimi dixhital e jo vetëm që
po e përshpejton këtë fund të pashmangshëm. Në rajonin tonë ka ndikuar fort
edhe shprishja e demografisë. Banorët i kanë lënë tashmë vendet e tyre të
epërme dhe kanë zënë qytetet. Nëse kullat lihen shkret, dihet që ato bien
brenda. Ashtu si mulliri i vjetër në breg të lumit, që, po nuk bloi, kthehet në
“stan” minjsh. Po shuhen bardët epikë të malësive, “legjendarët” e fundit.
Njeriu në kapërcyell të epokës po ikën me trishtim, i pamundur për të mbijetuar
në mijëvjeçarin e tretë. Nuk e di pse epoka më shëmbëllehet me fytyrën e një
gruaje. Ndiej dhimbje sa herë shoh njoftimet mbi vdekjen e grave të moçme me
ato veshjet tipologjike të trevave shqiptare. Është një arketip njerëzor që nuk
do ta shohim më. Do t’u mbetet vetëm fotografia dhe stolitë në muze. Këtë racë
e prodhoi koha e shkuar, historia, njësia etnografike ku rrojtën, tempujt ku u
lutën etj. Janë vajet e fundit të grave mirditore që studiuesit i krahasonin me
elegjitë e moçme të poetëve romakë. Mbesat e këtyre nanëlokeve sojnike janë
këngëtare të muzikës së lehtë në metropol, mësimdhënëse nëpër shkolla, mise në
modeling, por dhe vajza që shëtisin kuturu me qenin përdore si një “vogëlush”
lozanjar, pa dashur t’ia dinë për asgjë!?…
Bashkë
me njërëzit e epokës po na ikën për duarsh dhe rekuizita artistike e një kohe.
Vini oroe, në Kaçinar, një grua në moshë, Mrikë Ndreka, ruan në kullën e saj
familjare, jashtë mundësive, një pasuri etnografike që nuk e ka asnjë muze:
komplete të veshjes mirditore të gruas dhe të burrit, sende e pajisje të tjera
që lidhën me traditën e punimit të veshjeve në trevën e Mirditës, trashëguar
nga i ati Nikollë Bardhi, njëri nga mjeshtrit e shquar popullor të kësaj zeje,
nga duart e të cilit qe veshur Ansambli “Mirdita” në vitin 1988 në Festivalin
Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës. Kjo zonjë nuk është e vetme, ka dhe të
tjera zejtare e zejtarë tradicionalë në të gjithë vendin që ruajnë veshje,
vegla muzikore, sende me vlerë etj. Kjo pasuri etnografike duhet tërhequr nga
institucionet shtetërore apo muzetë privatë, që të mund të bëhet pjesë e
trashëgimisë lokale e kombëtare. Ankohemi jo rrallë se nuk kemi fonde për
gërmime nëntokë, ku vazhdojnë të “kalbën” thesare arkeologjike antike, kurse në
raste si ky mjafton vullneti i Ministrisë së Kulturës, bashkive, donatorëve, organizatave
që merren me trashëgiminë kulturore për t’i bërë të pronë të publikut këto
visare të papërsëritshme me një faturë financiare krejtësisht të përballueshme.
Por shteti këtu është sfiduar nga individi i thjeshtë. Tashmë është i njohur
muzeu i Malësisë së Madhe i Shtjefën Ivezajt në Tuz, kulla e vjetër e poetit
Gjon Gjergjaj në Krushë të Vogël (Kosovë) me plot visare të autoktonisë që nga
koha ilire, muzeu i Ndoc Shabës në Zadrimë, gjithashtu një atraksion me vlerë.
Tre muzetë e mësipërm nuk i kanë bërë tre pasanikë, por një fotograf, një
shkrimtar dhe një mësues i pasionuar pas kulturës. Shteti shpenzon për godinat
e institucioneve kulturore, po për pasurimin e tyre a ka një buxhet? Kohët e
fundit ka përfunduar rikonstruksioni i pallatit të kulturës në Rrëshen, ku me
nismën e drejtuesit të tij të pasionuar Gjergj Marku dhe kontributin e
punonjësve veteranë të kulturës, janë krijuar dhoma muze kushtuar artistëve
popullorë dhe të muzikës së kultivuar, ekspozita fotografike për Abat Doçin,
qytetin e Rrëshenit etj. Është për t’u përmendur gjithashtu shkolla e mesme e
bashkuar e Gjadrit (Lezhë) që prej vitesh ka konfiguruar një muze zadrimor
mjaft interesant, nismë që me sa dimë do të shtrihet dhe në shkolla të tjera të
rajonit. Janë dhe disa “muze virtualë” (siç na pëlqen t’i quajmë) që lidhën me
studiues të mirënjohur si Jahja Drançolli në Prishtinë dhe Jaho Brahaj në
Tiranë, të cilët përmes postimeve në Facebook etj. sjellin në vijimësi objekte
të vjetra historike dhe etnografike, si fotografi, emblema, ikona, mbishkrime,
afreska, artefakte, relikte të qëmtuara prej tyre me durim në arkiva dhe në
terren.
Bjerrja
e tempujve të moçëm, kalave, kullave etj. ka kohë që është kthyer në një alarm
intelektual, por jo dhe shtetëror. Ndërsa ngrëmë përditë mure të reja, rrallë e
tek ruhen ato të vjetrat, që në vendet e Europës dhe kudo tjetër janë të
shenjta. Në Rubik restaurohet kisha njëmijëvjeçare, por jo dhe godina e rrënuar
e Kuvendit Françeskan, nga më të vjetrat e vendit. Në Mirditë ka shpëtuar pa u
rrënuar plotësisht ujësjellësi i shekullit IV pas Krishtit i njohur si “Gurra e
Domgjonit”, ngaqë pusi dhe tunelet e tij gjenden nëntokë. Duke qenë vepër
hidroteknike unike, objekti i vetëm i tillë në Shqipëri dhe në krejt hapësirën
shqiptare, ka merituar një trajtim të veçantë si monument trashëgimor. Ndërkohë
që kemi gurin prehistorik të Xhuxhës, gjetur para tre vitesh dhe që ende i
vijmë rrotull në Muzeun Kombëtar se çfarë duhet të jetë?! Po na zhduken dita -
ditës portikët e kishave, muret gurëmëdhenj të kështjellave dhe qytezave
antike, bedenat e kalave, harqet e urave, qoshet e kullave, gurët e mullirit,
sepse është sosur “guri i caranit”. Çdo vend ka diçka e shumëçka që duhet
ruajtur, nga setet e “vogla” arkeologjike deri te Butrinti, Amfiteatri i
Durrësit, Dalmacia (Koman), Zgërdheshi ilir në Fushë - Krujë, Gjuhadoli në
Shkodër, Abacia e Oroshit, Ura e Zogut mbi Mat, konvikti “Kosova” në Has, apo
një varg kullash historike, si e Gjomarkajve në Orosh dhe Shkodër, e Çun Mulës
në Hot, e Prek Calit në Vërmosh, e Mirakajve në Iballë etj. Teksa është për t’u
lavdëruar nisma e shumë të ikurve nga malësitë që janë rikthyer e kanë
restauruar kullat e të parëve, duke shpëtuar në këtë mënyrë një trashëgimi
kulturore krejt të veçantë. Kohë më parë patëm kënaqësinë të ishim të ftuar një
një festë familjare në kullën e restauruar të Pjetër e Preng Nikollit në Konaj
të Fanit, një “pallat” mes pishave i skalitur në gur, ndërtuar nga djemtë e
tyre, që duke ecur në hullinë e të parëve sot janë ndërtues në qendra urbane,
biznesmenë të suksesshëm brenda dhe jashtë vendit, me investime në Lezhë,
Milano e deri në Dubai.
Por,
përkundrejt kësaj pune me themel, ku gërshetohet tradita me bashkëkohësinë,
kanë filluar të lulëzojnë disa “shenja” të reja të fisit, sajesa familjarësh,
në vend të simboleve të vjetra, si në emërtimin me mik të rrugëve, shesheve,
shkollave etj. Kësaj i thonë t’i heqim së shkuarës shenjat e veta dhe t’i
mballosim shenjat tona. Një rrugë që populli e ka thirrur gjithëherë në emrin e
fshatit, lumit, malit etj. ti me shokët e këshillit bashkiak i vë emrin e
stërgjyshit tënd!? Po ajo ishte rruga e të gjithëve. Populli e kishte quajtur
Udha e Madhe. Kështu ajo kishte hyrë dhe në Kanun. Nuk kishte guxuar t’i vinte
emrin e vet asaj udhe kryeplaku, bajraktari, kapidani, pashai, beu, cubat,
kaçakët dhe ja që ia gjen anën dhe e bën njeriu dikushi ndër ne. E njëjta
praktikë qe ndjekur nga partia dhe pushteti në të kaluarën, ku të gjithë
shkollave të republikës iu vu nga një emër dëshmori të Luftës ose jo, mirëpo
shumica mbetën vetëm tek vula e shkollës, kurse në popull nuk thirrëshin ashtu.
Historia e sajuar me të sotmen si dy pika ujë, atëherë nga ideologjia dhe
agjitpropi për ta përjetësuar sistemin politik përmes simbolesh të reja, sot
nga dëshira për të përjetësuar fisin. Sajesat amatoreske po e zhbëjnë traditën.
Në vend të këngëve të vjetra, sot bëhen këngë popullore me porosi për secilin
burrë të gjallë apo të vdekur që ka qenë dikushi në “mexhlisin” politik të
kohës, në katund, fabrikë, minierë, kooperativë, ushtri etj. Mund të jenë bërë
deri tani nja pesë mijë sosh dhe shpejt do të kenë arritur në 50 mijë. (Të
gjitha iu kushtohen burrave!? Si duket gratë nuk e duan këtë lloj
“përjetësie”.) Po a do të ketë ndonjë festival Gjirokastre që do t’i pranojë e
çertifikojë ato si folk? S’ka sesi të ndodhë. Jo për gjë, po se sot nuk ka më
folklor burimor, por vetëm folklorizëm. Nuk është më mulliri, magjja e furra e
folklorit që “gatuan” dhe “pjek” në katunde të thella malesh. Ora e tij ka
mbetur përfundimisht me epokën dixhitale. Ka ndryshuar areali malësor, pasi
populli ka lëvizur drejt metropolit duke i lënë bardët në shejtninë e tyre, më
së shumti në varreza. Foklorin nuk e prodhon vila, mercedezi, spektaklet
televizive të së dielës etj. Është tjetër gjë rimarrja e folkut të mirëfilltë
në shfaqjet kulturore apo dasmat e sotme, çka krijon ndjesi e bukuri festive.
Folkun si të atillë e prodhonte kulla ku dilte tym, oborri ku lihte qeni, mali
ku tingëllonin këmborët e bagative etj. As ritualet nuk i prodhon më koha, pasi
kanë qenë fryt i një mendësie dhe përfytyrimi parak, arkaik. Si mund ta bësh më
“buzmin bujar”, që lidhej me bestytnitë pagane rreth pjellorisë së tokës? Etj.
Shumë
gjëra mund të dalin nga përdorimi, por nuk duhet të dalin nga kujtesa, nga
“rrojtja” muzeore, festive, turistike. Fatmirësisht ka jo pak që i bëjnë punët
e mira në dobi të traditës dhe ripërtëritjes së saj pa daulle. Për t’u
përmendur janë panairet lokale periodike të zejeve, që zhvillohen nën kujdesin
e bashkive, maratona e këngës popullore nëpër qytete, shfaqjet muzikore të
grupeve të folkut, orët mësimore në këtë qasje, resortet turistike që kanë dhe
anën e tyre etnografike etj.
Vetëm
yjet, pasi shuhen, vazhdojë të lëshojnë dritë vetë, kurse “yjeve” të
trashëgimisë duhet me ua mbajt dritën ndezur ne.