Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ndue Dedaj: Shuarja 'dixhitale' e një epoke

| E merkure, 31.08.2022, 07:50 PM |


SHUARJA “DIXHITALE” E NJË EPOKE

Nga Ndue Dedaj

Po ndodh para syve tanë shuarja e një epoke. Po bie me shpejtësi gjithçka e vjetër e botës materiale dhe e asaj shpirtërore. Është vërshimi dixhital e jo vetëm që po e përshpejton këtë fund të pashmangshëm. Në rajonin tonë ka ndikuar fort edhe shprishja e demografisë. Banorët i kanë lënë tashmë vendet e tyre të epërme dhe kanë zënë qytetet. Nëse kullat lihen shkret, dihet që ato bien brenda. Ashtu si mulliri i vjetër në breg të lumit, që, po nuk bloi, kthehet në “stan” minjsh. Po shuhen bardët epikë të malësive, “legjendarët” e fundit. Njeriu në kapërcyell të epokës po ikën me trishtim, i pamundur për të mbijetuar në mijëvjeçarin e tretë. Nuk e di pse epoka më shëmbëllehet me fytyrën e një gruaje. Ndiej dhimbje sa herë shoh njoftimet mbi vdekjen e grave të moçme me ato veshjet tipologjike të trevave shqiptare. Është një arketip njerëzor që nuk do ta shohim më. Do t’u mbetet vetëm fotografia dhe stolitë në muze. Këtë racë e prodhoi koha e shkuar, historia, njësia etnografike ku rrojtën, tempujt ku u lutën etj. Janë vajet e fundit të grave mirditore që studiuesit i krahasonin me elegjitë e moçme të poetëve romakë. Mbesat e këtyre nanëlokeve sojnike janë këngëtare të muzikës së lehtë në metropol, mësimdhënëse nëpër shkolla, mise në modeling, por dhe vajza që shëtisin kuturu me qenin përdore si një “vogëlush” lozanjar, pa dashur t’ia dinë për asgjë!?…

Bashkë me njërëzit e epokës po na ikën për duarsh dhe rekuizita artistike e një kohe. Vini oroe, në Kaçinar, një grua në moshë, Mrikë Ndreka, ruan në kullën e saj familjare, jashtë mundësive, një pasuri etnografike që nuk e ka asnjë muze: komplete të veshjes mirditore të gruas dhe të burrit, sende e pajisje të tjera që lidhën me traditën e punimit të veshjeve në trevën e Mirditës, trashëguar nga i ati Nikollë Bardhi, njëri nga mjeshtrit e shquar popullor të kësaj zeje, nga duart e të cilit qe veshur Ansambli “Mirdita” në vitin 1988 në Festivalin Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës. Kjo zonjë nuk është e vetme, ka dhe të tjera zejtare e zejtarë tradicionalë në të gjithë vendin që ruajnë veshje, vegla muzikore, sende me vlerë etj. Kjo pasuri etnografike duhet tërhequr nga institucionet shtetërore apo muzetë privatë, që të mund të bëhet pjesë e trashëgimisë lokale e kombëtare. Ankohemi jo rrallë se nuk kemi fonde për gërmime nëntokë, ku vazhdojnë të “kalbën” thesare arkeologjike antike, kurse në raste si ky mjafton vullneti i Ministrisë së Kulturës, bashkive, donatorëve, organizatave që merren me trashëgiminë kulturore për t’i bërë të pronë të publikut këto visare të papërsëritshme me një faturë financiare krejtësisht të përballueshme. Por shteti këtu është sfiduar nga individi i thjeshtë. Tashmë është i njohur muzeu i Malësisë së Madhe i Shtjefën Ivezajt në Tuz, kulla e vjetër e poetit Gjon Gjergjaj në Krushë të Vogël (Kosovë) me plot visare të autoktonisë që nga koha ilire, muzeu i Ndoc Shabës në Zadrimë, gjithashtu një atraksion me vlerë. Tre muzetë e mësipërm nuk i kanë bërë tre pasanikë, por një fotograf, një shkrimtar dhe një mësues i pasionuar pas kulturës. Shteti shpenzon për godinat e institucioneve kulturore, po për pasurimin e tyre a ka një buxhet? Kohët e fundit ka përfunduar rikonstruksioni i pallatit të kulturës në Rrëshen, ku me nismën e drejtuesit të tij të pasionuar Gjergj Marku dhe kontributin e punonjësve veteranë të kulturës, janë krijuar dhoma muze kushtuar artistëve popullorë dhe të muzikës së kultivuar, ekspozita fotografike për Abat Doçin, qytetin e Rrëshenit etj. Është për t’u përmendur gjithashtu shkolla e mesme e bashkuar e Gjadrit (Lezhë) që prej vitesh ka konfiguruar një muze zadrimor mjaft interesant, nismë që me sa dimë do të shtrihet dhe në shkolla të tjera të rajonit. Janë dhe disa “muze virtualë” (siç na pëlqen t’i quajmë) që lidhën me studiues të mirënjohur si Jahja Drançolli në Prishtinë dhe Jaho Brahaj në Tiranë, të cilët përmes postimeve në Facebook etj. sjellin në vijimësi objekte të vjetra historike dhe etnografike, si fotografi, emblema, ikona, mbishkrime, afreska, artefakte, relikte të qëmtuara prej tyre me durim në arkiva dhe në terren.

Bjerrja e tempujve të moçëm, kalave, kullave etj. ka kohë që është kthyer në një alarm intelektual, por jo dhe shtetëror. Ndërsa ngrëmë përditë mure të reja, rrallë e tek ruhen ato të vjetrat, që në vendet e Europës dhe kudo tjetër janë të shenjta. Në Rubik restaurohet kisha njëmijëvjeçare, por jo dhe godina e rrënuar e Kuvendit Françeskan, nga më të vjetrat e vendit. Në Mirditë ka shpëtuar pa u rrënuar plotësisht ujësjellësi i shekullit IV pas Krishtit i njohur si “Gurra e Domgjonit”, ngaqë pusi dhe tunelet e tij gjenden nëntokë. Duke qenë vepër hidroteknike unike, objekti i vetëm i tillë në Shqipëri dhe në krejt hapësirën shqiptare, ka merituar një trajtim të veçantë si monument trashëgimor. Ndërkohë që kemi gurin prehistorik të Xhuxhës, gjetur para tre vitesh dhe që ende i vijmë rrotull në Muzeun Kombëtar se çfarë duhet të jetë?! Po na zhduken dita - ditës portikët e kishave, muret gurëmëdhenj të kështjellave dhe qytezave antike, bedenat e kalave, harqet e urave, qoshet e kullave, gurët e mullirit, sepse është sosur “guri i caranit”. Çdo vend ka diçka e shumëçka që duhet ruajtur, nga setet e “vogla” arkeologjike deri te Butrinti, Amfiteatri i Durrësit, Dalmacia (Koman), Zgërdheshi ilir në Fushë - Krujë, Gjuhadoli në Shkodër, Abacia e Oroshit, Ura e Zogut mbi Mat, konvikti “Kosova” në Has, apo një varg kullash historike, si e Gjomarkajve në Orosh dhe Shkodër, e Çun Mulës në Hot, e Prek Calit në Vërmosh, e Mirakajve në Iballë etj. Teksa është për t’u lavdëruar nisma e shumë të ikurve nga malësitë që janë rikthyer e kanë restauruar kullat e të parëve, duke shpëtuar në këtë mënyrë një trashëgimi kulturore krejt të veçantë. Kohë më parë patëm kënaqësinë të ishim të ftuar një një festë familjare në kullën e restauruar të Pjetër e Preng Nikollit në Konaj të Fanit, një “pallat” mes pishave i skalitur në gur, ndërtuar nga djemtë e tyre, që duke ecur në hullinë e të parëve sot janë ndërtues në qendra urbane, biznesmenë të suksesshëm brenda dhe jashtë vendit, me investime në Lezhë, Milano e deri në Dubai.

Por, përkundrejt kësaj pune me themel, ku gërshetohet tradita me bashkëkohësinë, kanë filluar të lulëzojnë disa “shenja” të reja të fisit, sajesa familjarësh, në vend të simboleve të vjetra, si në emërtimin me mik të rrugëve, shesheve, shkollave etj. Kësaj i thonë t’i heqim së shkuarës shenjat e veta dhe t’i mballosim shenjat tona. Një rrugë që populli e ka thirrur gjithëherë në emrin e fshatit, lumit, malit etj. ti me shokët e këshillit bashkiak i vë emrin e stërgjyshit tënd!? Po ajo ishte rruga e të gjithëve. Populli e kishte quajtur Udha e Madhe. Kështu ajo kishte hyrë dhe në Kanun. Nuk kishte guxuar t’i vinte emrin e vet asaj udhe kryeplaku, bajraktari, kapidani, pashai, beu, cubat, kaçakët dhe ja që ia gjen anën dhe e bën njeriu dikushi ndër ne. E njëjta praktikë qe ndjekur nga partia dhe pushteti në të kaluarën, ku të gjithë shkollave të republikës iu vu nga një emër dëshmori të Luftës ose jo, mirëpo shumica mbetën vetëm tek vula e shkollës, kurse në popull nuk thirrëshin ashtu. Historia e sajuar me të sotmen si dy pika ujë, atëherë nga ideologjia dhe agjitpropi për ta përjetësuar sistemin politik përmes simbolesh të reja, sot nga dëshira për të përjetësuar fisin. Sajesat amatoreske po e zhbëjnë traditën. Në vend të këngëve të vjetra, sot bëhen këngë popullore me porosi për secilin burrë të gjallë apo të vdekur që ka qenë dikushi në “mexhlisin” politik të kohës, në katund, fabrikë, minierë, kooperativë, ushtri etj. Mund të jenë bërë deri tani nja pesë mijë sosh dhe shpejt do të kenë arritur në 50 mijë. (Të gjitha iu kushtohen burrave!? Si duket gratë nuk e duan këtë lloj “përjetësie”.) Po a do të ketë ndonjë festival Gjirokastre që do t’i pranojë e çertifikojë ato si folk? S’ka sesi të ndodhë. Jo për gjë, po se sot nuk ka më folklor burimor, por vetëm folklorizëm. Nuk është më mulliri, magjja e furra e folklorit që “gatuan” dhe “pjek” në katunde të thella malesh. Ora e tij ka mbetur përfundimisht me epokën dixhitale. Ka ndryshuar areali malësor, pasi populli ka lëvizur drejt metropolit duke i lënë bardët në shejtninë e tyre, më së shumti në varreza. Foklorin nuk e prodhon vila, mercedezi, spektaklet televizive të së dielës etj. Është tjetër gjë rimarrja e folkut të mirëfilltë në shfaqjet kulturore apo dasmat e sotme, çka krijon ndjesi e bukuri festive. Folkun si të atillë e prodhonte kulla ku dilte tym, oborri ku lihte qeni, mali ku tingëllonin këmborët e bagative etj. As ritualet nuk i prodhon më koha, pasi kanë qenë fryt i një mendësie dhe përfytyrimi parak, arkaik. Si mund ta bësh më “buzmin bujar”, që lidhej me bestytnitë pagane rreth pjellorisë së tokës? Etj.

Shumë gjëra mund të dalin nga përdorimi, por nuk duhet të dalin nga kujtesa, nga “rrojtja” muzeore, festive, turistike. Fatmirësisht ka jo pak që i bëjnë punët e mira në dobi të traditës dhe ripërtëritjes së saj pa daulle. Për t’u përmendur janë panairet lokale periodike të zejeve, që zhvillohen nën kujdesin e bashkive, maratona e këngës popullore nëpër qytete, shfaqjet muzikore të grupeve të folkut, orët mësimore në këtë qasje, resortet turistike që kanë dhe anën e tyre etnografike etj.

Vetëm yjet, pasi shuhen, vazhdojë të lëshojnë dritë vetë, kurse “yjeve” të trashëgimisë duhet me ua mbajt dritën ndezur ne.