Kulturë
Albert Zholi: Një libër patriotik me vlera
E hene, 11.04.2022, 05:43 PM
Libri me poezi “Në
gjirin e Nënës” i poeteshës, Sabina Elmazaj, një libër patriotik me vlera
Nga
Albert Z. ZHOLI
Libri
i ri me poezi i poetes së re Sabina Elmazaj “Në gjirin e Nënës”, është një
nismë poetike për të hyrë në poetët e rinj shqiptar me seriozitetin e një
poeteje që tenton të lejë gjurmë në poezinë e brezit të ri. Libri i parë ishte
një kërkesë ndaj vetvetes për të sjell tek lexuesi dëshirën dhe ëndrrën e parë
fëminore për të krijuar dhe të afrojë lexues, pasi vitet e vështira fëminore
nuk i krijuan luksin për të krijuar e lirë dhe të kalonte një fëmijëri të
gëzueshme, mes lodrash dhe lumturisë. Pas librit të parë “Zemër e plagosur”
Sabina i rriti kërkesat ndaj vetes, zgjeroi tematikën e krijimtarisë, rriti
ndjeshmërinë e vargut, ofroi më shumë tek vetja
hulumtimin njerëzor ndaj fenomeneve të përditshmërisë, përzgjodhi
fabulën, lëmoi fjalën, tentoi të kapërcejë disa tabu individuale. Për vite të
tëra në emigracion, për vite të tëra në një vend me demokraci të konsoliduar
siç është Belgjika, Sabina përcolli tek vetja dëshirën për të marrë dhe dhënë
nga kulturat mes dy vendeve, të emancipojë më shumë veten dhe të jetojë
realitetin me ngjyrat reale pa artifica.
Duke
ndjekur me vëmendje zhvillimet letrare, duke futur në bibliotekën e saj shumë
libra me poet shqiptar dhe të huaj, Sabina e kultivoi më shumë vargun metaforik
duke e përcjellë poezinë me vërtetësinë e një nëne dhe gruaje që di çfarë
kërkon në jetë dhe çfarë mesazhi duhet të përcjellë. Larmishmëria e poezisë,
tematika e pafundme në fabulat e përcjella, stili lakonik dhe besnikëria e
vargut për ta sjellë sa më qartë idenë e poezisë tek lexuesi ka bërë që në këtë
libër, poezia e Sabinës të vijë më e qartë, më e freskët, më e bukur, më e
larmishme, më jetësore, më mesazhore. Poezitë për Atdheun, Çamërinë, Kosovën,
Flamurin kombëtar, dashurinë, fëmijëve, janë një pjesë e tematikave të gjalla
që ajo i ka përcjellë me shumë intimitet, ndjeshmëri dhe diku edhe të
mbështjella më filozofinë popullore shqiptare. Sabina nuk tenton që të
kapërcejë idetë e vargut pa lidhje kohore dhe artistike dhe të gozhdohet vetëm
tek një temë. Jo! Larmishmëria e tematikës dhe e fabulës, gjetjet e veçanta
artistike, përcjelljet e mesazheve paqësore dhe bashkuese, e bëjnë librin të
këndshëm por dhe intrigues në lidhje me koherenca dhe zhvillimet sociale në
botë. Sabina nuk bën një jetë të mbyllur, as të kufizuar në ide, ajo është tejet
e hapur në jetën e saj familjare dhe atë shoqërore dhe vargëzon bashkë me jetën
me koherencën e saj. Poezia e Sabinës në këtë libër nuk është statike, as
statistikë shifrash, por është një qëndismë shpirtërore e vargëzuar që sjell
një erë mirëkuptimi dhe dëshirëmirë për të jetuar një botë në paqe.
Në
poezitë e saj ajo nuk është e shtirë, as lajkatare dhe e nxituar. Jo! Poezia e
saj në këtë vëllim vjen në mënyrë organike, tepër e sinqertë. Diku në ndonjë
poezi ka dhe shenja melankolie, por tematika që zënë këto poezi kanë të bëjnë
me pjesë të krahinave shqiptare si Çamëria, që koha, historia, është treguar e
padrejtë. Ky melankolizëm ka dhe forcën brenda, për të dalë mbi të dhe për të
kërkuar të drejtën historike sipas normave dhe ligjeve ndërkombëtare. Pa
stisje, pa thirrje histerike, pa aludime, me përcjellje të drejtpërdrejta
shprehjesh artistike, vëllimi i ri poetik “Në gjirin e Nënës”, i Sabinës, është
një arritje artistike, një qasje e re
estetike, një përmirësim elastik mesazhor. Me këtë vëllim, Sabina kërkon më
shumë tek vetja, më shumë vëmendje nga lexuesi, më shumë realizëm nga kritika.
Duke qenë vetvetja, me sinqeritet fëminor, Sabina në këtë vëllim ka përcjellë
një poezi atdhetare, hulumtuese, por edhe të përgjegjshme. Dëshira e saj në
këtë vëllim është: Ju lutem më lexoni me seriozitet, unë shkruaj me shpirt, ju
më jepni me zemër çka më takon! .