Kulturë
Hamza Halabaku: Haxhiu në namaz e dhentë në ara të huaja
E diele, 27.03.2022, 06:38 PM
HAXHIU NË NAMAZ, E DHENTË NË ARA TË HUAJA
Nga
Hamza Halabaku
Haxhi
Bujashka ishte nga fshati ynë. Shtëpia e tij ishte e para në të djathtë, kur
hyhej në fshat nga ana e lindjes. Ata që nuk e njihnin, emrin Haxhi e
konsideronin vetëm si titull që ai e kishte fituar pasi kishte qenë në Qabe, në
atë vend të shenjtë në Mekë, që, siç thoshte ai, ishte obligim për besimtarët e
fesë islame që së paku një herë gjatë jetës së tyre ta shkelnin. Mirëpo, ai këtë
emër e kishte fituar atë ditë që kishte lindur, pasi prindërit e kishin
pagëzuar me këtë emër.
Haxhiu
tani ishte i shtyrë në moshë dhe nuk mund të ndihmonte shumë në punët e
familjes, ama për dhentë kujdesej që t’i nxirrte në kullota. Djemve nuk u
pëlqente shumë kjo punë e babait të tyre nga droja se dhentë mund të dëmtonin
arat e fqinjëve, pasi Haxhiu nuk harronte asnjëherë kohën e faljes së namazit
nga mëngjesi e deri në mbrëmje vonë. Ishte thellë i bindur se kudo që ndodhej
dhe në çfarëdo kushtesh, patjetër duhej t’i falte të pesë vaktet. Në shtëpi po
se po, ama edhe kur ishte në fushë me dhen, nuk i kalonte kurrë koha e namazit.
Haxhiu
sillej urtë me të vegjlit e me të mëdhenjtë dhe përherë linte përshtypjen se as
thneglat nuk do t’i shkelte me dëshirën e tij. Mirëpo, dëshira e djemve ishte
që ai të mos merrte rolin e bariut.
-
Jo, baba, ti nuk do të kujdesesh për dhentë. Tani, me këtë moshë, ti na duhesh
më shumë të jesh afër shtëpisë. Ka kush kujdeset për dhentë. Ne kemi biseduar
edhe për këtë punë. Do t’i bashkojmë dhentë me të fqinjëve tanë. Ata e kanë një
bari të përbashkët ndaj edhe ne do t’i japim një pagë simbolike për dhentë
tona. Do të jemi më rehat, kur e dimë që të kemi te shtëpia, - i kishte thënë
një ditë njëri nga të bijtë.
-
Në moshën që jam, nuk mundem më tepër të punoj, por të paktën do të kujdesem
për dhentë që i kemi. Kështu sa për t’jua ngjitur pak dorën. Ata që rrinë kot,
edhe bukën haram e kanë, biro! - kishte thënë ai.
Propozimin
e vëllait e kishin mbështetur të gjithë familjarët, por plaku ishte shprehur se
puna e çobanit i dukej atraktive dhe nuk kishte dëshirë që të mbyllej brenda
mureve të shtëpisë dhe oborrit të tij.
-
Ende jam i fortë dhe vetë do të kujdesem për dhentë tona! - e kishte thënë ai
vendimin e tij të prerë.
Pasditen
e një të diele qershori, Haxhi Bujashka, i kishte marrë dhentë para vete e
drejt e në fushë. Sapo ishin kositur livadhet e kullosë kishte sa të duash, jo
vetëm për dhentë e Haxhiut, por për gjithë bagëtinë e fshatit. Dhentë po
kullotnin në livadhet e quajtura te “Arat e Gata”, ndërsa Haxhiu po kujdesej që
ato të mos hynin në arat me misërishte.
Kishte
kaluar një kohë dhe ai e kishte shikuar orën. Ëhë, kishte thënë me vete. Tani
është koha për faljen e namazit. Dhentë i kishte lënë për një çast vetëm, e ai ishte
lëshuar te shtrati i Moravës së Binçës, që, atëbotë, me plot ujë të kthjellët
si loti, e qetë rridhte në drejtimin e vet, për t’u bashkuar me Moravën Jugore
dhe prej andej, bashkë derdheshin në Detin e Zi. I kishte përvjelë mëngët dhe
kishte marrë abdes.
Haxhiu
e kishte vënë një shkop përpara vetes në drejtim të Qabesë, e kishte shtruar
shallin, që përherë e mbante rreth qafës e që i shërbente edhe për ritualin e
lutjeve dhe ishte lidhur në namaz. Derisa ishte duke iu lutur Zotit, të gjitha
dhentë e tij i kishin ra misërishtes së Bardh Malit. Ishte ara e parë ngjitur
me livadhet e kositura e të liruara për gjithë bagëtinë e fshatit. Haxhiu falej
e dhentë po hanin fasulen jeshile e gjethet e misrit në arën e Bardhit!
Bardhi
kishte qëlluar diku në mes të arës së vet dhe me kënaqësi po shikonte rritën e
misrit. I buzëqeshur po shihte lozët e kungujve me lule ngjyrë të verdhë dhe
frytin e ri të rritur sa grushti dhe bishtajat e fasuleve të mbushura plot
kokrra, që ende ishin në fazën fillestare me ngjyrën e blertë.
-
Të falemi nderit, o Zot, që nuk po na e humb djersën tonë! - kishte thënë me zë
Bardh Mali nga gëzimi. Ashtu, duke soditur bimët që ishin shumë të shëndetshme
dhe pritej të jepnin të mira të bollshme bereqeti, po u afrohej livadheve te
“Arat e Gata” me një pjesë të të cilave kufizohej ara e tij. Kur u ndesh me
dhentë që po ia dëmtonin bimët, u zemërua shumë dhe ishte përgatitur që të
zihej me të zotin e tyre, kushdo që të jetë ai...
E
kishte marrë një thupër të hollë shelgu, që kufizonte arën e tij me atë të një
fqinji, dhe kishte filluar t’i nxirrte dhentë nga ara e vet. Kur doli, me
gjithë dhentë e pronarit të panjohur, nga misërishtja e dëmtuar goxha mirë,
Haxhi Bujashka tashmë e kishte përfunduar namazin dhe po kthehej te kopeja e
dhenve, që për një kohë i kishte lënë vetëm.
-
Uh, uh, uh, Haxhi, ma marre po më vjen mua se ty! Edhe të ma kishin dëmtuar
dhentë tërë misërishten do të isha më i lumtur që të mos ishim takuar në këtë
kohë, - i tha ai. Haxhiu po e shikonte me qetësi Bardhin, nuk po fliste, por as
nuk po skuqej fare.
-
O Haxhi Bujashka, po qysh more tridhjetë krerë dhen në arën time, e ti kishe po
bën namaz, - i kishte folur pak i zemëruar Bardhi.
-
Doja ta kryeja obligimin tim para Zotit, pa pasur dëshirë që t’i bëj dëm
askujt, - kishte folur Haxhiu pa u skuqur fare.
-
Ti obligimin kryeje në daç edhe shtatë herë në ditë, por nuk është mirë që
dhentë e tua të bëjnë dëm në arat e huaja. Kur të jesh në rolin e çobanit,
shkurtoji pak reqatet e namazit, ose fale vetëm farsin. Sot më paske bërë dëm
të pariparueshëm! Tani nuk mund të mbjell më as misrin, as fasulen, as kungujt,
- i kishte folur si i mërzitur Bardhi.
Haxhiu
po e shikonte me qetësi Bardhin, krejtësisht të skuqur në fytyrë nga dhembja që
i kishte shkaktuar ai me dhentë e veta dhe nuk po nxirrte zë nga goja.
-
A po e sheh, more Haxhi Bujashka, unë po marrohem shumë që të zura duke ma
dëmtuar misërishten time, e ti nuk po skuqesh fare. Më shumë jam skuqur unë se
që je skuqur ti! Marre të qoftë! - i kishte thënë Bardhi me një zë më të lartë.
-
Kot po bën namaz ti, o Haxhi Bujashka! As Zoti i Madh nuk të duron e as nuk do
t’i falë këto mëkatet për këto dëme që po ua bën bashkëfshatarëve me dhentë e
tua, sado që ti i lutesh atij. Më kanë folur edhe bashkëfshatarët e tjerë, po
nuk kam besuar se je kështu si po të shoh tani...