Kulturë
Gjokë Dabaj: I pamjaftueshëm vetëm një libër
E hene, 03.01.2022, 06:35 PM
I PAMJAFTUESHËM VETËM NJË LIBËR
Nga
Gjokë Dabaj
Konkluzioni
im i parë, pasi e lexova, është se ky libër nuk mjafton për ta paraqitur të
plotë jetën e Sabri Aliajt.
Sabriu
nuk është thjeshtë një artist i madh. Ai është një gjeni. Është një njeri i
atillë, që deri më sot shumica jonë nuk e kemi njohur, por që brezat e
ardhshëm, të nxitur edhe prej këtij libri, do të kërkojnë ta njohin dhe do ta
admirojnë gjithnjë e më shumë. Do ta admirojnë dhe do të marrin shembull prej
tij.
Mexhit
Stafasani, në faqen 173, thotë me të drejtë: "Të flasësh për jetën dhe
aktivitetin artistik të Sabri Aliajt duhen volume." Por unë e pashë këtu
se duhen volume për të folur edhe për punët e tjera të këtij njeriu, sa të
përditshëm në dukje, aq edhe të rrallë, në botën shqiptare dhe përgjithësisht
në mbarë njerëzimin, në rrjedhë të vitevet.
Faqe
93: "Në moshën 15-vjeçare shkon të punojë në hidrocentralin e Ulzës."
Unë pikërisht këtu e shikoj rrethanën fatlume që talenti i lindur i Sabri
Aliajt gjeti terren për t'u zhvilluar pozitivisht. Sa mijëra fëmijë të sotëm
nuk e kanë fatin e Sabriut, por mbeten rrugëve, duke i derdhur energjitë në
punë jo të mira?!
"Punon
në stacionin e hidrocentralit, ku aftësohet si specialist." "Merr
profesionin e elektromekanikut." Më pas do të dërgohej në sektorë të
ndryshëm: Në një stabiliment sharrash, pastaj motorist në një ndërmarrje
komunale, elektricist në një minierë..." (faqe 93)
Shkon
ushtar dhe merr atje edhe profesionin e kino-operatorit. (faqe 93)
Sado
farë e zgjedhur të jetë një kokërr drithi, duhet edhe toka, duhet uji, duhet
plehu, duhet dielli, që ajo kokërr të japë bimë të shëndoshë dhe, më në fund,
edhe kalli të plotë e të bukur. Duhet një Dan Shemë, "bujk" i mirë,
duhet edhe një Mustafa Pajengë, "agronom“ i mirë. Është e qartë që, nën të
këtillë kujdesje, bima e shëndetshme nuk pyet as për miza, as për krimba! (Unë
i kam provuar vetë të atilla bezdisje mizash dhe krimbash.)
...Këto
janë rrethanat, në të cilat u kultivua dhe u rrit talenti i Sabri Aliajt.
Ndërton
impiantin e prodhimit të bukës... Ndërton një ofiçinë në Zenisht, duke e
pajisur me bazën e nevojshme materiale... Ndërton linjën e tensionit të lartë
në Shoshaj-Zenisht... Vendos transformatorët nëpër kabinat elektrike... Ndërton
rrjetin shpërndarës, kur vendi po elektrifikohej... Ndërton një zdrukthtari me
dy gatrra. (faqe 129) Ndërton bazën e fermentimit të ushqimeve për
blegtorinë... Në furrat e bukës aplikon nxehjen me naftë: flakëhedhës solar...
Ndërton një mekanizëm për larjen e grurit... Një makinë Gaz 51, hedhur ndër
mbeturina, e risjell në jetë...
Në
faqet 124-126 është vendosur një listë e gjatë e makinerive që i kish në
kujdestari ky personalitet i asaj kohe. (Thënë, jo me ironi, por me plot
kuptimin e kësaj fjale, sepse në atë Kohë të Madhe, personalitetet jetonin e
frymonin brenda në popull.)
Njerëzit,
që me të vërtetë duan ta njohin këtë njeri, bëjnë mirë ta lexojnë e rilexojnë
atë listë veprash të tija në faqet 124-126. Unë jam mrekulluar kur e kam
lexuar...
...Ka
ndërtuar vetë disa kitara elektrike bashkë me amplifikatorët përkatës. (faqe
126) S'është aspak e çuditshme, pasi të kemi parë e mësuar ç'mendje e ç'duar
mrekullibërëse kish ky njeri.
"Që
10-12 vjeç ka sajuar vetë një lauri me një bidon prej teneqeje." (faqe 90)
Dhe, një i tillë fëmijë, do të hynte një ditë në radhën e muzikantëve më të
shquar të krahinës dhe të kombit të vet. Pa shkollim përkatës! Si është e
mundur të lësh gjurmë në muzikologjinë e një kombi, pa asnjë shkollim në atë
fushë?! Është e mundur, kur njeriu nuk e lë talentin të vegjetojë brenda tij.
Është e mundur kur njeriu e ushqen talentin me punë. Me punë, jo me
sentimentalizma!
Dhe
vjen një kohë kur Sabri Aliaj ka një orkestër familjare të kompletuar: Krejt
familjen e ka shdërruar në një shkollë të mirëfilltë muzikore, në një lice
artistik, në një konservator, ku arti popullor kultivohet institucionalisht.
Këtu nuk mjafton talenti. Në organizimin familjar të një të këtillë
institucioni kulturor, duhet nënkuptuar, krahas talentit, edhe një vullnet i
jashtzakonshëm dhe një energji e jashtzakonshme.
Sapo
të kemi parasysh të këtilla të dhëna e dhunti personale të Sabri Aliajt, nuk e
kemi aspak vështirë ta kuptojmë krejt veprimtarinë e tij kaq gjurmëlënëse në
kulturën tonë. Autor këngësh që nuk vdesin kurrë! (Përveç në vdekshim ne, në
vdekshin krejt krahinat tona dhe krejt kombi ynë!)
"Cucat
zenishtare“, "Drita në malësi", "Kodrat e fushat", që dikur
lulëzonin e sot të zë trishtimi kur sheh djemtë e rinj që pjekin kallinj anash
rrugëvet të automobilave, me shpresën drithëruese se dikush mund të ndalet për
ta blerë qoftë edhe një kalli të vetëm. "Dola n'atë buzë zalli“. Jo në
Itali, as në Angli! Por aty, në zallin tonë, ku vajza vjen e i ulet djalit
pranë, si një lule saksie! Në atë zallë, ku djemtë e falin jetën për të
shpëtuar nga zjarri pyjet e vendit të vet! Djem, që nuk shkojnë për t'u
burgosur, vetëm në Angli, 1500 vetë! Ku njerëzit u gëzohen dritavet të Ulzës e
Shkopetit, jo si pronë e turqve, por si djersë e jona, që dikur na i ndriçonte
banesat thuajse falas dhe që sot detyrohemi ta vjedhim dritën tonë, sepse Turku
s'do me ditë kush i ka ndërtuar ata hidrocentrale! Një djalë 15-vjeçar, që do
ta mbulonte Matin, edhe me dritë, edhe me këngë!
24 dhjetor 2021