Kulturë
Lugina e Preshevës në bashkëpunim kulturor në nivel rajoni e më gjerë
E shtune, 01.01.2022, 01:11 PM
“Dhuna dhe egërsia i fshehin kulturat në shkurë të helmuara. Por, kultura është dritë që, edhe kur të duket e fshehur, nuk asgjësohet dhe shpejt ose vonë, del dhe vezullon në një trevë kulturë të zhvilluar me fisnikëri të vërtetë…” Nermin Vlora Falaski/f.12/
Kur
bëhet fjalë për bashkëpunimin kulturor në nivel Rajonal e më gjërë, kryesisht
merret parasysh bashkëpunimi kulturor i Luginës së Preshevës me viset shqiptare
për rreth, sidomos me Shqipërinë dhe Kosovën, në realizimin e programeve të
ndërsjella kulturore.
Lugina
e Preshevës, sidomos Presheva realizoi programe të shumta kulturore e artistike
dhe bashkëpunim kulturor në Maqedoni, në
Mal të Zi, në Shqipëri e sidomos në Kosovë, gjatë vjetëve të fundit të
shekullit XX. Poashtu edhe këto vise shqiptare participuan në zhvillimin e
jetës kulturore të Luginës së Preshevës.
Vlen
të theksohet se bashkëpunimi i ngushtë i Luginës së Preshevës me kulturën e
Shqiptarëve në Maqedoni, Mal të Zi, Shqipëri e Kosovë,me të cilin u realizuan
shumë aktivitete kulturore e bashkëpunime kulturore dha kontribut të veçantë në
realizimin e jetës kulturore shqiptare shumë të begatshme.
Ky
bashkëpunim filloi shumë herët qysh në vitet 60-ta 70-ta, të shekullit XX,
atëherë kur ansambletë e shoqërive kulturore artistike erdhën në Preshevë nga
Kosova e Maqedonia, për të dhënë programe me këngë e valle popullore shqiptare,
sikur SHKASH “Hajdar Dushi” e më vonë “Afërdita” e Mushitishtit, me Shkurte
Fejza, Shyhrete Behluli, Lumnije Ibrahimi, Bege Gashi e tjerë.
Poashtu
Preshevën e vizituan edhe grupe të këngëtarëve të njohur nga Kosova, sikur
Qamili I Vogël, Ismet Peja, Njijazi Nikoliqi e të tjerë.
Bashkëpunimi
i parë kulturor e arsimor me Shqipërinë u realizua më 1979, atëherë kur një
numër i punonjësve kulturorë e arsimorë vizitoi Shqipërinë dhe u njoftuan me
arsimin dhe jetën kulturore në Shqipëri.
Në
Shkodër, grupin e preshevarëve e priti Grupi i Këngëtarëve të Shkodrës, e cila
i argëtoi me muzikë të mirëfilltë shqiptare.Pos kësaj punonjësit arsimorë dhe
kulturorë vizituan shumë Parqe arkeologjike, Kala, shkolla, e tjerë.
Ky
bashkëpunim vazhdoi edhe më vonë deri më sot, jo vetëm me ardhjen e ansambleve
me këngë e valle popullore shqiptare, por edhe me teatro nga Kosova,
Maqedonia..
Të
theksojmë se shumicën e programeve kulturore, Presheva i mori me lehtësime financiare apo edhe falas
nga Shqipëria dhe Kosova.
Kështu, në një bisedë të viteve të 70-ta të shekullit XX, në Sekretariatin Krahinor të Kulturës/atëherë/ tashti Ministria e Kulturës-tashti/ nga sekretari i këtij Sekretariati, Shefki Stublla e morëm zotimin që Ansambletë kulturore dhe shërbimet kulturore të Kosovës do të jenë minimale për Preshevën. Në bisedë me të ishte Hasan Hajrullahu, udhëheqës komunal dhe kryetar i Këshillit për kulturë në Lidhjen Socialiste të Preshevës dhe drejtori i Shtëpisë së Kulturës, Xhemaledin Salihu (në foto)/atëherë Universiteti i Punëtorëve/.
Bashkëpunimi
i këtillë filloi të realizohet dhe Presheva të ketë beneficione dhe çmime më të
ulta për programet dhe shërbimet kulturore të Ansambleve dhe Shërbimeve të
Kosovës në Preshevë.
Bashkëpunimi
i parë, i realizuar ndodhi më 1975, kur Biblioteka e Qytetit dhe NGBG
“Rilindja” nënshkruan Kontratë të Përhershme për sigurimin e botimeve në gjuhën
shqipe që dalin në “Rilindje”, në Maqedoni, në Mal të Zi dhe botimeve import
nga Shqipëria. Kjo kontratë u realizua deri më 1989, deri atëherë kur u
suprimua Autonomia e Kosovës, poashtu u shkëputë edhe konktrata në fjalë.
Më
1975, në Preshevë u hap skena e përhershme e Teatrit të Prishtinës, në
periudhën 1975-1983, me rëndësi të madhe shoqërore e kombëtare është hapja e
Skenës së Përhershme e Teatrit të Prishtinës në Preshevë, për realizimin e së
cilës u nënshkrua Kontrata nr.24 e dt. 14 janar 1975, në mes të Teatrit
Krahinor të Prishtinës/atëherë/ dhe Shtëpisë së Kulturës në Preshevë. Pra,
Teatri në fjalë pasuroi dhe edukoi jetën kulturore, sidomos jetën teatrale në
Preshevë.
Më
1980, Preshevën e vizituan Teatri Popullor “Migjeni” Shkodër, Radio Shkodra me
këngëtarët e mirënjohur:Bik Ndoja, Shyqri Alushi/i ndjer/, Violeta Zefi,
Violeta Gjergji, e tjerë dhe Ansambli
Artistik “Kuksi i Ri” nga Kuksi.
Bashkëpunimi
kulturor me Shqipërinë ndodhi kështu:
Enti
Republikan për Bashkëpunim shkencor, arsimor, kulturor dhe teknik i Serbisë ,
me shkresën nr. 88 të datës 27.08.1980 propozoi që të japim propozime lidhur me
bashkëpunimin kulturor me Shqipërinë, për vitin 1981, 1982 dhe 1983.
Këtë
kërkesë e shqyrtuan Seksioni për Arsim, Kulturë dhe Kulturë fizike i KK i LSPP
në Preshevë, Komisioni për arsim, shkencë dhe kulturë i KK i Sindikatit në
Preshevë dhe Komisioni për marrëdhënie ndërnacionale i KK të LKJ në Preshevë
dhe sollën konkluzën që ta përkrahin këtë bashkëpunim dhe u aprovua alternativa
1, shiko f.3 të kësaj shkrese.
Universiteti
i Punëtorëve, gjegjësisht Shtëpia e kulturës , në mbështetje të Konkluzave të
këtyre komisioneve hartoi një kërkesë për realizimin e programeve kulturore e
artistike nga bota e jashtme në Preshevë dhe hartoi Programin e Aktiviteteve
kulturore nga Shqipëria për vitin 1981,1982 dhe 1983.
Programi
iu dergua Enti Republikan per Bashkëpunim kulturor dhe Qendrës
kulturore-propagandistike krahinore të Kosovës në Prishtinë, nëpërmjet të së
cilës i realizuam programet kulturore e artistike dhe programet nga jashtë.
Presheva
organizoi që nga vitet e 90-ta të shekullit XX shumë festivale kombëtare:
Festivalin “Kosovarja Këndon” më 1992, Festivalin “Ditët e Komedisë Shqiptare”
që nga viti 1995 u themelua Festival i Komedisë dhe ky Festival ka
legjtimitetin dhe legalitetin që të mbahet në Preshevë, sepse për të janë
nënshkruar marrëveshje në mes të Shtëpisë së Kulturës dhe LASH-it të
Maqedonisë, Kosovës, pastaj të Shqipërisë dhe Malit të Zi.Pastaj u realizuan
Festivali i Recitueve në Preshevë, unik për të gjitha trojet shqiptare,
Festivali i Këngës dhe Valles së përpunuar në Preshevë apo i SHKASH-ve
shqiptare dhe Festivali i Fëmijëve “Gëzimi Ynë” që mbajnë vulën e kohës dhe
janë Festivale të Preshevës.
Andaj
në mbështetje të kësaj që thamë më lartë, kërkohet një bashkëpunim më i
mirëfilltë i Tiranës dhe I Prishtinës, për të realizuar programe konkrete
kombëtare kulturore dhe arsimore në Luginën e Preshevës, sigurisht, jo vetëm
për ta zhvilluar kulturën shqiptare, por edhe për ta mbajtur ndezur e gjallë
kulturën shqiptare në Luginën e Preshevës, e harruar nga Serbia, por edhe nga
Tirana dhe Prishtina.
Poashtu,
Lugina e Preshevës dhe shoqëria civile e saj kanë nevojë të madhe për financimin
e programeve dhe projekteve kulturore që kanë taban kombëtar, sepse ato nuk i
financon as shteti i Serbisë, me pak mjete komuna e Preshevës, ajo e Bujanocit
kujdeset për financimin e projekteve dhe programeve të shoqërisë civile, me
taban kombëtar, vetëm të atyre me seli në Bujanoc.
Më
26 tetor 2019 në Preshevë u nënshkrua Marrëveshja e Bashkëpunimit kulturor
ndërmjet Shoqatës për Trashëgimi dhe Krijimtari kulturore në Preshevë, Shoqatës
Mbarëkombëtare “Bytyçi” në Tiranë, Shoqatës për Shkencë dhe Kulturë “Pellazgët”
në Tetovë, Qendrës për Studime dhe Hulumtime në Mitrovicë dhe Bashkësisë
kulturore Shqiptare “Perspektiva” në Bujanoc, me qëllim të bashkëpunimit
kulturor dhe organizimit të Festës së Plisit të Bardhë.
Me
Kosovën, me Shqipërinë, në realitet me Ministritë e Kulturës, Rinisë dhe
Sportit dhe me ato të Arsimit duhet të nënshkruhen bashkëpunime kulturore dhe
arsimore me lehtësira financiare ose të financimit të plotë të programeve
kulturore e arsimore që do të shfaqen dhe ndodhin në Luginë të Preshevës.