Kulturë
Shefqet Dibrani: Rasti që shpërfaq emocionin
E merkure, 29.12.2021, 06:21 PM
RASTI QË SHPËRFAQ EMOCIONIN
Mirela
Duka Xoxi, "365 DITË AUTISTE", tregime, botoi Sh.B. "FAIK
KONICA", tregime, Prishtinë 2020, faqe 88. ISBN 978-9951-06-820-8
Nga
Shefqet Dibrani
Rrëfimet e Mirela Duka Xoxit, (parë
kryesisht nga këndvështrimi letrar), janë tregime artistike të realizuara
mbi njohjet profesionale. Rastet e caktuara ngrihen në nivel letrar e artistik
në shërbim të lexuesit, profesionistëve, po sidomos të pedagogëve nga kjo
fushë, prandaj do të ishte mirë që ky libër të futej në programet për edukim,
si doracak shërbyes dhe i vyeshëm, veçanërisht për shkollat përkatëse që
trajtojnë fëmijët me aftësi të kufizuara, me theks të veçantë, për atë kategori
që është e prekur nga autizmi.
Nëse tregimet e Mirela Duka Xoxit, i
shkëpusim nga motivi mbi autizmin, si dukuri, si problematikë sociale, do të
shohim me sa mjeshtri ajo iu ka qasur dy fenomeneve, të cilat sado në pamje
identike në esencë janë të kundërta. Autorja me përkujdesje shkruan për rastin
duke mos u thelluar në të, pasi është fokusuar mbi emocionin që prodhon veprimi
nga personat e prekur nga kjo sindromë.
Gjatë leximit të këtyre tregimeve, sa interesante
po aq domethënëse, lexuesi përveç që do të mësojë për natyrën e fëmijëve,
temperamentin dhe sjelljen e tyre, do të ndeshet me forma të shumta
psikologjike, të papërsëritshme të emocionit që shfaqin këta fëmijë nëpër
tregimet e bukura dhe përjetuese të Mirela Duka Xoxit...
Kontakti i parë me
këtë kategori fëmijësh, manifestohet me raste të rënda, me reagime të pa
imagjinuara për një pedagoge që nis punën për herë të parë. Jo rastësisht kjo
ngjarje është vendosur në tregimin e parë dhe që ka ndodhur në ditën e parë të punës. Ky moment
shpjegon sfidën e autores, e cila për të ndërtuar rrëfimin si tregimtare e
shkathët, nuk synon të shpjegojë ngjarjen si rast i rëndomtë, por të
transmetojë emocionin deri tek lexuesi. Përpjekja e autores ka të bëjë me
bartjen e emocionit, natyrisht për të vetëdijësuar secilin lexues, si duhet të
sillet me këtë kategori. Përvoja profesionale është transmetimi më i saktë i
emocionit, që manifestohet në forma të shumta dhe përsëritet nga rasti e çasti.
Autizmi është
çrregullim shëndetësor mjaft i përhapur, i cili manifestohet me anomalitë në
komunikimin gjuhësor dhe krijon vështirësi të tjera në komunikim dhe
ndërsjellje, ka sqaruar autorja qysh në “Prolog”, duke shfaqur misionin e saj:
“Sa herë jam pranë këtyre fëmijëve mendoj nënat e tyre. Jam vetë nënë.
Ëndërroj të ardhmen e fëmijëve të mi plot dritë. Ndërsa ëndrrat e tyre për
fëmijët autistë janë kaq të thjeshta, njerëzore. Të mund të flasin gjuhën e
nënës së pari nënat duhet të mësojnë gjuhën e fëmijëve të tyre...”, (faqe
15). Duke i afruar kaq pranë këto dy tabllo autorja dëshiron të shpjegojë sa më
thjesht një realitet të përjetuar, sepse edhe ajo është e bindur se për të
mësuar gjuhën e fëmijëve të prekur nga autizmi është “Pothuaj e pamundur... “,
pastaj “Ato nëna, që i ndjekin ëndrrat e tyre me sakrifica të përditshme dhe
të jashtëzakonshme, i kalojnë kufijtë e legjendës...” Autizmi, sipas
saj është “legjendë – enigmë e ditëve tona”, (po aty, faqe 15).
“Dita e parë e
punës”, për Sarandën, protagonistja e tregimeve, do të nisë me pyetjen
drejtuar vetes “A do të mundesha të depërtoja në psikologjinë e tyre?!”,
(faqe 17), dhe i gëzohet pa masë rastit kur aty takon Albanin, i cili ishte
shqiptar, që në vetvete ngërthen një mesazh tjetër, përtej asaj ndjenjës së
thjeshtë, duke thënë se “autizmi”, si çrregullim nuk i përjashton as
shqiptarët, prandaj trajtimi i personazhit me nacionalitet shqiptar nuk është
rastësi. Më shumë është pedagogji, edukatë! Në rrëfimet e më vonshme do të
ndeshim edhe Ivanin, për të cilin vetëm nga një detaj i vogël kuptojmë se ai
është kroat. “Ivani ishte shtrirë në krevat. Me telefonin në duar dëgjonte
muzikë kroate”, (faqe 46).
Kur i trajton këto dy
personazhe, autorja ka në fokus anën emocionale dhe shpirtërore të fëmijëve,
duke dhënë mesazhin universal se “autizmi”, i prek edhe popujt e
Ballkanit. Të hasmëruar në mes vetes, ndërsa fëmijët e tyre të prekur nga kjo
sindromë jetojnë në harmoni në klasën e përzier në aspektin nacional, gjinor e
konfeksional në zemër të shtetit helvetik (Zvicër).
Përsonazhet e
tregimeve janë: Heidi, Gloria, (përmes së cilës shpjegohet eksotimi, sjellje
tepër e rrallë dhe e veçantë, me tipare dalluese duke ngjallur habi, sidomos
kur dalin nga kontrolli). Pastaj janë
Ivani, kroat, Albani, shqiptar, Samueli e ndonjë personazh më
periferik, duke mos harruar Sarandën, Flavien, Kola, e ndonjë tjetër, nga
personeli pedagogjik i institucionit përkatës. Mosha e fëmijëve në këto tregime
është 12-14 vjeç. Gjendja shëndetësore, tashmë e ditur, të prekur me autizëm
dhe përveç kufizimeve shëndetësore, kjo periudhë lidhet me kohën e pubertetit e
cila duket të jetë më e rënda për këtë kategori. Aspekti psikologjik i tyre
shpjegon se “Vetëdija për këto veprime nuk ekziston tek këta fëmijë”,
pastaj “ata nuk mund ta konceptojnë ndjenjën e turpit”, (faqe 24).
Energji, përkushtime
të mëdha, qasje profesionale, nerva të shumta, durim të madh, epitete këto që
dalin nga rrëfimet, të cilat i zotëronte Saranda, në cilësinë e një pedagogeje
në fushën e autizmit. Përkushtimi i saj është në kornizat e humanizmit dhe
njerëzores dhe kjo dukuri shpjegohet edhe përmes reagimeve të të tjerëve, veçanërisht
rasti i një të panjohuri, mirësjellja e tij njerëzore, si dhe dhurata pa dashur
të lë emër dhe shënime, e bëjnë emocional tregimin. (Shih tregimin “Gjesti
human i të panjohurit”, faqe 28-30), për të cilët autorja ndjehet e
mrekulluar, pasi “ende ekzistojnë njerëz me zemër të madhe e shpirtë të
dlirtë-pastër”, (faqe 30).
Në tregimin “Gjendja
kritike e Flavies”, autorja nuk shpjegon se çfarë ndodhi pastaj me
shëndetin e saj?! E rëndësishme për të ka qenë për të përshkruar anën
psikologjike të veprimit të fëmijëve me autizëm, përkatësisht regimi emocinal i
tyre në raste të caktuara, që manifestohen si çrregullime nga ajo rregullësi që
kanë.
Natyrisht figurat
letrare dhe ato stilistike janë përbërës të rrëfimit në
tregimet e Mirela Duka Xoxit, veçmas tematika e trajtuar në këto rrëfime
ka qëllim vetëdijësimi. Kurdoherë veprimi i egër, jashtë çdo kontrolli në
situata të ndryshme përshkruhet me nota të buta me shprehje humane, e pasi të
kalohet kriza ndërtohet epiteti, si edukatë, por është edhe njohje letrare,
që nuk ka qëllim për të shëmtuar edhe më tej këtë kategori, përkundrazi ka
qëllim edukues e afirmativ, për aq sa lejojnë rrethanat dhe niveli shoqëror i
tyre. Lodrat, ngjyrat e rrobave, sendet elektronike, topat e ndryshëm,
kukullat, pastaj prirjet profesionale siç janë, vizatimi, pikturimi, sporti,
noti, artizanati, shëtitja dhe lodrat e tjera janë mjete të domosdoshme për t’i
qetësuar shpirtërat e tyre të rrebeluar. Edhe njohja psikike është
domosdoshmëri, sepse pa u futur në botën e tyre psikologjike, suksesi është i
pa mundshëm. Kur të futesh në psikologjinë e tyre, atëherë në ta manifestohen
porosi për t’i tejkaluar personeli hidhërimet e tyre. Kjo tabllo shfaqet më
saktë në tregimin, “Mesazhi i fëmijëve”, (faqe 36-37).
Ndjenja e dashurisë
dhe përkushtimi amëror i kanë krijuar autores mundësi për të pasur sukses, pasi
çdo veprim dhe reagim i fëmijëve atë e kanë motivuar për ta fituar betejën,
ashtu siç shihet edhe në tregime, me kalimin e kohës format e përjetimit dhe të
veprimit shpjegohen si rutinë e jo si hamendje, ose si drojë për të vepruar.
Sepse fëmijët e tregimeve të saj mërrolen, fytyrat
e tyre ngrysen, pamja u zymtësohet dhe në mimikë duken të vrenjtur kur nuk iu
përshtatet diçka, ose nuk iu funksionon ndonjë lojë apo mjetet eletronike të internetit,
dhe pasi t’iu zgjidhet problemi që i ka nevrikosur a dëshpëruar, ata hapen si
qielli pas shirave të mëdha. Kështu i kishte ndodhur Samuelit në tregimin,
"Dita e dytë në Montfaucon", (faqe 42-45).
Në këto tregime, nuk
ka shpëtuar pa u trajtuar raporti i prindërve me fëmijët e tyre. Janë prindërit
shqiptarë, është e ëma e Glorias, por në një mënyrë mahnitëse trajtohen
prindërit e Ivanit, të cilët kishin shkuar për të vizituar të birin e tyre në
kamping, pasi për disa ditë atyre u kishte munguar Ivani, dhe pasi kishin parë
trajtimin që ua bënte fëmijëve stafi pedagogjik vendosën Ivanin ta linin me
shokë deri në fund të kampingut, pasi edhe ata vërejtën kënaqësinë e Ivanit.
Tregimi “Vizita e prindërve të Ivanit”, (faqe 51-52), dhe pickimin që ia
kishte bërë Heidit grerëza, krijojnë një tabllo morale të edukatës prindërore,
veçmas kur Nëna e Heidit, për t’i qetësuar punonjëset iu tregon se Heidi “është
pickuar dhe herë të tjera, madje në buzë e sy”, kishte thënë ajo dhe “Këto
fjalë të saj na qetësuan shpirtërisht”, (faqe 52), rrëfen autorja e
tregimit! Ndërsa ka edhe pak nota qortimi për prindërit e Samit (Samuelit), të
cilët “si shpeshherë, nuk kanë shkruar asgjë”, (faqe 79).
Tregimi “Surpriza
për Albanin”, (faqe 55-57), për nga ndërtimi i subjektit është tregim i
këndshëm. Ai kishte ditën e fundit në këtë klasë dhe shoqet dhe shokët e klasës
dëshironin ta suprizonin atë. Por atë ditë ai sëmuret, ndërsa autorja më shumë
merret me anën edukativo morale të së ëmës, për të shpjeguar kujdesin dhe
edukatën edhe të saj, e pastaj si e përjetoi surprizën atë pasdite Albani, mund
të shijohet nga leximi i tregimit.
“Koncert i
fundvitit”, (faqe 58-59), rrëfen reagimin emocional të Heidit, e cila kur
hap perdet e skenës dhe nuk sheh prezencën e prindërve në sallë i riktheht
programit që ishte përgatitur për tu shfaqur. “Për fat të mirë prindërit
ishin ulur në fund të sallës... Them për fat pasi vitin e shkuar ajo sapo pa
prindërit në sallë zbriti e nuk u kthye më në skenë”. Sado që ky detaj
është i bukur, paraqet një shkarje, pasi këto tregime zhvillohen në vetëm 365
ditë, që kapin një vit kalendarik, e jo edhe të një viti më parë siç shprehet
autorja, e cila sigurisht rrëfimin e ka dëgjuar nga Kola, kolegu i punës?!
Përtej emocioneve, në
një tregim tjetër, i cili është goxha mistik, rrëfen për parandjenjën si dukuri
e telepatisë apo si dukuri hyjnore, dhe këtë e ka realizuar në tregimin “Parandjenjat
e Heidit dhe të Ivanit”, (faqe 60-63), e para për rrobat që do t’i dhurohen
ndërsa Ivani për vizitën që Stivi do t’ia bëjë klasës ku ishte ai. Dukuria
mistike si bestytni, ose dukuria e telepatisë si fenomen, nuk mund të mos
besohen pasi eksperienca njerëzore ka dhënë prova bindëse për këto mrekulli
hyjnore të cilat rrëfehen edhe në tregimin e këtij libri.
Mirela
Duka Xoxi, në librin e saj ka sjellë vetëm disa momente pikante, të
mjaftueshme për t’i trajtuar si raste specifike të rralla, që janë strukturuar
si rrëfim letrar, kushtuar fëmijëve të moshës 12-14 vjeç, të prekur nga
autizmi. Libri është mirë të lexohet si nevojë për të pasur njohuritë
elementare me këtë kategori të shoqërisë njerëzore, për të ditur si të sillemi
me ta dhe nëse kemi mundësi, pse jo edhe tua lehtësojmë jetën atyre,
familjarëve dhe personelit pedagogjik të cilët merren me ta.
Disa nga
karakeristikat kryesore që i shfaqen këtyre fëmijëve janë: belbëzimet,
ulërimat deri në çierrje, gjestikulacioni, mimika e shpërfytyruar,
ritmika e lëvizjeve, veprimet e pa kontrolluara, si dhe format e
çrregullimeve empatike, etj. Rikthimi i
fëmijëve në realitetin e tyre përshkruhet me nota të buta, me shprehje
elekuente si: “M’u bë sikur dielli, qielli, ajri, toka, detet, oqeanet, po
vallëzonin valsin e tyre hyjnor dhe ajo po vallëzonte bashkë me ta”, (faqe
61). Po ashtu autorja, fëmijët i trajton me epitetin:
flutura, zogj, pëllumba, engjëj, që shprehin përkushtimin letrar. Tregimet e Mirela
Duka Xoxit, janë të paanshme që shprehin qëndrim qytetar e profesional
njëkohësisht, një lloj ndërthurje e prirjes krijuese me përvojën profesionale, sprovë e madhe që i ka shërbyer për t’i
shkruar këto tregime të cilat iu kushtohen fëmijëve me nevoja të veçanta.
Kjo
kategori, në qetësinë e tyre
janë të butë, bëjnë lëvizje më të kontrolluara, dhurojnë dashuri, kryejnë
ndonjë veprimtari. Por gjendja e tyre emocionale mund të ndryshojë në pak
sekonda, ajo gjendje kthehet përmbys, lëvizjet dhe veprimet e tyre nuk kanë atë
ritmikën e rëndomtë, ata acarohen tejmase, të tjerëve ky çrregullim iu
manifestohet përmes pikëllimit që shprehet me gërvishtje, përplasje të kokës
për muri, ose grushtimi i vetvetes, prandaj duhet aftësi, durim dhe afinitet
për t’i qetësuar, duhet njohur mirë psikologjinë e tyre, dëshirën për një send
a lojë, për një gjë e cila ata i kthen në normalitet, madje me të njëjten
shpejtësi sikur kanë dalur nga vetvetja. Këto veprime, këto emocione zbërthehen
nga tregimi në tregim, dhe jo vetëm kaq, por duke u ngritur rrëfimi në nivelin
e tregimit letrar, autoren e bëjnë shkrimtare të mirë realizuar.
Në
përgjithësi, tregimet e këtij libri janë të shkurtra, të sakta në përshkrimin e
detajit dhe shëmbëllyes në interpretimin letrar, veçmas të emocionit si dukuri
psikologjike, me synim për të ngritur rrëfimin e përjetuar në nivel të tregimit
letrar, gjë që autorja e ka realizuar me shumë sukses.
St. Gallen, 18.12.2021.
Shefqet Dibrani