Kulturë
Jahja Drançolli: Historia e Vitit të Ri
E premte, 31.12.2021, 07:28 PM
Historia e Vitit të Ri
Nga
Jahja Drançolli
Sot,
në shumë vende të botës Viti i Ri fillon më 1 janar. Festimi i Vitit të Ri më 1
janar është një fenomen relativisht i ri. Regjistrimi më i hershëm i festimit
të Vitit të Ri besohet të ketë qenë në Mesopotami, i cili festohej rreth vitit 2000 para erës
sonë në ditët e ekuinoksit pranveror (muaji mars). Janë ruajtur edhe një varg
datash të tjera në kulturat e lashta që lidhën me stinët dhe kalendarët.
Egjiptianët, fenikasit dhe persët e filluan vitin e ri me ekuinoksin e vjeshtës
(muaji shtator), ndërsa ilirët e festonin me Solisticin e Verës (20 ose 21
qershor), grekët me Solisticin e Dimrit (21 dhjetor)!
Festimi
i Vitit të Ri (stilus, calculus) në Europë, me shekuj është shënuar në data të
ndryshme të kalendarit, duke përfshirë 1 dhe 25 marsin, 1 shtatorin, 25
dhjetorin, etj. Stili i Vitit të Ri që fillon me 1 janar (Stilus
Circumcisionis), u mor sipas zakonit të lashtë romak të vënies në shërbim të
konsujve (viti 153 para erës sonë). Edhe
pse Julius Caesar në vitin 46 para erës sonë përdori kalendarin julian, ai
mbajti 1 janarin si datën e fillimit të Vitit të Ri. Me zgjerimin e Perandorisë
Romake u përhap edhe përdorimi i kalendarit Julian. Megjithatë, pas rënies së
Perandorisë së Romës në shekullin e 5-të të erës sonë, shumë vende ndryshuan
kalendarin në mënyrë që ai të reflektonte më shumë për fenë e tyre, dhe 25
Marsi (stilus Incarnationis ose Festa e Shpalljes), si dhe 25 Dhjetori (stilus
Nativitatis ose Kshndella) u bënë ditë të zakonshme të Vitit të Ri.
Më
vonë u bë e qartë se kalendari Julian kërkonte ndryshime shtesë për shkak të
një llogaritje të gabuar në lidhje me vitet e brishtë. Papa Gregori XIII
prezantoi një kalendar të rishikuar me 24 shkurt 1582 (Inter gravissimas),
kalendar ky që rivendosi 1 janarin si fillimin e Vitit të Ri. Kalendari në
fjalë do të praktikohet së pari në Shtetin Papnor (dhe shtete të tjera italiane
dhe ballkanike të besimit romano-katolik), Francë, Portugali dhe në Spanjë. Shtetet protestante
dhe ortodokse e miratuan më vonë këtë kalendar, Ndërsa, Britania e Madhe dhe
kolonitë e saj amerikane përqafuan kalendarin Gregorian nga viti 1752. Më parë
ata festonin Vitin e Ri më 25 Mars. Me kalimin e kohës edhe vendet jo të
krishtera filluan të përdorin kalendarin Gregorian.