Kulturë
Migjeni: Shok i dashtun, unë përgjithësisht nuk shkruej urime...
E premte, 31.12.2021, 07:54 PM
Migjeni:
Shok
i dashtun, unë përgjithësisht nuk shkruej urime, as për Krishtlindje as për
Bajram, as për ditëlindje as për ndoj feste tjetër. Nuk shkruej, pse urimet qe
n’ato dite tan bota ban, nuk dij a plotësohen një për qind se pothuej të gjitha
dalin nga hipokrizia. Bota ketë e din, por njësoj vazhdon të shkruejë urime. As
për Motmotin e Ri deri tash nuk i urova askujt asgja.
Por
kësaj here due te hyj ne rradhën e njerëzve korrekte dhe t’u uroj shokve të mi
Motmotin e Ri 1937. Së pari, t’uroj, shok i dashtun gjumin e ambël, që të mos
ndëgjosh si gjëmojnë njerëzit nën barrën e kryqave të vet tue mundunve, as
britmën e ngadhnjysve në këtë jetë. Të mos dëgjosh bubullimën e Spanjës. Gjumin
e ambël! Të mos dëgjosh si afër teje gërset dhëmballa për dhëmballë, nga teë ftohtit.
Pse atëherë duhet të pyesësh: moj dhëmballë, pse ndeshe për dhëmballë dhe
gërset aq?
E
gjuha në vend të dhëmballës përgjigjet: pse asht ftohtë, zotni, e kur asht
ftohte, zotni, u hyn dreqi trupit, muskulave, nervave, zotni, dhe qashtu gërset
dhëmballa për dhëmballë, zotni. Asht tepër banale të themi se mungon veshja dhe
mbathja dhe zjarrmi, prandej: gjumin e ambël, shok i dashtun. Së dyti mbas
gjumit t’ambël, t’uroj – ç’asht dhe e natyrshme – të jesh i gëzuem, gjithmonë i
gëzuem. Nga gëzimi i madh, ne sentimentalizëm, të puthish drrasat e dhomës e
shtyllat, si bani Greta Garbo në filmin “Mbretnesha Kristina”, kur shijoi
dashunin shtazore (desha të them hyjnore, por njësoj asht).
Aq
i gëzuem, saqë bota të ta kenë zili dhe të thonë: oh, sa i lumtun asht! Të jesh
i gëzuem edhe pse n ‘anë tjetër zemra të pëlset, si paljaços. Te jesh i gëzuem,
se gëzimi yt u jep shpresa edhe tjerëve. Në rasë se tryeza e shkrimit të çalon,
ti qeshu. Në rasë se e vetmja karrige që ke në shtëpi asht e shpueme dhe s’ke
se ku të rrish, ti qeshu.
Në
rast se s’ke zjarrm e ke të ftohtë, po, ti qeshu. Në rasë se ndonj ditë, ashtu
kot, të mungon dhe buka, ti merre për lojë, për shaka, dhe qeshu, qeshu. Del në
rruge bile, në kryqzimin e udhve, dhe qeshu, qeshu, qeshu, e bota do ta ketë
zili dhe do të thotë: ah, sa i lumtun asht!
E
kur të të vije në shtëpi ta shofi shkakun e gëzimit tand, do t’i kujtohet botës
vetvetja dhe do të filloje të qeshi kikikikakaka. Smundja e të qeshunit do të
përhapet ndër të gjithë dhe njerzit si majmunat do të hidhen përpjetë nga
gëzimi…
Dhe
kështu uroj që vjetin 1937 ta kalojmë në gëzim, edhe se të smunde patalogjisht.