Kulturë
Dom Lazër Shantoja: Sot bota nuk dron shpifjet... dron të verteten!
E premte, 31.12.2021, 04:03 PM
.... Ishte nata e motmotit të ri. Silvester! Vjena ishte n’ethe. Njizet e tri theatrat, nji qind e shtatëdhetë e mâ kinematografat, pêsë varjeté-at, gjashtëmbëdhetë cabare-at, katërdhet e tri baret, katërdhetë e nji kafe-koncertat e pernatshme kishin shpallun me kohë programet e veçanta të tyne. Sensacjone, premjera, jazzbandi n’Oper... lojna, balle, girl-a ekzotike, specjalitete të ndryshme. Shkumbë shampaje mbi të gjitha... Nji mijë nji qind e tri lokale, posë ata të zakontat, ftojshin publikun e Vjenës me dëfrue at natë psé ne e nesre bota do të ndrronte nji shtatë në tetë... Nji vjet i ri, nji kalendar i ri! Në mesnatë do t’u fikshin pak të tana dritat. Ai terr simbolizonte vdekjen e vjetit të vjetër. N’ata pak minuta terri të tanë Vjena do t’ishte nji puthje e vetme. Me mâ të bukrin shêj dashtnije kjo botë fillon vjetin e ri.
Mue
at natë m’u duk vehtja porsi nji larvë. N’agoninë e vjetit qi po vdiste njofta
vdekjen teme. Mendimet qi të rreshtova në ket leter më zatetne të tana per nji
herë. Më duelen para porsi në nji vizjon të kjart skeletat e shokvet qi
pushoshin nên dhe: nên dhe t’huej... e shokvet të vramun nga dora e sikarvet, e
shokvet të vdekun në sallat e smuetorevet, e shokvet të grabitun nga dora dhe
fati. Më duelen para dhe skeletat e të nesermes... pashë para vedit fytyrat
buzëvjerruna të dezertorvet e t’apostatavet, t’atyne qi lëshuene armët dhe u
kthyene n’atdhé porsi paketa poste «senza valore».
Zhurma
e motoravet t’automobilavet ishte at’ natë dhé mâ shurdhuese se të tjera herë,
drita e reklamavet mâ e shndritshme, levizja mâ e madhe, luksi mâ provokant.
Une at' natë... shkova me fjetë. S’deshta me helmatisë orgjen e të gjallvet me
frymen e të vdekunvet. Per mue tash tri
vjet kalendari e kishte bjerrë kuptimin e tij. Tri vjet para u gjindshe
në burg. [...]
Vjetin
e ri e prita tue fjetë... don me thanë se tue fjetë i vûna kapak dhe të
vjetrit. Mënyra mâ logjike per të vdekun si na me kremtue këto data. Çka do
t’jetë për ne vjeti i ri? Âsht zakon, sidomos nder gazetar, me i definue vjetët
sikur historjakët definojnë shekujt. 1925 kjé vjeti i Lokarnos, 1926 vjeti i t’hyemit
të Germanisë në Lidhjen e Kombevet, 1927 vjeti i katastrofavet t’evitueme. Edhé
vjetit të ri kan me ja njitë nji êmen, por sot nji vjetë... (Vjetët pagzohen
mbasi të vdesin.) na mund t’a pagzojmë qysh tash. Vjeti i ri sikur tri vjetët e
kaluem nuk âsht per né tjeter veç se nji vjet lêje mâ teper...
Nuk
do t’a mbylli ket leter pa të bâ dhé urimet. Këto kan me kênë ndoshta e vetmja
notë humorit në të tanë ket leter hypokondrike.
Heine
kohës së tij i bani këto urime në rasen e ndrrimit të motmotit: «U uroj pak
mênd të çmêndunvet e pak poezi të mêçëmvet. Gravet u uroj petka të bukra e
burravet shum duresë. Të pasunvet u uroj nji zêmër e skamnorvet nji rriskë
bukë. Por mâ fort se kurrgjâ uroj qi në ket vjetin e ri t’i shpifemi sa ma pak
qi të mundemi njêni tjetrit.»
Ti
kujton ndoshta se une per ty si gazetar kam zgjedhë ket urimin e fundit.
Gënjehesh. Sot bota nuk dron shpifjet... dron të verteten!
Dom Lazër Shantoja, Ora
e Shqipnisë, Vjenë, 10 Fruer 1928
Përgatiti
Ardian Ndreca