E enjte, 28.03.2024, 01:16 PM (GMT)

Kulturë

Poezi nga Atdhe Geci

E diele, 02.01.2022, 12:48 PM


PËRDITËSIM I DASHURISË - poezi nga "Kanuni poetik" i riu

Në Kodër të Brijës në Roganë

një kaçubë më ka pas thënë

jam e vogël e kam pak shtat,

vesë prej barit pijë çdo natë!...

Ndodhem  tek  Shkëmbi  i  të Vjelave

aty ku perëndia shikon me emocione

këtë bukuri të bekuar të Dardanisë.

Hapat e erës nëpër gjethe të pemëve

e lajmërojnë një ditë vërtetë të bukur,

ditë, me tinguj dhe muzikë të gjelbër

ditë me kitare të zemrës e të shpirtit.

Fjalët e dashurisë janë ato të lashtat

të njëjta janë prekjet dhe përqafimet

drama dashurie ne kemi vazhdimisht

dashuritë bëhen si në kohët e antikës

gratë edhe sot zhvishen me ngadale

këmishë e Ilirianës shumë më pëlqen

me të zemra ma do që të përqafohem

Nuk i gjej mangësi rritës në Roganë

gjak dashurie më pikon në kraharor

një ushtimë gurësh ngrihet nga toka

nga një luftë e ashpër e gjithë qenies

Të jesh poet do të thotë të bësh art

dhe të kesh fuqinë të krijosh këngë

Takimet me dashuri janë të ëmbla,

janë përditësim dashurie për Atikën

Nga e çdoditshmja i mbushim kupat

që të mos biem në vetminë e pafund

puthjet e ditës së sotme mos i leni

për nesër, të dashurosh do të thotë të

lindësh, Rogana frymë e ka krijimin,

përpjekjen për të kaluar në vepra,

unë nuk di a keni kohë të dashuroni

Roganë do të thotë, të krijosh për të!...

Një përmendore e shquar është koha

fara e të vjelave të kallinjve t´gjelbër

kultura e të mbjellave për të korrat

udhëtimi nëpër një botë më tokësore…

Asgjë s´ka më të përjetshme se gruri

s´e fruti i mollës nëpër arat me plisa

Roganë, je pjesë e procesit arbëror

je bukë dhe mollë, lule dhe kumbull

je frymëzim për përditësim dashurie.

Atdhe Geci – Dortmund, 2021

HYJNITË E SHTËPISË

Shqipëria pellazge u lind nga bima e shqipes

nga e ëmbla dashuri për gratë e për familjen

nga alfabeti 15 mijë vjet pellazgo - shqipëri

u lind kur i gjithë Mesdheu ishte vendi ynë.

Çami kudo që ndërton veten e quan, Çamëri,

veten e quan pellazg, ilir, epirot dhe shqiptar.

Çamët në Çamëri dhe gjithandej Epirit, në

pjesët e shtëpive të tyre me shikim nga lulet,

në dhomë i kanë nga tri dritare; një dritare

për Shqipërinë, një dritare për Dardanin, një

dritare për Iliridën, Preshevën dhe Tivarin.

Çami, vetë e përditëson Shqipërinë në shtëpi.

Epiri dhe Iliria kanë ditur të bëjnë lufta, edhe

kur vendi ishte i kërcënuar e i digjej shtëpia

shumë fushëbeteja e lufta na i vodhën grekët

Shqipëria e lindur në foletë më me perëndi

u kthye në shtëpi te letra e shkruar e Thotit.

Hyjnitë e shtëpisë s´janë një, por janë disa;

Thoti, Zeusit, Apolloni dhe Naim Frashëri.

Shqipëri, nxirre zërin e gjitha kohërave e fol

thuaje fjalën që e di, mos e mbaj të fshehur

gjysmë e atdheut fqinjët na e kanë pushtuar

e ardhmja s´vjen pa guximin e gjithë kombit!...

Atdhe Geci - Dortmund, Gjermani, 2021

EPOKË E ÇAMËRISË

O tokë e shenjtë  e Epirit, gjelbro

sot e kemi një lindje    s’vdesë

dhe një  rilindje    vetëm rilind,

rritën  e  Republikës së Çamërisë.

Unë i di fjalët  kthesë të historisë

jeta e gjthsecilit çamë është luftë,

dhe mision i kombit për pavarësi.

Më quajnë Festim Lato, jam çam,

jam fis  orakulli, nip  i  perëndive

fëmiu i nëntë çam  i  nënë  Dajés

më i vogli i 4 motrave dhe i katër

vëllëzërve, në  kokë  kam  Pirron,

dhe 15 mijë  vjet  jetë  shqiptare.

Në natën e shenjtë të kësaj lindje

ju premtova që Çamërinë ta dua,

pa frikën s´e mund të më vrasin!

Çamëria s´është pa gjuhë shqipe

dhe pa perëndi ajo është vetvetja

të bëhet e lirë  e  t´i mbledh retë,

që Çamëria të ketë vetimën e saj.

Atë që e lanë të shkruar pellazgët,

ilirët, epirotët, albanët e dardanët

janë qeliza gjaku të kësaj lindjeje

janë amanet  dhe mision i kombit.

Atdhe Geci - Vlorë, 2021

HIMN PËR ROGANËN - Poezi nga libri, "Kanuni poetik" i riu

Kam mall për Roganën, për Dardaninë

për krejt atdheun! Kam mall për rrezet

me gjak të diellit e të yjeve, për rrezet

me stinë të gjelbra vere dhe për qiellin

me kallinj ylberesh. Kam mall për tërë

brezat e vendlindjes sime, për këngët

dhe humorin e tyre, për mendjet e urta

kam mall për të gjithë ata që krijojnë

Mjer kush fle në këtë kohë aq të pritur,

mjer kush nuk ndërton në folenë e tij,

mjer kush nuk e lë mendjen të shkruaj

e juaja është Rogana e Kosova dardane

Roganë kam mall për mbrëmjet tua të

magjishme, për Kodrën e Brijës dhe,

aeroportin e zogjve në Frakamen, kam

mall për pranverën me shi e bubullimë

për dimrin me lundrat mbi borë dhe erë,

E ndjej hijen e Plakut të Lisit në Cukal

dhe fëshfërimat e barit me lulet e malit

Roganë, jam unë, je ti! Jemi një këngë

fuqishëm e ndjej dashurinë time për ty

tek ty kam gjakut tim, lidhjet familjare

kjo poemë të kushtohet ty e atdheut tim.

Le të çelë ajri, uji, era e stinët me diell

le të çelë rëra, guri e lulet e shkëmbit

populli i Kosovës dardane do të ngritët

të rimerr pjesët e pushtuara të Atdheut

Nëna ime, Naxhije Geci, e lindur në një

fshat të pushtuar nga Serbia, prehet e

thyer te varret, zëri i saj ka kohë që më

troket, bir, ku mbeti, Çështja e Mollës

së Kuqe, popull i Roganës, intelektualë,

jepni liri mendjes e mendimit, shkruani;

e juaja është Rogana e Kosova dardane!...

Atdhe Geci – Roganë, Prishtinë, 2021

THËLLËZA E FJALËS

Këndo  Rogana  ime  e  dashur,

mbjell! Zëri  yt  rritet dritareve,

në kopsht, luadheve, kodrinave

rritet në libra dhe në mirëqenie.

Kallinjtë që  po  pjeken    ara

janë nga  duart  tua, djersa  jote

janë poema që  t´i po i shkruan!

Zemër, shijoje aromën  e luleve

dashuria nuk ka  lindje, as  nuk

ka vdekje, është  vetë  perëndia.

Roganë, thëllëzë e fjalës shqipe

te këngë e ëndrrës do të ndalem.

Çfarë më takon s´e  kam marrë,

do bëj çmos të rimarr at´që më

takon! Shpirt, unë do bëj luftën

time, që këngë e ëndrrës të mos

zbrazët, por ta fitoj atë që dje  e

humba. Idetë e mendjes  dhe të

mendimeve janë në ngjitje, dhe,

s´pushojnë së kërkuari  tokat  e

pushtuara, Shqipërinë   deri 

Prevezë, në Tivar dhe në Iliridë…

Mbjelli të mbjellat Rogana ime

përqafoj lulet  që vetë i ke rritë

shqiptar është kudo atdheu ynë

Çamërisë ia kemi borxh  lirinë!

se Shqipëri është Molla e kuqe!...

Atdhe Geci- nga libri “Kanuni poetik” i riu



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora