Kulturë » Ypi
Edison Ypi: Lea Fenomenale
E enjte, 18.11.2021, 08:01 PM
Lea Fenomenale
Nga
Edison Ypi
"Të
Lirë" i autores fenomenale Lea Ypi është një libër absolutisht mahnitës,
definitivisht kryevepër.
Lea
Fenomenale ka shkrujt librin më të vërtetë, më të saktë, më të qartë, më të
besueshëm, për tranzicionin shqiptar.
"Të
Lirë", Lea Fenomenale e ka shkruar me seriozitet dhe sinqeritet absolut.
Pa asnjë hile, asnjë hije, asnjë dredhi.
Librin
ku nuk ka asnjë gjurmë mediokriteti, konformizmi, konvencionalizmi, dhe nuk i
përket asnjë mode kalimtare, asnjë trendy snobist, Lea Fenomenale e ka
teshtitur nga shpirti.
Lea
Fenomenale ka thurur një libër nga ata fort të rrallët që pasi ke nisur ta
lexosh, të rrëmben dhe nuk të lëshon më kurrë, bëhet gjymtyrë e jotja, dhe
udhëton bashkë me ty, deri në varr.
Lea
Fenomenale ka skalitur një libër aq të lartë saqë leximi i të cilit të zhyt në
meditime sipërore për shenjtërinë e ekzistencës, shijen e Jetës, Harmoninë e
Natyrës.
Leximi
i kësaj kryevepre nga Lea Fenomenale, të degdis në një Univers pa gravitacion
ku s'ka rëndësi në cilën faqe je, edhe sa të kanë mbetur, madje harron ku dhe
pse ndodhesh, sa është ora, cila është data, stina, viti, shekulli.
Lea
Fenomenale në këtë libër të përsosur gdhendur me daltën dhe çekiçin e
Mikelanxhelos, ka zgjedhur çdo fjalë me përgjegjësi jet' a vdekje, ka thurur
çdo fjali me përpikmëri inxhinierike, ka vendosur me rigorozitet tmerrues çdo
shenjë pikësimi, ka arkitektuar çdo paragraf, ka strukturuar çdo fjali, ka
analizuar çdo tingull.
Rrëfimi
i Leas Fenomenale është plot me të papritura. Por nuk ka asnjë ngecje, asnjë
kërrcitje. Rrëfimi i Saj është aq i ëmbël, aq i butë, aq i njerzishëm, sa mund
të krahasohet vetëm me uniformitetin e rrjedhjes së kohës.
Libri
i Leas Fenomenale nuk lexohet. Vetëm rrufitet si terjaqiu kafenë. Ose
rrëkëllehet ngadalë si pijetari rakinë nga frika mos dehet dhe mbetet përgjithmonë
as i gjallë e as i vdekur brenda faqeve të librit.
Libri
i Leas Fenomenale ka brenda gjithçka përmban jeta fëminore dhe adoleshenciale e
një vajze shqiptare që u rrit në zgrip të Historisë dhe iu desh të bëjë zap:
Lartësinë e Genit, lavdinë e të parëve patriotë dhe Rilindas të shquar,
gjenialitetin e vetes, sofistikimin e gjyshes, urtësinë e babait,
racionalitetin e mamit, egërsinë e Diktaturës, rreziqet e biografisë,
vështirësitë e përditshmërisë.
Libri
i Leas Fenomenale është aq integral, aq kompakt, aq harmonik, sa duket si një
det brenda të cilit mund të kridhesh nga çdo breg. Për shembull, e fillon në
mes, e vazhdon në fund, e mbaron në fillim, pa shkaktuar në trurin tënd asnjë
rrëmujë.
Libri
i Leas Fenomenale është një rrëfim i përsosur me vërtetësi rrënqethëse që s'të
lë asnjë shteg, për asnjë dyshim, asnjë keqkuptim, asnjë evazivitet.
Libri
i Leas Fenomenale është kaotik dhe harmonik po aq sa, dhe po ashtu si,
Universi.
Libri
i keq mbetet i keq kushdo që ta përkthejë.
"Të
Lirë" është shkruar Anglisht nga Lea Fenomenale, dhe përkthyer Shqip po
nga Lea Fenomenale, në mënyrë aq virtuoze sa nuk kuptohet nëse është shkruar
anglisht dhe përkthyer Shqip, apo shkruar Shqip dhe përkthyer Anglisht. Si i
tillë, i njëjti superlibër Anglisht dhe Shqip, janë dy kryevepra të shkruara
nga e njëjta autore, Lea Fenomenale.
Mënyra
si shkruan Lea Fenomenale s'ka asnjë lidhje me mender librat që zhgarravisin
eskrementet e Lidhjes së Shkrimtarëve, apo Gazetës Drita, apo Revistës Nëntori,
të cilët, duke pasur mizën në kësulë, mbledhin dëshmira për të provuar se nuk
kanë qënë spiuna.
Talenti
letrar, laryshia e gjuhës, teksti i përsosur, aftësia improvizuese, koherenca,
stili klasik, ritmi kalorsiak, që buçasin si llavë vullkanike nga truri
inkandeshent i Leas Fenomenale nuk do lërë indiferent asnjë shqiptar që di
shkrim e këndim.
Librat
dhe autorët mediokër rrinë kokë më kokë dhe bythë më bythë me njëritjetrin si
kopè delesh rrëzë ferrave nga frika se vjen i çan ujku.
"Të
Lirë" i Leas Fenomenale dhe vetë Lea Fenomenale, janë Yj të paarritshëm
nga asnjë çakall, asnjë hienë.
Lahu,
shplahu, kollitu, teshtitu, fshi qurrat, pastro veshët, kapsalliti sytë, përtyp
diçka, gjerb një kafe, mbaj pranë një gotë ujë për çdo të papritur me zemrën,
mbahu pas ndonjë sendi mos rrëzohesh nga mahnitja, mbushu me frymë, arratisu
nëpër vende të largëta me Kisha dhe Monastere, harrohu nëpër qiejt e Krijimit,
fillo lexo librin më serioz dhe më të dobishëm të jetës, "Të Lirë"
nga fenomenalja Lea Ypi.