E hene, 07.10.2024, 06:11 PM (GMT+1)

Kulturë » Ypi

Edison Ypi: Kemi Kaubojsa

E diele, 07.11.2021, 08:00 PM


Kemi Kaubojsa

Nga Edison Ypi

Sipas një përfytyrimi idilik gjërësisht të përhapur ndër shqiptarë, Bariu është një pisanjos, i cili, në zhegun e gushtit mban kanotjere leshi në mish, ndërsa në dimër kur bie breshëri e shiu e fryn suferina, futet në zgavrën e qymyrtë të një lisi të djegur nga rrufeja, mblidhet brenda gunës kutullaç, mban një kërrabë me grremç metalik në majë që s'dihet pse i duhet, i bën kòrte një bareshe inekzistente duke i rënë fyellit, dëgjon bilbilin, i vë veshin shushurimës së përroit, dashuron dhinë, nxjerr dhe fut në vathë pas kullotjes dhentë, dhitë, kecat, kujdeset mos i humbi nëpër pyll ose mos ja çajë ujku ndonjë apo disa dele.

Qarkullon dhe një prototipin çajupian për Bariun tonë. Si një qyqar që meriton mëshirë sepse...kur gjëmon e fryn veriu, është përjashta fatëziu, e rreh breshëri dhe shiu.

Duhet çrrënjosur urgjentisht këto turpe atavike aspak të merituara për një Bari të para dy shekujve, po aq virtual sa dhe e fejuara e tij imagjinare.

Agro-blegtoria e sotme ka bërë përparime kolosale. Bariu idilik sipas përfytyrimeve popullore apo çajupiane, Bariu me gunë, kërrabë, fyell, Bariu që pi qumësht dhe dhallë, ha kos, djath, gjizë, si i tillë, sot nuk i intereson askujt, as vet Bariut të prapambetur, sepse është pa rendiment, është jo efikas, primitiv, thjesht kullotës, pothuajse si njëri nga deshët apo derrat e kopesë.

Nuk mund të vazhdohet me barinj  me nagaçe në dorë për t'u mbrojtur mos e pickojë gjarpëri a mos e kafshojë ujku, me trastë shpine me të ngrëna, me ujë në shishe plastike në brez.

Për ta bërë objektivisht produktiv, Bariut të sotëm nuk i mjafton celulari. Madje as GPS-i, të cilin, po të kishte trima t'ja vinin çdo ujku në qafë, nuk do ishte keq. Por nuk është e mundur. S'ka t'atillë trima. Dhe shkenca ende nuk e ka zbuluar sekretin si ta bëjë frikacakun trim.

Për t'ja rritur rendimentin Bariut, nuk mjafton as paneli i vogël diellor që aty-këtu disa barinj tanë e mbajnë mbi shpinë për të mbajtur gjallë celularin. Që të shetisin në Fejsbuk. Ose ta mundësojnë lindjen dhe rritjen e kancerit në fytin e vet  duke parë Banaqe, Foltore, Përputhje, apo të tjera marrina.

Barinjtë janë shqiptarët më interesantë të Shqipërisë rurale. Janë të këndshëm. Mendojnë kthjellët. Spjegojnë qartë. Veprojnë thjesht. Janë më zemërgjërët dhe më shpirtmëdhenjtë prej krejt shqiptarëve që udhëtari takon nëpër vende të largëta, katunde të thella.

Prej barinjve ka edhe me shkollë. Disa madje edhe me shkollë të lartë.

Mes barinjve të panumurt që kam takuar dhe jam llafosur, njërin nuk do ta harroj kurrë.

E pashë mes Gramshit dhe Lapardhasë. Te një qafë mali surreale që quhet "Katërlis" prejnga shihet gjysma e Shqipërisë nga Gorë-Opari deri në det.

Gunë. Krrabë. Shishe plastike uji. Çantë shpine me të ngrëna. Nagaçe në brez. Celular. Radio. Motorçikletë e vogël. Tamam Kaubojs, veçse pa kalë dhe litar me lak.

Ruante një kope dhish. Kishte ardhur nga Franca për të plotësuar me çobanllëk shpenzimet e duhura për specializimin pasuniversitar francez për Gjeodezi të avancuar.

Lopë që rrinë më këmbë, nuk guxojnë të ulen apo të shtrihen, se dyshemeja që duhet të jetë e shtruar me kashtë, është plot me baltë - ka nëpër katundet tona të tilla stalla lopësh ku moskujdesja e barinjve bëhet kriminale për shkak të mungesës së instruktimit.

Ka zona të vendit që përfitojnë nga barinjtë e pakualifikuar.

Disa katunde të Korçës, për shembull, eksportojnë barinj.

Barinjtë korçarë  jo vetëm për dhen e dhi, por dhe për lopë, derra, kuaj, mushka, buaj, dema, etj i takon gjithandej. Nga Tepelena në vlorë. Nga Myzeqeja në Zadrimë.

Mjaft me idilizma dhe romantizma.

Mjaft me Bariun që krruan morrat nën rrobat e palara e të grisura.

Protagonistat e gjysmës së filmave të botës janë barinjtë, janë Kaubojsat.

Kemi dhe ne Kaubojsa.

Një shkollë për cowboysat dhe cowgirlsat, për barinjtë dhe bareshat tona, është jo thjesht e merituar, por sigurisht e vonuar.

Barinjtë duhen instruktuar.

Me Kurs, me Shkollë, me Akademi, quaje si ta ka ënda, jo duke ja lënë në dorë iniciativave spontane, rastësisë, por me disiplinë, me rregulla, me procedura, barinjtë duhen instruktuar urgjentisht.

Kur të kemi Barinj të shkolluar do shpëtojmë dhe nga një e keqe e madhe. Nuk do guxojnë të vazhdojnë të na ofendojnë duke na thënë "S'bëni hajër. Popull barinjsh".



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora